Mësime nga "Deep Purple"
Mar, 25 Mars 2008
Alma Mile

[You must be registered and logged in to see this image.]
Rikthehet brenda vitit në Tiranë bateristi i "Deep Purple", Ian Paice. Dy arsyet e udhëtimit: takim me studentët e Akademisë së Arteve dhe koncert live në "Calvin"



Koncert i vërtetë rroku së shpejti në Tiranë. Publiku kryeqytetas (atij që ia mbajti xhepi), por jo vetëm, e ka ende të gjallë emocionin e përjetuar, kur në skenën e Pallatit të Kongreseve shkelën të famshmit "Deep Purple". Duhet të kalonin dekada, duhet të përmbyseshin sisteme që edhe shqiptarët të mund të preknin yjet e rrokut. Pas performancës elektrizuese, plot një vit para (4 mars 2007), një prej anëtarëve të bandës së famshme muzikore "Deep Purple", rikthehet në kryeqytetin shqiptar. Bëhet fjalë për kitaristin legjendar Ian Paice, i cili do të japë koncert live në datën 12 prill, nëamfiteatrin "Calvin".

Paice shoqërohet nga rrokerët italianë "Matt Filippini Band". Të ftuar do të jenë edhe grupe rroku nga Shqipëria e Kosova. Në kalendarin e Paice-it është edhe një takim (drumm clinic) në Akademinë e Arteve. Kështu, ky do të jetë i pari rast nga gjithë bandat e rrokut që kanë ardhur në vite në Shqipëri, që të japin përvojën e tyre pranë një institucioni edukativ si Akademia e Arteve në Tiranë.

Programi i koncertit parashikon që përgjatë 90 minutash, bateristi dhe "Matt Filippini Band" të luajnë pjesë nga repertori i "Deep Purple". Finalja e koncertit pritet të mbyllet me një nga hitet më të fuqishme të grupit "Smoke On The Water", e cila pa dyshim ka adhuruesit e vet tek publiku i gjerë.

Ardhja në Tiranë me grupin italian "Matt Filippini band" nuk është rastësore. U bënë vite tashmë që kitarristi bashkëpunon me grupin e rrokut. Tek energjia e të rinjve dhe flokët e gjatë, ai shikon "Deep Purpl"-at e dikurshëm, që shkundën botën, së bashku me grupe si "Black Sabbath", apo "Led Zeppelin". Bashkë me "Matt Filippini Band", në përbërje të të cilit janë artistët Matt Filippini në kitarrë, Alessandro Del Vecchio në tastierë, Nik Mazzucconi në kitarrë bass dhe vokalistin Roberto Tiranti, ka organizuar ture koncertesh nëpër Evropë, si në Itali, Spanjë, etj.

Interpretimi i tyre në Tiranë paraprihet nga 1 orë performancë e grupeve shqiptare e kosovare, që do të luajnë disa nga hitet e grupit të famshëm. (Duket se do të jetë një garë interpretimesh).

Organizatorë janë "Artkontakt" dhe "Charl's Entertainment". Koncerti nis në orën 20.00 dhe bileta do të jetë 1 mijë lekë.

Një surprizë është rezervuar për studentët e Akademisë së Arteve. Përgjatë një ore (16.00-17.00), bateristi do të zhvillojë një dialog me muzikantët e rinj, por edhe të tjerë të interesuar. Një mundësi për të mësuar më shumë rreth historisë dhe projekteve të grupit "Deep Purple", por edhe mbi teknikat e të luajturit në bateri.

Për organizatorët, ardhja e Paice në Tiranë është një mundësi për kryeqytetin, i cili ka nevojë për më shumë gjallëri e muzikë të vërtetë. Por një shans edhe për grupet shqiptare, të cilët kanë mundësi të luajnë me personalitete të muzikës rrok siç është bateristi Ian Paice, nga ana tjetër edhe të nisin bashkëpunime interesante me të tjerë muzikantë të njour. Një dritë shprese për të dalë nga izolimi dhe të gjejnë hapësira në tregun e huaj muzikor.

Ian Paice u lind në vitin 1948 në Nottingham, Angli, por familja zhvendoset shumë shpejt në Bicester në Oxfordshire. I vogël ishte tepër i interesuar për të mësuar violinën, por në moshën 15-vjeçare nisi t'i kushtohet baterisë. I ndikuar nga Gene Krupa, Buddy Rich dhe të tjerë bateristë xhazi, Iani do të bëhej një ndër të paktët bateristë të hard rrokut që përdor metodat e swingut dhe të xhazit në interpretimin e tij. (Duhet thënë që është edhe mëngjarash). Fillimisht ishte një baterist në grup lokal të quajtur "Georgie and the rave ons", i cili më vonë ndërroi emrin në "The shindings". Iani largohet nga grupi për t'u bashkuar me një tjetër të quajtur "MI5" e më vonë me emrin e ri "The Maze". Në vitin 1968, kur ishte 19 vjeç, u bë një nga themeluesit e grupit "Deep Purple". Ai është i vetmi anëtar i grupit që i ka mbetur besnik deri në fund dhe ka marrë pjesë në çdo ngjarje të "Deep Purple". Në verën e vitit 1992 Ian Paice ishte i ftuar në një koncert bamirësie në Oksford për të ndihmuar kërkimet kundër sëmundjes së leuçemisë. Gjithashtu i ftuar edhe në albumin e Paul McCartneyt "Run Devil Run"(1999). Kitaristi i "Deep Purple", Steve Morse thotë se ai është aq i mirë në bateri, por që nuk do t'ia dijë për këtë gjë. Përveç faktit që i mban flokët të lidhur bisht e vishet i shpenguar, karakteristikë e pamjes së tij janë syzet ngjyrë blu dhe rrallëherë ngjyrë vjollcë.

Somario

Një surprizë është rezervuar për studentët e Akademisë së Arteve. Përgjatë një ore (16.00-17.00), bateristi do të zhvillojë një dialog me muzikantët e rinj, por edhe të tjerë të interesuar. Një mundësi për të mësuar më shumë rreth historisë dhe projekteve të grupit "Deep Purple", por edhe mbi teknikat e të luajturit në bateri

Për organizatorët, ardhja e Paice në Tiranë është një mundësi për kryeqytetin, i cili ka nevojë për më shumë gjallëri e muzikë të vërtetë. Por një shans edhe për grupet shqiptare, të cilët kanë mundësi të luajnë me personalitete të muzikës rrok siç është bateristi Ian Paice