“Mbreti” që lindi nga fushat e gjelbra

Zoti shpiku futbollin dhe më pas i tha Peles ta më sonte", ky është një shënim anonim që shfaqet shpesh nëpër muret e Brazilit, një thënie që tregon sa i madh dhe i jashtëzakonshëm është vlerësimi i vendit të sambës për yllin e tyre të futbollit. Ai lindi në vitin 1940, kur në Tres Corações (Tre Zemrat), në Juglindje të Brazilit arriti elektriciteti. U pagëzua pikërisht me emrin Edson Arantes Do Nascimento, për nder të shpikësit të llambës Thomas Alva Edison. Do të ishte vërtet një yll ndriçues në Brazil, por dhe në të gjithë botën. Talenti i tij ka bërë që të ëndërronte një popull i tërë, për të cilin futbolli ishte një fe e dytë. Në 1958 luajti në Kupën e Botës për herë të parë, kur nuk kishte mbushur ende 18 vjeç. Në atë Botëror ku do të thirrej rastësisht, do të mahniste botën kur si adoleshent i ardhur nga hiçi do të ndriçonte turneun me aftësitë e tij të jashtëzakonshme.
Nofka Pelé
Për herë të parë do të thërritej kështu nga një shok shkolle, dhe pse nuk e ka fshehur kurrë se nuk i pëlqente. Pavarësisht kësaj, ai do të mbetej dhe emri që historia e futbollit do të njihte. Në realitet, Pelé ka kujtuar gjithmonë me krenari emrin e tij të vërtetë, me të cilin do të donte të thirrej, pra Edison.
Mbreti
Zoti i futbollit, "O Rey", etj. Secili nga termat të sjell ndërmend të njëjtin kujtim, atë të një superylli që dominoi botën, një ikonë e gjallë që kaloi çdo primat. Përveç rekordit të tij prej tri fitoresh në Kupën e Botës, Pelé ishte një gjeni që në çdo rast rishpikte në mënyrë konstante lojën e futbollit. Me çdo prekje, çdo pasim, çdo dribling, ai ishte i aftë të bënte diçka të re, diçka që tifozët nuk e kishin parë kurrë. Instinkti i tij i pagabueshëm për gol, shikimi për pasime perfekte dhe dhuntitë legjendare për dribling, e bënë atë futbollistin perfekt. E nëse "Seleçaõ" (skuadra e Brazilit) mishëronte "lojën e bukur", për sytë e mijëra tifozëve në të gjithë botën, një gjë e tillë mund t'i atribuohet lehtësisht vetive të jashtëzakonshme të të famshmit numrit 10. Kishte një vizion të përkryer të lojës dhe një aftësi të spikatur për të lexuar atë, tipike për kampionët e mëdhenj. Shumë i plotësuar dhe nga pikëpamja atletike, ai ishte i aftë të bënte 100 m në 11 sekonda, repertori i tij ishte i plotë, ndoshta si askush lojtar tjetër në këtë sport.
Publiku e dashuronte
I pazakontë dhe ndoshta i vetmi rast në të cilin gjatë një ndeshje një arbitër përjashtoi O' Rei (mbretin), publiku u tërbua në një lloj mase, saqë Pelé u rikthye në lojë dhe ishte pikërisht drejtuesi i lojës që u detyrua të linte fushën e gjelbër. Për të mos folur për vitin 1969, që vetëm për ta parë duke luajtur për skuadrën e tij Santos, dy vendet afrikane Kongo Belge dhe Kongo Braziliane, që në atë epokë ishin të ndarë nga një luftë e ashpër civile, arritën të firmosnin një paqe të përkohshme. Ky episod është dhe dëshmia që figura e Pelé i kalon kufijtë sportivë të çdo atleti tjetër në botë, duke hyrë në histori si një nga ikonat më të mëdha bashkëkohore.
Ministër i Sportit
Në 1975, pas një viti larg fushës së futbollit, Pelé u mor në ekipin e Cosmos, një skuadër në pronësi të Warner Communications, që duke bashkuar një grup lojtarësh të jashtëzakonshëm, arriti të fitonte edicionin e 1977 në kampionatin e Amerikës se Veriut. Pas kësaj fitoreje, ai vendosi përfundimisht të tërhiqej nga futbolli, pasi realizoi 1283 gola, që i dhanë dhe titullin e goleadorit më të madh në historinë e këtij sporti. Në mes të viteve '90 iu drejtua politikës, duke marrë dhe postin e ministrit të sportit. Figura e tij do të jetë gjithmonë sinonim i futbollit të vërtetë, ai i përbërë nga alegria dhe kënaqësia. Tashmë ai është i angazhuar shumë në çështjet sociale dhe shfrytëzon figurën e tij për të xhiruar spote në favor të futbollit afrikan dhe të popujve të botës së tretë. Për këtë arsye, Edison Arantes Do Nascimento, i quajtur "Pelé" do të mbetet gjithmonë një nga futbollistët me të mëdhenj të historisë.

Gazeta Shqiptare