Kritika angleze kryqëzon Olta Bokën
26 March, 2008
Gazeta Korrieri

[You must be registered and logged in to see this image.]
“Nëse dëgjon këngën, beson se Shqipëria është një vend i tmerrshëm për të jetuar”. “Ngjan si Celine Dion e pushtuar nga shpirtrat e këqinj”.


Teksa ditët e Festivalit Europian po afrohen, nisin të shtohen komentet për këngët dhe përfaqësuesit e vendeve të ndryshme të Europës që do të përleshen sivjet në maj në Beograd për të treguar se sa vende të bukura dhe me muzikë magjepsëse janë ato. Pas kritikave të shumta për herë të parë edhe brenda vendit, kënga që do të përfaqësojë Shqipërinë, për të disatin vit radhazi një krijim i po të njëjtëve autorë që vazhdojnë të dështojnë dhe që përsëri këmbëngulin që ta provojnë prapë, kënga ka nisur të zgjojë perceptime të urryera edhe për veshët e të huajve që e dëgjojnë atë. Shtypi britanik është sigurisht në krye të listës, mbase për shkak edhe të lirshmërisë me të cilën atje flitet për gjithçka, larg lëvdatave hipokrite për të cilat mban kupën e kryesimit sidomos media shqiptare. Si çdo vit, hecklerspray.com i kushton një vend të posaçëm dashurisë kombëtare të anglezëve, basteve. Bastet për këngët e Eurovizion shoqërohen me komente që ndihmojnë publikun të gjykojë më me objektivitet. Këtë vit kënga shqiptare kuotohet me koefiçientin vdekjeprurës 33:1, shanse vërtet të paarritshme. Ndërsa komenti që e shoqëron duke shprehur edhe pershtypjen që kjo këngë lë për një publik me shije lidershipi muzikor, është ky i mëposhtmi:

“Ne nuk themi se këngët e Eurovizionit janë një reflektim i vendit që i prodhon ato, kryesisht për shkak të gjërave monstruoze që mund të thuheshin për Britaninë e Madhe, por nëse kjo do të ishte e vërtetë atëherë Shqipëria duhet të jetë një vend i tmerrshëm për të jetuar. Për vite me radhë, kënga konkurruese e Shqipërisë vazhdon të jetë një baladë mizerabël dhe kjo traditë po vazhdon me “Zemrën e Lamë Peng” që pak a shumë përkthehet si “Zemrën e lamë në bixhoz”. E shkruar në mënyrë të pashpresë, ajo përmban vargje si “Bora e zërit tënd, mbi zemrën time ra dhe mbuloi strehën e fundit të dashurisë”, të cilat tingëllojnë sikur Celine Dion të jetë pushtuar nga shpirtrat e këqinj dhe të jetë duke folur përçart në gjuhë të panjohura. Kjo duket se është mënyra e Olta Bokës për t’i deklaruar popullatës mashkullore të botës se nëse bëni gabimin që t’i hidhni në lavatriçe rrobat e palara pa i palosur ato më parë, atëherë ajo do të dalë në mes të shiut, do të bjerë në gjunjë dhe do t’ia plasë të qarit duke i lëshuar mallkime qiellit. Dhe jo në mënyrë dinjitoze ama. Nëse së paku një shqiptar nuk kryen vetvrasje për shkak të “Zemrën e lamë peng” gjer në Krishtlindje, atëherë kjo do të ishte një surprizë e paparë”.