Shqipja e varfër, një legjendë

Mar, 01 Pri 2008 07:53:00
Alma Mile

Thesaurus Albanicae Linguae", fjalori i gjuhës shqipe që mund të shkarkohet falas në internet. Përmban afro 14 mijë fjalë


Kur nisi punën 25 vjet të shkuara, qëllimi i tij ishte që të tregonte pasurinë e gjuhës shqipe. Sot kërkon të hedhë poshtë "idenë" e varfërisë së shqipes. Dhe e bën këtë duke ofruar falas fjalorin "Thesaurus Albanicae Linguae". Profesor Vincenzo Belmonte kurorëzon kështu një drejtim të kërkimit të tij shkencor mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe. Më saktë mbi gjuhën arbëreshe, të cilën mundohet ta mbajë të gjallë, në San Cosmo Albanse në Kozencë të Italisë, atje ku pesë shekuj më parë u vendosën stërgjyshërit e tij shqiptarë. Pas 10 vjetëve nga krijimi i fjalorit, Belmonte e hedh atë në internet, ku kushdo mund ta shkarkojë falas. Nuk është qëllimi që thjesht të përfitosh prej tij. Jo më kot Belmonte e ka ndërtuar atë si një vepër të hapur, ku lexuesi mund të ndërhyjë e ta pasurojë atë me të tjera fjalë.


Vincenzo Belmonte u lind më 1945. Është diplomuar për Filozofi në Universitetin "La Sapienza" të Romës. Për vite me radhë ka dhënë lëndën e historisë e filozofisë në gjimnaz. Më tej ka dhënë lëndën e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Mesinës dhe në atë të Barit. Është bashkëpunëtor i jashtëm në katedrën e Gjuhësisë dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Kalabrisë. Belmonte njihet edhe si një nga njohësit më të mirë të veprës së Zef Serembes të cilit i ka kushtuar disa studime. Vetëm pak kohë më parë nxori përmbledhjen "Canti" ("Këngë") me poezi të Serembes.

I riktheheni edhe njëherë fjalorit "Thesaurus", por këtë herë përmes internetit.


Legjenda e varfërisë së gjuhës shqipe nuk ka arsye të ekzistojë më. Qëllimi i "Thesaurus-it" ka qenë paraqitja se më e plotë e mundësive shprehëse të gjuhës shqipe si në rrjedhën e historisë së saj, aspekti diakronik ashtu edhe sot në të gjitha trevat e banuara prej Shqiptarëve, aspekti sinkronik dhe vizatimi i rrjetit të marrëdhënieve të brendshme midis fjalëve dhe midis koncepteve.


Çfarë ofron fjalori?

Fjalori nëndahet në 13.760 fjalë-bazë (lema). Për secilën jepen sinonimet dhe termat e afërm, të prejardhur, përkatës e të kundërt. Shumë e pasur është frazeologjia në lidhje me çdo koncept. Në të gjenden nja 60 njësi frazeologjike për vdiq, 230 sinonime për budalla, 58 për brengos, 32 për zagushi, 31 për barkmadh, 23 për jap (një shuplakë, një grusht: 10 nga Kosova, 7 nga fshatrat arbëreshë, 6 nga Shqipëria). Per terma si "trup", "shtëpi", jepen emrat e pjesëve përbërëse, në mënyrë që Fjalori mund të thuhet edhe nomenklator.


Kur filluat punën për fjalorin dhe cila është lënda që keni shfrytëzuar për të?

Puna filloi në 1982 dhe mbaroi në 1997 (me ndonjë ndërprerje). Vepra doli në vitin 1997, në katër disketa, me ndihmën e Departamentit të Gjuhësisë (prof. F. Altimari) të Universitetit të Kalabrise. Ajo u shpërnda falas që në fillim.


Thesaurus-i bazohet kryesisht mbi Fjalorin e Akademisë (Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë 1980), po shfrytëzon edhe repertorë të tjerë si Fjalor italisht-shqip (Leka e Simoni-1986), Fjalor i termave të anatomisë (1985), Dizionario degli albanesi d'Italia (Giordano-1963), Dizionario albanese-italiano (Leotti 1937), Fjalor shqip-greqisht (Kristoforidhi 1904), Lessico italiano e macedone (Chetta 1779-ende i pabotuar). Për autorët e vjetër nga Shqipëria përdora glosarët e Kolë Ashtës, ndërsa për arbëreshët bëra një vjelje sistematike të veprave letrare, shpesh të pabotuara. Fjalori mbledh mijëra fjalë dialektore nga Shqipëria, nga Arbëria italiane (me siglën A), nga Kosova (me siglën K). Këto fjalë u morën nga veprat e Xhuvanit e Çabejt, nga "Dialektologjia shqiptare", nga revistat "Studime filologjike" dhe "Gjuha jonë" dhe, për Kosovën, nga veprat "Fjalorth i fjalëve të ralla" të A. Zymberit (1979) e"Fjalor fjalësh e shprehjesh popullore" (1982).


Mendoni se ia keni arritur qëllimit apo shihni se ka vend për ndërhyrje?

Jam i vetëdijshëm se një fjalor nuk mund të jetë askurrë i përsosur. Prandaj këtë Thesaurus e kam projektuar si vepër të hapët. Përdoruesi mund të bëjë ndreqje, ndryshime e shtesa (që memorizohen duke klikuar mbi "Registra lemma", lart). Kështu vepra përmirësohet dhe plotësohet vazhdimisht nga ana e përdoruesit. Nga faqja arbëreshe ëëë.jemi.it e prof. Luigj Boçës (Luigi Boccia - Università della Calabria - Cosenza) mund të shkarkohet falas fjalori im THESAURUS ALBANICAE LINGUAE,hartuar nga një këndvështrim mbarëshqiptar dhe me mundësi ndryshimi të tekstit.

Gazeta SHEKULLI