Elita 5 koncert bamirësie për Gërdecin
04/04/2008 - 12:07

Nuk është i pari koncert bamirësie i legjendarëve "Elita 5", por ai i së hënës na përket të gjithëve. Pallati i Kulturës në Tetovë ka qenë i tejmbushur. Koncerti u dha dy herë, dhe të tjerë ende mbetën jashtë dyerve dhe nuk mundën të shijojnë muzikën e tyre. Iniciative e grupit "Elita 5", motoja e së cilës ishte ndihmë për Gërdecin, për fshatin e tragjedisë së madhe të 15 marsit. Koncerti i pagëzuar "Së bashku", mblodhi të ardhura nga shitja e biletave të 2 koncerteve radhazi. Solisti i "Elita 5", Arif Zyberi, u shpreh se ky "është rast i cili nuk mund të mos na prekte, dhe ne e pamë të arsyeshme që të organizojmë diçka, që të dalim në ndihmë këtyre banorëve që pësuan këtë tragjedi të madhe". Por nuk kane qene vetëm artistët në këtë nismë. Ishin disa institucione që përkrahën këtë nismë të "Elita 5", dy universitetet shqiptare, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore, por edhe nga një sërë biznesesh të vogla private.