Korçë- Overdoza shënon viktimën e saj të parë për këtë vit në juglindje. Kishte ndërruar jetë nga mbidoza para 5 ditësh, por është gjetur nga bashkëshortja vetëm mëngjesin e djeshëm. Luan Çuli, 32-vjeçar nga Cërriku, baba i dy fëmijëve, që prej dy muajve banonte në Korçë, u gjet mëngjesin e djeshëm i vdekur në shtëpinë e tyre të marrë me qira. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr. 17 të qytetit, në një pallat në katin e pestë të të cilit çifti kishte marrë një hyrje me qira dy muaj më parë. Në fakt sipas hetimeve të deritanishme të policisë dhe dëshmive të të afërmve të viktimës, ai njihej si i alkoolizuar, ndërsa është gjetur me një shiringë pranë shtratit të vdekjes. Burimet policore saktësojnë se vdekja është shkaktuar nga overdoza, por nuk dihet ende nëse ka qenë e qëllimshme nga viktima, apo si pasojë e pakujdesisë.

Ngjarja

Sipas policisë, 32-vjeçari, Luan Çuli nga Cërriku ishte martuar me një vajzë korçare, me të cilën kishtedy vajza, njëra tre vjeç dhe tjetra 5 vjeç. Mësohet se problemet në familjen e tyre kanë qenë të shumta, ndërsa i papuni pinte vazhdimisht. Kështu pesë ditë më parë, babai i dy fëmijëve ka pasur dhe konfliktin e fundit me të shoqen, në shtëpinë me qira ku banonin. Varfëria e tejskajshme, duket se ka nxitur bashkëshorten e viktimës t’i kërkojë atij të sigurojë një punë për të rritur fëmijët e vegjël dhe për të ndryshuar jetën e tyre të vështirë. Sipas burimeve policore, kaq është dashur që 32 vjeçari të keqtrajtojë gruan dhe më pas, kjo e fundit merr vendimin për t’u larguar nga shtëpia. Me dy vogëlushet për dore, ajo ka shkuar në shtëpinë e prindërve të saj, duke humbur nga ky moment çdo komunikim me të shoqin. Ka qenë heshtja e këtij të fundit që e ka shqetësuar 26 vjeçaren, e cila pas pesë ditëve ka vendosur të shkojë ta shohë atë në shtëpinë e tyre. Skena me të cilën ajo është përballur ka qenë e frikshme. 32-vjeçari ishte i vdekur dhe me një shiringë pranë shtratit ku kishte mbyllur sytë.

Hetimet

Fill pas marrjes së njoftimit për gjetjen e kufomës, policia ka nisur hetimet, ndërsa trupi i viktimës është nisur në drejtim të qytetit të Cërrikut për t’iu nënshtruar dhe riteve familjare të ceremonisë mortore. Pas transportit fillimisht në spitalin e Korçës, kufoma ka përfunduar në morgun e këtij spitali, ndërsa mjekët ligjorë të tij do të japin dhe shkakun e vdekjes. Hetimet e policisë janë përqendruar në dy pista ajo e overdozës, ose e një vetëflijimi të mundshëm. Gjithsesi sipas burimeve të policisë gjithçka pritet të zbardhet pas fjalës së mjekëve, ndonëse mendohet që sasia e heroinës të përdorur të ketë qenë e madhe. Nuk përjashtohet që viktima mund ta ketë ndërmarrë këtë veprim, si hakmarrje ndaj fatit të tij të keq. Përdoruesit e drogës janë kthyer në një problem serioz për policinë e Korçës, pasi numri i tyre rritet çdo ditë duk marrë përmasa të frikshme. Ndërkaq për të parandaluar këtë fenomen të ri të shoqërisë shqiptare, janë goditur dhe shpërndarësit e drogës në qytetin juglindor të vendit.

Sipas policisë, gruaja që pas sherrit kishte shkuar te prindërit, u kthye ta shihte, por e gjeti pa jetë me shiringë te koka.