Kosova bëhet me Kushtetutë



PRISHTINE -Shteti i Kosovës bëhet me Kushtetutë. Projekti u nënshkrua dje Komisioni Kushtetues i parlamentit në një ceremoni speciale dhe pritet të miratohet edhe në parlament e të hyjë në fuqi në mesin e muajit qershor. Në këtë ceremoni Presidenti Sejdiu tha se Kosova po bëhet me një Kushtetutë moderne, me të cilën garantohet barazia e qytetarëve dhe komuniteteve në shoqërinë shumetnike kosovare dhe me të cilën garantohet zbatimi i dokumentit të Ahtisaarit, si bazë e zgjidhjes së statusit të Kosovës. "Projekt-kushtetuta e Republikës së Kosovës dëshmon edhe një herë përkushtimin e institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës, për të zbatuar në tërësi propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari dhe në veçanti, dispozitat që kanë të bëjnë më liritë dhe të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë. Këto të drejta e liri themelore janë të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës", - tha Sejdiu. Kushtetuta hedh bazat për institucione të qëndrueshme, kurse konfirmon se kufijtë e Kosovës dhe tërësia e saj territoriale janë të paprekshme, të pacenueshme dhe të patjetërsueshme, theksoi Sejdiu. Duke besuar se Kushtetuta e Kosovës jep bazë të mjaftueshme juridike për një ekonomi tregu dhe shfrytëzim të resurseve të saj natyrore, presidenti Kosovës tha se me këtë akt juridik, Kosova po hap edhe një kapitull të ri të saj në historinë e saj. Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se Kushtetuta e nënshkruar dje, është vlerë e lirisë së Kosovës, që sublimon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. "Kushtetuta është identiteti ynë, sepse populli ynë ka luftuar gjatë për lirinë. Kjo Kushtetutë është dokumenti i garantimit të lirisë. Kemi sakrifikuar gjatë për këtë ditë. Kjo Kushtetutë është dokumenti, është vula e shtetit të Kosovës. Kemi bërë përpjekje të shumta dhe meritore për dinjitet e kjo Kushtetutë i garanton çdo qytetari të Kosovës dinjitetin", - theksoi Thaçi. Nënshkrimi i aktit më të lartë juridik është përshëndetur edhe nga Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith. Ai tha se e ka certifikuar këtë akt, pasi që kishte vlerësuar se Kushtetuta respekton në tërësi parimet bazë të dispozitave të pakos së Ahtisaarit. "Pas një pune të madhe të të gjithë atyre që ishin të përfshirë në këtë proces, Kosova po bëhet me një Kushtetutë moderne", - tha Feith, duke nënvizuar sidomos dispozitat për decentralizimin dhe të drejtat e komuniteteve, çka sipas tij, do të ndikojë që Kosova të jetë më afër integrimeve evropiane.

Gazeta Shqiptare