Del Ponte dhe shtypi shqiptar


Nga Fatos Lubonja
Disa komente mbi librin e Del Pontes "Ndjekja: unë dhe kriminelët e luftës"
dhe reagimin ndaj tij në shtypin shqiptar

I intriguar nga shtypi shqiptar dhe nga disa reagime të tilla si deklaratat e fundit të ndonjë deputeti se po përgatisin padi për Del Ponten shkova të marr e të lexoj librin e Del Pontes që nuk se është i ndaluar, siç thoshte në mënyrë disinformuese News 24 para disa ditësh, por qarkullon i lirë në libraritë italiane. (Në fakt Del Pontes shteti zviceran i ka ndaluar të marrë pjesë në promovimin e tij në Milano për shkak se, në petkun e përfaqësues së këtij shteti, si ambasadore, mund të krijonte reagime).

Për hir të respektit ndaj së vërtetës para së gjithash, të drejtësisë më së dyti, të lexuesit shqiptar më së treti, por edhe të kësaj gruaje për të cilën, pasi mbarova librin, ndjeva respekt, mendoj se duhen bërë disa komente dhe sqarime për atë se si manipulohet publiku ynë nga gazetarë e politikanë shqiptarë, të cilët në emër të një vulgariteti nacionalist dhe për më tepër të rrejshëm as nuk arrijnë, në syverbësinë e tyre, të kuptojnë se nga gjithë kjo zhurmë që duan të ngrenë në vend së të na venë vetulla, po na nxjerrin edhe sytë.

Duke lexuar komentet mbi autoren në Shqipëri sheh se ato përçojnë idenë se paskemi të bëjmë me një grua që paska humbur mendjen, qenka marrosur për shkaqe që nuk dihen, e prandaj i duhet ndalur hovi. E në fakt nuk duhet të ndalin hovin e saj, por duhet që shqiptarët të mendojnë e të kërkojnë të vërtetën.

Së pari duhet thënë se libri nuk ka autor vetëm Del Ponten, por edhe gazetarin e New York Times, Chuck Sudetic, libri i të cilit "Gjak dhe Hakmarrje" (Penguin 1998) që flet për masakrat në Bosnje është përfshirë në librat më të rëndësishmë nga New York Times dhe është cilësuar si libri i vitit nga "The Economist" dhe "Washington Post". Kjo për të qetësuar sadopak histerinë kundër marrëzisë së Del Pontes.

Së dyti duhet thënë se libri nuk mbulon vetëm Kosovën, por është i ndarë në 12 kapituj ku përshkruhen përpjekjet e prokurores për të provuar fajësinë e kriminelëve të luftës në shumë vende të botës ndër të tjera edhe ato ballkanike si Serbia, Kroacia, Kosova e ku tregohet një paanësi e pamëshirëshme ndaj të gjthëve. E komenti i parë që mund të bëhet lidhur me këtë aspekt të librit dhe shtypin shqiptar është se ndërkohë që ne kemi qenë të prirur t'i pranojmë krimet e të tjerëve, madje duke e glorifikuar Del Ponten, kemi një refuzim total dhe krejt irracional kur këto na atribuohen edhe neve. E kuptueshme kjo nga një pikpamje naive nacionaliste. Në Beograd tregon autorja, njerëzit që demonstronin kundër saj i ulërisnin "kurvë!". Por jo kur bëhet fjalë për gazetarët. Atyre nuk u falet të harrojnë se vijmë të gjithë nga e njëjta histori dhe e njëjta kulturë. (Pa harruar se janë po ata që sapo kanë përshkruar me hollësi se si ne hodhëm në erë në Gërdec viktima të pafajshme gra e fëmijë, për pesë grosh të qelbura).

Urrejtja ndëretnike gjeneron luftë dhe lufta gjeneron vrasje dhe krime që shtrihen edhe kundër të pafajëshme. Nga ky realitet tragjik nuk mund të përjshtohet asnjë komb. Historia e ka provuar këtë. Prandaj duhet të hiqen syzet e nacionalizmit përballë realitetesh të tilla. Veçanërisht nga gazetarët kërkohet kjo, por edhe nga ata politikanë që shohin drejt Evropës së ardhme dhe jo prapa drejt Holokausteve dhe Gulageve.



Së treti, libri në tërësinë e tij flet për një të vërtetë shumë tragjike: atë se drejtësia dhe pushteti politik shpesh nuk shkojnë së bashku, përkundrazi i zenë rrugën njëra tjetrës. Iibri i Del Pontes është një akuzë për të fuqishmit e kësaj bote që, në emër interesash politike, kanë sakrifikuar drejtësinë. Del Ponte flet për një "mur gome" të ngritur nga të pushtetshëm të ndryshëm të kësaj bote kur ajo u është drejtuar për t'u kërkuar ndihmë. Tregon për George Tenet i cili disa herë i ka premtuar ndihmë, dmth. se CIA do ta ndihmojë në hetimet e saj, por, më në fund, i ka thënë troç se nuk i intereson fare shqetësimi i saj. Del Ponte po ashtu ka akuzuar edhe Prodin e D’Alemën për mbrojtje indirekt të kriminelëve serbë, gjithnjë në emër të të njëjtave interesa politike. E përsërit një qëndrim të tillë edhe kur flet për takimin e saj me presidentin e Ruandës Kagame. Këtë e bën edhe ndaj UNMIK-ut kur flet për Haradinajn, Thaçin, Çekun, Limajn etj. Mos të harrojmë se janë po këto interesa që mbron Tenet që një herë e kanë armatosur një diktator si Sadam Hysejni dhe herë tjetër e kanë varur si kriminel, që Arafatin një herë e kanë cilësuar terrorist pastaj e kanë pritur me nderime. Del Ponte thotë: mua këto interesa nuk më interesojnë, si prokurore më intereson drejtësia. Këtu mund të hapet një diskutim ndoshta edhe mjaft i thellë, për raportin e politikës me drejtësinë, apo për atë se sa mund të funksionojë normalisht një Gjykatë ndërkombëtare kur ajo ka kundër interesa kombëtare, por duhet edhe të lexojmë me vëmendje atë që i ka mësuar asaj përvoja: se imuniteti i politikanëve që bëjnë krime, - imunitet për të cilin ajo flet aq shumë, - do të gjenerojë krime të tjera e, po ashtu, se vetëdija se ekziston një gjykatë krimesh, një drejtësi përtej pushteti të tyre, ka penguar shumë nga këta njerëz, që kanë arrogancën të thonë në vendin e tyre se "ligji e drejtësia janë ata vetë" të kryejnë krime të tjera.

Por le të vijmë tek kapitulli i Kosovës që si shqiptarë na prek më së afërmi.

"Dhuna, frika dhe varfëria u mbyllin gojën dëshmitarëve" Me këto fjalë fillon kapitulli për Kosovën Shtypi shqiptar i paraqet publikut të vet vetëm historinë e trafikimit të organeve duke e manipuluar pabesueshmërinë e një akuze të tillë si një provë të marrosjes së Del Pontes. Por akuza e Del Pontes ndaj Thaçit, Hajradinaj, Limajt etj. në thelbin e vet është shumë më e gjerë. Zyra e saj ka marrë raporte të shumta për aktivitetin e këtyre personave dhe grupimeve që komandonin ata - në vitet 1998 - 1999 dhe veçanërish pas bombardimeve të NATOS - se kanë rrëmbyer serb, romë shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzove robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar, vrarë dhe se ka një numër jo të vogël të zhdukurish ndër të cilët edhe shumë shqiptarë kosovarë që, sipas raporteve që i vijnë Del Pontes, janë ndër ata që UÇK i konsideronte tradhëtarë apo jo mbështetës të saj. Ajo akuzon ndërkombëtarët e mbi të gjitha UNMIK se nuk e kanë lejuar dhe as ndihmuar, përkundrazi e kanë penguar, të thellojë hetimet e saj në këtë drejtim pasi njerëz si Hajradinaj kishin shumë fuqi në Kosovë dhe se, sipas llogjikës së tyre, dëmi që mund të sillte në rajon dënimi i tyre ishte i madh sepse mund t'u destabilizonin rajonin. Ndërkaq në libër ajo sjell prova të shumta se këta dhe njerëzit e tyre kanë frikësuar dhe vrarë dëshmitarë për t'i shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia. Gjer këtu besoj se nuk çuditet askush. Janë gjëra që i dimë me kohë si këtej edhe andej kufirit. Dhe për më tepër në libër ajo sjell edhe pohimin e Thaçit i cili ia ka pohuar se ka shqiptarë që kanë bërë krime, por se ata nuk kanë qenë të UÇK, por "civilë të veshur me uniformat e UÇK". Këto krime janë justifikuar apo mbajtur në heshtje në emër të "çështjes së Kosovës" apo "çështjes kombëtare" ndonëse Del Ponte thotë se "nuk ka pasur asgjë fisnike apo heroike në këto krime" dhe ngulmon se mosdënimi i tyer mund të jetë burim luftrash të reja.

Tani le të vijmë tek shtëpia e verdhë në Mat për të cilën flitet në libër se janë bërë heqje organesh për trafikim dhe për barakën prapa saj ku mbaheshin viktimat. Nuk mohohet se kjo është më spektakolarja nga pikpamja mediatike. Por në libër ajo nuk ka peshën që i kanë dhënë mediat - edhe ato ndërkombëtare. E lexova dy herë se të them të drejtën edhe mua më duket e pabesueshme. Më rezulton se Del Ponte nuk ka bërë asgjë që del jashtë detyrës normale të një prokurori. Thotë se sipas burimesh që identifikohen si gazetarë ka ardhur ky informacion. Se dy nga burimet deklarojnë se janë marrë edhe me varrosjen e këtyre viktimave kurse njëri me transportin e një organi. Kaq është e mjaftueshme që një prokuror të fillojë hetimet. Sepse zyra e saj ka të dhëna për serbë, rom, shqiptarë etj. të zhdukur që nuk gjenden e që kërkohen nga familjarët e tyre pasi nuk u gjinden as varret. Si prokurore asaj i duhet ta hetojë edhe këtë mundësi. Dhe, kur flasim për hetime, nuk bëhet fjalë sikur këto i zhvillon Del Ponte. Del Ponte iu referohet gjithmonë atyre që i quan "hetuesit e prokurorisë" që janë marrë me grumbullime provash e faktesh. Dhe provat për këtë rast ajo i quan "të pamjaftueshme" ndonëse nuk e fsheh zemërim që nuk ka mundur t'i shkojë deri në fund kësaj historie. Këtë ia shton, së bashku me dyshimin, edhe vetë prokurori që shteti shqiptar u ka dhënë si shoqërues hetuesve kur u thotë këtyre: "këtu nuk ka varre serbe, por nëse kanë sjellë serb këtej kufirit dhe i kanë vrarë mirë kanë bërë." (faqe 298)

Libri i Del Pontes duhet lexuar nga të gjithë ballkanasit. Veçanërisht nga ata që mendojnë se populli i tyre është i vetmi popull i mirë dhe i drejtë i Ballkanit. Ai është një kontribut i madh për paqen dhe të drejtat e njeriut kudo në botë, pasi është një përballje kurajoze e të drejtës me krimin i cili bëhet edhe më i rrezikshëm në luftë, kur vishet me arogancën e pushtetit apo me fjalën atdhe.

Kush ulërin sot për atë se na paska prishur imazhin e ftoj të kujtojë atë kohë kur ne ishim të izoluar me tela me gjemba nga një bandë kriminale si ajo e Enver Hoxhës dhe kërkonim me aq ngulm nga perëndimorët të vinin t'i zbulonin e denonconin këtë krime sepse ishim të pafuqishëm të çliroheshim vetë. (Situatë që e kemi provuar edhe në demokraci më duket). Në fakt zbulimi e denoncimi i tyre nuk prish imazhin e popujve, por prish imazhin që pushtete të korruptuar apo vrastarë duan të mbajnë në emër interesash që janë e kundërta e interesave të qytetarëve të tyre. Kush përballë këtyre fjalëve do të më verë fjalën "atdhe" do t'i përgjigjesha me fjalët e Durrenmarttit: "Mbi të gjitha dysho tek atdheu sepse askush nuk është më i prirur për t'u bërë vrasës se atdheu".