Poezia e Dritëroit në Rusi


“Nga vjen kjo muzikë?”, nga Shqipëria… Nga pena e shkrimtarit të madh, Dritëro Agolli… Muzikë që pak kohë më parë ka tingëlluar në gjuhën ruse, përmes poezive të mrekullueshme të poetit. Bëhet fjalë për përmbledhjen me poezi “Nga vjen kjo muzikë”, përkthyer nga poeti rus, Ilia Fonjakovi, shok universiteti i Agollit, vepër që tashmë ka folur rusisht. Një libër që sapo është botuar në Rusi ka ngjallur jo vetëm interes, por reagimet e para kanë ardhur edhe tek vetë autori. Një letër nga Rusia, e një njeriu që kontaktin e parë me veprat shqipe e pati pikërisht tani përmes këtij libri. Mundësi kjo që i dha jetë pikërisht Fonjakovi, i cili përmbushi këtë mision, që kishte nisur me përkthimin e disa poezive (të Agollit) në shtypin e kohës (’52-’57) kur dy poetët miq, një rus tjetri shqiptar, ishin në Universitet. Për të sjellë pas kaq dekadash një përmbledhje më të plotë të poezive më të mira të Agollit. Në parathënien e librit, miku i vjetër i Dritëroit tregon edhe vështirësitë e përkthimit, por edhe emocionet që ai ka përjetuar.
Libri
Kohët e fundit, shtëpia botuese “Helikon Plus” e Saint Petersburg në Rusi, botoi librin me poezi të Dritëro Agollit, “Nga vjen kjo muzikë”, përkthyer nga poeti i njohur rus, Ilia Fonjakov. Përkthyesi ka qenë shok universiteti i Dritëroit në vitet 1952-1957, në Petërburg. Bashkë me poetin Evtushenko, ai në vitin 1991 ka vizituar Shqipërinë. Qëkurse ishin bashkë në Universitet, ai ka përkthyer vjersha nga Dritëro Agolli, të botuar në shtypin e kohës. Për ato vite në parathënien e tij të librit “Nga vjen kjo muzikë”, ndërmjet të tjerave ai shkruan: “Me poetin shqiptar Dritëro Agolli ne nuk ishim thjesht kolegë kabineti, por edhe shokë grupi. Në grupin tonë të Fakultetit Filologjik të quajtur “Xhurnalistika e Katërt”, si gjuhë të huaj ne kishim italishten, e cila më ndihmoi në përkthimin e poezisë së mikut tim”.
Ilia Fonjakovi
Më poshtë në parathënien e tij, Ilia Fonjakovi shkruan:
“Në ardhjen e fundit në brigjet e Nevës (Saint Petersburg) Dritëroi më solli një libër të tij me poezi të botuara në Bolonja (Itali) në dy gjuhë, shqip-italisht. Doemos më lindi dëshira ta përkthej. Në çastet e vështira unë i telefonoja Irina Konstantinovës, një koleges sonë të universitetit, që ishte bërë profesoreshë e universitetit. Ajo më ndihmonte në kuptimin e poezisë. Natyrisht edhe teksti shqip ishte pranë meje: duke mos kuptuar asnjë fjalë, unë i ndieja ritmet, rimat dhe strukturën ritmike të vargut. Ndihmë të madhe më dha edhe albanologia e Universitetit të Peterburgut, Albina Hakimovna. Sa më thellë hyja në përkthim, aq më tepër më tërhiqte poezia. Prej vitesh poetin e kishte pushtuar mençuria e thellë dhe e hidhur. Mendimi i tij i mprehtë dhe si rregull, i papritur: fillon ta përkthesh vjershën dhe të duket sikur e merr me mend si do të përfundojë, por të del në mënyrë të habitshme një kthesë e freskët! Dhe duke menduar se poeti nuk i hekuros dhe i lustron vargjet. Të duket sikur përdor rimat klasike pa u joshur nga modernizimet, por në të njëjtën kohë me guxim thur vargje me metra të gjatë dhe të shkurtër, duke eksperimentuar vargje dhe strofa të natyrave të ndryshme. Dhe kryesorja, ruan koloritin e papërsëritshëm të vargut shqiptar dhe ballkanik me frymëmarrjen e vendeve mesdhetare”.
Ndërkohë, Dritëroi merr një letër vlerësimi për librin e tij nga I.G. Mjamlin, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Artist i Merituar dhe studiues i arteve figurative të Rusisë.