Adrijan Gaxha: Rastesisht ne Eurovizion

Përfaqësuesit e Maqedonisë në Eurovizion kanë mbërritur në Tiranë për të promovuar këngën e tyre. Tamara dhe Adrijan Gaxha, këngëtari i njohur për publikun shqiptar, së bashku me Vërçak do të konkurrojnë me këngën "Në emër të dashurisë"("Let me love" në anglisht). Deri më tani janë prezantuar në Bosnje, Kroaci, Zvicër, Gjermani. Buxheti i vënë në dispozicion është 25 mijë euro. Gaxha tregon se do të kenë një paraqitje interesante skenike, me pjesë koreografike për të cilat kanë punuar me koreografin e Tina Turner, më të cilin u përgatitën për koreografinë. Të pranishëm në Tiranë, Tamara dhe Gaxha kanë treguar detaje nga kënga e tyre.

Pas disa ditësh do të ngjiteni në skenën e Eurovizionit për të përfaqësuar Maqedoninë. Si po e përjetoni këtë fakt?
Është mjaft interesante që do përfaqësoj Maqedoninë. Kur morëm pjesë në festival, nuk e kisha menduar që do të fitonim këtë vit. Në konkurrimin e para dy viteve, në po të njëjtin festival, isha përgatitur katër-pesë muaj më parë dhe në fund mora vendin e dytë. Sivjet kishim punuar vetëm një ditë para konkurrimit dhe dolëm pa përgatitur. Ne deshëm të promovonim këngën dhe nuk na shkoi mendja që do të fitonim. Tashmë kam një ndjenjë të çuditshme përjetimi. Ndoshta në fillim nuk isha aq i sigurt, por tani ndjehem mirë.

Çfarë mendoni se ju solli fitoren?
Nuk e di. Si duket fitoi ana pozitive, sepse për herë të parë në Maqedoni ky festival kalon pa asnjë problem. Çdo vit ka pasur çrregullime. Njerëzit kanë reagim pozitiv dhe gjithçka kalon siç duhet. Kënga është bërë hit dhe kjo na bën të ndjehemi mirë.

Kënga do të këndohet në anglisht. Pas shpalljes tuaj si fitues u përfol edhe versioni shqip. E menduat që mund të ishte i tillë?
Ne kemi fatin që do të përfaqësojmë Maqedoninë si shtet në Eurovizion dhe është përparim shumë i madh që na kanë votuar edhe shqiptarët që jetojnë atje dhe maqedonasit. Unë kam dëshirë të këndoj shqip në Eurovizion, por politika është pak e keqe në Maqedoni. Në këto momente duhet të kesh një balancë. Në momentin që na është dhënë e drejta për të përfaqësuar shtetin maqedonas, vendosa më mirë të këndoj në anglisht, për të mos krijuar probleme as te maqedonasit, as te shqiptarët. Fillimisht u mendua në maqedonisht, por anglishtja kalon te çdo shtet.

Kënga do të shoqërohet edhe nga pjesë koreografike në të cilat do të jeni i përfshirë edhe ju. Nuk mendoni se kjo do ju pengojë për të dhënë maksimumin e vokalit?
Unë kam punuar më shumë se gjithë të tjerët për koreografinë. Tamara qëndron më lart për vokalin dhe unë besoj se përparësia i duhet lënë asaj. Për momentin ajo është vokali më i fortë në Maqedoni. Në Eurovizion publiku kërkon edhe një paraqitje interesante dhe performim në skenë. Ndryshe nga konkurrimet e mëparshme, për herë të parë Maqedonia do të ketë një koreografi më të mirë dhe interpretim vokal gjithashtu. Vitet e shkuara ka qenë njëri ose tjetri element. Besoj se ne i kemi përshtatur të dyja.

Sa rëndësi i është dhënë promovimit të këngës?
Kemi pasur shumë plane. Gati nga 90 % e shteteve kemi pasur ftesa. Është e pamundur që të shkosh në të gjitha. Është më mirë të përgatitemi më shumë se sa të shëtisim nga një vend në tjetrin.

Mendoni se suksesi nuk është i varur nga promovimi i këngës?
Sigurisht që ka ndikim, e për këtë ne kemi qenë tashmë në Sarajevë e Beograd. Ishim të ftuar në festivalin që u organizua në Serbi, nga ku u përzgjodh dhe përfaqësuesi për në Eurovizion. Kemi marrë duartrokitje më të shumta se fituesja e festivalit. Kemi ardhur këtu dhe javën e ardhshme do të jemi në Kroaci, e më tej në Turqi. Dy muaj janë shumë pak që të përgatitemi dhe nuk ka më kohë për të humbur.

Si e përjetoni faktin që do të jeni dy shqiptarë në konkurrim?
Duhet dikush për Oltën atje, se është më e vogla(Qesh).

Festivali i RTSH-së ka qenë një tjetër mundësi për në Eurovizion. Ju nuk keni konkurruar në këto vite. Nuk ka qenë në synimet tuaja?
Unë jetoj në Maqedoni dhe informacionet për konkurset e këngës i marr nga mediat atje, por nuk i kam të gjitha informacionet. Nuk e kam ditur se kur ishte konkursi për festivalin e madh. Por Shqipëria ka vokale shumë të mira dhe shumë këngëtarë të mirë. Është interesante që në këtë festival do të marrin pjesë dy shqiptarë.

Nga i prisni votat?
Unë jam pjesë e popullit shqiptar. Dëshira ime është që të kem 12 pikëshin nga Shqipëria, por të shpresojmë.