Projekti i BE-së, turizmi kulturor vjen nga deti



Do të jetë një bashkim forcash për të promovuar turizmin kulturor që vjen nga deti nëpërmjet aktiviteteve kulturore. Rrugët antike të Adriatikut do të shfrytëzohen për të sjellë në kohë reale vlerat që mbartin qytetet që lagen nga deti Adriatik dhe mundësitë që ofrojnë për një turizëm sa kulturor, aq edhe argëtues. Mes tyre është përfshirë edhe Durrësi, ndonëse deri tani nuk është zhvilluar asnjë aktivitet në kuadër të këtij projekti që ka bërë jehonë përtej detit, atje ku ka hyrë dhe në rrugën e dhënies së rezultateve projekti "Adriatic Seaëays". Projekti është pjesë e një programi evropian që përfshin 17 partnerë, mes të cilëve ente lokale, shoqata, institute kërkimesh universitare italiane dhe të vendeve që lagen nga Adriatiku. Projekti është prezantuar së fundmi në San Benedeto të Italisë. Ai bazohet në marketingun turistik të fokusuar te deti, kultura dhe historia. Janë 90 mijë euro të dhëna nga Bashkimi Evropian për këtë projekt të San Benedetos që përfshin dhe Bashkinë e Durrësit, si dhe Shoqatën e Bashkive Shqiptare. Përveç njësive vendore italiane që lagen nga Adriatiku, si Peskara, Ankona, Bari, Emilia Romana etj., dhe katër institucione italiane kërkimi, projekti ka si pjesëmarrës edhe katër vendet e Adriatikut Lindor: Shqipërinë, që prezantohet në projekt me Durrësin dhe Shoqatën e Krerëve të Bashkive; Kroacinë, që prezantohet nga Fakulteti i Ekonomikut dhe Turizmit; Bosnjë- Hercegovina, me komunat e Mostarit dhe Neumit, si dhe Bari i Malit të Zi. Secilit pjesëmarrës i është kërkuar nga organizatorët që të realizojë aktivitete kulturore, kërkime historike, takime etno-gastronomike për të prezantuar sa më mirë vlerat që mbart qyteti, vendi që përfaqëson. Paketa të plota turistike që prekin vendet pjesëmarrëse po realizohen për të tërhequr sa më shumë turistë drejt këtyre vendeve. Ndër aktivitetet e organizuara në Itali, është menduar dhe përcjellja e aventurës që ofron deti dhe njerëzit e tij. Ditën e shtunë, më 3 maj, është parashikuar një zbarkim piratësh nga anija në Portin e San Benedetos dhe që "frikshëm" do të futen në qytet për ta pushtuar atë. Nxënësit e shkollave të qytetit janë bërë pjesë e lojës. Ndërkohë gjithçka do të finalizohet në qershor me një aktivitet të madh në Ankona, ku do të paraqiten të gjitha paketat turistike, të cilat synohet të bëhen pjesë e punës së përditshme të agjencive turistike gjatë këtij sezoni turistik, por edhe të turistëve të veçantë.