AVNI RRUSTEMI

(Frymëzim atdhetarizmi e qëndrese)


Shkruan: Mehmet BISLIMI



Avni Rrustemi, lindur në Libohovë në gjirin e një familjeje atdhetare me tradita të lashta përparimtare. Shkollën fillore Avniu e mbaroi në vendlindjen e tij. I etur për dituri ai, mësimet i vazhdoi në normalen e Elbasanit e më pas edhe në ato Shën Mitër Koronë, ndërkaq studimet e larta për pedagogji i ndoqi në Universitetin me zë të Romës.



Avniu, biri i Libohovës dhe i Shqipërisë, atdhetarë e patundur me orientime demokratike të kohës, duke parë gjendjen e rëndë ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri, ai „u shkri si qiriri“, i Namit duke dhënë çdo gjë nga vetja si shembull i brazave të ri, që të edukojë gjeneratën e re që po rritej në një frymë krejt të re përparimtare për t’i dalë zot shqiptarisë.



Avniu i kuptoi më mirë dhe më çartë nga të tjerët qëllimet grabitqare të shteteve fqinje të cilat hapur e fshehur po synonin ri copëtimin e Shqipërisë, për fat të keq e gjitha kjo më mbështetjen dhe qëndrimin antishqiptar të disa nga Fuqive të Mëdha të cilat nën ndikimin e Rusisë Cariste po mbyllnin njërin sy para invadimeve serbe, Greke e Bullgare në territoret shqiptare. Në këtë mes, dorën në zemër edhe me qëndrimin e imzanë e Portës së lartë e cila për më se pesë shekuj shqiptarëve ua kishte sjellë diellin mbi kokë! Kështu që, politika e atëhershme Franceze, Angleze etj. atëbotë ishin të gatshme që Shqipërinë ta fshinin qoftë edhe nga harta evropiane si shtet.



Përballur me këtë gjendje të rëndë Avniu dhe bashkëluftëtarët e tij, nuk po rrinin duarkryq, ata kishin mobilizuar të gjitha forcat e veta e me rininë djaloshare po vepronin anë e kënd atdheut.



Në mënyrë që të ishin gati edhe me armë në dorë për t’i dalë në mbrojtje tokës sonë të shenjtë, ku veç kishin filluar t’i ngulnin thonjtë e tyre në tokat tona si Italia që kishte mësyrë Vlorën!



Avniu, ishte atdhetar e demokrat, revolucionar dhe intelektual, që çështjen e atdheut e kishte vënë mbi të gjitha, madje edhe mbi jetën e tij. Ai, duke e ndier si nevojë të kohës që djemtë atdhedashës t’i mobilizoi dhe t’i ketë kurdoherë të gatshëm, për të qenë pranë e pranë, themeloi Shoqërinë Demokratike „Bashkimi“, shumë nga pikat e këtij programi edhe sot e kësaj dite nuk e kanë humbur aktualitetin e tyre. Avniu ishte pjesëtar i denjë i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare mu në prag të Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit të vitit 1924, ishte kjo Qeveria e parë Demokratike në Ballkan e më gjerë që udhëhiqej nga bijtë më të devotshëm të shqiptarisë në krye me Fan Nolin e madh.



Avniu punoi si mësues në Libohovë, pastaj në Targjas të Vlorës, në Tepelenë e në Vlorë etj. Ai, ishte rreshtuar me kohë në mjedise atdhetarësh, që po përpiqeshin e luftonin me pushkën krahut për të zmbrapsur lakmitë e armiqve te Shqipërisë si dhe për të penguar përçarjen e vendit nga agallarë e bejlerë dritëshkurtër, të cilët i kishte verbuar lakmia për prona, ç’fliqe. Qëllimet e Avniut dhe bashkëmendimtarëve e bashkëluftëtarëve të tij, ishin të prera dhe të çarta: liria dhe pavarësia e tërësisë tokësore shqiptare, pra qëndresë, luftë dhe përpjekje për Shqipërinë e lirë, sovrane e demokratike, që do të jetonte në fqinjësi të mirë me të gjitha ato shtate që do ta respektonin këtë parim universal ndërkombëtar.



Në vitin 1908, Avniu braktisi bankat shkollore dhe iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit. Që më 1910, Avniu me kobure në dorë bëri përpjekje qe ta qëronte nga faqja e dheut (në Shkodër) Gjeneralin otoman, gjakpirësin Shefqet Turgut Pashën, komandant i ekspeditës turke në Shkodër. Atëbotë, Avniu ishte në moshë fare të re, por me veprimin tij të guximshëm, ai tregoi se si duhet të „dekorohen“ pushtuesit e tokave shqiptare dhe tradhtarët e vendit! Ky ishte një frymëzim i mirë për të gjithë popujt e pushtuar e në këtë kontest edhe për ne, që për liri dhe bashkim të vendit jemi përpjekur pareshtur ndër vite deri tek ditët e sotme, ku shumë bijë të devotshëm kanë ndjekur rrugën e Avniut, Çerçizit, Zaskocit, Micit, Vasilit, Kushit, e dhjetëra bijve tanë të devotshëm, që u flijuan për!



Në vitin 1914, Avniu u radhit në radhën e forcave çlirimtare të vendit, që për pikësynim kishin çlirimin e Jugut të Shqipërisë nga pushtuesit grek të cilët ishin futur në tokat tona!



Më 1918, Avniu e mori edhe një nismën për themelimin e Shoqërie atdhetare të të rinjve Vlonjat, që e pagëzoi me emrin: „Djalëria e Vlorës“. Drejtimin e shoqërisë e mori përsipër vet Avniu, i cili pa humbur kohë së bashku me bashkëveprimtarët dhe bashkëmendimtarët e tij u vunë në një lëvizje të shpejt në mënyrë që më 28 Nëntor 1918, të organizonin një demonstratë të fuqishme kundër pushtuesit Italian, dhe këtë e arritën me sukses.



Një vit më vonë, pra më 1919, në Shën Mitër, Avniu themelon edhe; „Lidhjen Rinisë Shqiptare“ e cila kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave tona kombëtare etj.



Akti historik dhe heroik që Avniu e kreu më 13 qershor 1920, kur me atentat vrau në Paris Esat Pasha Toptanin- Kryetradhtarin e vendit, veglën e shteteve fqinje, njëkohësisht edhe të fuqive të huaja dhe shitësin e interesave të Shqipërisë, tronditi Konferencën e „Paqes“ në Paris dhe prishi planet që bëheshin për ricopëtimin e Shqipërisë së edhe ashtu të përgjysmuar!



Ky akt heroik e historik i Avniut, që ekzekutoi në mes të Parisit tradhtarin e kombit Pasha Toptanin, ishte akt atdhetarie e vendosmërie që do t’iu binte kokës të gjithë atyre që do të guxonin të bënin pazar në dëm të tokave shqiptare!



Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre burrave që përpiqen për çlirimin e trojeve shqiptare, njëkohësisht vërejtje për të gjithë ata që ushqenin dhe ndihmonin përçarjen vendit, vërejtje për te gjithë ata që u shërbenin pushtuesve tanë shekullorë sllavo-grek, vërejtje për të gjithë ata që synonin kolltukët e “pushtet” nën tutelën e pushtueseve tanë!



Avniu me aktin historik që kreu, i tregoi botës se dora e popullit do t’i arrijë tradhtarët e kombit tonë- edhe në Paris, Londër e kudo që të fshihen e strehohen ata! Avniu, gjyqin e Parisit, që iu ngrit për ta dënuar atë, e shndërroi në një tribunë politike, ku mbrojti me konsekuencë të drejtat shqiptare, duke fituar kështu simpatinë e qindra intelektualëve të kohës, të cilët u solidarizuan me qëllimin e lartë të veprës së Avniut dhe me të drejtën e popullit shqiptar për të qenë i lirë në tokat e veta. Nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë organizoheshin tubime e manifestime në shenjë përkrahjeje të Avniut me të vetmen kërkesë: „LIROJENI DJALIN TONË!”- tradhtarët plumbin e kanë hak...



Avniu dhe populli shqiptar e fituan edhe këtë gjyq. Në dhjetor të vitit 1920, Avniu kthehet në Shqipëri. Masat popullore liridashëse e pritën me entuziazëm, e pritën si një hero të vërtetë. Avniu për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e vet dhe as edhe njëherë nuk mendoi se „e kreva detyrën ndaj atdheut!“. Ai nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike – përparimtare dhe çlirimtare, por edhe njëri ndër ideologët më të shquar të asaj kohe. Idetë e tij të publikuara, një herë u bënë edhe armë të fuqishme në duart e rinisë demokratike të asaj kohe si dhe të masave të shtypura. Idetë e tij për përparimin e vendit ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku edhe u zgjodh deputet nga populli i ish prefekturës së Kosovës. Ai mbrojti me guxim e zjarr traditat luftarake të popullit tonë, përpjekjet e të drejtat e tyre për t’u çliruar nga zgjedha serbo-sllave dhe greke, për të jetuar të lirë dhe të bashkuar- ashtu siç jetojnë popujt e tjerë të botës së lirë...



Forcat e errëta Monarkiste, përgatitën likuidimin e Avniut, ai ra me 22 prill, ra për të mos rënë kurrë!... Figura e Avniut do të qëndrojë lartë në ndërgjegjen e luftëtarëve të lirisë!



Nderim i përjetshëm jetës dhe veprës së ndritur të Avniut!