Por mashtrimi vazhdon: “Ia publikuam emrin”. Faktet flasin ndryshe
Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, ka sqaruar dje statusin e Damir Fazliç pranë Tom Rixh, në takimin me tre ministrat e kabinetit “Berisha”, në mars të 2006-ës. Sipas Bregut, 33-vjeçari serbo-boshnjak, Damir Fazliç, ndodhej në cilësinë e biznesmenit në takimin që u fol për sigurinë kombëtare. “Në takimin me tre ministrat, ku ishte i pranishëm edhe Tom Rixh, Fazliç ishte nën cilësinë e biznesmenit”, është shprehur Bregu. Sipas protagonistëve të tjerë në këtë takim, dy shoqëruesit e Tom Rixh nuk janë prezantuar, çka sjell dyshimet për motivet e vërteta të vizitës së Damir Fazliç në Tiranë. Përgjithësisht në vizitat e delegacioneve të huaja në Tiranë, por edhe anasjelltas, rregulli bazë i etikës është prezantimi, ndërkohë që në takimin e marsit 2006-të, asnjë prej dy shoqëruesve të këshilltarit amerikan të Kryeministrit Berisha nuk ka folur, madje edhe nuk janë prezantuar. Zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht edhe ministre e Integrimit, ka sqaruar se ky takim është publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes. “Ka pasur një njoftim zyrtar të publikuar edhe në gazetën “Ushtria” dhe në të gjitha njoftimet thuhej që sekretari i Shtetit dhe këshilltari Tom Rixh shoqërohej nga biznesmeni Fazliç”, tha Bregu. Ndërkohë që, në njoftimin zyrtar në gazetën “Ushtria”, emri i Fazliç nuk është përmendur asnjëherë. Duke iu referuar këtij njoftimit, citohet se “ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i shoqëruar dhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Pëllumb Qazimi, priti në një takim të veçantë pune ish-sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Tom Rixh. Në takim morën pjesë dhe ministri i Rendit, Sokol Olldashi dhe ministri i Transporteve, Lulzim Basha”. Po në këtë njoftim sqarohet edhe qëllimi i këtij takimi. “Qëllimi i takimit ishte njohja e zotit Rixh me punën e bërë nga Ministria e Mbrojtjes, e Rendit dhe ajo e Transporteve në fushën e Sigurisë Kombëtare si dhe rakordimi i punës së tyre lidhur me këtë çështje të rëndësishme”, citohet në botimin qendror të Ministrisë së Mbrojtjes, gazeta “Ushtria”.
Në forumin e “Crans Montanës” zhvilluar ditët e fundit, Bregu pranoi se është takuar me biznesmenin serbo-boshnjak. “Jam takuar me Damirin në forumin “Crans Montana” në një moment, kur ai po përshëndetej bashkë me pjesëmarrës të tjerë, që ishin në këtë forum dhe mund të them se zotin Fazliç e njoh që nga viti 2005″, theksoi Bregu. Pyetjes se a ishte Fazliç në stafin e Rixh, Bregu i është përgjigjur se “biznesmeni serbo-boshnjak e ka shoqëruar zotin Rixh në takimet e tij edhe në workshopin, i cili është zhvilluar”. Bregu theksoi se nuk ka përplasje mes Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme. “Di që tashmë ka dy deklarata zyrtare mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë, është një çështje në hetim dhe unë nuk mund të shprehem për çështje që janë nën hetim”, tha ajo. Duke folur për akuzat ndaj Fazliç, zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, thekson se “Rama po sulmon këshilltarin Rixh”, duke tentuar në këtë mënyrë të mbrohet pas identitetit të ish-sekretarit amerikan të Shtetit për çështjet e sigurisë. “Këto ditë, Edi Rama, nëpërmjet makinerisë së shpifjeve e trillimeve, ka ndërmarrë një fushatë të ulët, denigrimi ndaj zotit Tom Rixh, njërit prej politikanëve e personaliteteve më të vlerësuar në fushën e sigurisë, ish- guvernatorit të Pensilvanisë dhe Sekretarit të I-rë për Çështjet e Sigurisë së Presidentit amerikan, Bush”, theksoi Bregu.
Delegacioni nuk prezantohet para ministrave
Gruaja mister
Të gjithë kanë folur për Tom Rixh dhe për Damir Fazliç, por askush nuk ka përmendur se cila është gruaja e ndodhur në fotografinë kur është bërë takimi mes tre ministrave të kabinetit “Berisha” dhe ish-sekretarit amerikan për çështjet e sigurisë. Protagonistët e këtij takimi nuk kanë ditur ç‘të thonë mbi identitetin e dy personave që shoqëronin Tom Rixh në takimin me ministrat Basha, Mediu dhe Olldashi. Fazliç u bë i njohur pas arrestimit në Bosnje, para disa ditësh dhe më pas në opinionin publik shqiptar, për shkak të lidhjeve miqësore mes tij dhe Kryeministrit Berisha. Identiteti i tij ishte mbajtur i fshehtë ashtu siç po veprohet edhe me identitetin e gruas së vetme që ndodhej në atë takim. Rreth dy vjet e gjysmë më parë, në mars të vitit 2006, tre ministra zhvilluan një mbledhje për sigurinë kombëtare, me praninë edhe të një delegacioni amerikan, drejtuar nga këshilltari i Kryeministrit Berisha, amerikani Tom Rixh. Krahas tij rrinte i ulur Damir Fazliç nga ana tjetër ndodhej një grua bionde dhe përballë ishin ministri i Mbrojtjes, i Punëve të Brendshme, i Transporteve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, drejtori i Përgjithshëm i Policisë i asaj kohe, drejtori i Aviacionit Civil dhe ai i Porteve. Sipas informacioneve, në takim të tre ministrat kanë folur për masat e marra nga dikasteret respektive, gjendjen e sigurisë dhe problemet e vështirësisë në fushën e sigurisë në kufi, porte dhe aeroporte.
Burimi Marre nga “Gazeta Shqip”