Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë afër Istogut. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain dhe gjyshin.

Rugova diplomoi në Degën e Albanologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa një vit akademik qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare. Doktoratën e letërsisë e mori në Universitetin e Prishtinës më 1984. Më 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72) që botoheshin në Prishtinë. Për afro dy dekada punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut. Është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin serb në Kosovë. Si një ndër themeluesit e partisë së sapoformuar, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rugova u zgjodh kryetar i saj më 23 dhjetor 1989.

Pas zgjedhjeve parlamentare që atëbotë nuk pranoheshin ndërkombëtarisht, më 24 maj 1992 Rugova zgjedhet kryetar i Republikës së posashpallur të Kosovës. Nën udhëheqjen e tij shqiptarët e Kosovës ndërtuan strukturat e veta paralele të administratës, shëndetësisë dhe të arsimit, ndërsa Rugova vetë angazhohej për zgjidhje të çështjes së Kosovës me mjete paqësore dhe për njohjen ndërkombëtare të çështjes të Kosovës.


Më 5 shtator 2005 Ibrahim Rugova njofton opinionin që është i sëmurë nga kanceri i mushkërive. Përderisa ai e dorëzoi postin e kryetarit të LDK-së, funksionin e Presidentit të Kosovës ai e kryen deri në ditën e vdekjes më 21 janar 2006. Ibrahim Rugova kujtohet si simbol i luftës paqësore të shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ibrahim Rugova ka lënë pas gruan dhe tre fëmijë.

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

- 1995, Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.
- 1996, Doktor Nderi i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.
- 1998, Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.
- 1999, Çmimi për paqe i qytetit Mynster (Münster)
- 2000, Çmimi për paqe i Unionit Demokratik të Katalonisë, në Barcelonë, Spanjë.
- 2003 Çmimin Senator Nderi i Evropës.
- 2004 Doktor Nderi i Universitetit të Tiranës.
- Qytetar nderi i Venedikut, Milanos dhe Breshias