16:30 - Deputetit Tom Doshi ka kërkuar nga Prokuroria sot zbardhjen e tabulateve telefonike mes tij dhe deputetit kristiandemokrat Mark Frroku, për të provuar dëshminë dhe deklaratën e tij se ka qenë pikërisht Frroku ai që e ka njoftuar i pari për një komplot për eliminimin e tij fizik.

Po ashtu, sipas burimeve nga brenda organit të akuzës, Doshi ka kërkuar edhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë të një lokali në Tiranë, ku deputeti socialist pretendon se ka biseduar me Frrokun në lidhje me planin e një atentati të mundshëm.

Pasi përfundoi dëshminë e tij në prokurori prej 3 orësh, Doshi nuk pranoi të thoshte asgjë për media se çfarë kishte thënë para organit të akuzës.

Po sot, rreth orës 12:00 është paraqitur në prokurori edhe deputeti demokrat, Mhill Fufi i cili pasi ka përfunduar dëshminë e tij, ka thënë për mediat se u qëndron deklaratave të bëra më parë se, nuk ka dijeni për këtë ngjarje dhe ka kërkuar që të lihet drejtësia të bëjë punën e vet.

15:20 - Doshi mbyll gojën para mediave

Deputeti socialist Tom Doshi kë përfunduar dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për mediat rreth dëshmisë së tij.

Pas rreth tre orëve në mjediset e Prokurorisë, Doshi nuk qëndroi asnjë moment para gazetarëve që prisnin daljen e tij.

“Nuk jap shpjegime për arsyet e mija”, tha Doshi.

Të njëjtën gjë bëri edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Mark Frroku. Ky i fundit tha se kam deklaruar ato që deklarova herën e shkuar.

Mark Frroku "tradhton" sërish Doshin

14:05 - Deputeti Frroku la rreth orës 13:50zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pas gati dy orë ballafaqimi me deputetin Tom Doshi. Më herët, Doshi ka thënë se kolegu i tij, Frroku e ka vënë në dijeni i pari për ekzistencën e një atentati.

Deputeti i Partisë Kristian Demokrate është shprehur për “A1 Report” se i ka qëndruar dëshmisë që dha të premten kur tha se nuk ka pasur asnjë dijeni për atentatin që deputeti i përjashtuar nga PS pretendon se ka pasur ndaj tij.

Me këtë dëshmi, Frroku rrëzon për së dyti alibinë e Doshit, i cili deklaroi publikisht në media se ishte kolegu i tij që e kishte sinjalizuar për planin e vrasjes së tij gjashtë muaj më parë dhe që e kishte prezantuar me Durim Bamin, personi që Doshi pretendon se ishte paguar nga Meta për eliminimin fizik të tij.

Cili ishte qëndrimi juaj?
Si në datën 6 para prokurorëve!

Pak minuta më parë, para Frrokut e la prokurorinë edhe Ilir Murati, avokati i Durim Bamit. Edhe Murati nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment mbi çka është folur brenda në prokurori.

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të pres sot katër zyrtarë për të dëshmuar lidhur me atentatin e pretenduar nga deputeti Tom Doshi, ku sipas së cilit ishte planifikuar gjashtë muaj më parë. Dëshminë e parë e bëri ish -kryeministri Sali Berisha, i cili shkeli për herë të parë gjatë karrierës së tij politike në ambientet e organit të akuzës.

Për gati 50 minuta, Berisha dëshmoi në ambientet e Prokurorisë në lidhje me pretendimet e bëra publike nga Tom Doshi se kryeparlamentari Meta ka paguar për ekzekutimin e tij gjashtë muaj më parë.

Në orën 09.09 minuta të kësaj të hëne, në përgjigje të ftesës së organit të akuzës, deputeti demokrat mbërriti në ambientet e Prokurorisë ku e priste këshilltarja e tij për mediat, Erla Mëhilli. Me të zbritur nga makina shoqëruese, zoti Berisha është kthyer nga gazetarët duke përshëndetur me dy gishta, simbolin e demokracisë që përfaqëson Partinë Demokratike.

Deputeti demokrat mori zyrtarisht fletë-thirrjen ditën e premte, ndërkohë që sot do të jetë edhe hera e parë e deputetit Berisha që do të shkelë në ambientet e organit të akuzës për të dëshmuar.

12:52 - Mhill Fufi përfundon dëshminë

Rreth një orë pas hyrjes së tij nga ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, deputeti demokrat Mhill Fufi doli nga ky institucion. Fufi përfundoi dëshminë e tij para hetuesve rreth orës 12:52 të kësaj të hëne.

Ai ka bërë publik dëshminë e tij dhënë para prokurorëve, duke i qëndruar besnik qëndrimit të dhënë ditë më parë se nuk ka dijeni për ngjarjen. Fufi ishte deputeti i dytë veç Doshit, ndaj të cilit ky i fundit pretendoi se ishte planifikuar një atentat gjashtë muaj më parë.

“U përmbahem deklaratave të mëparshme. Para prokurorëve deklarova se nuk kam dijeni për ngjarjen”, deklaroi Fufi për mediat.

11:45 Tom Doshi dhe Mark Frroku mbërrijnë në Prokurori

Deputeti i përjashtuar nga radhët e PS-së, Tom Doshi, mbërriti në ambientet e organit të akuzës, por ndryshe nga zyrtarët e tjerë, ai hyri nga dera e pasme e institucionit për të shmangur mediat. Gjithashtu në Prokurori u paraqit edhe deputeti Mark Frroku, i cili u përmend nga Doshi, si personi që e kishte vënë në dijeni për atentatin e pretenduar ndaj tij gjashtë muaj më parë.

Dy deputetët pritet të përballen sot para prokurorive lidhur me deklaratat e tyre, pasi bien ndesh me njëri-tjetrin.

10.00 - Sali Berisha largohet nga organi i akuzës: Të kontribuoj sadopak me rrëfimet e mia

Deputeti demokrat u shpreh se kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri kanë bllokuar hetimet për atentatin e pretenduar ndaj Doshit dhe Fufit, përmes pushtetit të tyre. Pavarësisht se nuk pranoi t’iu përgjigjet të gjitha pyetjeve të gazetarëve, Berisha nuk ndaloi akuzat nga qeverisë. Ai shkoi më tej duke deklaruar se Tahiri është ‘dashuruar’ me të akuzuarin, ndërkohë që ky i fundit ka pranuar të mbështesë ministrin duke ndryshuar deklaratën dhe jo drejtësinë.

"Prokuroria e Krimeve të Rënda më çoi dy ditë më parë thirrjen për tu paraqitur si person që ka dijeni për ngjarjen në hetimin e akuzës më të rëndë të 23 viteve të fundit skenarit të vrasjes së dy deputetëve për qëllime të mirëfillta politike pavarësisht nga pretekstet në mënyrë që të shpëtohet Rama nga kundërshtari politik që u krijua brenda partisë së tij dhe meta t’i japë një goditje opozitës për qëllime personale. E prita ftesën me kënaqësi në kuptimin që të mund të kontribuoj sadopak në rrëfimet e mia për këtë çështje, natyrisht ato çka thash aty përbëjnë sekret deri në momentin që prokuroria t’i nxjerrë nga klasifikimi, por nuk është aspak sekret dhe është tronditëse fakti që këtë skenar ogurzi kreu i qeverisë, kreu i parlamentit, ministri i Brendshëm, e mbajti për gjashtë muaj njëlloj si në shpellën e mafies, e mbajti jashtë ligjit, si një çështje midis tyre dhe nuk e dorëzoi para ligjit dhe për ligjin. Jo vetëm nuk e dorëzoi por në gjashtë muaj kupola e përfshirë në këtë krim ndërmori veprime që të rrënojë dhe të bllokojë me çdo kusht hetimin.

U kryen dy atentate ndaj dorësit që do të realizonte vrasjet dhe ndaj paguesit të parave dhe sekserit të Metës në mënyrë që gojët e tyre të mbylleshin në mënyrë përfundimtare. Gjatë kësaj periudhë jo vetëm tentuan të eliminojnë dy dëshmitarët kryesorë, por hetimin ja besuan kryetarit të PS për Tiranën mikut të ngushtë të Emiljano Shullazit, Saimir Tahirit. Tani e merrni ju me mend kur hetimi bëhet nga kryetari i PS të Tiranës dhe firmoset nga kryetari i PS për Shqipërinë, pra në këto rrethana dhe krahas kësaj u përpunua skenari tjetër, sipas të cilës fajin e ka opozita. Në këtë skenar të turpshëm Meta, kryesisht ai por edhe Edi Rama nuk lanë akuzë pa nxjerrë për opozitën. Kryehetuesi i partisë Saimir Tahiri pas 6 muajsh pasi e priti në zyrë në kundërshtim me çdo lloj rregulli etik të zyrave të ministrave, kodit e kushtetutës, Tahiri zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin, të tjerat mund t’i ketë zhvilluar gjetiu unë nuk di, por në fund Tahiri përfundoi avokat i pamposhtur i Bamit. Kjo është e faktuar që përfundoi i dashuruar me Bamin, aq shumë e bindi Bami saqë i thotë unë nuk pranoj të funksionoj si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, se jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit, se ndihet më i fuqishëm me Tahirin. Kemi të bëjmë me një bllokim për qëllime politike të hetimit për 6 muaj, përpjekje për manipulim të gjithanshëm ,presion mbi institucionin e akuzës sepse paraqitja para drejtësisë gjashtë muaj më vonë kur kryeministri, kryetari i kuvendit dhe ministri i Brendshëm janë në bllok, nuk ka në botë prokuror as në vendet më të zhvilluara që mund të hetojë një gjë të tillë.

Nuk mundet që një kryeministër të informohet që ka pasur një tentativë vrasje për deputetin e tij të mos kërkojë ndihmën dhe të adresojë në prokurori çështjen për ta zbardhur. Donte ta zbardhte me Tahirin e partisë, dhe në fund Tahiri tha se Bami im është i pafajshëm, kurse Rama vet tha se është një aktor", deklaroi Berisha.

Keni besim te prokuroria?

Unë e thash, nuk paragjykoj përpjekjet, por nga ana tjetër edhe guri po të ishin prokurorët, me një presion të tmerrshëm, me një manipulim të paimagjinueshëm duke pasur në bllok, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit, ministrin e Brendshëm, atyre u vështirësohet puna në shkallë ekstreme, ndaj dhe sovrani vjen këtu me 12 mars në protestën më të fuqishme të shqiptarëve për të mbështetur dhe hapur rrugën drejtësisë. Ilir Meta ka një alternativë, të japë dorëheqjen, të mos ulet para prokurorëve si zoti kryetar, por si një njeri i akuzuar.

Thelbi i dëshmisë?

Thelbi i dëshmisë nuk dekonspirohet në mënyrë absolute nga unë. Merrni çfarë kam deklaruar para se të vij në prokurori. Tani që erdha këtu nuk ju deklaroj asnjë gjë.

Nuk kam asnjë lidhje me personat e implikuar në këtë skenar, ishte në dorë të kryeministrit, unë jam ish-kryeministri.

Cili është personi që ju ka vënë në dijeni?

(Berisha nuk përgjigjet)

Përse nuk e denoncuat ngjarjen kur e mësuat?

(Berisha nuk përgjigjet)

Për herë të parë përballë prokurorëve, si ndiheni?

Kam ardhur me kënaqësi ta them hapur. Kjo është akuza më e rëndë e 24 viteve të fundit. Dhe e konsideroj zbardhjen e saj si një kusht themelor për paqen sociale të këtij vendi. Konsideroj bllokimin e hetimit atentatin më të rëndë që i është bërë të vërtetës në këtë vend.

Si e vlerësoni deklaratën e Frrokut?

(Berisha nuk përgjigjet)

09:10 Berisha paraqitet në Prokurori, përshëndet me dy gishta


Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit për herë të para në organin e akuzës, për të dëshmuar për çështjen Doshi. Ai nuk e la mënjanë përshëndetjen me dy gishta, as gjatë hyrjes së tij në ambientet e Prokurorisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka çuar ftesë ish-kryeministrit në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen.

Berisha u bë pjesë e hetimit, pas deklaratës së tij në seancën plenare të 5 marsit, ku ai deklaroi në Kuvend se ishte në dijeni për atentatin e pretenduar tre muaj më parë, por nuk ka dashur të bëhet pjesë e çështjes.

09.03 - Këshilltarja Erla Mëhilli: Berisha do të vijë në Prokurori
Në orën 09.03 në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mbërriti Erla Mëhilli, këshilltarja për mediat e ish-kryeministrit e cila konfirmoi paraqitjen e zotit Berisha në organin e akuzës për të dhënë dëshminë.

Në 11.00 pritet dëshmia e deputetit Fufi

Në orën 11.00 sërish me ftesë të Prokurorisë, pritet edhe dëshmia e deputetit demokrat të Lezhës Mhill Fufi për të cilin deputeti i përjashtuar nga PS, Tom Doshi pretendon se ka qenë objektiv i atentatit të porositur nga Meta. Në reagimin e parë zyrtar mbi këtë çështje, Fufi tha se nuk kishte pasur asnjë informacion për planin e pretenduar nga Doshi.

Në 12.00 pritet përballja Frroku-Doshi

Në orën 12.00 pritet edhe përballja më e fortë, ballafaqimi i deputetit të larguar nga PS Tom Doshi dhe kolegut të Partisë Kristian-Demokrate, njëherësh mikut të tij, Mark Frroku.

Publikisht Doshi ka deklaruar se Mark Frroku ka qenë personi që i ka prezantuar Durim Bamin dhe e ka vënë në dijeni për atentatin ndaj tij, por kjo alibi është mohuar nga deputeti Mark Frroku i cili para hetuesve ka mohuar gjithçka.

/Shekulli Online/