Në rrethin e Delvinës, në një kodër të mbuluar nga pylli, zbulohen ende “në këmbë” ngrehinat 2, 3 dhe 4-katëshe të 110 banesave e 12 kishave të një fshati që daton që nga shekulli i 12-të.

I lënë jashtë vëmendjes së arkeologjisë prej më shumë se 4O vjetësh, fshati mesjetar i Kamenicës ka qenë një qendër arkeologjike e panjohur për publikun. I pyetur për këtë mangësi në arkeologjinë shqiptare, drejtuesi i ekspeditës që zbuloi dhe dokumentoi për herë të parë një pjesë të ndërtesave dhe objekteve të këtij fshati, Skënder Muçaj, rrëfen shkaqet.

“Njëra arsye është se në fshat është vështirë për t’u bërë eskpedita, edhe pse për Kamenicën është shkruar që në vitin 1970 nga Aleksandër Meksi. Në atë kohë pati një ide të vijonte projekti me zbulimet arkeologjike, por sa u evidentua ekzistenca e fshatit projekti u ndërpre”. Arkeologu Skënder Muçaj, kujton se në harresë janë lënë edhe disa fshatra të lashta në luginën e lumit të Vlorës, të organizuara si qytete të vogla, “siç është fshati i dokumentuar që shekullin e IX-të, Brataj, apo Grehoti të cilin e dokumentojnë burime të filimshekulit të 11-të.



Ndërsa më pas njihet si Arkondia e Grehotit, në shekullin e XIII”
Arkeologu rrëfen për “Shqiptarja.com” se çfarë është zbuluar gjatë kërkimeve sipërfaqësore për dokumnetimin e fshatit mesjetar të Kamenicës në rrethin e Delvinës.

“Është folur edhe më parë për ekzistencën e tij, por nuk është dokumentuar dhe kërkuar. Kamenica është një nga fshatrat mesjetare që është një nga perlat më të bukura që ruhet deri më sot më Mesdhe. Është një fshat që ruhet plotësisht me rrugica, me dyqane, me punishte, por për fat të keq është pak i studiuar dhe pak i vlerësuar.

Burimet nga regjistrat osmane tregojnë që fshati në fund të jetës së tij ka pasur 606 familje dhe ishte një nga qendrat që paguante më shumë taksa nga çdo qyte tjetër i Shqipërisë, kishte 606 familje, ishte një qendër e rëndësishme ekonomike. Kishte pesë lagje. Lagja kryesore e Kamenicës kishte rrënoja që i kemi dokumentuar tashmë. Bëhet fjalë për 110 banesa dhe 12 kisha. Janë zbuluar nja katër punishte vaji, etj”.

Ndër zbulimet më të rëndësishme, arkeologu Skënder Muçaj përmend dy nga rezidencat kryesore të fshatit, ku sipas tij njëra është ajo e kishës e tjetra e pronarit administrativ të fshatit. “Nga kërkimet që kemi bërë janë zbuluar se dy prej ndërtesave janë rezidenca shumë të mëdha, me ambiente të shumta, me një sipërfaqe tepër të madhe, me punishte e me prodhime të ndryshme.

Kështu që marrin vlera në këtë këndvështrim, sepse fillimet e këtij fshati, ne i kemi që në shekullin e 12-të. Që nga shekulli i XII, e kemi të argumentuar se ka filluar jeta në këtë fshat dhe ka vazhduar të ketë jetë deri në fillimin e shekullit të XVII. Në fillim të shekullit të XVIII këto banesa janë braktisur, sidomos lagja kryesore që është Kamenica është braktisur përfundimisht. Kemi dokumentuar në mënyrë sipërfaqësore edhe një lagje tjetër, ku duken gjurmët e banesave, ku është një kishë e një manastir, etj. Është edhe një lagje tjetër që duhet studiuar, ku ruhen toponimet, e ku ka edhe banesa, që është e paeksploruar deri tani”. Arkeologët e kësaj ekspedite, të zhvilluar vetëm përgjatë tri javëve në muajt korrik-gusht, pohojnë se me këto zbulime Kamenica po merr vlera të veçanta. Është bërë tashmë dokumentimi grafik,duke u ruajtur materialet e para sipërfaqësore që do të studiohen për të parë periudhën se kur ka filluar ky fshat dhe se kurrë ka përfunduar.

“Ky fshat hyn në atë periudhë, kur në zonën e Mesdheut fillojnë të ndërtohen fshatra dhe të kthehen në qyete”, rrëfen drejtuesi i ekspeditës, Skënder Muçaj. “Madje ishin hapat e para të ndërtimit që nisin të funksionojnë si qytete deri në shekullin e X dhe të XI. E tillë do të jetë panorama e fshatit që po studiojmë, një zhvillim që ndodhte paralelisht në territorin Mesdheut, edhe me fshatrat e Italisë dhe Greqisë. Duke zbuluar nivelin e jetesës në fshatin e Kamenicës zbulojmë se territori i Shqipërisë në atë kohë ishte në të njëjtin nivel me vendet e tjera.

Aty kemi banesa me dy, tre, katër kate. Kemi një urbanistikë të përcaktuar. Në qoftë se shohim sot lagjen e Mangalemit, në Kamenicë është një shumëfish i lagjes së Mangalemit”, thotë Skënder Muçaj, duke rrëfyer edhe se fizionomia e këtij fshati është i së njëjtës periudhe mesjetare, ku arkitektura e kësaj periudhe ka marrë edhe tipare orientale. Mendimi i arkeologut pas këtij zbulimi është që të hapen mjedise të vizitueshme dhe nëse ky fshat do të ruhet i gjithi do të ketë interes të madh për turistët.

“Ka ndërtesa në këmbë që vetëm çatitë u mungojnë dhe ruhen me shenja të qarta të 3 dhe 4 kateve nëpër muret e tyre. Janë elementë që datojnë deri në shekullin e XII dhe kanë vijuar deri në shekullin e XVI-XVII. Edhe pse janë braktisur që nga shek. i XVII, muret qëndrojnë ende në këmbë, për arsye të teknikës së përsosur të ndërtimit”, shpjegon arkeologu Muçaj, ndërsa kujton se për zbulime të mëtejshme arkeologjike Shqipërisë i mungojnë arkeologët. “Problemi është se ka pak persona që merren me arkeologji. Ka pak arkeologë. Numri i arkeologëve në Shqipëri është i pamjaftueshëm për ekspeditat arkeologjike, që bëhen me tre-katër veta”, shprehet ai, ndërsa i kthen sytë sërish nga zbulimet në Kamenicë. “Duhet parë se ç’domethënie kanë këto banesa me tre e madje me katër kate, të cilat u kanë rezistuar shekujve. Ne shohim se ato plotësojnë kushtet e topografisë së një qyteti të kohës, edhe pse nuk arriti të kthehet në një qytet plotësisht, por ka shumë elementë të një qyteti si dyqanet e punishtet.

Shkaku mund të ketë qenë se ishte larg rrugëve të kalimit dhe në këtë zonë më afër rrugëve të kalimit ishte Delvina. Kështu Kamenica mbeti jashtë vëmendjes si qendër administrative dhe e zhvilluar, ku gjenden të dhëna të rëndësishme për studimin e gjithë mesjetës”.

Ndërsa rrëfen për rëndësinë e këtyre zbulimeve arkeologu Skënder Muçaj tërheq vëmendjen se “kërkime duhen bërë edhe në veri me gërmimet si në Dalmaci, Banjë, etj, ku ka të dhëna me interes që fillojnë nga shekulli i IX deri në shekullin e XV”.