Kryeministri Edi Rama deklaroi me krenari, të enjten, se 120 studentë të ekselencës u bënë anëtarë të Partisë Socialiste.
Për të propaganduar këtë akt të rëndësishëm të studentëve, Partia Socialiste ka prodhuar një video-reklamë të shkurtër, në të cilën, disa nga studentët ekselentë, tashmë anëtarë partie, tregojnë, njëri pas tjetrit, për arsyen që i shtyu për t’u bërë anëtarë të Partisë Socialiste.
Dikush mund të kishte menduar që ata do të flisnin për aspiratat që mund të kenë për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit. Dikush mund të kishte pritur që ata të flisnin për ëndrra me drejtësi, dinjitet, liri. Dikush, më idealist, mund të kishte pritur që të flisnin për dëshirën e tyre për të ndihmuar njerëzit. Dikush tjetër, me imagjinatë më të zhvillaur, mund të kishte pritur që ata të flisnin për nevojën për të ndryshuar mënyrën e të bërit politikë, për dëshirën për të sjellë një qasje të re, një vizion të ri e modern në politikën tonë dallkauke e mediokre. Dikush mund të ketë pritur revoltë, pasion, energji në zërat e tyre.
Të gjithë duhet të jenë zhgënjyer, pasi studentët ekselentë kanë të tjera arsye dhe interesa!
Me fjali të varfra, plot klishe e parulla sipërfaqësore, ndonjëherë pa shumë sens logjik e në disa raste me shqipe të çalë, me ton monoton, studentët më të mirë të Shqipërisë përcjellin dy motive kryesore: adhurimin e lavdet që ndjejnë për partinë (socialiste), dhe interesin e tyre personal.
Nëse këta janë studentët më të mirë të vendit, Shqipëria nuk ka të ardhme.
Ja se ç’thonë ata në video:
Arsyeja pse jam me Partinë Socialiste është, sepse duke qënë se jemi më të mirët, do të jemi gjithmonë me më të mirët,” – thotë një studente, si për të treguar që “ekselencës” i mungon çdo lloj modestie apo përunjësie, përveç asaj para partisë.
Vendosa të bëhem pjesë e Partisë Socialiste, pasi njohuritë e mia dua t’i vë në zbatim konkretisht,” – thotë një tjetër studente, që duket se ngatërron politikën me prodhimin.
Më pëlqejnë punët në grup,” – thotë një student, si për të treguar që ose nuk e ka idenë së çfarë e pret në politikë, ose di të shtiret që në moshë të re.
“…idetë novative, idetë që janë vërtetë aktive, ndaj jam këtu ku jam,” – shton një “ekselente”, si për të treguar që “ekselentët” nuk është e thënë ta kenë idenë se ç’janë idetë.
Një politikan i zoti zhvillohet vetëm në Partinë Socialiste,” – thotë një student, si për të treguar që ai mund ta ketë mëndjen e mbyllur, por adhurimin për partinë e ka të pafund.
E ndjej që në Partinë Socialiste është vendi i duhur dhe ku neve mund të shprehim idetë dhe është fryma e duhur së cilës mund t’i bashkangjiten të rinjtë shqiptarë,” – thotë një “ekselente”, që na bën të mendojmë se e reja në këtë vend i ngjan një mish-mashi klishesh të vjetra.
U anëtarësova në Partinë Socialiste sepse ajo punon fort me idealin dhe ka idealet që unë dua të ndjek,” – thotë një studente, që duket sikur na thotë se “ekselenca” mund të mos e dijë se ç’janë idealet.
Vendosa të marr pjesë në Partinë Socialiste për të hyrë në pjesën politike të vendit,” – thotë një “ekselent”, më në fund, i sinqertë.
Zgjedh Partinë Socialiste sepse është një mundësi për të shfrytëzuar, për të nxjerrë në pah aftësitë tona,” – thotë studentja tjetër si për të treguar që edhe “ekselenca” nuk ka kuptim po mos u duk.
Mendoj se ndryshimi fillon nga unë dhe për këtë ndryshim është pikërisht Partia Socialiste,” – thotë në mbyllje një studente, si për të treguar që “ekselenca” ndonjëhere flet turbullt e arsyeton edhe më turbullt.
Por më e turbullt duket e ardhmja e Shqipëri