Jaho: S’isha e talentuar sa duhet që të bëhesha e famshme në Shqipëri

Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, ndodhet në Shqipëri për të interpretuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në operën “Suor Angelica”. Në një kalendar të tejmbushur me ngjarje në skenat më të mëdha të botës, ajo gjen kohën të vijë në Shqipëri. Sot e vlerë- sojnë të gjithë, por nuk ka qenë kështu dikur. “Ndoshta nuk kam qenë shumë e talentuar”, thotë ajo. Në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku, në studion e “Debati në Channel One”, Jaho rrëfen për veten, për fillimet e vështira në Shqipëri, suksesin që njohu në botë, vlerësimin nga Kryeministri, por edhe për partnerin e saj, me të cilin ka studiuar në të njëjtën shkollë.

Çfarë ka ndryshuar te ju që prej intervistës sonë të fundit? Kanë kaluar 7 vjet tashmë…

Mund të them se si të gjithë njerëzit, ne jemi çdo ditë ndryshe. Nga ana fiziologjike ndryshojmë, sepse, siç kemi qenë mbrëmë, nuk jemi sot. Është një ditë e re edhe në përkushtimin dhe përballimin me jetën e përditshme. Nga 2007 e deri më tani, ka qenë një rrugë e gjatë, një kërkim i vazhdueshëm për të përmirësuar veten. Nuk dua të them se jam në majë, sepse po të kap atë, duhet të them se ku të shkoj më. Kam gjëra për të dhënë akoma. Ndryshon nga ana shpirtërore, psikologjike, sepse jeta të jep një lloj eksperience që të shënjon. Kjo ka bërë që Ermonela të ndryshojë, t’i shohë gjërat me një sy tjetër edhe në përballimin me karrierën. Mund të marr një shembull më konkret: Po të marrim operën “La Traviata”, është opera që nisën ëndrrat e mia për t’u bërë këngëtare dhe e kam kënduar mbi 200 herë, deri më sot. Nga viti 2007 deri në 2015, është kënduar shumë-shumë herë. Shoh që është e njëjta muzikë, i njëjti person që e këndon, por emocioni është ndryshe. Është një Ermonelë me një eksperiencë tjetër dhe këtë ndryshim te vetja e shoh në rezultatin që kam në skenë dhe mënyrën se si më pret spektatori.

Ju flisni me shumë dashuri për vendin tuaj, edhe pse ju u bëtë e famshme në Shqipëri, pasi u bëtë e famshme në botë…

Të gjithë e kemi ndjekur filmin “Odisea” të Homerit, ku thoshte se rruga për në shtëpinë tënde vjen përmes botës. Ndoshta, asnjë nuk është profet në vendin e tij. Mbaj mend në kohën time mënyrën se si trajtoheshin talentet. Talent në kohën time ishte ai që e kapte mësimin shpejt. Ai ishte gjeni. Ti, që kishe nevojë për më shumë kohë, nuk do të bëheshe gjë. Në rastin tim, kjo nuk ka funksionuar. Të gjithë kemi lindur me diçka, të gjithë e kemi brenda vetes. Por, mendoj që 10% është dedikim. Ndoshta nuk kam qenë e talentuar sa duhet, që të dilja në fillim nga Shqipëria, të bëja rrugën e kundërt. Tani, të gjithë mund të thonë se “Ermonela do të bëhej e madhe”, se “Ermonela ka qenë talent që atëherë”… Nuk është e vërtetë.

E ke dëgjuar këtë?

Po. Unë studioja. Asnjë nuk lind i madh. Ti bëhesh në momentin që i vë detyrë vetes. Kam mësuar se sa më shumë të punoj, aq më shumë fat kam.

Sa orë punoni në ditë?

Mund të them se jeta ime i është e dedikuar punës, sepse këndoj nga një vend i botës në tjetër, nga një repertor në tjetrin. Flasim për opera, për role protagonisti dy-tri orëshe. Je një gladiator i skenës. Është një punë kolosale edhe nga ana teknike dhe psikologjike. Për mua është i rëndësishëm emocioni që jap te publiku. Puna është e përditshme dhe nuk mund të bësh dot pazar me talentin, me përkushtimin. Të gjithë jemi unikë dhe kemi një energji të jashtëzakonshme për të nxjerrë gjëra të jashtëzakonshme.

A veçoni dikë që ishte i pari, që ju afroi pas suksesit që morët në skenat botërore?

Ata që më kanë mbështetur më shumë, kanë qenë prindërit e mi. Ata më kanë shtyrë që të njihesha në Shqipëri. Ndoshta ka qenë mentaliteti i vendit të vogël. Por, konkurrenca në vendin tonë s’e kuptoi. Ai që ka kaluar me ty një lloj eksperience shkolle, nuk e pranonte dot.

Pse?

Nuk e di. Disa gjëra i kam akoma sot e kësaj dite. Ndoshta nga mentaliteti.

Ju e vuani këtë?

Më përpara, po. Për shkak të tim ati, sepse thoshte: “Ti ke bërë këtë, ke bërë atë… Përse të mos i tregojmë?” I thashë se nuk do të tregojmë asgjë. Do të vijë momenti që jehona nga jashtë do të vijë në Shqipëri. Dhe kisha të drejtë! Pritshmëria ishte shumë e madhe për të kënduar dhe zhgënjimi po ashtu. Në kohët e fundit, kemi filluar njëlloj bashkëpunimi, që të jap më tepër eksperiencën time, se çfarë ka arritur Ermonela. Vendi është i hapur ndaj çdo informacioni.

Si ia del Ermonela? Në komunikimet tona më thojsh: “Jam në Londër, jam në Milano, jam në Vjenë”..?

Është pasioni. Për mua, të kënduarit është ideal. Është katarsis. Odisea apo Magelani? E ndiej veten më mirë si Odisea. Nëpërmjet artit zbuloj veten time. Arti është një ekspresion i ndjenjave të realizuara. Do një regjim të jashtëzakonshëm. Nga ana fizike, duhet të kesh kujdes. Me kalimin e kohës dhe, sa më shumë kalon mosha, edhe kjo energji që ti ke pasur kur ke qenë 20 vjeç edhe pasioni, është po ai. Që të mbash edhe nga ana fizike një energji të tillë, të duhet një përgatitje e jashtëzakonshme fizike. Zakonisht thuhej për këngëtaret se duhet të flenë shumë, t’i marrin gjërat me qetësi. Por, kam zbuluar të kundërtën. Çdo ditë, bëj ushtrime për zërin edhe për trupin. Ka ndryshuar edhe imazhi i këngëtarit në botë, që duhej të jesh shumë i shëndoshë. Edhe lëvizjet skenike në të kaluarën ishin të ngrije dorën edhe aktro. Sot duhet të jesh edhe aktor. Sepse duhet të japësh emocionin përmes këngës. Duhet të këndosh në pozicione të jashtëzakonshme, që nuk janë komode në skenë. Por elasticiteti që arrin përmes ushtrimeve fizike, të bën të këndosh në çdo lloj pozicioni, pa dëmtuar edhe tingullin që del.

Sa do të zgjasë ky pasion?

Pasioni, nëse është i vërtetë, zgjat gjithë jetën. Po të flasim nëse do të zgjasë gjithmonë në këto nivele, në këto role të vështira, është të gënjej veten. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë.

A e keni arritur majën apo synoni gjëra të reja?

Synoj akoma. Nëse do të kisha arritur majën, tashmë duhet të isha duke rënë. Kam frikë të them se kam arritur në majë. Kam akoma gjëra për të dhënë.

Si është jeta juaj në New York?

Shpenzoj shumë pak kohë në shtëpi. Mund të them se duke mbledhur ditët, 2 muaj në vit i kaloj atje. Është shumë e vështirë, do doja që të shpenzoja pak kohë më shumë me shokun tim të jetës, me të cilin edhe kam studiuar.

Mund të na thuash diçka më shumë për të?

Quhet Ervin Stafa. Kemi studiuar bashkë Muzikë, kemi qenë në Pallatin e Pionierëve në Tiranë. Jeta na ndau. Unë vajta në Itali, ai shkoi në New York. Jeta na bashkoi përsëri. Mendoj që po të mos kisha një mbështetje, dashuri nga personi që kam në krah, do të ishte edhe për mua e vështirë të bëja këtë profesion. Ai ka mbaruar për Muzikologji dhe e kam kritikun më të ashpër. Bëjmë edhe një shkëmbim idesh të dy shokëve që kanë studiuar Muzikë. Do doja të kaloja më shumë kohë me të në New York.

Ju morët një vlerësim nga Kryeministri shqiptar, a keni frikë që kur merr famë shqiptari, të gjithë vijnë aty?

Unë jam artiste dhe flas me gjuhën e zemrën e artistes. Për mua është një ndjenjë e madhe kur ndihesh e vlerë- suar nga Kryeministri. U respektova si artiste. Unë do të jap kontributin tim gjithmonë, pavarësisht se çfarë partie është në pushtet. Nuk e prisja çmimin që më dhanë. Një moment shumë i bukur.

E lidhni me faktin që kryeministri është artist, i dyti në Shqipëri, pas Fan Nolit?

Dhe ajo ndikon. Artisti me artistin kupton detajet, mënyrën e të shprehurit.

Jeni e madhe, sepse jeni modeste…

Të gjithë ne kemi pasur vështirësi në jetë. E dimë shumë mirë që nuk do të na duan të gjithë kur jemi në karrierë publike. Ma kanë thënë që e ke defekt që je modeste. Por nuk do të isha unë nëse do ta bëja. Nuk ka gjë më të bukur t’i urosh më të mirën.

Shkoni t’i shihni kolegët tuaj në sallë?

Shkoj shumë rrallë, sepse vuaj bashkë me kolegët. Nuk është aq e lehtë, sepse i njoh të gjithë ato sikletet që përjeton një artist kur është në skenë përditë dhe e vuaj jashtë mase, ndaj qëndroj rrallë nga ana tjetër e skenës. Shumë-shumë rrallë. Dhe shkoj më tepër në balet, sepse është një formë tjetër arti, ku ti shprehesh pa vënë fjalën dhe këndimin, siç është në rastin e operës, është një tjetër ekspresion ndjenjash, një lloj tjetër arti brenda trupit, brenda gjesteve. Ato i shoh më me qetësi.

Besoni në Zot?

Besoj! Është një, e di se është një definicion, nuk e ndiej veten të bëj një definicion me dy-tri fjalë, e di që në gjithë këtë hapësirë nuk jemi të vetmit, mendoj kështu që ekziston.

Cilit besimi i përkisni ju?

Unë i përkas besimit bektashi, nga të dyja palët, edhe nga nëna edhe nga babai.

Ju e vëreni këtë që ne e quajmë një vlerë të madhe të shoqërisë shqiptare, harmoninë fetarë?

Absolutisht dhe jam shumë krenare! Është një gjë shumë e bukur dhe mendoj se të gjitha fetë kanë diç- ka të përbashkët; është një filozofi e jetës, për të përmirësuar jetën…

Panorama