Ndriçimi i mbrëmjes praron ëmbëlsisht malet përreth. Bonbonet dhe rakia janë vendosur mbi tryezën në kopshtin me trëndafila, ku kanë zënë vend mysafirët që i ka pritur ky fshat. Dhori Falo psherëtin, me buzët në qelqen e rakisë: - “Jam përfaqësuesi i shkretë i një fshati të varfër të një Shqipërie të varfër që shpresoj të përparojë në të ardhmen”. Njeriu, që mbush të tetëdhjetë vitet vitin që vjen, jep përfytyrimin e fshatit të tij, Voskopojës, me një paraqitje të thjeshtë, por me një pasuri tronditëse. Është njëri ndër ata që i njeh boll mirë orët e lavdisë të këtij cepi të vogël në fshat, një vend malor për pushime dhe për t’u vizituar, në fillim të shekullit XVIII. Si shumë intelektualë të brezit të tij, Dhori Falo tregon kujtimet e veta në frëngjisht, gjuhë të cilën e ka mësuar në liceun e Korçës, pak më sipër, por në një vend më të ulët. Atje tirani i ardhshëm, Enver Hoxha, do te jepte mësimet e frëngjishtes dhe të moralit. Ndërtesa kishte mbyllur dyert në kohën e pushtimit italian të 1939-s. Dhe s’i hapi më kurrë. Njerëzit vinin nga larg për të thithur ajrin e pastër e të freskët të maleve tona. U ofrohej kafe, kishte një park të bukur, motoçikleta, magazina, një skuadër futbolli, një rrugë si në Europë. Kryetari i komunës ishte një intelektual i shquar, që kishte studiuar në Stamboll”, - tregon Dhori Falo. – “Veçse në Ballkan fati i një qyteze ka ngjitje-uljet e tij. Voskopoja ishte shpallur, për një kohë të shkurtër, Republikë autonome, në vitin 1917! Dy shekuj më parë, në kulmin e lulëzimit, ishte një kryeqendër kulturore, një qytet shumëkombësh i përmendur për shkencën dhe për artet, i pajisur me një akademi të famshme dhe me një bibliotekë të rëndësishme. Ishte një enklavë ortodokse në zemër të Perandorisë otomane, ku numeroheshin njëzet e gjashtë kisha. Sot ka pesë, përveç një manastiri, në gjendje të keqe.

Kujtesa e gurëve
Në Voskopojë, jo larg nga kufiri maqedonas, tanimë kanë mbetur atje 300 banorë, bletë për mjaltë, dhi që përdoren për të nxjerrë djathin, disa lopë, një ari në kafaz, me emrin Lola, disa gomarë e disa mushka, kuaj për karroca të vogla, por nuk ka traktorë. Ka mjaft hane dhe ndonjë hotel, por nuk ka më magazina e dyqane. Rrugët fshatarake që gjarpërojnë pyjeve kanë mbuluar rrugët e hershme, që ishin me kalldrëm. Në Voskopojë kanë mbetur gurët, me bollëk. – “Ne këmi menduar se duheshin ndihmuar shqiptarët që të ruanin kujtesën e tyre, identitetin, pas asaj që kanë hequr”, - kishte thënë në Paris Zhënëvievë Galo (Gallot), që drejton Institutin kombëtar të trashëgimive (INP). – këtë shkollë që varet nga ministria franceze e Kulturës, një qendër e një niveli të lartë të përtëritjeve (restaurimeve) dhe të ruajtjeve (të monumenteve të kulturës,- p.).

Dhe iu vumë
udhëtimit...
Do të na duheshin pesë orë për të mbërritur këtu nga Tirana, me veturë, në një largësi prej 180 kilometrash, pa u sorollatur fare gjatë udhës. Zyrtarë të rinj, ndërkaq, kishin bërë disa zhvendosje. Është një ditë feste. Bisedohet në frëngjisht, në italisht, në greqisht, shqip, në gjermanisht dhe në anglisht; një përzierje e denjë për kohën e artë të qytezës. Në vitin 1760, fjalori i parë shqiptar, në gjuhën arumune, serbishte e greqishte, kishte dalë nga shtypshkronja e Voskopojës. Në vitin 2005, do të duhet t’i hyet jetësimit të një pune për veprimtarinë e mbarë të kantierit-shkollë të përtëritjes së kishës së Shën Thanasit.
Përurimi u bë me tri fjalime të shkurtra. E kemi fjalën për sesionin e dytë të punimeve, me të cilin u morën nja tridhjetë veta gjatë një muaji. Shoqata Trashëgimia pa kufij (PSF) është nismëtarja e kësaj pune. Ajo u përpoq për të gjetur specialistët e parë, për të përftuar financimet dhe në vitin 2001 e shkroi emrin e monumenteve të Voskopojës në listën e njëqind monumenteve më të kërcënuara të botës, në “World Monuments Watch”. PSF-ja u orvat menjëherë që të bindte Zhënëvievë Galonë që të dërgonte ata ndër studentët që përgatiteshin për t’u bërë ekspertët e pikturave të murit dhe të afreskeve të tjera të rënuara. T’u jepte mundësinë këtyre të rinjve që të mundeshin, me përtëritjen e këtyre veprave të artit, t’i sillnin një ballsam në shpirt këtij populli, që nuk kishte pasur as të drejtën të vizatonte thjeshtësisht shenjën e një kryqi, gjatë dhjetëvjetëshash! Drejtoresha tërë gjallëri e INP-së, shefja e zbatimit të këtij projekti, nga ana e saj kishte vënë në lëvizje homologët e institutit të Romës dhe të Maastrihtit, universitetin e Marburgut, si edhe disa historianë të artit. Të gjithë këta iu vunë bashkëpunimit me Monumentet historike shqiptare dhe shpenzimet do të mbuloheshin nga Komisioni europian.
Shën Thanasi është vëndosur në anë të fshatit, i rrethuar nga varre të krishterësh dhe myslimanësh. Nuk ka kambanore, as shenjat e dukshme të një kishe. Nuk duheshin lënduar në sedër myslimanët. Kjo është arsyeja që kambanoret e kësaj kishe, të ndërtuar në vitin 1724, nuk duken, duke qenë të mbuluara nën një çati gri. Përbrenda kjo ndërtesë, karakteristike e kohës pasbizantine në këtë krahinë të Ballkanit, përshfaq ndriçimin e saj. Që nga dyshemeja, - e gryer së tepërmi për të fituar në lartësi, - gjer në tavan muret dhe kubetë (kupolat), mbulohen nga pikturat e një stili të hijshëm, një pjesë e të cilave u kryen në vitin 1745 nga dy artistë të famshëm: Kostandini dhe Thanasi. Këta vëllezër të njohur si “vëllezërit Zografi”, paraqitën më vonë në shumë kisha malin Atos. Në muret e Shën Thanasit rreshtohen koleksione shenjtorësh e martirësh, dëshmi e përhapjes kaotike të krishtërimit. Të gjithë këta martirë, të cilëve u kishin prerë kokat, të masakruar, të gatshëm për t’u flijuar për një fe që po lindte, të bëjnë të kridhesh në mendime.
Poaq domethënëse është edhe galeria e jashtme që paraqet skena të Apokalipsit. Fytyrat e shenjtorëve shpesh janë të dëmtuara rëndshëm. Por s’prish punë: Maksimilien Dyrani i njeh. Ky i ri i qeshur, që jep mësim në Shkollën e Luvrit dhe në INP, dallon jetën e secilit prej tyre sikur t’i kishte të gjithë në kujtesë. Janë shën Premti, shën Julia dhe i biri, Siri, Kostandini, Katerina e Aleksandrisë, Nabukodonozori...
Nxnësit e restaurimeve dhe mësuesit e dëgjojnë me vëshët katër dhe e ndjekin në kishat e tjera të Voskopojës, që paraqesin të gjitha, - me përjashtim të njërës, - të njëjtën cilësi të dekorit, por edhe dëmet po aq të rënda. Ia vlen të fillohet për të shpëtuar njërën nga këto monumente, së paku.

Kantieri-shkollë ndërkombëtar
Në mbarimin e ditës, fshatarët mblidhen e bisedojnë në këmbën e skelës së ndërtimit. Gjithë këta shënjtorë! Ata paksa i kishin harruar këto pesëdhjetë vitet e fundit.
Na përkthen Viktor Sharra, - një ish-gazetar që kishte pasë punuar në ministrinë e Kulturës, në Tiranë dhe i kalonte vullnetarisht pushimet në kantierin e përkthimeve. Flitet për përparimin e punimeve. Shqiptarë dhe francezë – këta të fundit përbëjnë pjesën më të madhe të grupit, - shpesh e kanë të vështirë që të merren vesh. Punët e ndërlikuara tërë përkujdesje nga ana e francezëve, me analizat klimaterike, fotografike, kimike, i hutojnë të parët. Këta janë të shqetësuar mbi gjithçka për ngutjen. “Këtu studentët mësojnë edhe se afresket mund të bien sa hap e mbyll sytë”,- thotë si me gjysmëzëri Beatriçe dë Dyfori, kryetarja e PSF-së, - fshati ka humbur edhe tri kisha, që nga vititet 1960".
Së fundi një admirim të madh zgjon qëndresa që i kanë bërë këto monumente luftës dhe ligësisë pushtetare, si djegieve të shkaktuara nga bombardimet e italianëve gjatë Luftës II Botërore, por edhe shndërrimit në depo plehrash kimike nga pushteti komunist. Pa llogaritur këtu lëkundjet e truallit nga tërmetet dhe dëmet nga lakuriqët e natës. Duke mos i pasur mjetet dhe mundësitë për t’i ruajtur si duhet, shqiptarët bënë ç’mundën për të dhënë ndonjë ndihmesë, duke e pasur shqetësimin vazhdimisht për to.
“Gjyshi im, Sali Butka, ishte nga një vend kundërshtar; ai ishte me austro-hungarezët. Ishte njëri ndër ata të fundit që i vunë zjarrin, në vitin 1917, Voskopojës, paksa e prirur ndaj grekëve, siç e mendonte ai”. – thotë Yllijet Aliçka. Shkrimtari, që punon për Komisionin Europian, tregon me një humor të kripur por edhe të frikshëm, aventurat e këtij gjyshi të tmerrshëm i cili, sidoqoftë, mbetet si një atdhetar i spikatur në kujtesën kolektive. Kur u plagos, ai e nxori njërin sy me gisht, nga frika se mos qante në gjumë po t’i nënshtrohej anestezisë. – “Ishte në Bari të Italisë. Shkruan gazetat për këtë”.
Voskopoja është bërë një vendkërkim, si shumë vende të tjera ku bëhen gërmime. Siç ka hapur kufijtë, Shqipëria ka hapur edhe nëntokën e saj. Arkeologë të Shkollës franceze dhe të asaj athinase kanë sjellë dashamirësisht nga kryeqyteti i Greqisë disa litra tretësish (solventesh) për kantierin e Shën Thanasit. Të gjitha këtu janë të ndërlikuara. Prodhimet, skelat, veglat elektrogjene. Vetëm mikpritja nuk mungon.

Po pritja e të huajve në këtë fshat?
-”Është e mrekullueshme, - zhotë Astrit Zëre. Prej pesëmbëdhjet vitesh ky njeri e zmadhoi shtëpinë e tij për ta bërë si një hotel të lezeçëm turistik. Kryeplaku Dhori Falo vështron këtë hapje të fshatit të tij me një optimizëm të përmbajtur. Ai ka parë e vuajtur shumë, pa dyshim. Nën komunistët ai ka pasë qenë i përndjekur, siç thotë edhe vetë, pa hyrë në hollësira. I ati, kryeredaktor i një gazete pro mbretit Zog, u vra nga komunistët. Atij vetë nuk i dhanë të drejtën për të ndjekur studimet, pas liceut. Ishte mësues i matematikës, para se të degdisej, për njëzet e katër vjet, në shkollën e Voskopojës. – “Këto kisha ishin të rëndësishme, - përfundon ai - dhe jo vetëm për ortodoksët, por edhe për myslimanët që vinin atje, meqë mungonin xhamitë, jo vetëm nga Korça, por edhe nga vende të tjera. Ato flasin për vlerën dhe për traditën e popullit shqiptar.

Botuar ne:
“Le Monde 2”
Vjeshte 2005