Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e ftuar në emisionin "Shih programin" të gazetarit Enkel Demi në TVSH, e ka cilësuar Shqipërinë një "fshat të madh, ku për fat të keq jetojmë".
Shqipëria vërtet mund të jetë një vend ku jetohet keq, por e thënë kjo nga një ministre, ngjan si kapitullim edhe i qeverisë ndaj gjendjes së vështirë që po kalojnë qytetarët shqiptarë. Më shumë akoma, duket si një legjitimim i asaj që kryeministri Rama po mundohet ta fshehë prej kohësh, ikjes masive të shqiptarëve drejt perëndimit.
Ministrja Kumbaro mund ta quajë veten vërtet fatkeqe që i ka rënë të jetojë këtu dhe mbase mendon se do të meritonte një vend ku e ku më të mirë se Shqipëria, por sa fatkeqë mund të ndihen ata shqiptarë që drejtohen nga një ministre që e quan fatkeqësi që jeton bashkë me ta.
Ja se çfarë ka thënë Kumbaro kur është pyetur nga gazetari për çmimin që iu dha librit "Vrima":
 
Ju e dhatë vetë çmimin për librin “Vrima” dhe këtu u bë nami apo jo?
"Nuk u bë nami për botimin e plotë të veprës së De Radës që u bë për herë të parë në Shqipëri, e kuruar nga dy profesorët arbëreshë, Mandala dhe Altiomari, ndërkohë që ia vlente të bëhej nami, sepse ishte një botim me vlerë. Nga ana tjetër u bë ngjarje, për çmimin “Lumo Skëndo”, një çmim i cili është dhënë nga Biblioteka Kombëtare dhe është çmim bibliofilie, që do të thotë është çmim për libërlidhjen më të mirë të librin. Unë sapo kam marrë detyrën i kam dhënë fund një historie qokash, si kanë qenë çmimet vjetore të letërsisë, aq sa edhe kur ka patur libra me vlerë kritika është tretur, sepse e kanë dominuar llafet e historitë e fshatit të madh, ku për fat të keq jetojmë. Ndaj unë i reduktova nga dhjetë çmime në dy të tillë, me juri krejt të pavaruar nga Ministria e Kulturës. Çmimin “Lumo Skendo” Ministria e Kulturës ia kaloi Bibliotekës Kombëtare, e cila ka dhe ekspertë të libërlidhjes".



lapsi/al