Mbi 100 vjet më parë, në vitin e trazuar 1913, tre burra të kombit shqiptar si Gjergj Fishta, Faik Konica dhe Shtjefën Gjeçovi do të uleshin në famullinë e këtij të fundit, në Gomsiqe të Mirditës dhe për një natë të tërë do të shikonin pasuritë intelektuale dhe materiale të tij. Konica vinte nga metropolet e Londrës, Parisit etj. në Shkodër gjithë-gjithë për dy javë. Me propozim të Fishtës, pas 7-8 orë rrugë maleve do të mbërrinin tek shtëpia e Gjeçovit. Do të shihnin aty që nga thesaret folklorike, kanunin e maleve e deri tek gjetjet arkeologjike të At Shtjefënit. Të dy që nga ajo kohë dhe më pas do të ruanin një respekt të jashtëzakonshëm për Shtjefën Gjeçovin, si shkencëtar, shkrimtar, publicist, arkeolog, folklorist, teolog etj., por mbi të gjitha si atdhetar. Pas një Naum Veqilharxhi, Hasan Tahsini, Pashko Vasa të brezit të parë të rilindasve, pas një Naim e Sami Frashëri të brezit të dytë, do të vinte brezi tretë i rilindasve ku përfshiheshin dhe Ibrahim Temo e Dervish Hima, Fan Noli e Faik Konica, Gjergj Fishta e Shtjefën Gjeçovi.

“Instituti shkencor” gjeçovian do të punonte me kapacitet të plotë nga viti 1899-1905 në Laç Sebaste të Kurbinit (qyteti Laç i sotëm) dhe nga 1907-1914 në fshatin Gomsiqe të Mirditës; pra për rreth 15 vjet ai do të shkruante shumicën e veprës së tij që ne sot e njohim po dhe s’e njohim mirë sepse mungojnë studimet e mirëfillta si për të në përgjithësi, pa le të flasim për fusha të veçanta. Për Gjeçovin ende nuk ka dalë një studiues si për Ndre Mjedën që të shkruajë gjerë e gjatë për të. Mund të shkruhen jo dymbëdhjetë vëllime për jetën e veprën e tij, por dyfishi. Krijimtaria, materialet e grumbulluara prej tij, letërkëmbimi, dokumentet për të etj., ruhen në arkivin e shtetit shqiptar, në bibliotekat e Shqipërisë e të Kosovës, në arkivat e Beogradit, Vjenës, Romës, Vatikanit e gjetkë. Gjeçovi është një figurë poliedrike që dinte më së paku tetë gjuhë, një njeri enciklopedik që u mor me shumë fusha të dijes ndaj për të nevojitet të bëhen studime të gjithanshme.

Do të ndalem pak për Gjeçovin si filozof. Në gjithë sa është shkruar deri më sot për të, ky aspekt anashkalohet ose ta themi më shkoqur për dimensionin filozofik nuk thuhet pothuajse asgjë. Numërohen një mori anësh të tij si atdhetar, arkeolog, etnograf, folklorist, gjuhëtar, përkthyes, teolog etj. Por për këtë anë themelore të tij, duke qenë figurë pak e rrahur, e palëvruar mirë, askush nuk e përmend ose del fare fare pak kalimthi, aty këtu nëpër të, si pikëpamje filozofike dhe kjo krejt rastësore. Gjeçovi ka qenë filozof si në kuptimin e antikitetit, pra si dijetar, ashtu dhe atë të sotëm, si filozof i mirëfilltë. “Miqësia” e Gjeçovit me filozofinë fillon që në kolegjin e Troshanit për të vazhduar gjithë jetën. Raportet e Gjeçovit me të duhet t’i shohim në tre plane: si nxënës, si mësues dhe si hulumtues. Po të nisemi nga natyra e kontakteve të tij me filozofinë do të themi se ato janë të ndryshme. Si nxënës dhe student në shkollat e ndryshme që ai kreu, Shtjefëni studioi filozofinë nga ajo antike e deri tek iluminizmi. Si pedagog ai dha mësim në vende të ndryshme, sipas trajektores së jetës që pati, por si mësues filozofie duhet të përmendim sidomos Troshanin dhe Shkodrën. Gjeçovin duhet ta kemi parasysh edhe si hartues veprash filozofike. S’duhet të harrojmë edhe aspektet botëkuptimore që dalin nga veprat jo filozofike si letrare etj. At Shtjefëni spikat edhe si lexues e studiues i thukët i literaturës filozofike apo i dashuruar me autorë të caktuar filozofë, sidomos ata klasikë. Biblioteka e tij flet shumë për të si dijetar. Po ashtu frutdhënëse në këtë drejtim ka qenë periudha kur ai qe në Shkodër si sekretar i Provincës Françeskane Shqiptare, gjatë së cilës ai mundi të shfrytëzojë jo vetëm bibliotekën, por dhe arkivat e saj. Gjeçovi bën përgjithësime filozofike, duke u nisur nga realiteti shqiptar si për problemet e gjuhës e të mendimit, të kombit, të fesë e besimit, të shoqërisë, politikës, shtetit, qytetërimit etj. At Shtjefëni i drejtohet dhe urtësisë, mençurisë popullore, fjalëve të urta, proverbave të tij. E rëndësishme është dhe nxjerrja e mendimit apo mendësisë filozofike të popullit shqiptar në Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur dhe kodifikuar nga vetë At Shtjefën Gjeçovi, dëshmi e kulturës jo thjesht juridike, por dhe filozofike të tij. Në veprat e veta ai i referohet lashtësisë greko-romake dhe asaj pellazgo-ilire. Kjo e fundit ndryshe nga e para që na vjen e shkruar, bën jetën e saj të gjallë si askund tjetër në botë, në malësitë shqiptare sidomos ato të veriut, në trajtën e besimeve, besëtytnive e gojëdhënave të përcjella nga brezi në brez. Kjo flet veçanërisht për vitalitetin e popullit tonë. Së fundi Gjeçovi u mor dhe me përkthime filozofike si p.sh fjalët e urta të Sokratit etj. Pra kontaktet e tij me filozofinë janë nga më të ndryshmet e më të larmishmet. Ai është një figurë e jashtëzakonshme jo vetëm në përgjithësi, por dhe në fushën e filozofisë në veçanti. Kjo e parë në disa aspekte. Le t’i marrim me radhë…



Sipas jetës

Pasi u largua nga Janjeva, vendlindja e vet, në vitin 1884 Gjeçovi filloi kolegjin filozofiko-teologjik të Troshanit të cilin e mbaroi me sukses pas katër vjetësh. Dihet se ky kolegj ka qenë një shkollë gjysmë e mesme, semimature, që ka vazhduar jetën e vet, me ndonjë ndërprerje të vogël, nga viti 1882 deri në vitin 1945 për mbi 50 vjet. Ashtu sikurse Seminari Papnor në Shkodër që nga 4-5 vjet si shkollë, 2 vjet në vit të dytë e të tretë, bënte filozofi edhe në kolegjin e Troshanit kryet e vendit i kish filozofia. Mbasi mbaroi kolegjin françeskan të Troshanit vazhdoi studimet e mëtejshme liceale dhe filozofike në kuvendin e Derventes e në kuvendin e Banja Lukës në Bosnje. Më 15 gusht 1892 hyri në urdhrin françeskan në kuvendin e Fojnices po në Bosnje dhe pas një viti prove këtu vazhdoi studimet e larta teologjike në kuvendin e Kreshevës në Dalmaci. Këtu me sa duket shkroi në gjuhën latine edhe një punim të gjatë prej 350 faqesh që dëshmon për talentin dhe përgatitjen intelektuale të tij. Po të llogaritim 12 vitet e shkollës, ku studioi më së shumti edhe filozofi, plus dhe 6 vjet andej këtej si mësues filozofie, na rezulton se një të tretën e jetës së tij 54 vjeçare u mor edhe me filozofi.



Sipas veprave

Sot për sot njohim tre vepra të tilla me karakter edhe filozofik siç janë:

“Agimi i Qytetnis” dalë në prag të shpalljes së Pavarësisë më 1910. Ajo sipas mendimit tonë është një vepër programatike me karakter filozofiko-politik njësoj si vepra e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, bile vazhdim i saj në kushtet e reja pas një dekade.

“Një histori e Kryepeshkopatës Metropolitane të Tivarit”, studim në dorëshkrim latinisht 350 faqe. Vetë titulli flet shumë. Ajo është histori e krishterimit katolik shqiptar, kryeqendër e të cilit ka qenë dioqeza e Tivarit, sidomos në mesjetë. Më së shumti ajo është shkruar në vitin 1896, kohë në të cilën Gjeçovi ka përmbyllur studimet e larta dhe e ka mbrojtur si disertacion. Pavarësisht se nuk është botuar, Gjeçovi me të jep një temë origjinale për vendin e vet, Shqipërinë, kontribuon për historinë e saj dhe të krishterimit shqiptar. Ajo është vepër sa teologjike-filozofike aq edhe historike. Ajo më kujton veprën e Marin Barletit “Historia e Papëvet”, pak e njohur tek ne. Sikurse Barleti, ndoshta në gjurmë të tij, siç u mor ai me papët, kryeteologët e krishterimit për dy-tre shekuj, ashtu edhe Gjeçovi merret me episkopët e Shqipërisë Veriore katolike në shekuj. Barleti u mor me Skënderbeun, po dhe Gjeçovi shkroi për Lekën e Madh, Pirron e Epirit dhe Skënderbeun.

“Shpërblesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit” – vepër agjiografike me karakter teologjiko-filozofik e shkruar në formë letrare, 93 faqe (e pambaruar). Mund të konsiderohet si një lloj “Ungjilli Shqiptar” e shkruar me dashuri, frymëzim e art nga Gjeçovi. Me të At Shtjefëni ecën në gjurmë të traditës së veprave të letërsisë kishtare të veriut të një Buzuku, Budi, Bogdani, Nikollë Kazazi të Gjakovës apo të bashkëvendasve nga krahina e Hasit si Pal Hasi, Pjetër Mazreku, Andrea, Pjetër e Lukë Bogdani. Vepra është botuar në vitin 1993 në Ferizaj nën kujdesin e Nik Prelës, ipeshkv i Kosovës, i cili e kish ruajtur këtë vepër të fundit të Gjeçovit, të cilën s’arriti ta mbarojë se e vranë; duke u bërë kështu apostull i dyfishtë, i krishterimit dhe i shqiptarizmit.

Sipas autorëve

Midis filozofëve që ju referohet Gjeçovi në veprat e veta po përmendim disa nga më të shquarit. Këta janë Sokrati, Aristoteli, Hesiodi, Ciceroni, Seneka, Tertuliani Majmonidi, Thoma Akuini, Volteri etj. Admirim të madh ushqente At Shtjefëni për dy rilindasit tanë edhe filozofë si Naim e Sami Frashëri.

Këtu ne nuk do të ndalemi as tek autorët e veçantë që ju referohet Gjeçovi, as sipas periudhave, as sipas rrymave të ndryshme, as sipas fjalorëve p.sh Larousse apo filozofike, mitologjike etj., as bibliografisë që i referohet. Për të shkruar vepra filozofike Gjeçovi përdori gjuhën latine dhe gjuhën shqipe, ndërsa si gjuhë për të shfrytëzuar literaturë burimore përdori kryesisht latinishten.

Atdhetaria e Gjeçovit është proverbiale. Nga figurat madhore të Rilindjes Kombëtare do ta krahasoja me dy ideologë të mëdhenj të Shqiptarisë, Pashko Vasën dhe Abatin e Mirditës Prend Doçin. Gjeçovi ishte për “NJININ-ë”, bashkimin, unitetin e kombit, të gegëve dhe toskëve nëpërmjet unifikimit të gjuhës shqipe, të gjuhës letrare. Në qoftë se Naimi mendonte si mjet për unifikimin e shqiptarëve nga pikëpamja fetare bektashizmin, Gjeçovi u vu në krye të përpjekjeve për një kishe Unite siç e kishin arbëreshët e Italisë. Ka ardhur koha që figura e At Shtjefën Kostandin Gjeçovit Kryeziut të rivlerësohet nga organet përkatëse shtetërore dhe të botohen urgjentisht veprat e plota dhe të zgjedhura nga institucionet tona shkencore si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.

E nisa me Konicën, shok e mik i Gjeçovit, e dua ta mbaroj po me fjalët e tij, fjalë profetike: “Emri i këtij njeriu të rrallë do të vijë duke u rritur dhe një ditë… do të jetë një nga gurët e shenjtëruar të Shqipërisë”

Laurant Bica
9 Mars, 2015