Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Millosh Gjergj Nikolla

Share

descriptionRe: Millosh Gjergj Nikolla

more_horiz
Lagja e Varfun

Krahët e zez të një nate pa fund
e varrosën lagjen pranë,
dritë, jetë, gjallsi askund,
vetëm errsinë e skam.

U harrue jeta e ditës
ndër shtresat e natës, e pagja
u derdh nga parzm' e errsinës...
n'andrra përkundet lagja.

Njerzit ndër shtëpia flejnë
me gjoksa të lakurtë e të thatë
e gratë... fëmi po u lejnë
pa ushqim në gji, pa fat,

Pushojnë gjymtyrt e shkallmueme
në punën e ditës së kalueme,
shërohen trutë e helmueme
në gjumin e natës s'adhrueme.

Veç zemrat e njerzve të lanun
me të rektunt prralla rrfejnë:
mbi barrat e jetës së namun
që shpirt dhe korriz thejnë.

Prralla mbi fëmij rrugaça
barkjashtë e me hundë të ndyta,
që dorë shtrijnë me vjedhë, me lypë
e ngihen me fjalë të ndyta.

Prralla mbi varza të fyeme
me faqe e me buzë të thithna.
Prralla mbi djelm, me të thyeme
shprese, në burg me duer të lidhna,

të cilt nesër para gjyqit
për delikt do të përgjegjin,
vetëm dreqit e hyllit
të gjith fajet tash ua mbshtesin.

Kështu lagj' e varfun pëshpritë
dhe errsinës hallet tregon.
Një gjel i undshëm, me dritë
të hanës i rrejtun, këndon.

Hesht! or gjel kryengritës,
i lagjës së varfun. Këtu
nuk zbardh për ty drita e dritës.
i gjikuem je me ngordhë n'u.

descriptionRe: Millosh Gjergj Nikolla

more_horiz
Kanga e të Burgosunit

Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
edhe shof diellin sa një pare serme
aq larg asht qielli nga e emja gropë.

E kjo gropë e eme e ka emrin burg.
E dini se burgu nuk asht për dëfrim.
Prandaj burg' i em asht shum i ultë
dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj' e eme,
dy anmiq të betuem, luftojnë dit' e natë;
por hekr' i fortë e mund ndërgjegjen teme
dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë.

E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt
gëzohem fort, se hekrat nuk m'i kryqzojnë syt',
por t'u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë
edhe hijën teme tu' u zgjatë në murt

si një kërcnim ligji, posi një dajak.
Dhe atëher tërbohem dhe urrej pa masë
dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat
edhe e ndjej vetën lua të ndryem në kafas.

Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme
shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë
dhe zemra e eme ndien po aq të breme
në mes të katër murve si në një gropë.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi