Nga Anxhela Devole

Adoleshentët në ditët e sotme kalojnë një kohë shumë të madhe duke iu përkushtuar teknologjisë dhe rrjeteve sociale që ata kanë, në “Facebook”, “Instagram”, “Twitter” e të tjera me radhë. Celulari dhe të gjitha rrjetet e teknologjisë shikohen si një botë më vete, ku gjithsecili mund të humbasë në një farë mënyre edhe botën që ka përreth. Një adoleshent i ditëve të sotme është një adoleshent që ecën përpara me teknologjinë dhe e ka të pashmangshme për të qenë pjesë e saj në pjesën më të madhe të kohës. Pëlqimet dhe komentet në rrjetet sociale rrisin vetëvlerësimin? A është shqetësues fakti kur adoleshenti kalon shumë orë përpara kompjuterit? Përgjigjet na i jep psikologia klinike, Anxhela Peza. Ajo ndalet edhe te mosha e përdoruesve të rrjeteve sociale, duke treguar limitet, por edhe gjërat pozitive dhe negative që sjell përdorimi i tyre.

Sa të varur janë adoleshentët pas rrjeteve sociale?

Ne jetojmë në botën e rrjeteve sociale, ku përditshmëria jonë lidhet shumë me informacionin që kërkojmë të marrim herë pas here, duke u bazuar në interesat tona. Varësia e adoleshentëve është në nivel më të lartë sesa te fëmijët. Vetë kapaciteti i adoleshentit e bën atë të hulumtojë më shumë me botën virtuale. Lojërat e ndryshme, të cilat bëhen problem dhe në orën e mësimit. Verifikimi i njoftimeve të ardhura nga faqet e hapura individuale, komunikimi me të tjerët pa orare e pa limit bën të mundur që adoleshentët të shpenzojnë më shumë kohë në rrjetet sociale. Do doja të vendosja theksin më shumë tek modelimi ynë me teknologjinë se sa tek varësia. Detyrat e kërkuara nga mësuesi janë nga interneti dhe të kryera me kompjuter. Prindërit në shtëpi, ndoshta për shkak të punës apo neglizhimit ndaj fëmijës, bëjnë të mundur lirshmërinë e tepërt që fëmijët të merren me celular, ipad, kompjuter, kufje etj. Duhet të jemi më specifik ku ndahet filli midis varësisë dhe kalimit të shumë orëve në rrjetet sociale për shkak të punës. Gjithsesi adoleshenti zë përqindjen më të lartë për “Instagram”, “Facebook”.

A ka një limit moshe për personat që përdorin rrjetet sociale?

Patjetër, sepse çdo individ duhet të ketë kulturën e rrjeteve sociale përderisa shumë nga komunikimet, punët dhe nevojshmëritë lidhen me këto. Fëmijët janë një target-grup shumë i ndjeshëm ndaj asaj çfarë ne përcjellim tek ata. Limiti fillon me ata ashtu sikurse vazhdon me lejimin e saj dhe kontrollin se si duhet ta përdorin pikërisht këtë rrjet social. Keqinformimi me to, rutina e rrjeteve sociale ka pasojat e saj. Më pas vijnë rregullat ndaj të cilave duhet të zbatojnë adoleshentët në momentet kur qëndrojnë në orën e mësimit, sa është koha e shpenzimit të tyre, deri kur këto orare bënë abuzive dhe dëmtojnë mirëqenien e tyre qoftë shëndetësore, qoftë psikologjike. Statusi i një moshe të rritur, apo të rritur të mesme bën diferencën dhe objektivin e qartë të përdorimit të rrjeteve sociale me dashje e në nevojën për to.

Çfarë mund të themi në lidhje me maninë e vajzave (edhe djemve) për të pasur sa më shumë ndjekës apo pëlqime në rrjetet sociale që ata përdorin?

Sa më shumë pëlqime dhe ndjekës, por çdo rast ka specifikën e tij. Në rast se do flisnim për fëmijët është një modelim dhe dëshirë për të qenë i madh i pëlqyeshëm. Tek adoleshentët duan të jenë në qendër të vëmendjes ashtu sikur një person “Vip”, të cilin ata e pëlqejnë shumë, t’i ngjajnë se është “In”. Tipike e adoleshencës është të jenë lider. Pëlqimet janë të formës së atillë, tek rrisin vetëvlerësimin tek njerëzit, e nëpërmjet saj kuptojnë se sa të preferuar e të dashur janë nga pjesa tjetër. Foto e nxjerrë është testi i reagimeve të të tjerëve. Numri i shënuar në pëlqime dhe ndjekës, ka një nivel të lartë krahasimi me të tjerët. Forma e suksesit në botën virtuale.

Veprimtaria

Gjithashtu, psikologia Peza thotë se, “rrjetet sociale janë mjaft të dobishme deri në momentin që t’i i komandon ato dhe i vë në shërbimin tënd kur është e nevojshme. Nëse është e kundërta, shumë vite jetë shkojnë pa veprimtari vetjake.”

Shqetësimi

“Shqetësuese bëhet kur adoleshenti normalisht kalon shumë orë përpara kompjuterit. Nëse një adoleshent kalon orë të tëra përpara kompjuterit dhe nuk arrin që të jetë produktiv në mësimet e tij, nuk ka produktivitet në shoqëri, pra në marrëdhëniet sociale, dhe kjo gjë e izolon atë”, shton më tej psikologja.

10 vjeç

Për fëmijët e kësaj moshe të cilët kanë adresë personale në “Facebook” nuk është pozitive. Për të vetëm arsye se nuk është i aftë të dijë rreziqet që ndodhen në atë rrjet social të hapur. Njohjet e reja, ngacmimet e pedofilisë evidente, luhatja e shkallës së vetëvlerësimit, mos-kontrolli i prindërit, marrja e informacionit jo të duhur, ose përshpejtimi i disa të rejave që nuk korrespondojnë me moshën e tyre. Fëmija ka nevojë për lojëra dhe jo lodra të tilla.

Adoleshentët në rrjetet sociale

Gjimnazistët janë më ata që përdorin më shumë rrjetet sociale, megjithatë ata bëjnë zgjedhjet e tyre. Ja çfarë thotë Marianxhela për “Facebook” dhe “Instagram”

Rrjetet sociale dhe internetin. Gjithsecili e ka një profil personal në “Facebook”, “Twitter”, “Instagram” etj. Por cilin prej këtyre rrjeteve sociale përdorim më tepër? Marianxhela, e cila është gjimnaziste, na tregon se si e shfrytëzon ajo kohën e lirë “online” dhe për më tepër deklaron se kush është sfida e “Facebook”-ut.

Sa vjeç je?

Gjashtëmbëdhjetë.

I përdor rrjetet sociale?

Po, patjetër, si të gjithë adoleshentët.

Cilin përdor më tepër?

Më tepër përdor “Instagram”-in dhe “WhatsApp”-in më shpesh, se sa “Facebook”-un dhe rrjetet e tjera. “Instagrami” është një nga rrjetet sociale më të reja që kanë dalë dhe ka më tepër mundësi njohjeje se sa në “Facebook”, i cili është bërë pak “i vjetër” nëse mund të themi kështu.

Sa kohë shpenzon në rrjetet sociale, kryesisht në “Instagram”dhe “WhatsApp”?

Tani, nuk mund ta shikojmë me orë ose me minuta, por sa herë që kam kohë të lirë e shikoj, e hap.

Prindërit e tu janë përdorues të rrjeteve sociale?

Jo jo, nuk janë, jo, nuk i kam lënë. (Qesh)

Po nëse do të kishin, do t’i bëje miq, për shembull në “Instagram” ose në “Facebook”?

Në “Facebook” jo, por në “Instagram” ndoshta po, sepse është më pak i komplikuar. Thjesht postohen foto apo video. Më këtë rast më bëjnë edhe disa “like” (pëlqime).

Përdorues nën 10 vjeç

Marianxhela e cilësoi “Facebook”-un “të vjetër” mes adoleshentëve. A është ky një ekzagjerim, pasi ai përdoret ende nga shumë adoleshentë dhe jo vetëm. Kledi është vetëm 10 vjeç, por mosha nuk e pengon që të lundrojë në internet. Ai është në klasë të katërt tani, por thotë se ka pasur “Facebook” që kur ka qenë 7-8 vjeç. Atëherë e ndihmonte vëllai për ta përdorur, ndërsa tani jo më. “Unë e përdor “Facebook”-un rreth një orë në ditë, për të komunikuar me shokët, për të lozur, por edhe për të komentuar në fotografi dhe statuse të ndryshme”, thotë Kledi, i cili ka njohuri edhe për rrjetet e tjera sociale, por që ende nuk ka marrë miratimin e prindërve për të pasur profil personal në to

Instagram

Instagrami është një rrjet social që mundëson shpërndarjen e fotove, marrjen e fotove, aplikimin e filtrave dixhitale mbi to dhe shpërndarjen në rrjete të tjera sociale si “Facebook“ dhe “Twitter“. U krijua nga Kevin Systrom dhe Mike Krieger dhe doli për përdorim në tetor të vitit 2010. Sot ky rrjet po përdoret në masë të madhe dhe llogaritet të jenë deri në 100 milionë shfrytëzues aktiv, në një matje të bërë tri vite më parë.

Të dhëna

Disa të dhëna interesante rreth “Instagram”: Rreth 40 milionë foto postohen çdo ditë, ndodhin rreth 8500 pëlqime çdo sekondë, 40% të fotove në Instagram janë të filtruara, 98% të fotove të postuara në “Instagram” shpërndahen edhe në “Facebook”, 28% e përdoruesve të Internetit në SHBA me moshë rreth 18 dhe 29 vjeç përdorin “Instagram”-in, 14% e përdoruesve janë midis 30-49 vjeç dhe vetëm 3% rreth 50-65 vjeç.

“Facebook”

“Facebook” është një rrjet shoqëror i hapur në shkurt të vitit 2004. Që nga shtatori i 2012-ës, “Facebook” ka mbi një miliard përdorues aktivë, më shumë se gjysma e të cilëve e përdorin “Facebook”-un në një pajisje celular. Përdoruesit duhet të regjistrohen përpara se të përdorin faqen, pas të cilit ata mund të krijojnë një profil personal, të shtojnë përdoruesit e tjerë si miq, të shkëmbejnë mesazhe, duke përfshirë njoftimet automatike kur ndryshojnë profilin e tyre. Përveç kësaj, përdoruesit mund t'iu bashkohen grupeve me interesa të përbashkëta, të organizuar sipas vendit të punës, shkollës ose kolegjit etj.

“WhatsApp”

“WhatsApp Messenger” është platformë e mesazheve të menjëhershme për smartfonë që kanë qasje në internet. Përveç mesazheve tekst, përdoruesit mund të dërgojnë imazhe të tjera, video, audio dhe mesazhet e medieve. “WhatsApp” u themelua në vitin 2009 nga amerikani Brian Acton dhe ukrainasi Jan Koum (edhe CEO), të dy ish-punonjësit e “Yahoo”, dhe është i bazuar në Mountain View, Santa Clara County, California.