Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Share

descriptionDr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës

more_horiz
Biografi e shkurtër

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë.

Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.

Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971.

Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.


Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984.

Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës.

Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.

Autor i dhjetë librave (shih më poshtë), Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut.

Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe edhe parti e grupe të tjera.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.

Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.


Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë:

- Më 1995, Dr. Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

- Më 1996, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII Sorbonë, Francë.

- Më 1998, Rugova iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

- Në vitin 1999, Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster (Münster), Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedikut, Milanos dhe Breshias (Brecscia).

- Në vitin 2000, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë "Manuel Carrasco i Formiguera", në Barcelonë, Spanjë.

- Në vitin 2004, Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Çmimin e Evropës për vitin 2004. Bartës të mëhershëm të Çmimit të Evropës janë:

- Mbreti i Spanjës Huan Karlos, - Helmut Kol, - Ronald Regan-i, - Oto fon Habsburg dhe - Emil Konstantinesku.

- Në vitin 2004, Gjenerali Xheri Bek, komandant i Brigadës Multinacionale të KFOR-it Lindja, i cili ishte për një vizitë lamtumirëse te Presidenti i Kosovës ditën e hënë më 16 shkurt 2004, ia dorëzoi Dr. Rugovës fletëlavdërimin e nënshkruar nga zëvendësguvernatorja e Pensilvanisë, znj. Kethrinë Bejkër Noll (Catherine Baker Knoll).

“...Në emër të 12 milionë qytetarëve të Pensilvanisë, dua t'ju shpreh lavdatë për arritjet tuaja të jashtëzakonshme dhe t'ju falënderoj për miqësinë tuaj ndaj Shteteve të Bashkuara.” (znj. Kethrinë Bejkër Noll)

- Në vitin 2004, Presidenti i Kosovës Dr.Ibrahim Rugova, në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën më 2 shkurt 2004, pasdite në qytetin e Belgjikës Atverpen (Anvers), është shpallur Senator Nderi i Evropës nga Senati i Evropës. Ky është grupacion i figurave më eminente të skenës politike evropiane nga i cili nderohen personalitete më në zë të botës së politikës, gazetarisë, të shkencave ekzakte apo humane të cilët ka dhënë kontributin e tyre për demokracinë paqen, zhvillimin apo stabilitetin në Evropë.

"Edhe me kundërshtimet e këtyre viteve që i kanë bërë në skenën politike Ibrahim Rugovës, Presidenti i Kosovës ka patur kurajon që të vazhdojë të përpiqet për idealin e tij në një nga zonat më të vështira të Ballkanit".

"Është shumë e vështirë që të luftosh për vetëvendosjen dhe vullnetin e lirë të një populli të vogël, kur kjo nuk korrespondon me dëshirën e popujve të mëdhenj. Rugova vazhdoi që të luftojë vetëm, ndonjëherë pa hasur në mirëkuptim për një ideal që do të mund t'i japë Evropës atë paqe për të cilën ne kemi nevojë. Është pikërisht kjo gjë që do ta nderojë sot me titullin Senator Evropian që të mos dekurajohet". (Z. Oto fon Habsburg)

- Më 9 shtator 2004, Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

descriptionRe: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës

more_horiz

Rugova shkrimtar

VEPRA E BOGDANIT" E RUGOVËS - MONUMENT I REBELIMIT INTELEKTUAL

Ambicja e këtij shkrimi nuk është ta analizojë veprën e Pjetër Bogdanit e as studimin që i bëri dr.Ibrahim Rugova kësaj vepre madhështore. Ambicie e këtij shkrimi është që nga një kënd i caktuar ta paraqesë rolin dhe rëndësinë e këtij studimi, që paraqet nismën e një etape të re të mendimit intelektual shqiptar.


Vjeshtë 1984. Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore në Prishtinë formohej grupi letrar. Për emër të grupit u dha propozimi për emrin e Pjetër Bogdanit. Këtë emër nuk e mbante asnjë grup letrar, shoqatë, shkollë, institucion shkencor, rrugë, lagje, monument, fshat, qytet, etj., dhe prapëseprapë ky ishte propozimi më i kundërshtuar në mesin e dhjetëra propozimeve të tjera. Disi menjëherë u formua koalicioni "antibogdanian". U harruan propozimet dhe grindjet e mëparshme, duke kundërshtuar me ngulm emrin e Pjetër Bogdanit. Shumica e studentëve mendonin se Pjetër Bogdani ishte sërb, një pjesë kundërshtonin duke thënë se Bogdani s'kishte shkruar asgjë, duke qenë një prift i thjeshtë, derisa pjesa tjetër e studentëve mbronte tezën se nuk mund të bëhemi më të mençurit në botë dhe ta pagëzonin grupin letrar me një emër që nuk e ka asnjë institucion. Me vetë faktin që ky emër u kundërshtua më së shumti i la në hije propozimet e tjera dhe kështu faktikisht pa dashjen e shumicës së të pranishmëve çështja u shndërrua vetëm në një dilemë: për ose kundër emrit të Pjetër Bogdanit. Më në fund propozuesi përdori bllofin: "Propozimi ka ardhur nga lart". Studentët heshtazi pranuan këtë emër "të padëshiruar" për grupin e tyre letrar. Por, puna nuk përfundoi me kaq. Me të kuptuar se propozimi nuk na qenkësh "nga lart", rifilluan tentimet për heqjen e këtij emri. Të hiqej emri i Pjetër Bogdanit! Për të riun që kishte lexuar veprat e shkrimtarëve shqiptarë prej Barletit e deri te librat e parë të shkrimtarëve të rinj dhe shkrimtarëve të huaj prej Homerit e deri te Markesi, kjo ishte njësoj sikur të zhvarrosej një njeri të cilit nuk i kishte mbetur gjë tjetër përveçse emrit. Dhe vërtet, në hapësirën tepër të vogël që Dhimitër Shuteriqi kishte rezervuar për Pjetër Bogdanin në Historinë e Letërsisë Shqipe nuk kishte vend as për varrin e veprës së tij. Tani përgatitej zhvarrimi i sërishëm i Bogdanit, pagëzimi me emër tjetër i grupit të vetëm letrar që e mbante emrin e tij. Më në fund, pas disa muajsh përhapje thashethemesh, kërkim arsyesh pse dhe si erdhi ky emër, erdhi edhe zgjidhja përfundimtare për eliminimin e emrit të Bogdanit; u gjet emri me të cilin ai duhej të zëvendësohej. Mirëpo, në këtë kohë, vitrinat e librarive të Prishtinës filluan të shkëlqenin nga libri i posadalur nga shtypi: Ibrahim Rugova - vepra e Bogdanit 1675-1685. Në një libër dy emra provokativë! Bogdani dhe Rugova! Pjetër Bogdani diktonte një misteriozitet që s'kishte se si të shpjegohej. Ky misteriozitet reflektohej diku nga të çarat e kohës që në të njëjtën hapësirë e bënin gjithnjë e më të kuptimtë. Ibrahim Rugova provokonte në radhë të parë ngaqë dallohej nga kritikët e tjerë letrarë shqiptarë: Derisa më 1980 në parathënien e kompletit të veprave të Kadaresë vërente se "Kadare shkruan pa kurrfarë kompleksi inferioriteti apo të urrejtjes ndaj rezultateve poetike e artistike që njihen me teorinë e krijimit dhe të eksplikimit dhe del fitues në çdo teori dhe përvojë artistike, sepse disponon autonominë e vet krijuese", te Rugova vërehej një mospërfillje e normave të standartizuara me skemat e deriatëhershme të studimit letrar në shqip. Dhe tani ende pa u shpaluar libri, mbresat për Bogdanin dhe Rugovën shtoheshin paralelisht. Në mbledhjen që ishte caktuar për t'u ripagëzuar grupi letrar i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore të Prishtinës, shumë studentë erdhën me librin për Bogdanin nën sqetull. Emri nuk u hoq. Ai mbeti sinonim për mbrëmjet letrare në Universitetin e Prishtinës, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra studentë dhe jo vetëm studentë.

--------------------------------------------------------------------------------

Ky ishte rrëfimi për librin e Rugovës para 5 vjetësh. Tani, më 1990, ky libër shihet në një dritë me të fortë dhe më të shumanshme. Ështe e qartë pse është lënë aq pak hapësirë për Buzukun, Budin, Bogdanin në "historinë" e Shuteriqit. Është e qartë pse asnjë shkollë, rrugë a lagje nuk është pagëzuar me ndonjërin prej këtyre emrave. Nga tekstet shkollore, shtypi, RTV mbetej të nënkuptohej se socializmi distancohet nga ato personalitete historike "që nuk kanë pasur bindje të shëndosha politike, por vlerat e tyre artistike, kulturore, historike, etj., nuk ua mohon. As që mund të merrej me mend se socializmi ishte akullnajë që mbulonte çdo gjë me të bardhë, që provonte ta linte në mëshirën e harresës dhe të injorancës çdo gjë me çka mund të kacafytej. Për kulturën socialiste dhe për Bogdanin së bashku, hapësira ishte e pamjaftueshme.Bogdani ishte i mbuluar nga akullnaja, i kishte mbetur vetëm emri. (Me gjasë Bogdani do të përjashtohej tërësisht sikur të mos ekzistonte interesi i studimit gjuhësor. Aspekti letrar, pedagogjik, filozofik, ishin të përjashtuar me një arsye të thjeshtë injorance. Nuk mund të pranohej se një prift ka udhëhequr rezistencën kombëtare. Filozofia e një prifti, etj.).
Ja, pra, pse Bogdanit i kishte mbetur vetëm emri në "historinë" e Shuteriqit. Thjesht, nën kushtet e diktatit të "partisë" nuk ishte e preferueshme që ndokush t'i afrohej Bogdanit, Budit, Buzukut, etj.. Kjo hata e katandisur në Tiranë, në emër të "patriotizmit", u bart edhe në Prishtinë. Këtu hataja ishte e dyfishtë dhe pikëtisht këtu, hiq shkrimet modeste për shkrimtarët e përmendur, u bë shkëputja e parë e një hallke të rëndësishme të prangave mbi kulturën shqiptare. Botimi i librit të Rugovës "Vepra e Bogdanit" (1675-1685), qe guri themeltar i nismës së një mendimi të ri intelektual shqiptar që nxiti procese vargore, deri te mendimi i ri politik shqiptar. Botimi i kësaj vepre dinjitoze prej një kritiku letrar serioz, me origjinalitet dhe autonomi të theksuar, me korrektësi maksimale, pa hyrë në ujërat e injorimit, por edhe pa prekur në vorbullën e romantizmit nacional, u bë provokim i kohës për intelegjencinë e re shqiptare. Kësisoj, shfrytëzimi i potencialeve kulturore të fshehura nën akullnajën e socializmit, u bë domosdoshmëri e kohës. Ndodhi ajo që në 300-vjetorin e vdekjes së Bogdanit, në solemnitetet letrare të organizuara nga studentët, të marrin pjesë edhe punëtorë e fshatarë të ardhur enkas nga të gjitha viset e Kosovës. Ndodhi ajo që edhe muslimanët, edhe ateistët, të vinin në Kishën Katolike për të nderuar Bogdanin e Madh. Ndodhi, pra, lindja e mendimit të ri intelektual, i cili implikoi mendimin e ri politik dhe, ky i fundit, veprimin politik. Për veprën e Bogdanit, Rugova thotë: "Vepra e Bogdanit është Monument Letrar".

Po rezervohem të them se libri i Rugovës, "Vepra e Bogdanit", është monument i studimit letrar në shqip, për të thënë se ky libër është Monument i Rebelimit Intelektual.


--------------------------------------
"Fjala", Prishtinë 06.02.1991
"RD", Tiranë, Korrik 1991
"Koha e Re", Tiranë, Dhjetor 1996
"Flaka", Shkup
"Republika", Tiranë, 29.12.

descriptionRe: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës

more_horiz
Shkruan: IBRAHIM RUGOVA

Me varg në shpirt m`çeli pranvera.
Desha t`jetoj gjithmonë i neshtë.
Më bëhet se do të vajtoj përhera,
Kur po hyj me të madhe në vjeshtë.

2.
Ah, stinë e verdhemtë, stinë e venitur
Vallë, Ty të mallkoi mëma – natyrë?
Që bashkë t`shkrihemi kështu t`nemitur,
Mos jemi të mjerë në krijatyrë?

Më mbaj fjalën, Ti e verdha stinë.
Edhe unë qeshë si ti i gjallë dikur.
E tani diçfarë fort, fort më nxin –
E me dritë n`shpirt po bëhem nur.

3.
Po ëndërrove me këngë të rritesh,
Dhe ajo jetës përpara t`i flasë.
E di. Me dëngë plot do t`goditesh,
E ngado të endesh veç do të vrasë.

4.
Athua Zoti i marrë diti të gjykojë,
Që njomakët të kalben shi në vrug.
Apo secili barrën e vdekjes të peshojë
N`zjarr të heshtjes i ndryrë si murg?

5.
I ngrohur me të vërtetën në gji,
Vëllau im dole n`mesin me erë.
Mbi fytyrën e re t`ra një vel i zi –
T`nxuer e t`futi n`kuvli përherë.

6.
O kujt t`i falem n`këtë orë t`vështirë,
Kujt t`ia kërkoj hijen e njomësisë?
Pa frikë. Prore do t`jetë ndjellamirë –
Pikllimi im, kasnec i gjallë i fuqisë.

7.
Dua të iki fushës e malit -
Jetën e shoh si grusht t`rëndë.
Jo,s`dua t`iki. Dua si shpirt djalli
Të ngjitem së bashku në vend.

8.
Bën që për vargjet e mia t`përvëlimit,
Të më quajnë edhe njeri fare t`prishtë.
Pa heret i vranë sytë e shtrembërimit,
Se e flas t`vërtetën e kam çiltërtisht.

Por një të dihet se zemra e poetit,
N`dimër a n`verë s`di të ngurrë
Dhe kur e ndjen valën rreth vetit –
Qan e qesh, nuk qetësohet kurrë.

descriptionRe: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës

more_horiz
Presidenti Rugova, Profeti i Kombit

Shkruan: Bujar Leskaj


Rrallëherë ndodh që teksa thërret një emër, sado gjeni të jetë ky i fundit, njeherësh ke parathënë edhe fate të mëdhenj. Kjo ndodh me Ibrahim Rugoven, njeriun që për diçka më pak se dy dekada, u shndërrua në një legjendë të kohëve tona moderne, në një mit përpara të cilit edhe vetë vdekjes do t’i takonte të tërhiqej në skutat pa dritë të saj.

Ibrahim Rugova, sidoqoftë, ka lënë mes ne shqiptarëvë një dritë të ndezur për të na kujtuar se ardhmëria nuk kërkohet kurrë përmes territ, por siç do të na e mësonte vetë lideri i madh, përmes dritës së paqes. Bash për këtë arësye, edhe statueta e Papa Gjon Palit në kabinetin e Rugovës ishte diçka më tepër sesa vetë përqasja e një filozofie të përqafuar me një klas-elegancë, e admiruar ndjeshëm nga kancelaritë e perëndimit.

Figura e madhe e Ibrahim Rugovës na bën të gjithë ne shqiptarëvë të ndihemi pjesë e nje procesi të gjatë deri në krijimin e një modeli perfekt të funksionimit të ndjesisë humane dhe parimeve universale të dashurisë edhe në kohën e urrejtjes dhe dogmës. Të gjitha këto që citova, janë thjeshtë vetëm njëra anë e dimensioneve që paraqet Rugova. Janë shumë të rrallë rastet në Krestomacinë e shqiptarëve të mëdhenj të të gjitha kohërave ku të rrijë krah për krah, kulturologu, politikani që shndërrohet në lider shpirtëror, dhe përmasa humane, si tek Ibrahim Rugova.

Shembulli i kolosit shumëdimensional shpeshherë ia kalon edhe vetë fantazisë më evolucioniste, ku përmes saj ngjizen në mënyrë perfekte virtytet më të larta dhe më të arrira te vetë rracës tonë. Elita intelektuale dhe politike , këndej dhe andej kufijve, më shumë se kurrë bëhet sot zëdhënëse e ndjesisë që Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosoves, Gandi bashkëkohor, esteti dhe teoricieni i letersisë është formula shqiptare më frytdhënëse.

Intelektuali i madh i formateve më të arrira të kohës , ia doli që në krye të herës të bëjë realitet atë çfarë secili shqiptar e kish menduar dhe aspiruar, ndonëse dimri ballkanik i kohës ishte shpeshherë një disfavor i madh, në dukje i pakalueshëm.

Veset e racës vepruan dhe ndaj Rugovës , ishte një reagim meskin , një përballje e kahmotshme e mediokritetit me intelektualin, e politikes vizionare e moderne me derivatet negative te saj, të shqiptaresisë së kulluar që kërkon të integrohet me ideologjine e stepave dhe zëdhënesit e tyre shqiptarë e jo.
Është pikërisht kështu sepse ai u ushqye me doktrinën e Pjeter Bogdanit, Nënë Terezës dhe Papa Gjon Palit. Të shkuarën kulturore shqiptare e racionalizoi në bashkëkohësi dhe më tej duke krijuar kështu një mendim politik të një lloji të veçantë. Duke e çuar më tej vështrimin tim në universin Rugovian duhet thënë se përmasat e këtij burri të madh kishin një interferencë të përkryer ku brenda një politikani të pashoq shkrihej një shkrimtar, estet, humanist dhe kulturolog po kaq i madh.

Paralelet e veprimtarise së tij do të bëhen me siguri një objekt jashtëzakonisht i madh i historianëve, biografëve dhe studiuesve. E tillë është vepra e Rugovës, një gur më shumë peshë në historinë moderne te shqiptarëvë, kudo ku ata jetojnë duke aspiruar ardhmërinë. Ky është një ndër mësimet më të mëdha të Ibrahim Rugovës.

Kur kombit shqiptar i qasej ora e ligë andej dhe këtej kufirit, kur perandoria e së keqes shfaqej në format e veta të idhta atje si pushtim i huaj e këtu si urrejtje klasore, vetëm dy burra patën tagrin dhe pergjegjësinë të rrinin brenda përkufizimit kantian “duhet të reagosh ndaj së keqës që të mos bëhesh fajtor për triumfin e saj” quhen Ibrahim Rugova dhe Sali Berisha. Kur sot më tepër se kurrë, Kosova i është afruar ëndërrës së saj shekullore, pavarësisë, ikja e Rugovës tingëllon tejet tragjike.

Njeriu që më shumë se askush ideoi dhe udhëhoqi një nga proceset me delikate të shqiptarëve, pavarësinë, nuk do të mundet që në kuptimin fizik të shohë materializimin e endërrës që e kish ndërtuar vëtë. Lidhur me këtë, për ta avancuar idenë time po citoj në pak fjalë atë çfarë thotë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare: “është e vertetë se ai nuk do ta shohë dot dritën e pavaresisë për të cilën gjithë jetën ka punuar dhe është përpjekur, por le të na ngushëllojë mendimi se ai ishte një vizionar dhe si gjithë vizionarët e ka parashikuar dhe e ka parë pavarësinë e Kosovës shumë kohë më parë, atëherë kur rrallëkush e shihte dhe kishte besim në të”.

Ndërsa konsiderata ime personale do të ishte ajo që pas Skenderbeut në çetën e profetëve të kombit tonë Ibrahim Rugova zë të parin vend.

Lidhur me atë se çfarë ky përfaqësues i elitës intelektuale shqiptare do të rrezatojë gjithmonë ndër brezat që jetojnë dhe ndër ata që do të vijnë më vonë, si anëtar i kabinetit qeveritar te Republikës së Shqipërisë them se nuk do t’i rreshtim asnjëherë përpjekjet tona për ta lartësuar dhe nderuar ashtu si i takon dhe në të vërtetë ashtu siç është në mes nesh, Ibrahim Rugovën.

Hartimi dhe botimi i një përmbledhjeje ku do të përfshihen në të pothuajse të gjitha studimet mbi veprën dhe rolin e tij në fushën e politikës, humanizmit, eseistikës dhe kulturologjisë do të bëhët një realitet i prekshëm gjë që ne e premtuem në takimin e 4 nentorit të vitit të kaluar gjatë promovimit të vepres së plotë të Rugoves.

Një grup i caktuar shkrimtaresh, studiuesish historianësh dhe politologësh nga brenda dhe jashtë kufijve do të angazhohen tërësisht në këtë vepër të madhe. Nga ana tjetër në rastin më të volitshëm do t’i propozoj këshillit të ministrave që një nga rrugët apo sheshet kryesore të Tiranës të marrë emrin Ibrahim Rugova dhe do të vendoset përjetësisht edhe nje monument i liderit të madh.

Një nga rastet unikale ku një personalitet ka ndërtuar njëherësh me aktivitetin e tij shumedimensional edhe mitin e pathyeshëm të paqës edhe monumentin e përjetësisë.

Një jetë që vazhdon, ashtu siç ishte nisur, për të mbërritur tek harmonia njerëzore, tek aspirata që kishte lindur së bashku me Ibrahim Rugovën. Tani Rugova fillon jetën e tij, atë më të gjatën, udhëtimin përgjatë historisë, jetën pas vdekjes, duke mbetur për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, gjeopolitikë dhe model human e intelektual i përjetshëm.

Autori është Minister i Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë

Tiranë, 24 janar 2006

descriptionRe: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës

more_horiz
RUGOVA MEDITANS (Kritika letrare e Ibrahim Rugovës)
Shkruan: Kujtim M. Shala


1. Rugova meditans

L. Poradeci e quante Gj. Fishtёn poet meditans dhe militans, pёr ta karakterizuar dyfish, nё dy fusha: tё mendimit e tё veprimit.
Nё kёtё frymё, sintagma Rugova meditans, titull i tekstit tim, veçon I. Rugovёn mendimtar, nё fushё tё letrave shqipe, duke ditur se karakterizimi i dikurshёm i Lasgushit pёr Fishtёn, vlen po aq pёr Rugovёn, pёr mendimtarin e pёr prijёsin e shqiptarёve tё Kosovёs.
Me pёrjashtim tё vjershave tё shkruara herёt, e gjithё vepra e Rugovёs ёshtё diskursive.
Prapa Rugovёs meditans radhiten gjashtё tituj: Prekje lirike (1971), Kah teoria (1978), Strategjia e kuptimit (1980), Vepra e Bogdanit 1675-1685 (1982), Kahe dhe premisa tё kritikёs letrare shqiptare 1504-1983 (1986), Refuzimi estetik (1987).

Libri i parё, Prekje lirike, krejt i veçantё, ёshtё ndёrtuar nga tekste kritike qё rikrijojnё tekstet e interpretuara, pёr tё identifikuar, nё shumё pika, kritikёn letrare me letёrsinё. Kёtu, mendimi ka ikur nga retorika e vet, pёr te retorika e figurёs dhe e diskursit poetik pёrgjithёsisht. Sa pёr tё eksplikuar mё tej: Rugova, kur shkruan pёr Lorkёn, bёn tё vetin diskursin e Lorkёs dhe e kryqёzon atё me emocionin e vet tё leximit; kur shkruan pёr Lasgushin, diskursin e Lasgushit e kështu me radhë.
Diskursi i Rugovёs te ky libёr provon kritikёn letrare si vepёr letrare, si krijuese tё kuptimeve. Këtu Rugova ёshtё thellësisht subjektiv dhe subjektivizmi/subjektiviteti, i shpallur, i prekshёm, veti statutare/pёrcaktuese e diskursit tё tij.

Te Kah teoria, Rugova, tash mendimtar me retorikёn e mendimtarit, definon e karakterizon kritikёn letrare dhe mendimin për letёrsinё, pasi ka definuar e karakterizuar letёrsinё. Duke qenё letёrsia njё differentia specifica, krijim, edhe kritika letrare, si disiplinё me objekt letёrsinё, ёshtё krijim, qё mban pёrbrenda kritikёn si kategori (mjet shqyrtimi).
Objekti i dyfishtё: teoria e letёrsisё / teoria e kritikёs, Kah teoria e bёn libёr teorik/metakritik.
Vetё titulli (Kah teoria) jep orientimin e autorit e tё diskursit: Teoria.

Strategjia e kuptimit ёshtё libёr eseistik, kritik e teorizues. Duke iu referuar natyrёs sё trefishtё tё kёrkimit, autori ka strukturuar librin nё tri pjesё: I. Ese, II. Kritikё, III. Teori e poezisё shqipe.
Objekt i pёrbashkёt i librit ёshtё Kuptimi, ndёrsa strukturimi teksteve shenjon dominimin e tipit tё kёrkimit nё secilёn nga pjesёt: sё pari diskursi eseistik, nё tё cilin hapet e problematizohet çёshtja; sё dyti leximet kritike, vlerёsuese; sё treti vёshtrimi teorik, nё tё cilin problemi preket/vёshtrohet nga disa anё, si fenomen, dhe insistohet nё argumentime mё konkrete.
Vetё objekti themelor, Kuptimi, pёrpos qё krijon boshtin qё mban pjesёt e librit e tekstet qё bёjnё pjesёt, ka imponuar interpretimin semantik; njё produkt i “përkthimit” të modelit gjuhësor të N. Çomskit në model për kërkimet letrare.

Ndërkaq, Vepra e Bogdanit 1675-1685 ёshtё monografi. Projekti themelor i Rugovёs nё kёrkimet letrare. Aty, zbulohet e lexohet teksti i Bogdanit, duke u fshirё distanca kohore: teksti i djeshёm ringjallet nё leximin e sotёm.
Nga paraqitja e nga kёrkimi i gjenezёs sё veprёs sё Bogdanit, Rugova kalon te struktura e saj e tek interpetimi.
Nё planin e metodёs, Vepra e Bogdanit 1675-1685, nё esencё, ёshtё njё kёrkim struktural/semiotik: lexim i tekstit si sistem kodesh/shenjash tё mbushura mesazhe/kuptime. Rugova analizon strukturat. Hap kodet, pёr t’i hapur kuptimet. Lexon shenjat, pёr ta hapur universin e librit.
Nё fjalёn e mbajtur me rastin e shpalljes Doktor nderi (Honoris Causa) i Universitetit Parisi VIII, Sorbonё, Francё, mё 1996, Rugova e quante veten Nxёnёs tё vogёl tё Bartit tё madh. Nё aventurёn semiologjike te Vepra e Bogdanit 1675-1685 ai ёshtё Trashёgimtar i madh i Bartit tё madh.

Te Kahe dhe premisa tё kritikёs letrare shqiptare 1504-1983 Rugova rishtas ka pёr objekt kritikёn letrare. Kёtu, teoria kthehet nё praktikё kёrkimi. Kahe dhe premisa... ёshtё njё tipologji teorike/historike, esencialisht pёrshkruese e komentuese, e kritikёs shqiptare; pёrshkrimet/komentet bёjnё qё tipologjia tё mos sforcohet.
Duke qenё i pёrbёrё edhe nga njё Bibliografi e gjerё, e komentuar, e teksteve kritike, libri merr edhe status udhёzuesi nё fushёn e metakritikës. Ndërsa, metodiciteti i kërkimit e bën shumë të përdorshëm.

Edhe pse ndёrmjet janё dy librat monografikё (Vepra e Bogdanit... e Kahe dhe premisa...), Refuzimi estetik vijon Strategjinё e kuptimit, qoftё nё planin e fushёs sё interpetimit, qoftё nё atё tё strukturimit. Refuzimi estetik pёrbёhet nga shkrime tё viteve 1980-1986 dhe pёr referencё/objekt themelor ka letёrsinё bashkёkohёse. Tё shkruara nё kohёn e botimit tё veprave qё kanё pёr objekt, tekstet e kёtij libri i dominon vlerёsimi. Rugova komunikon gjallё me veprat e me fenomenet dhe vlerёson nё tipin e avangardёs estetike, siç e pёrcakton vetё.
Duke lexuar veprat e kohёs nёn vetёdijen mbi refuzimin estetik, Rugova provon vlerёn dhe funksonin e veçantё tё letёrsisё (si qenёsi pёrballё idesё e kёrkesёs pёr letёrsi nё funksion social: ideologjik, politik etj.).
Rugova vlerёson autorёt bashkёkohorё dhe bashkёkohёsinё, gjithnjё duke patur vetёdijen pёr vёshtirёsitё e vlerёsimit tё parё, nё distancё tё vogёl ose nё mungesё distance. Procesualiteti ёshtё veti themelore e Strategjisё sё kuptimit dhe e Refuzimit estetik. Duke shmangur kurthet e procesualitetit, edhe pse vlerёsues i parё, Rugova ёshtё vlerёsues i thellё. Nё shumё kuptime, koha i dha tё drejtё, duke i bёrё vlerёsimet e tij pjesё të rëndësishme tё traditёs sё leximit dhe orientuese/determinuese të kërkimeve letrare. Vlerësimet e tij tashmë jetojnë edhe në vlerësimet e të tjerëve për librat e njëjtë.


2. Teoria:
Letërsia / Kërkimet

Shkrimin diskursiv të Rugovës përherë e shoqëron vetëdija mbi letërsinë si differentia specifica (aktivitet krijues i veçantë). Në përputhje me objektin (letërsia), edhe kërkimi bëhet i veçantë, i brendshëm, me burim vetë letërsinë. Rugova, edhe kur pranon ndihmën e disiplinave të tjera për studimin e letërsisë, njeh për themelore shkencën letrare.
Leximi i letërsisë si model i veçantë, i vetes, kur zbresim nga teoria tek empiria letrare shqipe, problematizohet vetiu, duke qenë e njohur natyra e thellë ideologjike e një pjese të madhe të saj, prandaj marria e funksioneve të jashtme, vënia në shërbim të ideologemave. Rugova kërkon e zbulon daljen relative nga kjo skemë te moderniteti shqiptar e, pёrfundimisht, te letërsia bashkëkohore e Kosovës. Letërsia në Shqipëri vijon të jetë fytyrë e ideologjisë, prandaj në funksion të saj.

Koncepti pёr letërsinë si differentia specifica, në diskurs teorik, është shtruar, trajtuar e provuar te Letërisa si differentia specifica. Koncepti i tillë, me një pikëprerje me estetikën ontologjike/fenomenologjike, me pikëpamjen e Hegelit mbi statusin/funksionin e artit e me teorinë e J. Lotmanit mbi artin si informacion artistik, ndërtohet duke njohur empirikisht ndërrimin e statusit të letërsisë e tё arteve nga misionare, nëpёrmjet procesit të transformimit/diferencimit, në veprimtari krijuese. Duke gjykuar përbrenda letërsisë shqipe, diferencimi i tillё nënkupton fundin e letërsisë së mitit nacional dhe lindjen e letërsisë për vete. Ky transformim, në fushë të studimit, kërkon leximin e letërsisë si medium që nuk pasqyron, por që krijon botën e vet. Kjo shpie te kërkimi i modeleve letrare/tekstore, duke i njohur si të veçanta; si struktura që prodhojnë e mbajnë botën e veprës.
Diferencimi i letërsisë dhe i arteve kushtëzohet e shoqërohet nga natyra e hapur e tyre. Duke pasur referencë të deklaruar teorinë estetike e semiotike të U. Ekos (Vepra e hapur), Rugova afrimon leximin/receptimin si zgjedhje të lirë të receptuesit. Vepra e hapur është produkt i poetikave të avangardës ose i poetikave personale jonormative; receptimi i saj esencializon receptuesin përkrah autorit/krijuesit. Vepra e hapur ndërton recepientin, duke e aktivizuar atë në principin e apertativitetit.
Duke pranuar e afirmuar artin e recepientin e tillë, Rugova pranon e afirmon Individin, mendimin individual, përballë kolektivitetit. Kjo është shenjë e madhe, e përhershme, e modernitetit.

Kritika letrare, në përgjithësimin teorik të Rugovës, është aktivitet që vë komunikimin e parë me veprën letrare. Ajo është tjetër nga Teoria, Historia e letërsisë dhe Estetika. Kritika rri ndërmjet Teorisë e Praktikës, Shkencës e Artit, dhe, së pari, ka karakter vlerësues. Realisht, ky është një tip i kritikës.
Autori ynë niset nga etimologjia e fjalës kritikë, skicon historinë e konceptit kritikë, paraqet, komenton e vlerëson metodat e kërkimit, për të arritur përgjithësimet për kritikën letrare si disiplinë.
Duke përgjithësuar lidhur me metodat e kërkimit, Rugova nënvizon ”dy baza metodologjike nga të cilat niset kritika letrare”: 1. vepra letrare produkt i jashtësisë dhe 2. vepra letrare produkt absolut artistik, d.m.th. vepra letrare si mimesis, vepra letrare si poiesis.

Te teksti me titullin Mjeti kritikë Rugova diferencon pikëpamjen e vet mbi kritikën letrare (disiplinë), duke e definuar atë si krijm që aplikon kategorinë kritikë, e cila është formë e njohjes, proces/mjet. Aplikimi i drejtë i kategorisë, prodhon kritikën shkencore, mendon teoricieni ynë.
Rugova mbron natyrën dyfishe të kritikës letrare: statusi njohës (gnoseologjik) dhe vlerësues (aksiologjik). Principi kritik përmbushet duke kaluar nga njohja te vlerësimi.

Kritika letrare atribuon kuptimet. Çdo interpretim është një mundësi interpretimi. Kuptimi i prodhuar (vepra) dhe kuptimi i atribuuar (interpretimi) s´kanë si të përputhen në të gjitha pikat. Vepra hesht, Intereptimi bëhet zë i saj. Kritika moderne, duke njohur fiaskon e kritikës tradicionale në kërkimin ekskluziv të kuptimit të implikuar, bëhet atribuuese. Argumentimi i referohet atribuimit e jo kuptimit të implikuar. Argumentimi shpie te konceptet “që përfaqësojnë përvojën interpretuese dhe përvojën krijuese”. Pra, përvoja interpretuese del nga përvoja krijuese në procesin e atribuimit të argumentuar të kuptimeve.
Atribuimi, në esencë, është produkt i leximit të gjuhës në planin e dytë (si konotacion) dhe i aktivizimit të strukturës së thellë të tekstit, i mbushjes së kësaj strukture me kuptime. Kritika, e kryqëzuar me semantikën, kërkon e interpreton fushën e konotimit tekstor.

Jeta e kritikës është e barabartë me lirinë e kritikut, me shumësinë e kërkimeve. Rugova gjykon monizmin në kërkimet letrare, si skematizim që pamundëson individualitetin.
Mjeti kritikë përgjithëson dijen mbi kritikën në e përtej kritikës letrare. Kritika (kategori) është karakterizuesja themelore e kërkimit letrar dhe e kërkimit të shkencave humane përgjithësisht.
Të kritikosh, do të thotë të vësh në krizë. Vënia në krizë prodhon debatin. Debati siguron thyerjen e skemave, përjashton normativitetin final, shtyn dijet përpara. “Është e vërtetë shikuar në aspektin sociokulturor se kritika është treguesi më i mirë për stabilitetin e një shoqërie. Pra aty ku ka liri, ka edhe kritikë, e ku ka kritikë ka edhe liri. Dhe, shoqëritë e meset e ndryshme që janë të ndieshme ndaj kritikës, dëshmojnë se ende nuk janë të zhvilluara në frymën e tolerancës dhe kufizojnë me dogmatizmin. Prandaj duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se gjërat dhe çështjet e ndryshme duhet të shikohen në mënyrë më demokratike. Për ta përforcuar këtë po shprehemi me një mendim paradoksal të Roman Jaboksonit se, uniteti i shkencës, me këtë rast edhe i kritikës, qëndron në diversitet, e jo në pajtimësi siç qëndron uniteti politik, çfarë do të thotë se fusha e parë hulumton e kërkon, kurse fusha e dytë gjendet në veprim aktual, ku pajtimësia është e domosdoshme. Rezulton: nuk duhet të frikohemi nga mospajtimet e argumentuara në fushën e mendimit, sepse na pasurojnë, po të frikohemi nga pajtimet servile, që sjellin inkuadrimin e të paaftëve në fushën letrare e kulturore.”, konkludon Rugova te Strategjia e kuptimit.


3. Kritika / Metakritika

Kritika letrare e I. Rugovës, në pikat themelore, është aplikim i teorisë së tij për kritikën. Përgjithnjë, kritika e tij njeh objektin e vet si një differentia specifica.
Duke shkruar, në pjesën më të madhe, për vepra të bashkëkohësisë, Rugova leximin e sotëm (kritikën) e mat me kohën sot. Leximi i parë (kritika) është hyrje e konditë në procesin e formulimit të teorive, ndaj kapërcimi i përhershëm i Rugovës te teorizimet, del krejt i natyrshëm: mbi rrjetin e kritikave për veprat e caktuara, fitohet diskursi që përgjithëson këtë rrjet. Domethënë, kritika, nё njё nivel tё caktuar, aplikon teorinë, ndërsa vetë hap rrugë për teorizime/përgjithësime mbi korpusin e teksteve të vlerësuara, për të synuar të bëhet instrument edhe vetë. Kёrkesa e Rugovёs pёr njё kritikё argumentuese, pёrkon me kёrkesёn pёr bashkëjetesë ndërmjet Kritikës e Poetikës; relacion në të cilin kritika aplikon principet e poetikës, bëhet diskurs argumentues.

Te Strategjia e kuptimit dhe te Refuzimi estetik procesi që përshkruam përmbushet duke qenë objekt kërkimi një korpus tekstesh; te Vepra e Bogdanit 1675-1685 objekt është një vepër. Te kjo e fundit aplikohet/provohet teoria, ndërsa rezultatet e kërkimit përgjithësohen, për t’u parë të vlershme për letërsinë e tipit të veprës së Bogdanit.
E thënë më ndryshe, Rugova aplikon e provon teorinë dhe nga praktika e kërkimit formulon pёrgjithёsime teorike. Vepra letrare bëhet objekt i teorisë e burim i përgjithёsimeve/formulimeve të reja teorike.
Pjesën e dytë të librit Strategjia e kuptimit e përbëjnë kritikat recensioniste për poetët: A. Podrimja, Rr. Dedaj, B. Musliu, E. Basha, S. Hamiti etj. Kritika e tillë esencializon vlerësimin.
Po ky tip kritike përbën edhe pjesën e dytë të librit Refuzimi estetik; vetëm se tash bëhen referencë edhe autorë të tjerë dhe, përpos poetë, edhe prozatorë.
Vepra e Bogdanit 1675-1685 hyn në tipin e kritikës që kërkon provën; procedurë që karakterizon diskurset akademike. Zhanri përputhet me diskursin; kemi përpara një studim monografik. Por, Rugova provon se diskurset akademike s’jetojnë pa pasionin e kërkimit. Diskursi i Rugovës te Vepra e Bogdanit... është diskurs i dashuruar (R. Bart). Në këtë diskurs, Bogdani i ngjan Rugovës sa ky Bogdanit.
Rugova rigjen kohën dhe modelin kulturor të veprës së Bogdanit, në shembullin e Kurtiusit, jep gjenetikën e veprës, duke paraqitur, përshkruar e duke sjellë informacione; analizon e interpreton tekstin në principin srukturalist/semiotik të R. Bartit.
Vepra e Bogdanit analizohet si shfaqje e retorikës së Mesjetës, nëpërmjet një Retorike të strukturës. Ndërsa, interpretohet në principin e Semiologjisë së diskurstit. Lënda e Retorikës së vjetër është bërë objekt i Retorikës së re.

Përfundimisht, format e kritikës letrare të I. Rugovës janë: recensioni e kritika introduktore, kritika procesuale, kritika eseistike e kritika akademike. Në varësi me formën, merr ngjyrё edhe diskursi i tij: forcohet ose reduktohet statusi vlerësues.

Titulli Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 përcakton objektin themelor dhe shtrirjen e kërkimit. Rugova ka përpara gjithë kritikën shqipe dhe bën objekt kahe e premisa të saj. Kahe ka kuptimin e orientimit, interesimit, ndërsa premisat janë pikënisjet teorike dhe rezultatet e kritikës. Duke gjykuar se ta interpretosh kritikën, do të thotë ta interpretosh letërsinë me ndërmjetësim, Rugova aplikon periodizimin e letërsisë shqipe tash në fushën e kritikës. Kështu, kahet themelore të kritikës vihen në kohë, ndërsa premisat kushtëzohen nga kahet.
Koha e shpie kërkimin te kontekstet sociokulturore; kahet te fenomenet; premisat te shtrati teorik i fenomeneve.
Përballë distinksionit, të pranuar, ndërmjet historisë së kritikës e teorisë së kritikës, Rugova kryqëzon këto principe e domene. Te studimi i tij, kërkimi diakronik identifikohet me sistematikën: leximi i teksteve sipas rendit kohor të shfaqjes.
Te Kahe dhe premisa..., Rugova paraqet, përshkruan, karakterizon e komenton, d.m.th. pozicionohet, prandaj edhe vlerëson. Pozicionimet e tij, në rend të parë, janë karakterizime të mëtejme të objektit dhe rrallë shqiptohen mospranime, meqë ai lexon kritikën duke pasur parasysh modelin kulturor e sociokulturor të shfaqjes së saj. Që të eksplikohet më tej: Rugova nuk e gjykon kritikën e djeshme nga sot, ndërsa kur ka përpara kritikën bashkëkohore, redukton maksimalisht vlerësimin dhe përshkruan e karakterizon.
Proceduralisht, kërkimi metakritik i Rugovës: paraqet, përshkruan, komenton, vlerëson dhe argumenton, gjithnjë duke pasur për burim tekstet-objekt dhe teorinë e kritikës (instrument).
Kahe dhe premisa... është sprova më e gjerë e I. Rugovës dhe sprova më e gjerë metakritike në kërkimet shqipe. Ky libër është bërë referencë themelore në këtë fushë kërkimesh. Është një libër-model.


4. Estetikë dhe Ideologji

Diskursi eseistik/teorik i Rugovёs pёrherё prek çёshtje aktuale, tё ndieshme. Rugova ballafaqon pikёpamjet e kundёrta dhe vlerёson ato. Pozicionimet e tij përcillen nga argumente, tё cilat vetiu pёrfaqёsojnё pikёpamje autoriale, prandaj propozojnё zgjidhje. Pikёpamjet autoriale tё Rugovёs artikulohen duke u matur me referencat, me dijen mbi çёshtjen e diskutuar.
Nё kёtё pikё, do t’u referohemi dy teksteve tё tij: Njё korrektor estetikoteorik (Kah teoria) dhe Refuzimi estetik (nga libri me po kёtё titull), nё tё cilёt Rugova rivё, mbron e afirmon distinksionin ndёrmjet Estetikёs e Ideologjisё/Politikёs. Ky ёshtё njё problem i moçёm e i ri, me fillesё te filozofia e Platonit dhe ajo e Aristotelit. Prapa emrit tё Platonit vihet estetika ideologjike, e artikuluar fuqishёm te Republika, ndёrsa prapa emrit tё Aristotelit estetika ontologjike. Estetika ideologjike e zhvendos objektin estetik nё fushё tё sociales dhe të ideologjisё; studimet sociologjike/sociologjizuese e ideologjike/ideologjizuese tё artit.
Estetikёn ideologjike Rugova e sheh tё shtrirё nga Antika te shek. XX, te Sartri e Lukaçi. Kёrkesё e pёrhershme e saj ёshtё vёnia e artit/letёrsisё nё funksion social/ideologjik/politik. Kjo ёshtё kёrkesa pёr art/letërsi tё angazhuar, e skematizuar fundёsisht te letërsia e realizmit socialist. Letërsia e realizmit socialist, si teoria/kanoni i saj, ёshtё produkt i ideologjisё, ndaj vihet nё funksion tё ideologjisё. Letёrsia e tillё e humbet funksionin estetik.
Estetika ideologjike e realizmit socialist, duke e thjeshtёzuar skemёn fundësisht, kanonizoi tipologjinё bardh e zi: nё njё anё “letёrsia pёrparimtare”, nё tjetrёn “letёrsia reaksionare”. Rugova vihet pёrballё skemёs sё tillё, duke njohur autonominё e qenёsisё e tё objektit estetik. Kёshtu ai shtyhet tek estetika ontologjike.
Konturat e estetikёs ontologjike i dha Aristoteli, duke ndarё tё bukurёn (estetika, arti) nga e mira (etika). Estetika ontologjike njeh objektin estetik, aktin estetik dhe efektin estetik (si produkt tё tyre). Atributi i pёrsёritur (estetik) pas objektit, aktit e efektit shenjon domenin (estetika), natyrёn/funksionin e artit dhe refuzon ideologjinё. Refuzimi i tillё ёshtё shtruar e trajtuar sёrish, mё gjerёsisht e mё thellё, tek eseja e njohur Refuzimi estetik.

“Refuzim do tё thotё tё mos pranosh, tё mos pranosh atё qё tё imponohet, e kjo varet nga qёndrimi personal dhe nga ia i pёrgjithshёm”. Kjo ёshtё fjalia e parё e esesё Refuzimi estetik; njё pёrkufizim/konkluzion dhe njё çelёs pёr ta lexuar tekstin. Refuzimi ёshtё alternativё e pranimit, vёnё pёrballё imponimit, i cili prek të gjitha sferat e jetёs sё njeriut.
Letёrsia, si artet, ёshtё sistem autonom. Autonomia e tillё sigurohet nga refuzimi estetik, i cili buron nga vetё kjo autonomi. Ndёrsa, autonomia bëhet e mundur nga qenёsia estetike e veprёs letrare.
Refuzimi estetik, tradicionalisht, realizohet me kategori tё brendshme, si: satira, sarkazma, grotesku etj. Kategoritё e tilla konstituojnё atё që do ta quaja Estetikё tё refuzimit.
Qenёsia estetike mban letёrsinё gjallё, funksionale dhe me ndikim jetёgjatё pёrballё politikёs, shtetit e pushtetit. Refuzimi estetik ёshtё manifestim i brendshёm i kёsaj qenёsie, përballë jashtësisë përplot imponime.
Rugova skicon raportin politika - letёrsia nё kohё tё ndryshme, pёr tё arritur te konkluza se ato përherë janё “dy fusha tё kundёrta, tё ndara”. Politika do ta kufizojё e ta kontrollojё letёrsinё, ndёrsa kjo e refuzon, pёr tё jetuar mё gjatё se politika. Politika lidhet me njё kohё; letёrsia shkon pёrtej kohёs sё shfaqjes dhe jeton e ndikon nё pёrputhje me mjaftueshmёrinё/manifestimin e qenёsisё estetike.
Politika ёshtё veprimtari pragmatike. Letёrsia ёshtё qenie estetike.
Politika mund tё zhvillojё diskurs represiv nё relacion me letёrsinё. Letёrsia mbrohet e ekziston nё vete nёpёrmjet refuzimit estetik.


5. Shekulli i Ibrahim Rugovës

I. Rugova ёshtё njё nga themeluesit e kritikёs letrare moderne nё Kosovё. Megjithatë, Rugova mbetet figurё me tё cilёn, mё shumё se njё shkollё e kritikёs, identifikohet një mënyrë e të menduarit, njё model/qark kulturor: Prishtina e viteve ’70-tё tё shek. XX. Qarku kulturor i Prishtinës ka modelin e vet letrar, tё pёrfaqёsuar fuqishёm nga A. Pashku, A. Podrimja, Z. Rrahmani etj.; modelin kritik, me autoritet themelor S. Hamitin. Rugova bёn bashkё e pёrfaqёson kёto modele, nё cilёsinё e mendimtarit, ndaj fjala pёr Rugovёn ёshtё fjalё pёr ikonën e qarkut.
Ky qark tashmё ka krijuar trashёgiminё e vet nё fushё tё krijimit e tё mendimit.

Brezi i Rugovёs, pёrballё ideologjisё mbi literaturёn, krijoi ideologjinё e literaturёs; mendimin qё buron nga literatura e qё provё e ka vetё atë.
Çelësi për ta lexuar Rugovën përballë kritikës së kohës është libri Prekje lirike. Ky libër refuzon leximin e jashtëm/sociologjizues/ideologjizues, dominant në kulturën letrare shqipe, dhe provon fuqishëm kritikën si rikrijim të veprës letrare. Aty, normën e leximit e përcakton estetika e tekstit letrar e jo skemat sociale. Veprën e prodhon diskursi letrar; ajo përmbush këtë diskurs, duke qenë një shfaqje konkrete e tij, dhe asnjë strukturë tjetër.
Prekje lirike, një titull figurë në ballë të një libri diskursiv. Prekja është figura e komunikimit; lirike është atributi që shenjon komunikimin subjektiv, të butë (lirik) me tekstin letrar. Për të dalë nga paradoksi, këtë titull do të duhej ta lexonim si shenjues të diskursivitetit të relativizuar, të kryqëzuar me diskursin letrar e shpesh të tretur në këtë diskurs. Prekje lirike është figura e komunikimit me tekstin në mungesë distance. Subjektivizmi shpallet “ideologji” e interpretimit.
E përbërë nga lexime krejt personale, Prekje lirike është kritikë letrare e një poeti. Subjekti është hapur plotësisht përpara teksteve, për t’i hapur ato. Çdo shenjë e tekstit, qoftë emocioni, qoftë retorika, qoftë interpretimi, ruan e reflekton natyrën e subjektit.
Diskursi i Rugovës, duke relativizuar kufirin ndërmjet tekstit letrar e tekstit diskursiv, provon diskursin letrar si amëz të metadiskurseve.
Prekje lirike mban tekstet me të cilat Rugova hyri në botën e komunikimeve letrare, duke qenë krejt i hapur. U bë sistematik te Kah teoria e tutje. Ai nisi jetën në letërsi si Krijues, e vijoi si Rikrijues dhe e mbylli si Klasifikues/Sistematizues.

Duke karakterizuar pёrfundimisht:
Rugova teorizon e propozon studimin e specializuar tё letёrsisё.
Diskurin e tij e shoqёron pёrherё njё fill përgjithësues, prandaj universalizues.
Tё gjitha trajtat e kritikёs letrare vihen nё funksion tё njohjes e tё vlerёsimit tё veprёs letrare. Rezultatet e kёrkimit, nga kёtu, mundёsojnё diskursin teorik/pёrgjithёsues. Kjo ilustron kёrkesёn e pёrhershme tё Rugovёs pёr t’u marrё me fenomenet.
Në diskursin e pastër kritik, Rugova kërkon stukturat, pastaj interpreton, në fund vlerëson.

Vepra e I. Rugovёs ёshtё njё nga trashёgimitё e mёdha tё modernitetit shqiptar. Duke reflektuar veten pёrtej kohёs sё shfaqjes, vazhdon tё jetё njё determinuese e gjallё e kёrkimeve letrare te ne.
Ajo ruan e reflekton frymёn e mendimtarit e të njeriut Ibrahim Rugova. Reflekton natyrën e hapur të Njeriut dhe asketizmin e thellë të Mendimtarit.
Vepra është shenjë ideale e identitetit. Një idealitet i obejktivuar. Ajo mban gjallë Autorin; pse jo edhe Njeriun.
Vepra e Rugovës tashmë po bëhet objekt studimi. Kjo është edhe një shenjë se ajo po shndërrohet në vepër klasike. Vetëm veprat e tilla mbeten gjallë.
Një vepër klasike më s’mund quhet Zbulim, por Vlerë, Identitet.
Unë, sot, vetëmsa po tërheq vëmendjen: Jetojmë në Shekullin e Ibrahim Rugovës.
________________________________________

Ky tekst u lexua ne Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ne Prishtinë
Autori është profesor i estetikës në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë

descriptionRe: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës

more_horiz
Akademi kushtuar Rugovës


Fjala e Presidentit Sejdiu në manifestimin përkujtimor me rastin e katërvjetorit të shkuarjes në amshim të Presidentit Ibrahim Rugova
Sot, nën Patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, u mbajt një manifestim përkujtimor me rastin e katërvjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Në vijim e keni fjalën e Presidentit Sejdiu mbajtur në këtë manifestim.


E nderuara familje e Presidentit Rugova,

I nderuari Kryeministër Thaçi,

I nderuar Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, z. Piter Faith,

Të nderuar deputetë e ministra në Qeverinë e Republikës së Kosovës,

Të nderuar ambasador dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë

Të nderuar drejtues të KFOR-it,

Të nderuar drejtues të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës,

Të nderuar kryetarë komunash dhe përfaqësues të jetës shkencore, kulturore e fetare,

Të nderuar përfaqësues të mjeteve të informimit,

Zonja dhe zotërinj,

Sot është katërvjetori i shkuarjes në amshim të burrështetasit të parë të Kosovës, Presidentit historik Ibrahim Rugova. Çdo vit, ne jemi mbledhur kështu së bashku për t’i shprehur jetës dhe veprës së tij kolosale nderimet tona më të larta, për t’i shprehur Atij falënderimin për punën e jashtëzakonshme që ka bërë Ai për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë, Kosovës së dashur.



Katër vjet më parë, ne, populli dhe institucionet e Kosovës, mbetëm pa Prijësin që na kishte prirë me urtësi e me largpamësi në etapën më të vështirë që kaloi jo vetëm vendi ynë, po i gjithë rajoni.

Janari i vitit 2006 sigurisht ka qenë ndër më të acartët në Kosovë. Por, as moti skajshmërisht i ftohtë, as temperaturat konstante 15 celsius nën zero nuk i ndalën dot qytetarët e mbarë Kosovës për ta rishprehur adhurimin për Presidentin Rugova. Sheshi “Nëna Terezë”, gjatë ditëve të homazhit për Presidentin Rugova, ishte përplot me qytetarë të të gjitha moshave. Asnjëherë më parë në historinë e Kosovës nuk ka ndodhur që i gjithë populli, i madh e i vogël, të kishte vetëm një cak – Kuvendin e Kosovës, aty ku i bëheshin nderimet e fundit Presidentit Rugova. Ajo javë do të mbahet mend si java e Besëlidhjes së Re të popullit të Kosovës me veprën e Presidentit Rugova. Besëlidhja e Parë, e pathyer asnjëherë, ishte lidhur qëkur Ai ishte vënë në krye të subjektit të parë politik demokratik në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila me kohë u shndërrua në një lëvizje të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci.

Ndërsa Kosova ishte veshur me petkun e zisë kombëtare për humbjen e madhe, nga mbarë bota vinin ngushëllimet dhe vlerësimet me konsideratat më të larta për figurën brilante intelektuale, humaniste e politike të Ibrahim Rugovës. Liderët e kombeve më të mëdha të botës shprehnin nderimin e tyre për Presidentin Rugova. Edhe kësaj radhe, kujtojmë se me rastin e ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova, vetë Presidenti Bush theksonte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur një mik të vërtetë. Të kësaj shkalle ishin edhe vlerësimet e Presidentit Bill Klinton, i cili me të marrë lajmin për vdekjen e Presidentit Rugova, tha se, po citoj, “Presidenti Rugova çdo herë më impresiononte me devotshmërinë dhe pasionin e tij për paqe, liri dhe për një të ardhme më të mirë për popullin e tij.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Havier Solana, vdekjen e Presidentit Rugova e quajti “ironi të vrazhdë të historisë”, sepse “Rugova u nda nga jeta në momentin kur duhej më së shumti, në momentin kur pritej që si lider të ndihmonte në zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës”.

Atributet që e shoqëruan në përjetësi Ibrahim Rugovën janë të pafundme, por këto duken të jenë më të goditurat: njeriu simbol për Kosovën, njeriu flamur për Kosovën.

E nderuara familje Rugova,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Zonja e zotërinj,

Po bëhen dy vjet që vizioni i Presidentit Rugova për Kosovën shtet sovran, të lirë e demokratik është bërë realitet. Republika e Kosovës është njohur nga 65 vende demokratike anekënd botës dhe ne po punojmë, bashkë me miqt tanë, me tërë përkushtimin që ky numër të shtohet sa më parë.

Procesi i njohjes së Republikës së pavarur të Kosovës është me rëndësi jetike për ne. Këtë e kanë kuptuar drejt edhe miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesa dërrmuese e vendeve të Bashkimit Evropian dhe vende të tjera nga mbarë bota, të cilat na kanë ndihmuar pa hezitim në këtë proces. Po ashtu, tani së fundi, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë shumë vende e mbështetën legjitimitetin e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe të drejtën e popullit të saj për të jetuar i lirë duke shtruar argumente të bollshme, që ne i kemi cilësuar si argumente të parrëzueshme në favor të Kosovës.

Republika e Kosovës, gjatë këtij dyvjetëshi të shtetësisë së saj të njohur ndërkombëtarisht, ka dëshmuar se është e zonja të jetojë e pavarur dhe të sigurojë shkallë të admirueshme të demokracisë në vend, të garantojë dhe të sigurojë të gjitha të drejtat dhe liritë njerëzore e individuale për secilin qytetar të sajin pa dallim kombi e besimi.

Ndonëse jo pa vështirësi e pa sfida të shumta, gjatë kësaj kohe, me politikën e fqinjësisë së mirë dhe me gatishmërinë për marrëdhënie të mira bashkëpunimi me të gjitha vendet e rajonit, Kosova është dëshmuar si një faktor i rëndësishëm i paqes, i stabilitetit dhe i së ardhmes së përbashkët evropiane të rajonit. Kjo frymë politike ka dhënë rezultatet e veta. Ne kemi raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje, me përjashtim të Serbisë, e cila po e vazhdon politikën e saj destruktive kundrejt Kosovës. Megjithatë, ne u bëjmë thirrje sërish autoriteteve të Beogradit zyrtar që të heqin dorë nga mendësia e vjetër e dominimit mbi të tjerët dhe t’i hapin udhë perspektivës më të ndritshme të popujve tanë.

Ndërkohë, vendi ynë ka arritur të faktorizohet duke marrë dita-ditës vendin që i takon në kuadër të familjes së madhe të kombeve të lira dhe ne nuk do të ndalemi derisa ky mision të mos jetë përmbyllur tërësisht.

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi,

Studiuesit e veprës së dr. Ibrahim Rugovës, kujtoj me të drejtë, e kanë vërejtur se Mendimi dhe Veprimi janë dy nyjat e jetës së Rugovës. Citojmë: Edhe pse në fushë pragmatike, Rugova, së pari, është politikan meditans, ai është prijës, pra krijues, ideolog. Ashtu siç e krijoi një model kulturor, Rugova krijoi një model politik, me parabazë humanitetin e thellë, fillin nacional të ideve dhe me kërkesë bosht – pavarësinë e Kosovës.

Rugova, studiues, kapërceu nga Poetika në Polikë. Ky kapërcim nënkupton kalimin nga fusha e ideve në atë të veprimit. Nga poezia, nga kritika e studimi letrar, ku me bashkëmendimtarët e me bashkëkohësit e tij krijoi Shkollën e Prishtinës, e cila dekada me radhë u dha dhe po u jep ende vulën e saj meritore studimeve në fushë të dijeve albanologjike, Ibrahim Rugova kaloi në arenën e veprimit politik, në të cilën, po kështu, u shqua si emër prijatar e plotësisht i veçantë.

Përderisa në fushën e studimeve albanologjike Rugovën e bënin të veçantë qasjet e tij krejtësisht të reja dhe jokonformiste të mbrujtura nga thellësia e dijeve shkencore, të cilat ai i përsosi edhe me përvojën e mësimeve të fituara nga Rolan Barti, në fushën e veprimit politik Rugovën e bënte të veçantë urtësia e tij e paimagjinueshme, e cila u proklamua dhe u zbatua në jetë si doktrinë nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në kohën kur kjo pjesë e Evropës Juglindore ishte bërë arenë e luftërave dhe e tragjedive të mëdha për popujt që s’ishin të dashur për Millosheviqin dhe për kastën e tij gjenocidiale.

Krejt në fund, rikujtoj se Rugova është cilësuar arkitekt dhe ikonë e pavarësisë së Kosovës, shenjë me të cilën identifikohet shteti më i ri në botë – Republika e Kosovës.

Ibrahim Rugova, krijues i një modeli kulturor në Kosovë, u bë fuqishëm figura më e madhe politike e historisë moderne të Kosovës. Identifikimi me të, prandaj, paraqet vlerë! Këtë vlerë ne do ta mbrojmë dhe do ta kultivojmë me përkushtim, me dije dhe me dashuri të paskajshme. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë ne të gjithë, për një njeri që e solli koha për t’i prirë Kosovës, për një njeri që në Kosovë bëri epokë, bëri kohën e vet!

Të nderuar pjesëmarrës,

Siç e dini, duke u mbështetur në përgjegjësitë dhe kompetencat e mia kushtetuese, si president i vendit, unë kam themeluar dekoratën “Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Dr. Ibrahim Rugova”. Kjo medalje u jepet qytetarëve të vendit dhe të huaj, vepra jetësore e të cilëve cilësohet si kontribut i veçantë për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e humanizmit.

Sivjet, për herë të parë, me këtë medalje nderohet ish-Presidenti i Republikës së Çekisë, dijetari e burrështetasi shquar Vaslav Havel. Ftoj Ambasadoren e Çekisë në Prishtinë, zonjën Janina Hrebickova që të vijë në këtë podium dhe të marrë këtë medalje në emër të Presidentit Havel, të cilit i shprehim konsideratat tona për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë për lirinë, demokracinë dhe humanizmin në vendin e tij dhe kudo në botë dhe i dëshirojmë shëndet e fat.

Ju faleminderit!

descriptionRe: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë i Republikës së Kosovës

more_horiz
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi