Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


LASGUSH PORADECI

Share

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Durimi

Tashi me gas, tashi me lot,
Tashi dhe nj'herë,
Duro durimin si për-mot
E si përher.

Mendo mendimin zemërak,
Ndaj vjen të sjellë
Sa leu e zjeu e shfreu me gjak
Në zemër fellë;

Sa pati shkrirë aq ëmbëlsi
Dyke kënduar,
E vaj e zi e shkrumb e hi
Të pambaruar;

Dyke përflakur plot me gas,
Plot afsh të ndritur,
Një mall të math që më vjen pas,
Kujtim-zhuritur;

Vjen ku përplaset përmi dhé,
Nër ulërimë,
e greminuar si rrufe,
Kjo jeta ime;

Ku mban shtrëgatën me sa mund,
Dhe kësaj radhe,
E hapur krejt, gjer mu në fund,
Ah plag'e madhe;

Fund e gjehenë e ang i zi,
Jetë pas jete,
Yll-dashuri! Hon-lemeri
Që mbaj me vete!

Edhe mendoj mendim me lot,
Me përvëlime,
Duroj durim të mbushur plot
Me zemrën t'ime.

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Gremina

Ti sot as qesh as qan,
Ri larg e qetë.
Në shpirtin t'ënd ti mban
Një faj për jetë.

Një dashuri me gas,
Siç fryri era,
E zure shpejt në ças,
E le përhera.

U ngrove-ashtu sa mund,
As shumë-as pakë,
S'të ndriu përdrejt në fund
E bardha flakë:

Më ndriu e griu e shkriu
Ah mua zjarri!
U mvarrësh un'i ziu
Mi buzë varri!

E nuk më dhemb aspak
Një vdekje-e gjallë,
Ndaj qava lot me gjak,
Si në përrallë;

Ndaj hoqa rëndë-ashtu,
Gjer në greminë,
Llaftarën që më zu
Për dashurinë;

Për dashurinë-o Zot,
Që shemb një burrë,
Që s'e pat ndjerë dot
Gruaja kurrë;

Që lind e ndritur krejt,
Bukuriplotë!
Me dritën drejt-për-drejt
Nga drita jote!

Që qesh e qan e zjen,
E s'jep të qetë,
E zjen e bren e shfren,
E s'vdes përjetë.

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Ç'u mbush Mali

Shqipëri! moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë
********
Ç'u mbush mali me dëborë,
Ç'u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S'janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.
Ç'u zbardhë malet, ç'u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb'e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N'atë thelb të Shqipërisë.

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Lodra e Dashurisë

Kërkova
Lumturinë,
Gjer më sot,
Gjith më të kot.

Shijova
çupërinë,
Një mot.
Me shpirtin plot.

Kullova
Djalërinë
Me lot,
Që s'thahen dot.

Kuptova
Dashurinë
Që lot -
Kur shemb! o Zot!

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Mitrush Kutelit

...Pa m'i prit edhe Mitrush Kutelit

...Pa m'i prit edhe këtonë,
Iskëra të zemrës s'onë.
Prit-m'i shok n'ato mërgime
Fjalëzat me regëtime,
Nga buçim'i zemrës s'ime.
Zemra ime buçim-shkretë
Zjen e bren e s'gjen të qetë,
Plaset e përplaset vetë,
Vdes përkohë-e lind përjetë.

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Kujtimi

Edhe në mungove,
Edhe në ndryshove,
Edhe në dredhove,
Në më gjarpërove:

Kujt j-a dhè mungimin?
Kujt ja dhè ndryshimin?
Kujt j-a dhe dredhimin?
Kuja gjarpërimin?

Mungime-e ndryshime,
Mungime-e dredhime,
Dh'ato gjarpërime-
Hon për zemrën t'ime.

Zemr' e mall i parë,
Zemërëz' e vrarë
Kujton dyke qarë,
Pushton me llaftarë
Lulen e pavdarë,
Trupin e pangarë.

Pa ri pshoj qetuar
Dyke ëndëruar
Ndaj po puth nër duar-
Si ndaj koh' e shkuar-

Fort i dëshëruar,
Fort i dhëmshëruar,
Fort i lumtëruar,
Ballin dritë-qëruar
Syrin qjell-kulluar,
Gjirin-vajzëruar,
Trupin-qumështuar

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Vdekja e Noisit

Me zjarr ju flas... me zjarr
Në gjirin tim kam hapur varr...
Që t'i jap shpresë- edhe t'ja marr...

Un' ik liqerit zemërak
Fatlum dh' i pastër si zëmbak,
Po zemra ime kullon gjak:

Se vijnë- urtuar zogjtë-e mi,
Dh'u jap ushqim me dashuri-
Një dashuri për llaftari:

Pa nis ah! Gjirin ta godas...
Dh'e hap ah! gjirin për një ças...
Dh'i nginj ah! zogjtë- e vdes me gas!...

Ahere - helmohet e buçet
Pas mallit tim liqer-i shkret,
E rrit tallazin posi det.

Ay e tund , ay e shkund,
Ay e hap sa me të mund,
Gjer mun në gjit,gjer mu në fund.

E shpirtin dyke ma përcjellë
Më thotë ah! shih sesa 'sht'i fellë...
Ky gjir'i em që të pat pjellë...

Me zjarr ju flas...
Me zjarr...

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Vallja e Yjeve

Yjtë-e ndezur si fingjill,
Që vërtiten palë-palë,
Prej mosgjëje zunë fill
Plot me jetë-e mall të valë.

Zunë fill me dashuri
Që kur bota zu të ngjizet,
Pa sikush për shok të ti
Përvëlohet edhe ndizet.

Ndizet ças edhe për ças,
E si kurrë s'ka të shuar,
Pa pushim i vete pas
Me një sulm të llaftaruar.

E si kurrë nuku mund
Ylli yllin që t'a kapë
Rrotull qiejve pa fund
Venë-e-vinë-e-venë prapë...

.......................................
.......................................
.......................................
.......................................

Do të venë fluturim
Kudo janë-e kudo s'janë,
Nëpër qjell që s'ka mbarim,
As fillim, as fund, as anë.

Kur mi të, kur nënë të,
Kur me hire-e kur pa hire,
Do përëajnë gjithënjë
Hapësirë...shkretëtire...

Ata ikin varg-e-varg
Me një etje të pashuar:
Sesà fellë-e sesà larg
Shoq me shoq u pat larguar!...

Kùsh j-u fali-aq dëshërim,
Dh'aqë zjarr e aqë flakë,
Dh'i gatoj me aq durim
Yjtë-e lum e varfanjakë?

Se do një, si për çudi,
Ku prej syresh rreh të ftohet,
Shoq i vet, nga mall'i ti,
Më me zjarr zë përvëlohet...

Dh'i vjen qark më me vërtik
E me dhembje më të nxehtë,
E si ik...si gjithë ik...
E pushton me zjarr të vetë:

Sa më pak e shmbëllen:
Aq më shumë-e ndjek dëshira...
Pa nga malli që s'e gjen,
Dridhet gjithë hapësira.

...Kur po ja! Se që përtej
Ndriten erërat nga pakë:
Yll-i çdukur nëpër qiej
Vetëtiu e mori flakë:

J-a pat shtënë me një ças,
Mun në mes në kraharuar,
Shoq' i vet q'i sillej pàs
Me një sulm të llaftaruar;

Q'e kish flakën mun në gji,
Q'e zhuritte dashurija,
që çkëlqente me zili
Rrotull rrezeve të tija.

Yll i mjerë e yll i lum!
Yll i lum e yll i mjerë!
Sapo drita t'u përgjum,
Sheh një shoq nëpër skëterë;

Ay vin... e gjith vin...,
Gjith më pranë... -e gjith më pranë...-
Sesà ndrin e vetëtin!...
Sesà ndjen një gas pa anë!...

Sesa ndritesh përsëri!
Sesì ndizesh përsëpari!
Sesì djek me dashuri
Posi yll margaritari!...

Dashuri! Heu! Mall i ri!
Dashuri! këng' e durimit!
Ti liri! Ti robëri!
Ti valim i shkrepëtimit!

........................................
........................................
........................................
........................................

Yjtë-e ndezur aqë larg.
Lozin vallen e dëshirës
Dyke ndritur varg-e-varg
Nëpër terr të errësirës.

descriptionRe: LASGUSH PORADECI

more_horiz
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi