ULQINI, NJË RRËFIM PËR QYTETIN DHE NJERËZIT

Më 1961 Ulqini renditej ndër vendet e para të rajonit, përsa i përket të ardhurave të turizmit, kurse sot ndër të fundit. Këtë fakt nuk e ndryshon as e dhëna tjetër, se Ulqini është qyteti me sipërfaqen më të madhe afër detit. Problemet e turizmit në Ulqin nisin që nga mungesa e përvojes në regjistrimin e taksës turistike, mungesa e një plani hapësinor dhe strategjik për Ulqinin, mungesa e koordinimit mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, mungesa e investimeve të huaja, aftësimi i personelit si dhe krijimi i grupeve të punonjësve në pritje të turistëve.
Keto të dhëna u referuan në konferencen e katërt shkencore ndërkombëtare me temë “Perspektiva e zhvillimit ekonomik rajonal nën optikën e zhvillimeve ekonomike lokale dhe ndikimi i sektorit të turizmit në to“.

Turizmi shfaq cilësinë e tij dhe në funksionimin e hotelerisë. Para viteve ‘80, u është dhënë përparësi investimeve ruse, sipas një vije politike denigruese të qeverisjes vendore të asaj kohe në Malin e Zi. Kjo dëmtoi biznesmenët ulqinakë, duke i kuafizuar ata në maksimum, deri në mbylljen e aktivitetit. Sot shihet të jetë përmirësuar ky sektor, por ndërtimet e ulqinakëve në hoteleri ende nuk janë në nivele për të pritur fluksin e madh të turistëve me të cilin përballet qyteti.
Vetë kryetari i komunës, Nazif Cungu, në konferencën e sipërpërmendur thekson faktin se pret aporvimin nga qeveria qendrore për ndërtimin e një hoteli të madh në Ulqin Në një hotel të nivelit mesatar, qëndrimi së bashku më dy vakte në ditë, për një person kushton 28-30 euro.
Po të pyesësh ulqinakët se me çfarë jetojnë, ata shprehen: “Me të ardhurat gjatë sezonit turistik të verës dhe me bujqësi“. Por teksa viziton tregun e fruta-perimeve në Ulqin mëson nga fermerët apo shitësit, se dominojnë prodhimet e importit dhe çmimet janë pak më të larta se në Shkodër. Është paradoksale kur thuhet nga specialistët se 1 ha tokë bujqësore në Ulqin, për nga rendimenti është e barazvlefshme me 1 ha tokë në Vojvodinë, dhe të mendosh se Ulqini ka 12 mijë ha tokë, nuk është e vështirë të nxjerrësh konkluzionet për zhvillimin e bujqësisë në këtë qytet.

Jeta në Ulqin nis pas orës 9 të mëngjesit. Mjaft dyqane hapen dhe më vonë për t’u mbyllur disa prej tyre në orën 23.00. Shërbimi është tejet i kulturuar, sidomos ndaj vizitorëve, por dhe çmimet nuk të befasojnë më nivele të larta. Ende janë të pranishme investimet kinëze, kryesisht tek mallrat industrial, e vetëm së fundmi është kërkuar kontroll mbi cilësinë e tyre.
Në raport me qytetet bregdetare në Shqipëri, Ulqini të befason më pastërtinë në çdo cep të tij. Si duket në ketë drejtim kultura e krijuar meriton vlerësimin maksimal. Në Ulqin dëgjon të komunikohet në dy gjuhë. Në dyqane punonjëset pasi identifikojnë përkatësinë, komunikojnë në gjuhën që flet klienti. Numri i popullsisë në Ulqin ka shkuar në 27 mijë banorë. Nëse dikur shqiptarët zinin 85% të popullsisë, sot ata zenë 80% të saj. Emigrimi dhe ulja e numrit të lindjeve, janë dy arsyet kryesore qe e kanë ndryshuar ketë raport.
Në Kalanë e Ulqinit mund të hyhet nga veri-lindja ose nga gjiri nëpër portën kryesore. Këtu gjendet Tregu i Robërve, ku dominon Kulla e Balshajve (shek. XII), në të cilën është e vendosur Galeria e Arteve.
Përballë galerisë gjendet Muzeu Etnografik. Kah jugu, afër detit, përballë njëra-tjetrës, janë dy ndërtesa madhështore: Pallati i Ballshajve dhe Pallati e Venedikut. Në anën përëndimore të qytetit të vjetër është kisha ortodokse e Shën Nikollës. Në periudhën e sundimit osman, kisha ishte e shndërruar në xhami, por në vitin 1890 përsëri u kthye në kishë, në kujtim të dëshmorëve të luftës së vitit 1878.
Xhamija e Pashës, u ndërtua në vitin 1719. Në afërsi të xhamisë janë hamamet turke, të vetmet objekte të këtij lloji në Malin e Zi. Në pjesën veriore të qytetit janë dy kisha të tjera. Njëra prej tyre, sikurse edhe ajo në qytetin e vjetër, mban emrin e Shën Nikollës dhe është e ndërtuar në përfundim të administratës turke në Ulqin.
Në kala takon Ismajl Bushatin, një pasardhës i familjes së madhe të Bushatlinjve të Shkodrës. Ai konsiderohet sot si heroi i kalasë së Ulqinit. Në vitin 1979, kur ra tërmeti i madh, qeverisja malazeze donte të përfitonte nga fatkeqësia natyrore për të nxjerrë shqiptarët jashtë kalasë. Ismajli nuk u thye para presionëve dhe përballjeve të vazhdueshmë më policinë, as para joshjeve qe kapnin vlerën e 5000 eurove sot, të cilat askush nga të larguarit nuk i përfitoi. Ai qëndroi aty 2 vjet pa ujë dhe drita, së bashku më familjen e tij, dhe nuk e lëshoi kalanë. Më pas u la i lirë të jetonte, pasi u konsiderua i pathyeshëm dhe këmbëngulës. Sot në kalanë e Ulqinit jetojnë 35 familje. Në brendësi të saj ka disa restorante, të cilat kanë ruajtur traditën e hershmë, një kusht i domosdoshëm që e kërkojnë dhe vetë turistët.
Sa i takon jetës së natës, ajo merr gjalleri vetëm në stinën e verës. Tani në pranverë daljet vijojnë deri në orën 22.00. Më pas qyteti boshatiset nga njerëzit