Kristaq  F. Shabani
“Lodrimi i madh i vdekjes”
neoroman dramë
 


Kumtesë,
 “Lodrimi i madh i vdekjes” neoroman- dramë  i  shkrimtarit Kristaq  F. Shabani
Nga  Prof. Dr. Resmije Kryeziu
 
Gjatë jetës ballafaqohemi me gëzime dhe hidhërime. Nëse gëzimet na përsëriten mësohemi me to dhe nuk dimë ta  çmojmë vlerën që ka një buzëqeshje, një fjalë e mirë, një përkëdheli. Dhembja e përsëritur na topit dhe nga tretja e ngopur nuk mund ta përballojmë  atë  dhe e bindim veten ta harrojmë, ta fshijmë nga mbamendja atë që na ka lënduar, dhe atëherë, fatkeqësisht, dhembjet na ripërsëriten.
Me romanin, “Lodrimi i madh i vdekjes”  Kristaq F. Shabani, arrin që, duke e personalizuar dhimbjen me personazhe reale, këtë dhimbje ta bëjë të përbotshme.
 Këta njerëz që janë bartës të dhimbjes së tyre reale, kështu si janë paraqitur në këtë vepër, ata nuk janë më personazhe, por duke qenë pjesë e dhimbjes, dhimbje  që nuk është më vetëm dhimbja e tyre, me dhimbjen e tyre shndërrohen në bartës të dhimbjes, nder njerëzit, kohët dhe meridianët, duke e shndërruar dhimbjen e tyre në dhimbje të të gjithëve.
Kjo formë e të shkruarit, sado që i zgjeron horizontet e përjetimit letrar, duke ua veshur petkat e bashkëkohësisë dhe të kohëve që do të vijnë, faktin jetësor e shndërron në artefakt letrar dhe për ne që e njohim këtë realitet, i besojmë asaj që lexojmë, ndërsa ata që janë jashtë këtij qarku, të cilit ne i takojmë, këto fakte, edhe pa ditur që janë realitet, si realitet do t’i pranojmë. Dokumentet historike, që janë dëshmi e ravijëzimit të shtigjeve të krijimit, ne na përkujtojnë se ajo çka ka ndodhë me shqiptarët e Kosovës në fund shekullin e njëzet s’është rastësi, apo çmenduri e një individi por, platformë vrastare e politikave, sa antishqiptare aq edhe antinjerëzore. Se kush tha se Hegeli kishte thënë : “ nëse nuk pajtohemi me fakte – vaj halli për faktet”. Autori Kristaq F. Shabani, na përkujton me një ftohtësi se vetëm duke i vlerësuar faktet nga e kaluara duhet të nxjerrim mësime për të sotmen dhe për të ardhmen.
“Lodrimi i madh i vdekjes” , është roman që është realizuar mbi përvojën e romanit modern dhe postmodern, që është menduar, para së gjithash, si mjeshtri e kombinuar, si një lloj i veçantë, që bashkon strukturat letrare dhe jo letrare në një shprehje artistike gjuhësore, të bazuar në mundësitë e pakufishme  të kombinimeve të elementeve të ndryshme, reales dhe joreales, faktit dhe materialit të stisur.
 Stili i tij letrar nuk është një gjerdan i zbukuruar, por gjuhë  që në vend se të na kënaq na detyron të mendojmë. Kjo vepër mund të cilësohet si vepër postmoderne, në shtratin e së cilës rrjedhin në mënyrë të barabartë  format e ekstremit stilistik pluralist, ku, pa ngurim, luhet me zhanre, duke i ndërlidhur shenjat e ndryshmeë semiotike në tërësinë letrare. Ky përkufizim stilistik nuk e pengon lexuesin dhe nuk kërkon nga ai që për ta lexuar dhe kuptuar këtë vepër që të jetë njohës i shtigjeve bashkëkohore të letërsisë , përkundrazi, pikërisht kjo formë e të shkruarit atë e bënë bashkëpjesëtar, dëshmitar të fakteve të pakontestueshme që u kanë ndodhur të tjerëve, pavarësisht a janë ata bashkëkohës të personazheve që janë subjekte të vërtetë të atyre fakteve apo lexues të panjohur dhe të painformuar për ato fakte, të cilët  janë objekt i kësaj vepre. Kjo mënyrë e të shkruarit i fshin kufijtë e kohës dhe hapësirës duke u bërë pjesë e gjithë njerëzimit dhe përmbajtje e ndërgjegjes njerëzore, pavarësisht ku gjenden ata.
Në fillimet e këtij romani që s’është roman, tregimi që s’është tregim, punimi shkencor që nuk është punim shkencor, e që prapë  ngjason të jetë me karakteristika të të gjitha atyre që u thanë se nuk u takon, çuditërisht në vete ka shumëçka që i përkufizon kufijtë dhe logjikën apo jologjiken e ekzistencës njerëzore; ballafaqohemi me reflektime që secili, veç e veç, dhe të gjithë bashkërisht, na ndërgjegjësojnë për huqet dhe sukseset e shtegtimit të njeriut nga stadet më të ulëta te civilizimit deri te paroksizmi i politikës, nebulozat e filozofisë. Në të gjithë këtë tentativë të zbërthimit të kuptimeve të dritëhijeve të ekzistencës njerëzore qëndron  etaloni themeltar i  gjakimit për harmoni. Kjo harmoni që niset nga shtatërrokëshi muzikor që nis e përfundon me bazën e pentagramit, sikur lypset që në këtë thjeshtësi përmbajtjesore, e në të njëjtën kohë qetësi  universi, të kërkohet vendi për rriten dhe ruajtjen e gjenit tonë kombëtar që u bëri ballë vorbullave historike gjithmonë duke e pasur parasysh pyetjen, ku ishim, a ishim vërtet pjesë e këtij amalgami njerëzor që ndër shekuj ndërroi ngjyrë duke u përzier me kultura që si lumenj na vërshuan. Ku nisi dhe ku u tret dhe prapë u ngjall ai fill i humbur në mugëtira të kohëve  në kërkim të vendit të merituar në agimet e civilizimeve. Sa plagoma apo shekuj drite u larguam nga shtegu fillestar- janë dilema që drithërojnë në faqet e këtij libri të çuditshëm të autorit  Kristaq F. Shabani; të gjitha këto pyetje së bashku nuk japin shpjegime por na qëllojnë, si flakë rrufesh, duke na detyruar të mendojmë se: kush ishim, ku ishim, kush jemi dhe kah po shkojmë. A mos kemi humbur, a mos e kemi gjetur vetveten në një vend të njëjtë e prapë ndryshe. Të gjitha këto janë pyetje që nuk ofrojnë përgjigje, tundime që na detyrojnë të reflektojmë për veten tonë, nëse nuk dëshirojmë të humbim nder rrudha, hone të harresës së historisë. Këto valë shqetësimi që si oqean i tërbuar i mbamendjes njerëzore e rrahin autorin duke e përplasur, por  duke mos e vrarë, sikur kanë qëllim që ai shqetësim të bartet te lexuesi dhe siç thotë filozofi spanjoll Miguel de Unamuno: “ Populli im të dua aq shumë,  sa me kënaqësinë më të madhe do të ta hapja zemrën dhe në të do të të fusja kripë që kurrë të mos jesh i qetë”. Kripa e veprës së Kristaq F. Shabanit, faqe pas faqe, na i përplas para syve të vërtetat që sa të lëndojnë aq të detyrojnë t’i hapësh sytë në kërkim të së vërtetës. Krijuesi nuk jep përgjigje, ai shpalos tema, të cilat ngrehin pyetje që secili nga ne duhet ta gjejë përgjigjen e vet.
Kjo materie edhe emërtimin e ka të çuditshëm, “Lodrimi  i madh i vdekjes”, neoroman dramë, dhe , pikërisht ky emërtim është udhërrëfyes drejt shpalosjes së mistereve të ekzistencës njerëzore në përgjithësi dhe kombëtares në veçanti. Kjo formë e shprehjes, sikur lë mundësi që pa humbë nga kuptimi  romani të lexohet qoftë nga gjysma, qoftë nga fillimi, për arsye se si përsëritet shtatënotësi muzikor, përsëritet dhe jeta e njeriut që modifikohet me pak, e ajo “pakës” në jetën e njeriut mund të prodhojë sa shumësi qoftë të mira, qoftë të këqija. Kjo formë e të shkruarit nuk kërkon pëlqim apo nuk ka synim pëlqimin. Kjo vepër synon të na shqetësojë dhe nga ky shqetësim intelektual të na shtyjë në aventurën e zbulimit të së vërtetës, sa për qenien njerëzore aq edhe për veten tonë.
Emrat që përdoren në këtë vepër kanë rastisë të jenë të vërtetë. Emrat e atyre që kanë pësuar në këtë rrugëtim të golgotës shqiptare, këtë i dinë familjaret e njerëzve të përmendur, qofshin ata  të gjallë apo që kanë pësuar. Për lexuesit që nuk i njohin këta emra nuk kanë ndonjë  kuptim të madh, por përjetimet e tyre e bartin emrin tyre. Dhe, siç thotë Zhak Derrida në studimin e tij, nga Levi Strosi deri te Rusoi : “Emri shëmbëllen shenjën për njohje. Gjatë identifikimit të të tjerëve, gjegjësisht duke i klasifikuar ata, ne e bëjmë edhe klasifikimin dhe identifikimin e vetes sonë”. Në këtë vepër , emrat e përveçëm qofshin ata burra apo gra dallojnë, e përbashkëta e të gjithë atyre është dhimbja, flijimi apo qëndresa. Pse autori i përmend emrat ? Sado që këta emra janë të vërtetë për ata që e njohin ngjarjen dhe mjedisin, ku ajo ngjarje ka ndodhë, për lexuesit që njihen për herë të parë me këtë ngjarje, emri është edhe një vulë në përforcimin e faktit, për të cilin bënë fjalë ngjarja. Edhe kjo mënyrë e shprehjes të së vërtetës është e mirëqenë në kuadër të formës së përzgjedhur të trajtimit të kësaj materie letrare. Përdorimi i emrave të vërtetë të njerëzve përputhet me metodën e postmodernizmit, ku pjesë, ngjarje nga historia trupëzohen në vepër si pjesë të romanit.
Gjatë leximit të veprës “Lodrimi i madh i vdekjes”    na përkujtohet ndjeshmëria që lindet nga leximi i veprave të antikes greko-romake. Ngjarjet që në të kaluarën e historisë së njerëzimit kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori dhe memorien e njerëzimit, ngjasojnë me ngjarjet që janë subjekt i kësaj vepre. Luljeta Sharani është një Hekubë e kohës tonë dhe jo vetëm aq, por shumë më e fuqishme se Hekuba e Trojës, gruaja e Prijamit, nëna e Hektorit të vrarë. Vaji i saj që në letërsinë botërore çmohet si një artikulim sublim i dhimbjes së nënës për të birin e vrarë në luftë është më pak i fuqishëm se dhembja e Luljeta Sharanit, Hektori kishte mundësi të luftojë për jetën e tij. Të bijtë dhe bashkëshorti i Luljeta Sharanit nuk e patën atë mundësi dhe pikërisht ekzekutimi i tyre rëndon shumë më tepër se vdekja e një luftëtari në fushëbetejë. Ne nuk i kemi njohur këta personazhe pikërisht pse ishin njerëz të rëndomtë që e kishin vetëm një faj – fajin se janë shqiptarë dhe se janë të gjallë. Ballafaqimi me një faj të këtillë, për sa mund të jetë faj të jetosh dhe të jesh ai që je, e spikatë egërsinë e vrasësve që e kishin humbur njerëzoren. Për ata që nuk i kanë njohur këta njerëz, viktima të pafajshme, tmerri se pafajësia e tyre u ka sjellë vdekjen është tmerr i pafund. Pikërisht kjo ngjarje e përkufizuar në këtë mënyrë dhe këtë formë, synon dhe ia arrin që t’i tejkalojë caqet e hapësirës fizike, ku ka ndodhë kjo, duke u bërë lament për viktimat e pafajshme dhe klithmë e fuqishme në mbrojtje të njerëzores dhe akuzë e pashlyeshme për të gjithë ata që ndonëse e kanë humbur njerëzoren pretendojnë të qeverisin me të tjerët, pavarësisht se në ç’vend, pavarësisht se në ç’kohë. Duke i stigmatizuar vrasësit autori nuk e mbron vetëm familjen Sharani veç të gjithë ata që kanë qenë viktima vetëm e vetëm se kanë qenë  gjallë dhe shqiptarë , i mbron edhe të gjitha viktimat që janë apo mund të janë në botë, ku mizoria e jonjerëzores e lufton njerëzoren. Në këtë vepër që është një vepër që i shqyen kufijtë e romanit tradicional, idenë e tij, përkushtimin për mbrojtje të njerëzores e mbështesin qoftë  fjalimet e Klintonit dhe Blerit,që u paraprinë  shpëtimtarëve lidhur me luftën e Kosovës,  qoftë shkrimet e Naxhije Doçit, Aristidh P. Kolja të gazetarit Kristos Telidhis, apo kolonelit Hajro Limaj e shumë dokumente tjerë, që janë pjesë përbërëse të këtij libri ngase, në këtë luftë për mbrojtje të njerëzores, nuk është vetëm autori i këtij libri, por janë të gjithë ata që në veprat e tyre, qofshin ato të vogla apo të mëdha, pulson ideja e mbrojtjes së njerëzores.
Nëna Terezë thotë: “ Për ta mbrojtur oqeanin duhet ta shpëtojmë pikën e ujit”, apo si e nisë Hemingueji romanin e tij Për kë bien kambanat : “ Nëse një njeri vdes njerëzimi është më pak për një njeri e duke qenë ti pjesë e njerëzimit me atë njeri vdes një pjesë jotja, prandaj mos pyet për kë bien kambanat”, mos pyet për kë këndohen sallat nga minaret e xhamive, ato kambana dhe ato salla bien për ty  dhe këndohen për ty njeri.   Nëse duam të jemi NJERI, nëse duam jetën ta bëjmë më njerëzore, të mundohemi që të ketë sa më pak kambana të vdekjes.
Maj, Prishtinë 2014.