Një vajzë e vogël shqiptare që jeton në Itali, i ka shkruar Papa Françeskut një letër, së cilës ai i është përgjigjur. Në fakt, Ati i Shenjtë u është përgjigjur disa letrave të fëmijëve nga e gjithë bota.

Në letrën e 6-vjeçares shqiptare, Prajla, Papa pyetet pikërisht nëse i ka pëlqyer të kërcejë kur ishte fëmijë dhe zbulon një sekret të tij. Ja si përgjigjet Papa.

Shumë e dashur, Prajla! Por shumë, shumë! Më pëlqente të rrija bashkë me fëmijët e tjerë, të luaja, por edhe të kërceja vallet tona tipike të Argjentinës. Argëtohesha shumë. Pastaj, kur isha djalë i ri më pëlqente të kërceja tango. Më pëlqen shumë tangoja. E sheh, të kërcesh do të thotë të shprehësh gëzim, alegri. Kur dikush është i mërzitur mund të kërcejë. Përgjithësisht fëmijët, kanë një resurs të rëndësishëm: ndihen të lumtur. Dhe prandaj kur je fëmijë, kërcen dhe kështu shprehet gazimi që është në zemër. Edhe mbreti i madh David, kur mori Jerusalemin duke e bërë Qytetin e Shenjtë, solli Arkën e Aleancës dhe filloi të kërcente para saj. Nuk u shqetësua për formalitetet, harroi që duhej të sillej si një mbret dhe zuri të kërcente si një fëmijë! Po Micol, gruaja e tij, duke e parë nga dritarja duke u hedhur dhe kërcyer, e përçmoi me zemër. Ajo grua ishte e sëmurë me seriozitet, unë e quaj “sindroma e Micol”. Njeriu që nuk mund të shprehë gëzim është gjithmonë serioz. Kërceni, sa jeni fëmijë, kështu që nuk do jeni shumë seriozë kur të rriteni!