Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Historia e Letersise Shqipe

Share

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
5.2 Shkrimtarët me prejardhje shqiptare që shkruan turqisht.



Një nga më origjinalët ndër poetët e hershëm të Perandorisë Osmane ishte Mesihi i Prishtinës(4) (rreth 1470-1512) i njohur në turqishtë si PriÕtineli Mesihi. Mendohet se ka qenë

__________________________________________________ _________________

1 Për islamizimin e Shqipërisë, kr. Arnold 1896, Rossi 1942, Stadtmüller 1955,
Skendi 1956b, dhe Bartl 1968.

2 kr. Kaleshi 1975.

3 Për historinë e letërsisë turke në Shqipëri, kr. Karateke 1995.

4 kr. Gibb 1902, vëll. 2, f. 226-256, Bombaci 1969, f. 330-333, Morina 1987, dhe Kaleshi 1991, f. 22-24.
__________________________________________________ _________________


shqiptar nga Prishtina, edhe pse duhet të ketë banuar në Stamboll që në moshë të njomë e më pas. Mesihi nuk qe vetëm një poet jashtëzakonisht i talentuar, por edhe një mjeshtër me talent për kaligrafi, dhe pati postin e sekretarit të Kadim Ali Pashës gjatë sundimit të Bajazidit II (sundoi 1481-1512). Një Õehr o—lani (djalë qyteti) qefli, sikundër e cilëson biografi Ashik Çelebi, Mesihinë mund ta gjeje më lehtë nëpër parqe e bahçe dëfrimi me miqtë dhe dylberët e tij sesa në punë. Ndonëse mënyra hedonistike e jetesës do t'ia ketë penguar përparimin në karierë, ai krijoi atë që mund të quhet si ndër më të mirat poezi osmane të kohës së vet. Më e përmendura është Murabba'-i bahar(5) (Odë për pranverën) e cila, pas botimit në përkthim latinisht më 1774 nga orientalisti Sër Uilliam Xhounz (Sir William Jones, 1746-1794), do të bëhej poezia më e njohur turke në Evropë për një kohë të gjatë. Ajo fillon kështu:

"Dinle bülbül kissasin kim geldi eyy~m-i bah~r
Kurdi her bir b~—da heng~me heng~m-i bah~r

Oldi s§m efs, ~n ana ezh~r-i b~d~m-i bah~r
'Ays, ã nãs, et kim geçer kalmaz bu eyy~m-i bah~r"


(Dëgjo bilbilin, ditët e pranverës kanë ardhur,
Stina e pranverës i ka gjallëruar tërë kopshtet,

Lulet e bajames lëshojnë rreze të argjendta,
Pi dhe bëj qef, se ditët e pranverës të ikën e të lënë.)

Më origjinale se 'Odë për pranverën' është poezia e Mesihisë Ôehr-engîz (Tmerri i qytetit), që pas pak kohe do të bëhej model i një gjinie letrare të re në poezinë osmane. Në 186 kupletet e tij ai i këndon bukurisë dhe nurit të dyzet e gjashtë djelmoshave të Edrenesë (Adrianopojës). Është kjo një kryevepër e poezisë turke të fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë që, me lojën e fjalëve dhe humorin therës, sjell një farë lehtësimi e shlodhjeje në mes të atij vërshimi të përgjithshëm të poezisë intelektualiste mistike. Mesihi pranon me humor se vjersha e tij është mëkatare, por edhe se ka besim që Zoti do ta falë: "Zemra ime bredharake është bërë aq shumë copash, saqë secila ka vajtur te njëra prej atyre bukurive."

Një shkrimtar tjetër i shekullit të gjashtëmbëdhjetë me prejardhje shqiptare ishte Jahja bej Dukagjini(6) (vd. 1575), i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Yahyâ bey ose TaÕlicali Yahyâ. Pinjoll i një fisi dukagjinas që banonte në alpet e zhveshura shqiptare në veri të lumit Drin, ai vetë doli nga krahina e Plevlës, tani në veri të Malit të Zi, dhe u dërgua në rini për të shërbyer si jeniçer. Ndryshe nga shumë të rinj shqiptarë të shkolluar në shërbim të Perandorisë Osmane, nuk e kishte lënë në harresë prejardhjen e tij shqiptare. Në njërën nga vjershat e tij thotë:


"Arnavud asli olub-dur aslim
Qili—iyla dirilür heb neslim
Nola ol .t~'ife-i š§r-efken
Qilsa š~hin gibi .tašliqda vat.an
Arnavud as. li olanda bu hüner
Aña beñzer ki ola .tašda güher"


__________________________________________________ _________________
5 kr. Rossi 1954.

6 kr. Gibb 1904, vëll. 3, f. 116-132, Bombaci 1969, f. 345-346, dhe Kaleshi 1991,
f. 19-22.
__________________________________________________ _________________


(Raca shqiptare është raca ime, Mbarë populli im mban shpatën pranë, Ata trima si petrita nuk e kanë për gjë Të ngrenë shtëpitë mes shkëmbinjve, Kjo është dhunti e racës shqiptare, Ata njerëz janë gurë të çmuar mes shkëmbinjsh.)

Jahja beu ishte ushtar trim e njëkohësisht shkrimtar i guximshëm. Ai nuk kishte frikë t'i dilte kundër opinionit publik ose t'ua prishte qejfin nëpunësve të oborrit me vargun e tij shpesh me frymë polemike. Një herë, i akuzuar nga Veziri i Madh pse kishte guxuar të shkruante një elegji për vdekjen e princ Mustafait, i cili qe ekzekutuar në Konjë nga i ati, sulltan Sulejman Madhështori (sundoi 1520-1566) më 1533, Jahja beu iu përgjigj me zgjuarësi: "Ne e dënojmë me Padishahun, por e vajtojmë me popullin". E prapëseprapë, meqë kishte bërë shumë armiq, e pa më të arsyeshme të tërhiqej në çifligun e tij afër Zvornikut në Bosnjë, ku, plak i moshuar në të tetëdhjetat e me divanin e tij në dorë për ta përfunduar, vdiq më 1575 [983 A.H.]. Nga pesë mesnevî të tij më e njohura është Shâh u gedâ (Mbreti dhe lypësi), për të cilën na thotë se e ka mbaruar brenda jo më shumë se një jave. Kjo poemë e çmuar shumë, e shkruar me vargje të rregullta, idealizon dashurinë e pastër për një djalosh nga Stambolli me bukuri të rrallë (i dhënë si mbret meqë mbretëron mbi zemrën e tij) nga dashnori i tij i përunjur (i dhënë si lypës për shkak të lutjeve plot dëshirë e mall). Ai ishte edhe autori i një divani gazelesh të përmendur më sipër, që përgjithësisht mendohet se janë më pak origjinale. Një tjetër poet turk me emër ishte i vëllai i Jahja beut, Ahmed bej Dukagjini, i njohur në turqisht si Dukagin-zâde Ahmed bey.


Me prejardhje shqiptare duket se kanë qenë të paktën tre prozatorë turq të vjetër. Ata janë Ajazi (Ayâs), autor i fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, i cili ka hartuar një kronikë të mbetur pa u botuar; Veziri i Madh Lutfi Pasha (vd. 1564), autor i një traktati për detyrat e shtetit; dhe Koçi Beu nga Korça, këshilltar i Sulltan Muradit IV (sundoi 1623-1640), traktati politik i të cilit për problemet shqetësuese të Perandorisë dhe rrugët për mënjanimin e tyre e bëri orientalistin e madh austriak Baron fon Hamer-Purgshtal (Baron von Hammer-Purgstall7 1774-1856) ta quante 'Monteskjë Osman'.

Gjatë pesë shekujve të bashkimit të dhunshëm me Perandorinë Osmane, Shqipëria do të nxirrte shumë burra të tjerë të mëdhenj, ndikimi i të cilëve mbi kulturën turke kurrsesi nuk qe anësor. Ndër ta ka qenë teologu dhe dijetari Hoxha Hasan Tahsin (1812-1881), i pari rektor i Universitetit të Stambollit; leksikografi dhe enciklopedisti Sami bej Frashëri (1850-1904), i njohur në turqisht si Shemsedin Sami (Ôemseddin Sami); poeti mbarislamik Mehmet Akif (1873-1936) nga Peja, autor i himnit kombëtar turk të vitit 1921; dhe Riza Tevfik (1868-1949), një nga filozofët më të mëdhenj turq të kohës.

Ndërkaq, për fat të mirë, në shekullin e tetëmbëdhjetë, energjitë krijuese të shqiptarëve osmanë filluan të rrjedhin edhe në drejtim të zhvillimit të gjuhës së tyre kombëtare.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
5.3 Letërsia e bejtexhinjve



Kalimi nga turqishtja, persishtja dhe arabishtja te shqipja si mjet i shprehjes letrare

__________________________________________________ _______________
7 kr. Hammer-Purgstall 1836-1838.
__________________________________________________ _______________


përfundoi në një shembull të asaj që njihet si letërsi Alhamiado, term spanjisht (aljamiado) ky që shënon një letërsi vendëse të shkruar me shkronja arabe e të ndikuar fuqishëm nga kultura islame. Letërsitë Alhamiado lindën kryesisht në Spanjë dhe Portugali gjatë periudhës maore si dhe në Bosnjë e në Shqipëri gjatë sundimit turk. Orvatjet e para në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë nga shkrimtarë shqiptarë të formuar në një kulturë islamike për t'u shprehur jo në gjuhët e Orientit, por në gjuhën e vet vendëse, ishin aq vendimtare dhe të rëndësishme sa edhe ç'kish qenë kalimi nga latinishtja në shqipe për krijimin e letërsisë së hershme shqiptare (në shekullin e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë).

Letërsia e bejtexhinjve(Cool, sikundër quhet kjo periudhë e shkrimeve shqiptare, përbëhet kryesisht nga poezi në shkrim arab. Tashmë sistemi i shkrimit arab u ishte përshtatur nevojave të turqishtes osmane(9) dhe po merrte trajtë për t'iu përshtatur sistemit fonetik më të përpunuar të shqipes, ose më saktë, dialekteve të shqipes në fjalë. Doli po aq i pakënaqshëm për shqipen sa edhe për turqishten pati dalë. Por oriental nuk qe vetëm shkrimi. Gjuha e bejtexhinjve ishte një shqipe aq shumë e ngarkuar me fjalë turqishte, arabishte e persishte, saqë shqiptarët sot e kanë shumë të vështirë ta lexojnë pa fjalor. Për më tepër ka të ngjarë që lexuesit e turqishtes klasike
që nuk dinë shqip, t'i kuptojnë më shumë e më mirë ato tekste sesa lexuesit e shqipes që nuk dinë ndonjë gjuhë orientale. Shtresimi i fjalorit të huaj që depërtoi në gjuhën shqipe të kësaj periudhe u përdor, së pari, për të shprehur tiparet e një feje të re dhe të një kulture të re, të cilat në fillim qenë krejt të panjohura e të huaja për shqiptarët. Së dyti, po me aq rëndësi të paktën
për krijimtarinë poetike, përdorimi i fjalorit tradicional arabisht dhe persisht lehtësoi shumë vargun me rimë dhe metrikë klasike, siç kishte ndodhur me poezinë turke osmane.

Poezia e bejtexhinjve u ndikua fort nga modelet letrare turke, persiane e arabe, që ishin në modë aso kohe në Stamboll e në Lindje të Mesme. Në shqipe do të haset shumica e zhanreve dhe formave zotëruese në vargun turk e persian. Në vjersha të veçanta apo në divane(10) gjejmë: murabba', vjershë në strofa katërvargjesh; ilahi (arab. ilâhî), himne fetare; kaside (arab. qasîde), ode më të gjata panegjirike të pëlqyera më fort nga arabët; dhe gazele (arab. ghazal), vjersha më të shkurtra, shpesh lirika dashurie, të pëlqyera më fort ndër turqit e persianët. Sistemi metrik qe kryesisht silabik ndonëse pati aty këtu orvatje për të futur metrat sasiorë(11). Përmbajtja qe shpesh fetare, ose intime meditative ose haptazi didaktike-moralizuese, për përhapjen e besimit. Karakteri kryesisht meditativ i kësaj poezie e merrte frymëzimin nga rrymat e Islamit: nga spiritualiteti autoritar Sunit deri te sferat e thella mistike të Sufizmit Shiit e më pas, deri te meditimet më liberale, ndonëse po aq mistike, të panteizmit bektashian. Kemi edhe poezi laike: lirika dashurie, vjersha kushtuar natyrës dhe poezi historike e filozofike në të cilat ndeshemi me meditime herë-herë ironike mbi të përpjetat e të tatëpjetat e qenies në një botë që është ekzotike si për vetë lexuesin e sotëm shqiptar po ashtu edhe për atë perëndimor.

__________________________________________________ _______________

8 Bejtexhi: term për poet popullor në traditën myslimane, nga turqishtja beyit, d.m.th. kuplet. Terma të tjera për këta rapsodë shëtitës ishin ashik, dhe në turqisht saz Õairleri
'poetë muzikorë'. Për burime të përgjithshme mbi këtë letërsi, kr. Kaleshi 1956, 1958, 1966-67, 1975, 1991, Myderrizi 1955c, 1959, 1965, Shuteriqi 1976, Salihu 1987, dhe Pirraku 1988.

9 Turqishtja shkruhej me alfabet arab deri më 1928.

10 Divani është një përmbledhje poezish orientale me një renditje të veçantë. Zakonisht nis me një lutje Allahut, vazhdon me vargje për dashurinë dhe kënaqësitë tokësore ose për çështje të fesë e të filozofisë, dhe mbyllet me ode panegjirike për Sulltanin ose sundimtarët e padronët vendorë.

11 kr. Rossi 1946, f. 243.
__________________________________________________ _______________

Letërsia e bejtexhinjve ka mbetur në dorëshkrime, që tani kanë humbur ose, në rastin më të mirë, nuk ka qenë e mundur të gjenden deri më sot. Një numër i paktë kopjesh të vona të dorëshkrimeve (për fat të keq, jo origjinalet) ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, por pjesa më e madhe e materialeve në dorëshkrim të ardhura deri në ditët tona ndodhen ende në duar privatësh, sidomos në ish-Jugosllavi. Nga dorëshkrimet e ruajtura është botuar fare pak. Për këtë arsye, shkrimet e bejtexhinjve përbëjnë një nga kapitujt më pak të njohur të letërsisë shqiptare.

Vjersha më e vjetër shqiptare në shkrim arab është një lutje humoristike për kafenë, që mban datën 1725 [1137 A.H.], dhe është shkruar nga një i quajtur Muçi Zade, djali i Muçit, për të cilin dihet se ka qenë plak kur e ka shkruar. Refreni i saj, Imzot, mos na lerë pa kahve, pa dyshim që u prek telat e zemrës shumë terjaqinve të kafesë. E zbuluar në një dorëshkrim nga Korça që tani ruhet në Tiranë, kjo vjershë përbëhet nga shtatëmbëdhjetë strofa katërshe me rimë AAAB. Është krijimi letrar më i vjetër në dialektin toskë e i shkruar brenda në Shqipëri, që njihet deri më sot.

Poeti i parë i madh ndër bejtexhinjtë është Nezim Frakulla(12) (rreth 1680-1760), i njohur edhe me emrat Nezim Berati apo Nezim Ibrahimi. Ai ka lindur në fshatin Frakull afër Fierit dhe jetoi një pjesë të madhe të jetës në Berat, qendër e lulëzuar e kulturës islame të kohës. Nezimi kreu studime në Stamboll, ku edhe shkroi për herë të parë poezi në turqishte, persishte dhe ndoshta arabishte, ndër to dy divane. Aty nga viti 1731 u kthye në Berat, ku dihet se hyri në një rivalitet letrar me vjershëtorë të tjerë të kohës, sidomos me Mulla Aliun, myftiun e Beratit. Midis viteve 1731 e 1735 ai krijoi një divan dhe poezi të llojeve të tjera në shqipe, si dhe një fjalor shqip-turqisht në vargje. Divanin origjinal nuk e kemi të plotë, por nga ai kemi kopje të rreth 110 vjershave. Disa nga vargjet e tij janë kompozuar, dhe nëpër shekuj disa këngë kanë ardhur gojë më gojë deri në ditët tona. Nezim Frakulla e thotë vetë se ishte i pari që shkroi një divan në gjuhën shqipe:

"Divan kush pat folturë shqip? Ajan e bëri Nezimi,
Bejan kush pat folturë shqip? Insan e bëri Nezimi.

Ky lisan qe bërë harab
Në gussa me shumë hixhab Shahid mjaft është ky kitab Handan e bëri Nezimi."

Me poezitë e Nezim Frakullës u njoh albanologu gjerman Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869), i cili botoi tetë vjersha(13) të tij më 1854. Emri i Nezim Frakullës u përfshi edhe në antologjinë e parë me vlerë të letërsisë shqiptare(14) më 1941, redaktuar nga Namik Ressuli (1908-1985) etj., i cili i kishte të vetat gjashtëdhjetë e dy fletë dorëshkrimi të divanit.
Në divanin e Frakullës përfshihen vargje me një gamë të gjerë, nga panegjirikët për

__________________________________________________ _________________

12 kr. Rossi 1946 dhe Myderrizi 1954.

13 kr. Hahn 1854, vëll. 2, f. 142-146.

14 Shkrimtarët shqiptarë. Pjesa I (1462-1878). Botim i Ministris s'Arsimit. Mbledhë e punue nën kujdesin e Ernest Koliqit, nga Namik Ressuli. Tiranë 1941, f. 107-109.
__________________________________________________ _________________

pashallarët vendorë dhe fushatat ushtarake deri te odet për miq e zotërinj padronë, vjersha për ndarjen dhe mallin për miqtë e dylberët, përshkrime të natyrës në pranverë, vargje fetare e, sidomos, lirika dashurie. Figurat e gazeleve të fundit, disa prej të cilave i kushtohen të nipit, janë ato të poezisë arabe, persiane e turke me shumë nga temat, metaforat dhe aludimet e tyre: dashuria si sëmundje që e bën poetin të lëngojë, dylberi shpirtkazmë me vështrimin që ta bën zemrën plagë, ose shërbëtori me një bukuri që e bën të zotin t'i përunjet në gjunjë.

"Më ke rop e të kam xhan. Shpirti im ashtu më rrush;
No më vra no më ban derman, Merr e sgjith cin të dush.
Qaj e qaj e po pëlcas,
Se mu ka mërzit dynjaja, Ne vetvetën dua t'a vras, Të shtëpoj nga sëvdaja.
Mbi gjith' këto hallë që kemi Dylberat' me goj' s'na flasin; Na qolet' e tynë jemi,
Makar le t'na vrasin."

Nezim Frakulla pati mbështetjen dhe mbrojtjen e Sulejman pashë Elbasanit dhe Ismail pashë Velabishtit, ky i fundit edhe vetë poet. Diku aty pas vitit 1747, pasi qe kthyer në Stamboll për të kërkuar punë, e dërguan në Hotin të Besarabisë (sot në Ukrainë), ka të ngjarë në internim. Atje ai hartoi disa kaside, njëra prej të cilave i këndon fermanit që i jepte leje për t'u kthyer në atdhe, kurse një tjetër e hartoi gjatë rrugës për në Berat duke kaluar nga Shkupi dhe Elbasani. Për mbërritjen në këtë të fundit, ku edhe vargjet e tij do të vazhdonin të kishin popullaritet për shumë kohë më pas, Frakulla thërret:

"Në Elbasan hym me gzim
Posi sheqer o Nezim."

Për shkak të ndonjë intrige me karakter politik ose të polemikave letrare, shpesh të acaruara, ku mori pjesë, Nezimi e ndjeu veten keq dhe iku nga Berati për të jetuar disa vjet në Elbasan. Me sa duket, pas kthimit tjetër në Berat, ka qenë i burgosur. Sidoqoftë, në moshë të thyer, vdiq nga kolera në burg, në Stamboll më 1760 [1173 A.H.].
Nezimi e quante veten jo vetëm si të parin poet që shkruante në gjuhën shqipe, por edhe mbahej si Sadiu dhe Hafizi i kohës së tij. Kasidetë e tij në shqipe, thotë ai, krahasohen me ato të Urfiut në persishte dhe Nefiut në turqishte. Për shumë specialistë krahasime të tilla janë të tepruara. Ndërkohë që Nezim Frakulla ishte pa dyshim njeri me iniciativë e talent, vargu i tij kurrsesi nuk arrin nivelin e përsosmërisë letrare të klasikëve persianë; nga ana tjetër, as përzierja e rëndë e shqipes, turqishtes dhe persishtes që ai përdori, nuk e ngriti deri në atë shkallë sa t'u afrohej atyre. Ndihmesa e tij qe se hodhi themelet për një traditë të re letrare në Shqipëri, traditë që do të zgjaste dy shekuj me radhë.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
Sulejman Naibi(15), i njohur edhe me emrin Sulejman Ramazani, ishte një bashkëkohës i talentuar i Nezim Frakullës. Ka lindur në Berat, ku jetoi edhe pjesën më të madhe të kohës, derisa vdiq më 1771 [1185 A.H.]. Për të dihet pak, përveçse që është martuar në Elbasan dhe që mendohet se ka kaluar një farë kohe në Lindjen e Mesme. Naibi është autori i një divani shqip

__________________________________________________ _________________

15 kr. Myderrizi 1957b.
__________________________________________________ _________________

në një dorëshkrim që arriti deri në vitin 1944 në Fier. Ky është ndoshta po ai dorëshkrim që thuhet se ka qenë në Berat më 1913. Për fat të keq, dorëshkrimit nuk iu bë ndonjë kopje para zhdukjes së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, e për pasojë poezinë e Sulejman Naibit e njohim vetëm nga disa vjersha të gjetura mes dorëshkrimesh të tjera ose nga çka ka mbetur gojë më gojë në këngët popullore të Shqipërisë së Mesme, siç është kënga Mahmudeja e stolisurë. Ndër ato pak vargje tetë- dhe dymbëdhjetërrokshe të botuara, gjejmë disa lirika të holla me një përpikëri metrike të plotë, lirika që përshkruajnë gëzimet e dashurisë dhe bukurisë femërore. Shqipja e tij është më pak e përzier me orientalizma se ajo e Nezim Frakullës. Madje, në njërën nga vjershat, Sulejmani e qorton Nezimin se e ka tepruar me fjalë turke.

Hasan Zyko Kamberi(16) ka lindur në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë në Starje të Kolonjës, një fshat në Shqipërinë e jugut rrëzë malit Gramoz. Për jetën e tij dimë vetëm se ka marrë pjesë në betejën turko-austriake të Smederevos në Danub në lindje të Beogradit më 1789 [1203 A.H.] në një ushtri nën komandën e Ali pashë Tepelenës (1741-1822). Vdiq si dervish, pa dyshim i sektit bektashi, në fshatin e lindjes në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Varri i tij në Starje të Kolonjës u kthye në tyrbe, e njohur aty si Tyrbja e Baba Hasanit.

Hasan Zykoja është një nga përfaqësuesit më kryesorë të traditës myslimane në letërsinë shqiptare, edhe pse vepra e tij më e rëndësishme, një mexhmua (përmbledhje vjershash) prej 200 faqesh është zhdukur. Thuhet se një dorëshkrim i kësaj përmbledhjeje ka qenë dërguar për botim në Manastir më 1908-1910, por deri tani nuk është zbuluar ndonjë gjurmë(17). Nga krijimtaria e tij pak ka ardhur deri në ditët tona, dhe ende më pak është botuar. Gjenden vetëm: një mevlud i shkurtër, d.m.th. vjershë fetare për lindjen e profetit Muhamed(18), rreth dhjetë ilahi, dhe përmbi pesëdhjetë vjersha laike.
Mevludi i Hasanit, djalit të Zyko Kamberit, siç e quan veten, është ndoshta nga të parat që janë hartuar në gjuhën shqipe dhe pa dyshim është ndikuar nga ai i poetit turk Sylejman Çelebi(19) (vd. 1422). Një kopje e mevludit të Hasan Zykos, prej pesëdhjetë strofash me katër vargje tetërrokësh me rimë ABAB, ruhet sot në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Si në këtë vepër ashtu edhe në vjershat e tjera fetare të tij, njëra nga të cilat i kushtohet historisë biblike të Abrahimit, Sarës dhe Hagar egjiptianit, ndiejmë talentin e një poeti që e njihte me themel teologjinë myslimane e bektashiane.

Poezia laike e Hasan Zykos mbulon një gamë të gjerë temash. Në tetërrokshin e tij Sefer-i hümâyûn (Fushata luftarake e mbretit) me tridhjetë e tre strofa, ai përshkruan se si mori pjesë në Betejën e Smederevos, që përmendëm më parë, dhe jep një pasqyrë realiste të vuajtjeve prej saj. Në Bahti im (Fati im) dhe Vasijetnameja (Amaneti), Hasan Zykoja u hedh një vështrim ironik e herë-herë të hidhur trilleve të fatit e sidomos fatkeqësive të jetës vetjake. Gjerdeku pasqyron zakonet martesore të fshatit. Këtu nuk kemi ndonjë idil baritor, por një pasqyrë realiste të ankthit dhe vuajtjeve të vajzave të reja që i martojnë të tjerët sipas zakonit pa e zgjedhur vetë shokun e jetës, si dhe vuajtjet e djemve të rinj, që detyrohen të shkojnë në kurbet për të nxjerrë bukën e gojës. Në lirikat e dashurisë, Hasan Zykoja vajton për konvencionet sociale që nuk i lejojnë ndjenjat e zjarrta e të natyrshme. Një kritik kosovar i tronditur, i ka

__________________________________________________ _________________

16 kr. Myderrizi 1955a.

17 kr. Shuteriqi 1976, f. 272.

18 kr. Kaleshi 1958, dhe Lamaj 1982.

19 kr. Engelke 1926 dhe MacCallum 1943. Mevlude vendëse ka edhe në gjuhët serbe, greke e çerkeze.
__________________________________________________ _________________

cilësuar ato si "një erotikë të çoroditur e banale"(20). Më e njohura nga të gjitha vjershat e tij është Paraja, një kritikë therëse ndaj korrupsionit feudal dhe njëkohësisht ndoshta poezia më e mirë satirike në letërsinë shqiptare para shekullit të njëzetë. Ajo nis kështu:

"Mbreti, q'urdhëron dynjanë, Që ka vënë taraphanë
E i presënë paranë, Ja di kimenë parasë.

Dhe veziri, q'është veqil, Zë sikur të bënet' adil
E mos thotë dot kaly-kil, Ja di kimenë parasë.

Sheh Islami, q'ep fetfanë, Që di qitapëtë ç'thanë, Nukë kaçirdis paranë,
Ja di kimenë parasë.

Myfti edhe myderizë Edhe kyrra e vaizë Kanë ujdisur' iblizë, Ja di kimenë parasë.

Dhe kadiu i mehqemesë, Që rri sipër sixhadesë, Edhe shehu i teqesë,
Ja di kimenë parasë...

Dhe pashallarë, bejlerë, Edhe avamë të tjerë,
Për para apënë krerë, Ja di kimenë parasë...

Kadiut, t'i rrëfesh paranë, Ters e vërtit sherianë,
Për para se ç'e shet t'anë, Ja di kimenë parasë..."

Vargjet e Hasan Zykos u bënë shumë popullore dhe u përhapën gojë më gojë në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Në parathënien për përkthimin e tij shqip të librit të parë të Iliadës së Homerit (Bukuresht 1896), Naim Frashëri do të thoshte: "Në mes të vjershëtorëvet të Shqipërisë ka zënë kryenë Hasan' i Zyko Kamberit". Gjuha e Hasan Zykos është më e zhdërvjellët dhe më origjinale se ajo e Nezimit dhe e Naibit gjysmë shekulli para tij dhe diçka
më pak e ngarkuar me fjalor oriental. Do të ishte i dëshirueshëm një botim shkencor kritik i veprave të tij.
Poezisë së Hasan Zyko Kamberit e madje asaj të Nezim Frakullës nuk i mungon kritika

__________________________________________________ _________________

20 kr. Hysa 1987, f. 238.
__________________________________________________ _________________

sociale, sikundër e pamë, por duhet të vijmë te poeti bektashi Zenel Bastari(21) që të gjejmë shprehjen e parë të vërtetë ideologjike të vetëdijes sociale në letërsinë e bejtexhinjve. Duke parë paaftësinë e dukshme në rritje të autoriteteve turke për të përballuar shembjen e Perandorisë Osmane, bejlerët dhe pashallarët feudalë të Shqipërisë zunë të hahen me egërsi përherë e më të madhe midis tyre që kush e kush të dilte mbi të tjerët. Dera e Bushatllinjve pati krijuar një principatë gati të pavarur në Shqipërinë veriore në fundin e shekullit të tetëmbëdhjetë, kurse pashallëku i Ali pashë Tepelenës (1741-1822) në Shqipërinë jugore dhe Greqinë veriore kishte arritur kulmin e fuqisë aty nga viti 1811. Në zonën e Tiranës haheshin me njëra tjetrën familjet feudale Jella dhe Toptani, grindje e luftë që Zenel Bastari e përjetoi dhe e pa me sytë e vet. Me
atë gjendje ekonomike që sa vinte e më tepër po bëhej e paqëndrueshme, dhe me ato kryengritje që po ktheheshin në ngjarje të zakonshme, viktimat kryesore te konfliktit social natyrisht që ishin klasat e ulëta të shoqërisë, të cilave u përkiste, me sa duket, ndryshe nga shumë bejtexhinj të tjerë, edhe Zenel Bastari.

Zenel Bastari, i quajtur edhe Zenel Hyka, ka lindur në fshatin Bastar afër Tiranës, ku dhe punoi si rrobaqepës apo punëtor krahu në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Nuk i dihen as përafërsisht datat e lindjes e të vdekjes. Për këto mund të gjykojmë vetëm duke u nisur nga një vjershë ku përmendet vrasja e Shemsedin Shemimiut (1748-1831) nga Fushë Kruja më 1831. Bastari qe autor i rreth dyqind strofave katërshe me tema sociale, fetare, humoristike e dashurore. Në vjershën Tirana jonë si mësoi ai dënon hapur shtypjen e njerëzve të thjeshtë nga çifligarët dhe pronarët e paskrupullt feudalë, temë e përhershme kjo në letërsinë shqiptare të shekullit të njëzetë. Vjersha Meti i Mlla Rexhepit është një portret humoristik, me sarkazëm therëse, i një nëpunësi e kleriku imoral e të korruptuar, një figurë stereotipe, ndonëse plotësisht realiste, që do të shërbente herë pas here edhe si objekt i pëlqyer i poezisë politike në letërsinë shqiptare të mëvonëshme.

Një tjetër element përbërës me rëndësi i veprave poetike të Zenel Bastarit ka qenë misticizmi panteist i fesë bektashiane. Edhe pse pati hyrë në Shqipëri prej jeniçerëve turq që në shekullin e pesëmbëdhjetë, vetëm në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë gjeti përhapje të gjerë në popullsinë e Shqipërisë jugore e të mesme. Teqetë e bektashinjve, sidomos ato të Krujës, Korçës, Konicës, Frashërit dhe Gjakovës, do të bëheshin pas pak kohe qendra të fshehta të kulturës, shkollimit, tolerancës dhe, njëkohësisht, të qëndresës kombëtare kundër sundimit turk. Talenti krijues i Bastarit u zhvillua nën ndikimin e Haxhi Ynçarit, një udhëheqës shpirtëror i sektit bektashi, për të cilin thuhet se kishte mjaft autoritet intelektual asokohe. Dhuntinë e poezisë ai e shihte si hidâyet-i hak (frymëzim hyjnor) që i jep mundësi të arrijë nur-in. Bastari predikon besimin e tij në vjershën me katërmbëdhjetë strofa katërshe Mbi bektashizmin, e cila nis kështu:

"Ashku i perverdigjarit
Më ka bamun mu shahir,
Nuri i Haxhi Ynçarit
S'e di punën ti zahir."

Lirikat e dashurisë të Bastarit, ashtu si ato të Nezim Frakullës, përmbajnë shumë nga figurat dhe metaforat standarde të gazeleve orientale, për shembull poeti që vuan nga zemra e lënduar, ose sëmundja e dashurisë që s'ka ilaç. Për dashurinë ai thekson Kjo hazine asht xhemal, hem gjynah e hem sevap (Ky thesar është përsosmëri, edhe mëkat edhe meritë).

__________________________________________________ _________________

21 kr. Gjyli 1961 dhe Hysa 1987b.
__________________________________________________ _______________

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
Bashkëkohësi i Bastarit Muhamet Kyçyku(22) (1784-1844) shënon kalimin nga poezia klasike e bejtexhinjve të parë te poetët e Rilindjes të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kyçyku, që njihet edhe me emrin Muhamet Çami, d.m.th. çam, ishte nga Konispoli. Ai studioi për teologji njëmbëdhjetë vjet në Kairo, ku dhe ishte vendosur një koloni shqiptare jo e paktë. Pasi u kthye në fshatin e lindjes, shërbeu si hoxhë dhe vdiq më 1844 [1260 A.H.].

Kyçyku ka qenë autor më prodhimtar në krahasim me të tjerët. Ai ka shkruar në dialektin e tij çam dhe, me sa duket, ka qenë i pari autor shqiptar që është marrë me poemën e gjatë. Ajo që e bëri të mos harrohet, është rrëfenja romantike në vargjen e njohur me emrin Erveheja, që në fillim mbante titullin Ravda (Kopshti), shkruar rreth vitit 1820. Kjo rrëfenjë poetike, me strofa katër vargjesh e tetërrokësh me rimë ABAB jep peripecitë e së bukurës Ervehe, e cila ia del mbanë të mbrojë nderin e virtytin e saj, duke kaluar shumë prova e fatkeqësi.


I shoqi i Ervehesë shkon në një vend tjetër dhe e lë të shoqen në kujdesin e të vëllait, i cili, megjithëse kishte dhënë fjalën, orvatet ta përdhunojë. Erveheja u bën ballë si joshjeve ashtu edhe kërcënimeve të tij se do ta vriste po të mos i jepej. Vëllai i tërbuar hakmerret duke e akuzuar Ervehenë se kishte tradhëtuar të shoqin dhe prandaj e dënojnë sipas ligjit të Kuranit për ta qëlluar me gurë për vdekje. Për mrekulli Erveheja shpëton nga goditjet, dhe një fisnik kalimtar, i cili dëgjon të qarat e saj, e merr nga zalli dhe e shpie në shtëpinë e vet tek e shoqja. Erveheja e merr veten, por fisniku që e shpëtoi bie viktimë e bukurisë së saj. Ajo kundërshton edhe propozimet e tij, duke i thënë se është
e martuar, gjë që mjafton për ta larguar. Më pas, një shërbëtor i shtëpisë përpiqet ta përdhunojë, por edhe ai sprapset. Ai merr hak duke vrarë djalin e fisnikut e duke akuzuar Ervehenë për këtë krim. Çështja sqarohet por fisniku, edhe pse i bindur për pafajësinë e saj, detyrohet të mos e mbajë më Ervehenë në shtëpi, por t'i japë katërqind para flori e ta largojë. Fatkeqësitë e Ervehesë së shkretë nuk marrin fund me kaq. Kur po endej përgjatë një bregut të një lumi, ajo has një vjedhës, të cilin do ta varnin ngaqë kishte grabitur katërqind para flori nga arka e mbretit. I vjen keq për të e i shpëton jetën duke i dhënë paratë e veta. Vjedhësi i vete pas dhe e kërkon për grua. Kur ajo nuk pranon, ai si mosmirënjohës, ia shet për skllave një kapiteni anijesh, i cili gjithashtu orvatet ta përdhunojë. Mu në atë çast ngrihet një shtrëngatë dhe i mbyt të gjithë përveç Ervehesë, të cilën deti e nxjerr në bregun e një qyteti të huaj. Një njeri fetar i jep rrobat e tij dhe, e veshur si burrë, ajo i paraqitet mbretit të vendit, i cili e pret me ngrohtësi dhe i jep një shtëpi. Aty ajo përkujdeset për të sëmurët e të verbërit, dhe bëhet objekt respekti e nderimi për punët e mira që bën. Madje, kur mbreti vdes, Ervehenë e zgjedhin për trashëgimtar. Një ditë, në oborrin e saj vijnë pesë të huaj: i shoqi me të vëllanë, fisniku shpëtimtar, shërbëtori dhe vjedhësi, këta tre të fundit të verbër tani. Erveheja u premton t'i shërojë nëse i rrëfejnë të gjitha mëkatet. Kësisoj dalin në dritë të gjitha padrejtësitë kundër Ervehesë, e cila tani i shfaqet të shoqit si grua e ndershme dhe e virtytshme, ashtu sikundër kishte qenë gjithmonë.

Ideja e kësaj historie moralizuese për "virtytin e femrës" ndeshet mjaft në letërsinë orientale dhe në atë perëndimore. Ka të ngjarë që burimi i variantit poetik të Kyçykut të kësaj historie të jetë Tûtî-nâme-ja persiane (Rrëfenja e një papagalli) e Zijaudin Nakshabit (Ziyâ'uddîn Nakhshabî), e frymëzuar nga origjinali sanskritisht Shukasaptati. Teksti shqip prej

__________________________________________________ _________________

22 kr. F. Fishta 1940b, Rossi 1948, Myderrizi 1951a, 1957a, Hetzer 1983b, 1984a, dhe Vehbiu 1989.
__________________________________________________ _________________

shtatëmbëdhjetë faqesh përbëhet nga 856 vargje dhe ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë(23). Ajo është edhe nga të rrallat vepra të bejtexhinjve të botuara në shekullin e nëntëmbëdhjetë, ndonëse në një variant të ndryshuar. Publicisti rilindës Jani Vreto (1822-1900) jo vetëm e transliteroi dhe e botoi Ervehenë në Bukuresht më 1888, por edhe e përshtati për shijet e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, duke e parë të arsyeshme edhe ta pastronte nga fjalori turqisht, persisht e arabisht. Megjithatë, varianti i parë origjinal është më i kuptueshëm dhe ruan karakterin narrativ të pastolisur të një historie poetike, ndërsa varianti i Vretos rreket ta paraqesë veprën në një formë më epike me epitetet përkatëse.

Erveheja nuk është e vetmja vepër e Kyçykut e ardhur deri në ditët tona, ndonëse për shumë vjet nuk njihej tjetër përveç saj. Pjesa më e madhe e mbi 4000 vargjeve (rreth 200 faqe) që kemi prej tij, janë zbuluar në këta pesëdhjetë vjetët e fundit. Vepra tjetër e Kyçykut është Jusufi e Zelihaja, një rrëfenja moralizuese me 2430 vargje, mbështetur në historinë biblike të rrëfyer në Zanafilla 39 dhe në suren e dymbëdhjetë të Kuranit, mbi përpjekjen e gruas së padronit egjiptian Potifar për të joshur e bërë për vete djaloshin e hijshëm Jusuf. Kjo 'më e bukura rrëfenjë', siç e quan Kurani, ka shërbyer si motiv i përbashkët për letërsitë arabe, persiane e turke. Ajo ishte marrë dhe përshtatur, në veçanti, nga poeti epik persian Firdusi (Firdausî, rreth 935-1020) dhe më pas nga autori mistik Xhami (Jâmî, 1414-1492) në poemën Jusufi dhe Zelihaja. Jusufi biblik është, në disa pikëpamje, kolegu mashkullor i Ervehesë.

Edhe ai vuan shumë në duart e familjes së tij e të armiqve dhe po ashtu u qendron me vendosmëri joshjeve të gruas së zotnisë së vet për të mbetur i ndershëm e i virtytshëm. Jusufi dhe Zelihaja e Muhamet Kyçykut dëshmon për një nivel më të lartë letrar se Erveheja. Gjuha e saj është më e pasur dhe mjaft nga pjesët përshkruese i kapërcejnë caqet e një rrëfimi të thjeshtë. Ajo gjithashtu mbështetet më shumë në analizën e karaktereve si mjet për të dhënë dramaticitetin e situatës, sidomos kur është fjala për ndjenjat e zjarrta të Zelihasë së dashuruar.

Muhamet Kyçyku është autori i një radhe vjershash të tjera të shquara, në njërën prej të cilave, me 348 vargje në strofa katërshe me nga tetë rrokje, që zakonisht titullohet Bekriu, autori mysliman i saj dënon pijen e rakisë e të verës. Në këtë vjershë përmendet emri i autorit dhe viti 1824 [1239 A.H.], çka na bën të mendojmë se është vepra më e hershme e Kyçykut që mund të datohet me saktësi. Një poemë historike, e cila mban datën 1826 [1241 A.H.], përpjekje e Kyçykut për të rrahur tema më epike, u këndon fushatave të Ibrahim Pashës (1789-1848), bir i gjetur i Muhamed Aliut, sundimtar i Egjiptit, gjatë luftës greke për çlirim. Ajo përmban, ndër të tjera, përshkrime të betejave të Athinës dhe Misolongjit (1822). Një poemë me 100 vargje, e njohur me titullin Gurbetlitë merret me hallet e atyre shqiptarëve që detyrohen të lënë atdheun
për të kërkuar punë e jetë më të mirë jashtë vendit, temë kjo që do të rimerret nga shumë vepra të letërsisë shqiptare të mëvonëshme. Kyçyku, që, sikundër theksuam, jetoi dhe studioi për njëmbëdhjetë vjet në Egjipt, ia kushtoi energjitë e veta edhe përkthimit të letërsisë fetare nga arabishtja në turqishte. Nga këto kemi variantin shqip të Qasîdatu'l-Burda (Odë për xhyben) të poetit arab me prejardhje berbere Al-Busiri (Al-Busîrî, vd. 1296), një panegjirik klasik për profetin Muhamed.

Tahir Boshnjaku(24), i quajtur edhe Tahir efendi Gjakova apo Efendiu i Madh, ka qenë një shkrimtar nga Gjakova në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kreu studimet për teologji në Stamboll dhe u kthye në Kosovë e dha mësim në 'Medresen e vogël' në Gjakovë. Emri Boshnjaku ose shënon se kishte ardhur nga Bosnja ose të paktën nga krahina e Plavës dhe Gucisë, asokohe pjesë e Bosnjës, ose ai i kishte vizituar mjaft ato vende. Sidoqoftë, ai është autori i një vepre me 328 vargje me titullin Vehbije (Blatim) ose Emni Vehbijje datuar 1835 [1251 A.H.], një përmbledhje vargjesh

__________________________________________________ _________________

23 Dorëshkrimi nr. III F 36.

24 kr. Kaleshi 1956, 1966-67, dhe Ajeti 1960 dhe 1962.
__________________________________________________ _________________

të rregullta me metrikë arabe, ku janë ndërfutur pjesë në prozë, që trajtojnë çështje fetare dhe filozofike, si fjala vjen kotësia e qenies, parajsa dhe ferri, detyrat e njeriut dhe vendi i dijes. Kjo u transliterua keq në alfabetin e Stambollit nga një i quajtur Ismail Haxhi Tahir Gjakova dhe u shtyp në Sofje më 1907.
Prirja për poema të gjata dhe fillime të poemës epike, që u vu re te Muhamet Kyçyku, u zhvillua më tej nga dy vëllezër prej fshatit Frashër në Shqipërinë jugore. Dalip Frashëri(25) që ishte një dervish bektashi e që pati marrë mësime në teqen e njohur bektashiane të Frashërit, të themeluar më 1824-1825 nga Tahir Nasibiu (vd. 1835). Nasibiu e dërgoi nxënësin e tij në Konicë, ku Dalip Frashëri u vu vetë në krye të një teqeje dhe shkroi një poemë epike shqip. Kjo poemë me 65000 vargje me titullin Hadikaja (Kopshti), e shkruar me pseudonimin Hyxhretiu (i mërguari), u përfundua më 1842 [1258 A.H.]. Ajo është mbështetur në një vepër me po atë titull të poetit azerbajxhanas Fuzuliu (Fuzûlî, 1494-1556), përfaqësuesi më i madh i divaneve lirike turke. Hadikaja shqiptare, e ndarë në dhjetë këngë përveç hyrjes dhe mbylljes, është sa dyfishi i variantit azer-turqisht dhe përbën poemën e parë epike të vërtetë në gjuhën shqipe. Ajo është hartuar kryesisht në strofa katërshe me vargje tetërrokësh me rimë ABAB, herë-herë të ndryshuar me vargje gjashtërrokëshe.

Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë(26). Hadikaja trajton jo vetëm historinë e bektashizmit në Shqipëri, por ashtu si Hadîqatû
as-su'adâ e Fuzuliut, edhe ngjarjet e historisë myslimane shiite, sidomos Betejën e Qerbelasë në Irak në vitin 680 të erës sonë, në të cilën u vra Huseini, nipi i profetit Muhamed. Vëllai më i vogël i Dalipit, Shahin bej Frashëri, gjithashtu provoi të shkruajë një poemë epike me temë bektashiane. Myhtarnameja (Historia e Myhtarit) e tij prej 12,000 vargjesh, e pabotuar deri më sot, trajton gjithashtu historinë myslimane shiite dhe Betejën e Qerbelasë, në të cilën Myhtari qe një nga pjesëtarët. Kjo poemë, nga e cila njihen disa kopje, u përfundua më 1868 dhe duket se është mbështetur në një origjinal persian e është ndikuar nga një variant i ndërmjetëm turqisht. Poeti i Rilindjes Naim Frashëri (1846-1900) që, ndonëse nga i njëjti fshat, nuk kishte lidhje gjaku të drejtpërdrejtë me vëllezërit e sipërpërmendur, duket se ka qenë frymëzuar nga Hadikaja dhe Myhtarnameja në krijimin e poemës epike me temë bektashiane Qerbelaja, Bukuresht 1898. Të dyja këto vepra janë cituar shpesh nga historianët e letërsisë, sidomos kur ka qenë fjala për Naim Frashërin, por rrallë në mos fare janë lexuar vërtet, përderisa vetëm disa fragmente të shkurtra nga Hadikaja janë botuar deri tani. Një botim kritik shkencor i këtyre dy poemave do të ndihmonte që të vlerësoheshin ato dhe autorët.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
5.4 Shkrimtarë minorë të periudhës



Njihen një numër poetësh të tjerë të hershëm myslimanë, veprat e të cilëve kanë ardhur vetëm pjesërisht deri në ditët tona ose nuk kanë ardhur fare. Dervish Hasani nga Krusha e Vogël afër Rahovecit në Kosovë, që ka jetuar aty nga fundi i shekullit të shtatëmbëdhjetë, është autori i poezisë më të vjetër shqipe me shkrim arab të shkruar në Kosovë. Ai qe dervish në teqenë e madhe halvetie në Rahovec, të ngritur nga sheh Sulejman Ejup Dede i Potoçanit në vitet 1680. Nga vargjet e tij mistike pak gjë ka mbetur. Sulejman Temani, poet dhe sheh halveti nga Berati, është gjithashtu autor i disa vjershave me temë fetare. Haxhi Ymer Mustafa Kashari nga Tirana, lindur në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë, ka shkruar vjersha me temë

__________________________________________________ _________________
25 kr. Myderrizi 1955b.

26 kr. Shuteriqi 1976, f. 226-228.
__________________________________________________ _________________

fetare në shqipe dhe turqishte. Vargjet e tij, edhe pse të mbingarkuara me orientalizma, përbëjnë dokumentin më të vjetër të dialektit tiranas. Ka ardhur deri në ditët tona një ilahi me tetëmbëdhjetë vargje nga Mulla Beqiri, myfti i medresesë së Vushtrrisë në Kosovë, që ka jetuar nga mesi i shekullit të tetëmbëdhjetë apo fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, po kështu edhe dy vjersha dashurie nga Omer efendi Sadedini prej Shqipërisë jugore. Nga qendrat kulturore myslimane të lulëzuara të Beratit e Elbasanit kemi informacione mbi disa bashkëkohës të Nezim Frakullës. Ismail pashë Velabishti nga Berati, të cilin e kemi përmendur më sipër si patron të Nezimit e që është vrarë më 3 gusht 1764 në Vlorë, na ka lënë një vjershë me vargje tetërrokëshe të shkruar gjatë kohës që ishte komandant i kalasë në Lepanto, e ku shpreh mallin për atdheun. Nga Elbasani kemi vjershat e Ibrahim Elbasanit dhe Sulejman pashë Vërlacit, i njohur edhe si Sulejman Pashë Elbasani. Nga Shkodra njihet Mulla Salih Pata, i cili shkëlqeu në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë si poet në oborrin e Bushatllinjve.

Ai është autor bejtesh satirike, dy prej të cilave ia kushton Kara Mahmud pashës. Po në oborrin e Bushatllinjve ishte pa dyshim bashkëkohësi i tij Mulla Hysen Dobraçi nga Shkodra, që ndoshta është i njëjtë me një Hysen efendi Shkodra, autori i poezisë kushtuar qëndresës shqiptare kundër sundimit turk. Folkloristi dhe shkrimtari Zef Jubani (1818-1880), i cili ka botuar një pjesë të vargjeve të Dobraçit në librin e tij Raccolta di canti popolari e rapsodie di poemi albanesi, Trieste 1881 (Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare), e quan atë 'Anakreoni shqiptar'. Vjersha më e mirënjohur e Dobraçit i këndon betejës së Kara Mahmud pashës kundër forcave turke të komanduara nga Ahmed pasha në Berat më 1785. Një autor anonim nga Gjirokastra(27) gjithashtu na ka lënë një vjershë për mësymjen që i bëri qytetit Ali pashë Tepelena (1741-1822) aty nga viti 1793.


Edhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë u krijuan shumë vjersha sipas traditës myslimane me tema fetare e disa historike nga autorë për të cilët kemi shumë pak të dhëna. Elmaz Gjirokastriti (28) ka qenë autori i një vjershe me nëntëdhjetë e dy vargje me titullin turqisht Evvel hastalik (Sëmundja e parë), e cila flet për epideminë që përfshiu krahinën e Gjirokastrës më 1817. Është shkruar më 1820 dhe ruhet në një dorëshkrim të ardhur nga Gjirokastra. Haxhi Etëhem bej Tirana (1783-1846), i njohur edhe si Etëhem bej Mollai, ka qenë autor poezie mistike bektashiane e i një divani shqip, nga të cilat nuk ka mbetur kurrgjë, si dhe i katër divanëve turqisht. Ai ka vdekur në Tiranë dhe është varrosur në xhaminë që edhe sot mban emrin e tij në qendër të kryeqytetit shqiptar. Një poet tjetër me frymëzim bektashian ka qenë Baba Abdullah Melçani (vd. 1852), që ka themeluar teqenë e madhe të Melçanit afër Korçës dhe ka marrë pjesë aktive në lëvizjen kombëtare. Nga vjershat e tij mistike shqip, vetëm njëra kushtuar legjendarit Sari Salltëk Baba (29) ka ardhur deri në ditët tona. Mulla Dervish Peja, i njohur edhe me emrin Dervish efendiu i Pejës, ka qenë një figurë fetare e nderuar në fillimin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, i njohur në traditën gojore për urtësinë e shprehur në bejtet dhe thëniet e tij. Ka mbetur vetëm një nga vjershat. Kurse nga vargjet fetare të Ahmet Elbasanit, sheh nga Elbasani, nuk është gjetur asgjë. Hysen Bitri, një poet nga kryeqendra bektashiane e Krujës, ka qenë autori i tri vjershave fetare shqip të shkruara para vrasjes së udhëheqësit shpirtëror Shemsedin Shemimiu (1748-1831) nga Fushë Kruja më 1831. Poeti Asllan bej Puçe (1807-1830) ishte djali i Ago Myhyrdarit, sekretar i Ali pashë Tepelenës. Ai vdiq njëzet e tre vjeç në masakrën e Manastirit më 30 gusht 1830 bashkë me krerët e tjerë shqiptarë. Asgjë nuk ka mbetur nga krijimet e tij. Po nga Shqipëria e jugut ka qenë Abdullah Sulejman Konispoli,

__________________________________________________ _________________

27 kr. Myderrizi 1959.

28 kr. Myderrizi 1957b.

29 Mbi legjendën e Sari Salltëkut, kr. Kaleshi 1971a.
__________________________________________________ _________________


autor i një mevludi në dialektin çam, të shkruar rreth vitit 1831 e që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, si dhe i vjershave të tjera përfshirë përkthime poezish nga arabishtja dhe turqishtja. Ahmet Tusi, një sheh i sektit rufai, ka lënë disa vargje me tema fetare aty rreth vitit 1836. Pak gjë dihet për Ismail Floqin nga krahina e Korçës, përkthyes i një mevludi (30), dhe për poetin Jonuz efendi Sabriu. Tahir Nasibiu (vd. 1835) ka qenë themeluesi i teqesë bektashiane të Frashërit më 1824-1825. Për të thuhet se ka shkruar poezi shqip, persisht dhe turqisht, por asgjë nuk ka ardhur deri në ditët tona. Poezi me interes historik ruhen nga Mulla Fejzo Abdalli (31) prej Gjirokastre, autor i një vjershe të datuar 1841 [1257 A.H.] për luftën kundër një pashai turk gjatë mbretërimit të Sulltan Mahmudit II (sundoi 1808-1839), dhe nga Demir Vlonjati (vd. 1845), i njohur edhe me emrin Demir aga Vlonjakasi, autor i një vjershe me vargje tetërrokësh me nëntëmbëdhjetë strofa katërshe të datuar 1845 [1261 A.H.], në të cilën ai dënon një masakër të kryer atë vit nga forcat turke dhe vuajtjet që pësoi Shqipëria nga reformat e Tanzimatit.

Një traditë letrare e çuditshme në Orient ka qenë ajo e fjalorëve në vargje. I pari fjalor i tillë shqip-turqisht, sikundër thamë, ka qenë ai i shkruar nga Nezim Frakulla. Në vitin 1835 [1251 A.H.], Shemimi Shkodra apo Shemimiu nga Shkodra përfundoi një fjalor shqip- turqisht (32) me rreth 1000 zëra me titull Nytkë (Ligjërim). Sipas autorit, ishte hartuar për t'u shërbyer nevojave të ushtarëve turq në Shqipëri dhe të shqiptarëve që nuk dinin turqisht. Dialekti i shqipes është ai i Shkodrës i përzier me elemente nga e folmja e Beratit, gjë që na bën të hamendësojmë se autori ka jetuar në Berat për ca kohë. Këtë interes për leksikografinë ndjek në traditën e shekullit të tetëmbëdhjetë Myslim Hoxha nga fshati Levan afër Fierit, i cili ka qenë autor i një përshtatjeje në gjuhën shqipe e Tyfhe-i Shâhidî (Dhuratë e Shahidiut), një fjalor persisht-turqisht i hartuar më 1514 [920 A.H.] nga Ibrâhîm Shâhidî Dede, një dervish mevlevi nga Mughla, që vdiq më 1550 [957 A.H.]. Ai përmbante disa mijëra zëra. Tekstet shqipe në prozë me shkrim arab kanë qenë jashtëzakonisht të rralla. Një i tillë, që mban datën 1840 [1256 A.H.], është përkthim i një teksti fetar nga arabishtja prej Mehmet Iljaz Korçës. Kjo vepër është një dorëshkrim me prejardhje nga Korça dhe u zbulua më 1953, kurse tani ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.




5.5 Përfundime



Bejtexhinjtë shqiptarë, në përgjithësi, nuk qenë poetë të nivelit të klasikëve persianë e arabë, aftësia e lartë letrare artistike e të cilëve vinte pas një mijëvjeçari qytetërimi oriental të zhvilluar. Megjithatë, ata qenë rapsodë me talent e me forcë krijuese që shkruan një letërsi të re shqiptare të mbështetur në traditat islamike të Orientit, por edhe një gjuhë letrare të re, sado ende të papërpunuar. Letërsia shqiptare u shkrua me shkrim arab për më se dy shekuj. Ajo lulëzoi gjatë gjithë shekullit të tetëmbëdhjetë dhe gjysmës së parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë derisa dalëngadalë u zëvendësua nga letërsia e romantizmit e periudhës së Rilindjes Kombëtare, e shkruar kryesisht me alfabetin latin. Në fazat e para, poezia e bejtexhinjve, ashtu si një pjesë e mirë e vjershërimit

__________________________________________________ _________________

30 kr. I. Floqi 1938.

31 kr. Myderrizi 1957b.

32 kr. Myderrizi 1951b dhe Rossi 1951.
__________________________________________________ _________________


divan osman, ishte kryesisht letërsi e dijeve dhe e mjeshtërive. Si e tillë, ajo mbeti mjet i drejtuar ndaj interesave të një pakice elitë, qoftë shoqërore, klerikale apo politike. Me kalimin e kohës, ajo e humbi aftësinë për të shprehur ëndrrat dhe aspiratat e popullit shqiptar. Venitja e traditës myslimane në letërsinë shqiptare erdhi krahas kalbëzimit të Perandorisë Osmane dhe lindjes së lëvizjes kombëtare shqiptare gjatë së cilës shqiptarët zunë t'i kthejnë shpinën gjithshkaje që ishte osmane dhe orientale. Turqishtja ishte gjuha e pushtuesit, kurse shkrimi arab erdhi e po shihej nga shumë si tipar i invadimit kulturor të huaj ndaj një populli që dalëngadalë po zgjohej e po luftonte për vetëvendosje. Vetëm një alfabet perëndimor, ide perëndimore e, si pasojë, edhe një letërsi më fort e orientuar nga Evropa mund ta ndihmonte Shqipërinë për t'i bërë ballë asimilimit kulturor nga ana e turqve. Si rrjedhim, letërsia e bejtexhinjve mori qëndrim të kundërt dhe shfaqi në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë një orientim edhe më të madh fetar, sidomos në traditat kulturore bektashiane. Madje kjo letërsi erdhi e hyri edhe në shekullin e njëzetë. Tradita myslimane vazhdoi sidomos në Kosovë, ku deri në vitin 1947 shkruheshin ende vargje me shkrim arab.

Nga të gjitha periudhat e shkrimeve letrare shqiptare, ajo e bejtexhinjve mbetet ndoshta më pak e njohura, si nga studiuesit ashtu edhe nga lexuesit shqiptarë. Dorëshkrimet, sikundër u tha më sipër, në pjesën më të madhe kanë humbur ose nuk gjenden më, dhe ka një mungesë të dukshme specialistësh të kualifikuar, të aftë për t'u marrë me atë që mund të gjendet. Sot nuk ka fare specialistë shqiptarë me njohje të mjaftueshme të osmanishtes e të shkrimit arab, kurse shumë të paktë janë orientalistët e huaj me njohje të mjaftueshme të shqipes, që mund ta trajtojnë me kritere shkencore këtë letërsi. Ajo nuk pati gëzuar ndonjë interesim të veçantë të kritikëve dhe lexuesve në Shqipërinë socialiste për shkak të përqëndrimit kryesisht në tema fetare, autorësisë elitare, konvencioneve klasike e formës së huaj (gjuha e pushtuesit). Për lexuesin e sotëm gjuha e asaj letërsie, përzierje e shqipes, turqishtes dhe persishtes, është tejet e mbingarkuar dhe e mërzitshme, për të mos thënë më tepër. E, megjithatë, letërsia myslimane e shekujve të tetëmbëdhjetë e nëntëmbëdhjetë është pjesë përbërëse e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, element që mbetet për t'u vlerësuar siç duhet e madje, në një masë të madhe edhe për t'u zbuluar.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
6. TRASHËGIMIA E BIZANTIT.

SHKRIMET NË TRADITËN ORTODOKSE NË SHEKULLIN XVIII DHE NË FILLIMIN E SHEKULLIT XIX





6.1 Përçarje në identitetin kulturor



Para inkursioneve turke të fundit të shekullit të katërmbëdhjetë Shqipëria shpesh kishte qenë kufiri midis sferave antagoniste të ndikimit të katolicizmit roman dhe ortodoksizmit grek. Edhe pse si rrjedhojë e kryqëzatave disa zona të Shqipërisë veriore e në veçanti portet e Adriatikut nën ndikimin në rritje të Serenissimas i kthyen sytë nga Roma, pjesa më e madhe e Shqipërisë qendrore e jugore mbeti bizantine. Edhe sot e kësaj dite shqiponja dykrerëshe e Bizantit, simbol i kësaj trashëgimie, zbukuron flamurin shqiptar.

Ashtu si në lashtësi, vetë grekët e kohës së Bizantit nuk patën kurrë ndonjë interesim të veçantë për 'barbarët' jogreqishtfolës të Perandorisë, dhe nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi se banorët e egër malësorë të Shqipërisë përbënin shembullin më të mirë të atyre që për ta ishin barbarë jashtë kufijve të qytetërimit helen. Edhe pas pushtimit osman të Evropës dhe rënies së Perandorisë së Bizantit, popullsia greke e Ballkanit jugor nuk ishte zhveshur plotësisht nga trashëgimia perandorake e dy mijëvjeçarëve, për të cilat ajo ishte krenare. Pavarësisht nga nënshtrimi i dhunshëm ndaj sundimit turk, midis grekëve mbretëronte një farë vazhdimësie idesh dhe zakonesh, të ushqyera në veçanti nga kisha ortodokse, vetë kuintesenca e madhështisë së venitur bizantine. Në Shqipërinë e jugut dhe Epir, që gjatë shekujve të sundimit turk e deri në ditët tona kanë pasur një popullsi të përzier folësish shqiptarë, grekë e aromunë, Kisha ortodokse mbeti shprehje e qytetërimit grek dhe iu përkushtua tërësisht gjuhës greke si mburojë kulturore kundër hordhive pushtuese të Islamit. Të ishe i fesë ortodokse do të thoshte të ishe grek, ashtu si të ishe i fesë islame do të thoshte të ishe turk. Në secilën prej këtyre kulturave pak vend kishte për zgjimin shkallë-shkallë të aspiratave kombëtare shqiptare. Kështu që shqiptarët e shkolluar në traditën greke do të orientoheshin doemos drejt gjuhës dhe kulturës greke. Përdorimi i shkrimit grek për të shkruar gjuhën e folur nga shqiptarët shihej nga kisha ortodokse si tepër i panevojshëm dhe më vonë shpesh edhe si herezi.




6.2 Shqipja me alfabet grek e me alfabete të tjera



Në shekullin e tetëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, prapëseprapë gjejmë një numër dokumentesh në gjuhën shqipe, të shkruara e të ruajtura në alfabetin grek, që dëshmojnë se interesimi për të shkruar shqipen kurrsesi nuk qe shuar në këtë kulturë të përzier. Këto vepra, nga të cilat pak janë botuar, përfshijnë përkthime nga letërsia fetare ortodokse, fjalorë dhe shënime për gramatikën e gjuhës shqipe. Edhe pse ato nuk janë letërsi artistike si e tillë, në rrethana të tjera, ato mund të kishin hedhur themelet e një tradite të re letrare në Shqipëri (1).

Alfabeti grek ka qenë krijim i grekëve të lashtë, i ndikuar në një periudhë fillestare të historisë së tyre nga fenikasit, dhe u formësua për t'iu përshtatur sistemit tingullor të gjuhës së tyre. Ai vazhdoi të përdorej për greqishten e re ndonëse shumë nga shkronjat e këtij alfabeti ishin bërë të tepërta në rrafsh sinkronik si pasojë e ndryshimeve fonologjike në shekuj. Kur përshtatej për gjuhën shqipe, ky sistem shkrimi nuk kishte shkronja të tepërta, por vetëm ato të gabuarat. Për shembull në shkrimin grek është e pamundur të bëhet dallim midis s dhe sh ose z dhe zh, ose të shprehen bashkëtingëlloret c, xh, gj, q të shqipes, ose zanorja asnjanëse ë. Por, natyrisht, me vullnet bëhet gjithçka, dhe vërtet shumë dijetarë ortodoksë te shekullit të tetëmbëdhjetë u përpoqën të përdorin alfabetin grek si të vetmin mjet të mundshëm që kishin për të shkruar shqipen. Dokumenti më i vjetër i shqipes me alfabet grek është Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja e përmendur më sipër, pa dyshim i shekullit të pesëmbëdhjetë ose fillimit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë radhë të përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut (27: 62-66).

Ai u zbulua nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919) më 1906 në një dorëshkrim grek (2) që ruhej në Bibliotekën Ambrosiane të Milanos. Kjo vepër është një farë përjashtimi nga tradita ortodokse së pari, sepse duket se është dyqind vjet më e hershme se tekstet e tjera me rëndësi të shqipes me shkrim grek dhe, së dyti, sepse është gjetur në Italinë e veriut. Sidoqoftë, duhet të presim plot dy shekuj për rizbulimin e shkrimit grek. Nga viti 1731 vjen një gravurë e Virgjëreshës Mari që u vendos në Arkivin e Institutit të Shkencave, paraardhësi i Akademisë së Shkencave në Tiranë. Në këtë gravurë (3), e cila doli nga Manastiri i Shën Mërisë së Ardenicës midis qiparisash në një majë kodre afër Lushnjës, i restauruar kohët e fundit, është teksti 'Virgjëreshë dhe Nënë e Zotit lutu për ne mëkatarët' në tri gjuhë: greqisht, shqip dhe arumanisht, si edhe një tekst pakëz më i ndryshëm latinisht Regina Mater et Virgo auxiliare Servis suis. Teksti në shqipe me alfabet grek thotë Virgjin ë Mame eperndis uro prë nee faj torëte dhe i vishet një Nektar Tërpo (greq. Nektarios Terpos), klerik pa dyshim me prejardhje arumune nga Voskopoja. Tërpoja ishte kryemurg në Ardenicë dhe autor i një vepre fetare greqisht të titulluar Bibliarion kalumenon pistis, shtypur në Venedik më 1732 dhe 1750, e cila, ndonëse pa tekstin shqip të sipërpërmendur, përmban të njëjtën gravurë.

Kultura ortodokse në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë lidhet ngushtë me lulëzimin e qytetit të Voskopojës (4), tani një fshat prej pesëqind banorësh midis malesh njëzetepesë kilometra në perëndim të Korçës. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, Voskopoja, e njohur në greqishte me emrin Moschopolis dhe në arumunishte Moscopole, u rrit jashtëzakonisht për nga madhësia dhe thonë se u bë një nga qytetet më të mëdha të Ballkanit si dhe qendër e lulëzuar e tregtisë dhe kulturës qytetare. Në kulmin e vet, para se të plaçkitej për herë të parë më 1769, thuhet se ka pasur një popullsi me afro 20,000-50,000 banorë, më të madhe se Athina, Sofje apo Beogradi asokohe, me 24 kisha, një spital, një jetimore, një

__________________________________________________ _________________

1 kr. Elsie 1991a.

2 Codex 133, f. 63. kr. Martini-Bassi Catalogus Codicum Graecorum, si dhe Lampros 1906 dhe Borgia 1930.

3 kr. Shuteriqi 1976, f. 107, dhe Hetzer 1982b, f. 140-141.

4 Për historinë e Voskopojës është shkruar shumë, kryesisht në greqishte dhe gjermanishte. kr. Skenderês 1928, Michalopoulos 1941, Martinianos 1957, Adhami 1972, 1989, Geôrgiadês 1975, Peyfuss 1976, 1986 dhe 1989, Gkatsopulos 1979, dhe Hetzer 1981a, f. 20-25.
__________________________________________________ _________________

bibliotekë, të vetmen shtypshkronjë (5) greke në Ballkan, e cila pati botuar të paktën nëntëmbëdhjetë vepra fetare, si dhe të ashtuquajturën 'Akademia e Re'. Akademia e Re ose Hellênikon Frontistêrion ishte një qendër e dijes e themeluar më 1744, e ngjashme me akademitë që dihet se kanë qenë në Bukuresht, Jash, Konstantinopojë, Mecovë, Janinë, në Malin Atos dhe Patmos. Shumë dijetarë grekë me emër vinin në Voskopojë për t'u dhënë mësim arumunëve, që përbënin shumicën e popullsisë, shqiptarëve dhe grekëve. Akademia e Re nuk ishte institucion vetëm teologjik. Ajo gëzonte emër të mirë për mësimdhënien e greqishtes së vjetër, filozofisë, matematikës dhe fizikës, dhe nxori shumë shkrimtarë e dijetarë të njohur. Midis viteve 1769 dhe 1789 Voskopoja u plaçkit disa herë dhe erdhi duke e humbur gjallërinë dhe rëndësinë si qendër tregtare në rrugët midis Konstantinopojës dhe Venedikut. Ajo në fund u shkatërrua më 1916 gjatë Luftës së Parë Botërore dhe, me përjashtim të katër a pesë kishave të bukura ortodokse, ndërtesat historike që patën mbetur, u rrafshuan tragjikisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve (6), i quajtur edhe Anonimi i Elbasanit, është një vepër që përmban përkthime pjesësh të katër ungjijve në gjuhën shqipe. Nuk është shkruar me shkrim grek, por me një alfabet të veçantë prej dyzet shkronjash, me sa duket më i vjetri shembull i një alfabeti origjinal shqip që njihet. Kjo vepër prej gjashtëdhjetë faqesh u gjet fillimisht në manastirin e Shën Gjon Vladimirit, të themeluar më 1381 nga Karl Topia. Ajo u shpëtua prej studiuesit elbasanas Lef Nosi (1873-1945) nga manastiri, i cili u dogj më 14 mars 1944 dhe, pas ekzekutimit të Nosit në vitin 1945, përfundoi në Tiranë. Autori i dorëshkrimit është pa dyshim Grigori i Voskopojës (vd. 1772), i njohur në shqipe edhe si Grigor Voskopojari ose Grigori i Durrësit, kurse në greqishte si Grêgorios ho Dyrrakhiu. Grigori ka qenë mësues dhe klerik ortodoks në Voskopojë dhe përmendet si autor i disa hagjiografive të botuara atje në greqisht. Nga fundi i jetës ai u zgjodh kryepeshkop i Durrësit (1768) dhe vdiq më 1772, ka të ngjarë në manastirin e Shën Gjon Vladimirit në Shijon të Elbasanit, që, me sa duket, ka qenë selia e kryepeshkopatës asokohe. Dihet se Grigor Voskopojari bëri përkthime të Dhjatës së Vjetër e të Re në një alfabet të shpikur prej tij dhe mund të themi me siguri se Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve është pjesë e veprës së tij. Megjithatë, Dhimitër Shuteriqi beson se autori i tekstit është një Papa Totasi, prift ortodoks nga ana e Shpatit, emri i të cilit mund të dalë me një shkrim tjetër në faqen e brendshme të dorëshkrimit. Por nuk ka kurrfarë dëshmie konkrete për qenien e një prifti apo shkrimtari të tillë.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
Një tjetër figurë e kohës, aktiv në Akademinë e Re në Voskopojë, ka qenë Theodor Haxhifilipi (7) (rreth 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todhri nga Elbasani. Pasi studioi në Voskopojë, Todhri dha mësim në shkollën greke në vendlindje, në Elbasan, nga vjen dhe emri Dhaskal (mësues). Studiuesi gjerman Johan Georg fon Han (1811-1869), i cili vizitoi Shqipërinë në gjysmën e parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, e përmend si njeri që ka përkthyer jo vetëm Dhjatën e Vjetër, por edhe Dhjatën e Re dhe vepra të tjera fetare. Për fat të keq, pjesa më e madhe e shkrimeve të tij u dogjën gjatë një epidemie më 1827, kështu që as nuk mund ta pohojmë e as ta mohojmë mëtimin e Hanit për përkthimet nga Bibla. Ndër fragmentet që kanë mbetur gjallë e që mendohet se janë të Todhrit, të ruajtura në Arkivin Qendror të Shtetit në

__________________________________________________ _________________

5 Për shtypshkronjën e Voskopojës, kr. Peyfuss 1989.

6 kr. Shuteriqi 1949 dhe 1976, f. 91-93, Zamputi 1951, Domi 1965, dhe Elsie
1994c, 1995b.

7 kr. Shuteriqi 1954, 1959, 1976, f. 156-159, dhe Hetzer 1982b, f. 148-149, 1987, f. 71-89.
__________________________________________________ _________________


Tiranë dhe në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë në Vjenë (Cool, janë përkthime shqip të një Libri Ortodoks të Orëve dhe Mesha e Shën Gjon Gojartit. Todhri i ka shkruar veprat e tij me një alfabet të veçantë prej pesëdhjetë e tre shkronjash, mbështetur me sa duket në një shkrim kursiv grek (disa shohin në të ndikime glagolitike), që del se e ka shpikur vetë. Ky i ashtuquajtur alfabet i Todhrit, krejt i ndryshëm nga ai i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve dhe i papërdorur për botim, u shti në punë asokohe edhe nga autorë të tjerë në krahinën e Elbasanit dhe vijoi më rrallë, me sa duket, deri nga vitet 1930(9). Nuk dihet me siguri se çfarë ka shkruar vetë Todhri. Të ruajtura në këtë lloj shkrimi janë, për shembull, edhe dy fabula të Ezopit.

Kostandin Berati (rreth 1745 - rreth 1825), i njohur në shqipe edhe si Kostë Berati, mendohet se ka qenë murg ortodoks dhe shkrimtar nga Berati. Ka specialistë që e mohojnë qenien e tij, të paktën si shkrimtar. Për të thuhet se ka pasur në dorë një dorëshkrim nga 1764 deri 1822, që mendohet se është vepra 154-faqëshe që ruhet sot në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë (10). Ky i ashtuquajturi Kodiku i Kostandinit nga Berati, ose shkurt Kodiku i Beratit, është në të vërtetë një dorëshkrim i thjeshtë në letër dhe nuk duhet kujtuar si 'kodik' pergameni i traditës perëndimore. Duket se ka qenë punë e të paktën dy duarve dhe është përfunduar jo më herët se rreth vitit 1798. Përmban lloj-lloj tekstesh të ndryshme në greqishte dhe shqipe11: tekste liturgjie biblike dhe ortodokse në shqip të shkruar në alfabet grek, të gjitha pa dyshim të përkthyera nga greqishtja ose të ndikuara fuqishëm nga modelet greke; një vjershë shqip me dyzet e katër vargje e me tekstin përkatës greqisht, të njohur si Zonja Shën Mëri përpara kryqësë; dy glosarë greqisht-shqip me një numër të përgjithshëm prej 1710 fjalësh; një fragment të shkurtër që përmban një tjetër alfabet origjinal; shënime të ndryshme me karakter fetar; dhe një kronikë ngjarjesh midis viteve 1764 e 1789 të shkruar greqisht. Disa nga këto tekste fetare të këtij dorëshkrimi më vonë qarkulluan për qëllime mësimdhënieje ndër bashkësitë ortodokse të Shqipërisë qendrore e jugore. Nga pikëpamja gjuhësore ky kodik jep të dhëna me vlerë për dialektin e Beratit në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë.

Me rëndësi letrare në Kodikun e Beratit është Zonja Shën Mëri përpara kryqësë, që përmendëm më sipër, shkruar në të ashtuquajturin varg 'politik' grek (stihos politikos) prej pesëmbëdhjetë rrokjesh. Ai është një përshkrim i çiltër dhe jo pa emocione i tmerrit që ndiente Shën Mëria kur pa të birin të gozhduar në kryq. Si burim është origjinali greqisht nga Akakios Diakrusis prej Qefalonie, botuar më 1730. Poema nis kështu (e transkriptuar këtu në drejtshkrimin shqip):

"Zonj'e Shën Mëri ardhurë,
e mbretëresh'e engjëjet,
e kur e pa mbërthyerë,
e qante ngashëryerë,
Judha i mallëkuarë,
e erdhë e të rrëmbyenë,
të shpunë të të gjykonjënë,
qiturë shahit jallanxhi,

e ndenj përpara kryqsë
zonjë e gjithë dynjasë
shpëtimn'e njerëzisë
me mallëngjim thërriste:
që kallëzoi çifutë
si ujqër të pandieshm
ndë avlli të Pillatit
që të të turpërojnë

__________________________________________________ _________________

8 Ser. Nova 3351.

9 kr. Shuteriqi 1976, f. 159.

10 An. S/22F.

11 kr. Ressuli 1938, Shuteriqi 1976, f. 121-122, dhe Hetzer 1981b, 1981-82, 1982a, 1982b, 1986, 1989.
__________________________________________________ _________________


të ndyninë e të pshtyninë,
me të math zë thërrisinë,
Vallë ç'u pate bër' o bir,
që mbë kryq të mbërthyenë,
o biri im i dashuri,
qysh i duron mundimetë,

e të rrah e të shanë
atij Pillatit: vra-e!
a ç'të lig u punove
e vdekë që të dhanë
e djali im i ëmbli
rrahur'e përçmuarë."


Një Kostandin Cepi (12) (greq. Tzepês), shkrimtar ortodoks nga fshati malor i Vithkuqit, njëzet e gjashtë kilometra në jugperëndim të Korçës në Shqipërinë juglindore, kishte bërë rreth vitit 1822 një kopje të pjesëve të Kodikut të Beratit. Për Cepin thuhet se ka pasur një farë funksioni në bashkësinë ortodokse të krahinës së Korçës. Në veçanti, ai përmendet në një mbishkrim greqisht në hyrje të kishës së Shën Mihalit në Vithkuq (shek. 17-18), i cili thotë: "Unë, Kostandin Cepi, mësues (dhaskal), erdha nga Berati dhe e gjeta këtë vend të rrënuar, me shtëpi të braktisura e gërmadha ...". Dorëshkrimi i Cepit, një kopje e të cilit ruhet sot në Tiranë, përbëhet nga 174 faqe tekstesh fetare, nga të cilat 22 janë në gjuhën shqipe.

Bindja përherë e më e fortë se tekstet liturgjike mund të shkruheshin shqip me anë të alfabetit grek, bëri në të vërtetë që të zgjohej interesimi i dijetarëve dhe klerikëve ortodoksë të Shqipërisë jugore për mundësinë e përkthimeve të Biblës. Ky interesim vazhdoi edhe më tej e sidomos në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë nëpërmjet veprimtarive të Shoqërisë Biblike Britanike dhe Botërore (British and Foreign Bible Society) me seli në Londër.
Nënvizuam më sipër përkthimet e hershme të Biblës në Dorëshkrimin Elbasanas të Ungjijve dhe pohimin e studiuesit Johan Georg fon Han se Todhër Haxhifilipi kishte përkthyer Dhjatën e Vjetër e të Re në shqipe në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Në vijim të veprave të Grigor Voskopojarit dhe Todhër Haxhifilipit, i pari përkthim serioz i Biblës që ka ardhur deri në ditët tona e që është botuar me shkrim grek u ndërmor nga Vangjel Meksi (vd. rreth 1823), i njohur në greqishte me emrin Evangelos Meksikos, nga Labova afër Gjirokastrës. Me ndihmën e një letre rekomandimi të Ali pashë Tepelenës (1741-1822) më 1803 u dërgua në Itali për të studiuar mjekësi. Pasi kreu studimet në Napoli, ai u kthye në Janinë dhe shërbeu në oborrin e Ali pashës. Meksi bëri udhëtime nëpër Evropë dhe dihet se ka qenë në Stamboll e në Selanik. Vdiq beqar aty rreth të gjashtëdhjetave në Tripolis, Greqi. Meksi përfundoi një përkthim të Dhjatës së Re në dialektin e tij lab për Shoqërisë Biblike Britanike e Botërore më 1821, por nuk jetoi për ta parë të botuar. Robert Pinkerton, përfaqësuesi i Shoqërisë në Stamboll, njoftonte më 1819 se Meksi kishte hartuar shqip edhe një gramatikë të gjuhës shqipe. Përpos kësaj, thuhet se ka përkthyer edhe një trajtesë fetare të abatit Klod Flëri (Abbé Claude Fleuri, 1640-1723). Ndërkaq, me sa duket, asnjë nga këto nuk ka ardhur deri në ditët tona. Do të ishte Grigor Gjirokastriti (13) (vd. 1829), i njohur në greqishte Grêgorios Argyrokastritês, peshkop i Eubesë dhe nga viti 1827 kryepeshkop i Athinës, që redaktoi dhe botoi përkthimin e Meksit të Ungjillit të Shën Mateut (Shoqata Biblike Joniane, Korfuz 1824) në një variant dygjuhësh shqip/greqisht dhe, tre vjet më pas, me një drejtshkrim të përmirësuar gjerësisht, gjithë Dhjatën e Re (Shoqata Biblike Joniane, Korfuz 1827), përsëri në variant dygjuhësh.

Pas tyre, përkthimet e para të Biblës u ndërmorën në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë nga Kostandin Kristoforidhi Nelko (14) (1826-1895), figurë kryesore ndër

__________________________________________________ _________________

12 kr. Shuteriqi 1976, f. 176, dhe Hetzer 1982b, f. 146.

13 kr. Lauriotos 1935.

14 kr. S. Shuteriqi 1911, Dh. Shuteriqi 1950 dhe Qosja 1984, vëll. 2, f. 375-420.
__________________________________________________ _________________

dijetarët shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kristoforidhi, i njohur në greqishte si Kônstantinos Christoforidês, ishte bir i një argjendari nga Elbasani, ku dhe u shkollua. Nga viti 1847 deri më 1850 ai ndoqi shkollën e mesme Zosimea në Janinë dhe bashkëpunoi atje me zëvendëskonsullin austriak Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn) për veprën monumentale Albanesische Studien, Vjenë & Jena 1854 (Studime shqiptare). Vitet e mëpastajme e shpunë në Athinë, Durrës, ndoshta në Londër, Izmir, Stamboll, Maltë dhe Tunis,ku ai u martua dhe dha mësim në një shkollë greke. Pikërisht në vitet 1860 ai nisi të punojë për Shoqërinë Biblike Britanike e Botërore, për të cilën ai përktheu Dhjatën e Re në variantin gegërisht (1872 me alfabet latin) dhe në variantin toskërisht (1879 me alfabet grek) si dhe disa libra të Dhjatës së Vjetër (15). Këto përkthime ndihmuan për të shërbyer si mbështetje për një gjuhë letrare moderne, në dy variante dialektore, dhe i dhanë atij titullin e 'babait të gjuhës shqipe'. Kristoforidhi gjithashtu shkroi një gramatikë të gjuhës shqipe në greqishte Grammatikêtês albanikês glôssês, Stamboll 1882 (Gramatikë e gjuhës shqipe), dhe hartoi një fjalor shqip- greqisht Lexikon tês albanikês glôssês, Athinë 1904 (Fjalor i gjuhës shqipe). Ky fjalor, si një nga fjalorët më të mirë të shqipes deri vonë, u transliterua e u ribotua nga Aleksandër Xhuvani (Tiranë 1961). Kristoforidhi ka qenë gjithashtu autor veprash për fëmijë, si Historia e shenjtëse shkronjë për dielmt, Stamboll 1870 dhe e rrëfenjës Gjahu i malësorëvet, Stamboll 1884, e vështruar si një nga veprat më të hershme të prozës letrare moderne shqiptare.

Një pjesë e mirë e veprës së Kostandin Kristoforidhit u shkrua e u botua me alfabetin grek dhe duhet parë e lidhur ngushtë me traditën ortodokse bizantine në shkrimin shqip, edhe pse autori vetë punoi me bindje për Shoqërinë Biblike Britanike e Botërore protestante. Në të njëjtën kohë, Kristoforidhi është ndërkaq një figurë e rëndësishme e kulturës rilindëse të zgjimit kombëtar, lëvizje kjo që do ta shpinte Shqipërinë drejt formimit të një shteti të vetin.
Përkthimet e teksteve biblike nga Kristoforidhi përmbyllin listën e përkthimeve të letërsisë fetare në shqipe të kryera me alfabetin grek. Ajo që mbetet në këtë traditë të shkrimit shqip janë një numër fjalorësh me rëndësi dhe disa punime më të vogla për gramatikën.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
6.3 Fjalorë dhe gramatika



Theodhor Kavalioti (16) (rreth 1718-1789), i njohur në greqishte me emrin Theodôros Anastasios Kaballiôtês, ka qenë një dijetar arumun nga Voskopoja, i cili dha një ndihmesë të rëndësishme për shkrimin shqip në fushën e leksikografisë. Kavalioti studioi matematikë, teologji dhe filozofi në Janinë midis viteve 1732 e 1734, ku dhe u njoh me veprat e Dekartit (Descartes), Malenbranshit (Malebranche) dhe Lajbnicit (Leibniz). U kthye në vendin e vet në Voskopojë, që kishte filluar të lulëzonte në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë, dhe u bë drejtor i Akademisë së Re më 1746. Është autor i disa veprave filozofike të shkruara në greqishte, i një gramatike elementare të greqishtes dhe i një libri për shkollat me titull Prôtopeiria, Venedik 1770 (libër fillestar), i cili përmban një fjalor trigjuhësh greqisht-arumanisht-shqip me rreth 1170 fjalë. Një kopje e kësaj vepre ndodhet në Bibliotekën e Akademisë Rumune në Bukuresht.

Ky fjalor u ribotua nga studiuesi suedez Johan Tunman (Johann Thunmann, 1746-1778) me një

__________________________________________________ _________________


15 kr. Darlow & Moule, 1911, vëll. 2, f. 45-48.

16 kr. Meyer 1895, Papacostea 1937, rishtypje 1983, f. 397-405, Qafëzezi 1938, Ruffini 1942, Peyfuss 1976, f. 117-118, 1985, dhe Hetzer 1981a, 1983a.
__________________________________________________ _________________


përkthim latinisht më 1774 (17) dhe është me interes gjuhësor për studentët qoftë shqiptarë apo arumunë. Tunmani na thotë:

"Libri në të cilin gjendet ky fjalor është shtypur në Venedik më 1770 nga Antonio Bortoli. Autori i tij është Protopapas ose predikatori më i shquar në Voskopojën e Maqedonisë, Z. Theodhor Kavalioti. Është njeri i ditur ndër njerëzit e vendit të vet, që ka përfituar nga studimet e gjuhëve, filozofisë dhe matematikës. Meqë kupton dhe flet greqishten, arumanishten dhe shqipen si gjuhë amtare, bashkatdhetari i tij Z. Gjergj Trikupa, i quajtur edhe Kosmiski, tregtar patriot dhe ithtar i shkollës dhe diturisë, e nxiti e i mbushi mendjen të shkruajë këtë Protopeiria për të mirën e grekëve dhe e shtypi në Venedik me shpenzimet e veta." (18)

Një vepër tjetër në këtë hulli është Eisagôgikê didaskalia,Venedik? 1802 (Mësime fillestare), një fjalor katërgjuhësh,greqisht-arumanisht-bullgarisht-shqip. Përmban rreth 1000 fjalë, si dhe 235 fraza të së folurës së përditshme të përkthyera lirisht, jo pa interes për studimin e morfologjisë e sintaksës historike të gjuhës shqipe. Autori i këtij fjalori të dytë shumëgjuhësh me shkrim grek, i hartuar në vitet 1793-1794, ishte Danieli i Voskopojës (19) (1754-1825), i njohur edhe si Mjeshtër Danieli ose Daniel (Dhanil) Haxhiu, kurse në greqishte me emrin Daniêl Moschopolitês ose Daniêl Adam Chatzis, pa dyshim dijetar arumun nga Voskopoja dhe nxënës i Kavaliotit, që me këtë vepër shpresonte t'u mbushte mendjen shqiptarëve, arumunëve dhe bullgarëve të braktisnin gjuhët e tyre 'barbare' e të mësonin greqishten, 'nënën e dijes'.

Marko Boçari (20) (1790-1823), i njohur në greqishte si Markos Botzarês, një hero suljot i luftërave greke (emrin e të cilit ka marrë një stacion metroje në Paris), ka qenë gjithashtu autori i një fjalori greqisht-shqip, të cilin e hartoi në Korfuz më 1809 me nxitjen e Fransua Pukëvilit (François Pouqueville, 1770-1839), vetë shkrimtar dhe konsull i Francës në Janinë. Ky fjalor me 1484 leksema shqipe, ndonse është pa ndonjë vlerë letrare të veçantë, ka rëndësi
për të mësuar diçka për dialektin suljot të shqipes të zhdukur në ditët tona. Ai ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Paris 921).

Një fjalor tjetër, kësaj radhe greqisht-anglisht-shqip me 2000 fjalë, është vepër e Jani Evstrat Vithkuqarit (22) (vd. 1822), i njohur edhe me emrin Eustratios nga Vithkuqi. Ka ndjekur studimet në Akademinë e Re të Voskopojës e në Janinë. Njeri me njohuri të mira të greqishtes dhe të shqipes, dihet se ka dhënë mësim në Artë, Voskopojë, Përmet e Janinë dhe ka qenë drejtor shkolle në Gjirokastër. Vithkuqari është bashkautor i materialit për gjuhën shqipe, që u përfshi në veprën Researches in Greece, Londër 1814 (Studime në Greqi), botuar nga studiuesi britanik Uiliam Martin Lik (William Martin Leake, 1777-1860). Në parathënien për pjesën e tij mbi gramatikën e shqipes. Liku shkruan: "The greater part of the information upon which the

__________________________________________________ _________________


17 kr. Thunmann 1774 dhe 1976.

18 vep. cit. f. 177-178.

19 kr. Leake 1814, Kristophson 1974 dhe Kônstantakopulu 1988.


20 kr. Mid'hat Frashëri, Kalendari 1926, f. 117-196, Fjalori 1926, Shuteriqi 1976, f. 165, Jochalas 1980, 1993, dhe Lloshi 1995.

21 Bibliothèque Nationale de Paris, Supplément grec 251, ff. 25-136.

22 kr. Leake 1814 dhe Jochalas 1985.
__________________________________________________ _________________

ollowing remarks are founded, was derived from Evstratio of Viskuki, who holds the rank of Hieroceryx in the Greek church, and had been many years school-master in Moskhopoli" (Pjesa më e madhe e të dhënave tek të cilat u mbështetën shënimet e mëposhtme janë marrë nga Evstratio Vithkuqari, i cili mban gradën e Hieroseriksit në kishën greke, dhe ka qenë për shumë vjet mësues në Voskopojë). Nga veprat e para gramatikore me shkrim grek, gjejmë të përmendur gramatikën e gjuhës shqipe të një Germanosi i Kretës (23) ose Germanos Hieromonachos (vd. 1760), për të cilën thuhet se është ruajtur asokohe në manastirin e Trinisë së Shenjtë në veri të Greqisë; po ashtu, një përkthim në shqip nga Nikolla Ikonom Postenani (24) (rreth 1748-1838) të një fragmenti nga një gramatikë e humanistit bizantin Manuel Krisolaras (Manuêl Chrysolaras, rreth 1350-1414); si dhe një gramatikë të greqishtes të shkruar në shqip nga vëllai i Nikollës Stefan Postenani (25).

Nga kjo traditë greko-shqiptare e dijes kemi shënimet gramatikore greqisht-shqip të Jan Vellarait (26) (1771-1823), i njohur në greqishte edhe si Ioanis Vilaras (Iôannês Bêlaras). Bir i një mjeku, Vellarai studioi mjekësi në Padovë më 1789 dhe më pas jetoi në Venedik. Më 1801 u bë mjeku i Veliut, birit të Ali pashë Tepelenës. Mbahet mend kryesisht si poet modern grek dhe, me sa duket, nuk ka qenë shqipfolës për së vogli. Tetëdhjetë e gjashtë faqet e tij me shënime gramatikore dygjuhëshe, të datuara 1801, pa dyshim synonin t'u vinin në ndihmë greqishtfolësve të tjerë për të mësuar shqipen. Shqipja e përdorur prej tij është një dialekt toskë i shkruar me një alfabet origjinal prej tridhjetë shkronjash, mbështetur te latinishtja e më pak te greqishtja. Dorëshkrimi i veprës i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare në Paris (27) më 1819 nga Fransua Pukëvili. I vetëdijshëm për vlerën e tij, Pukëvili shënonte: "Je possède un manuscrit, une grammaire grecque vulgaire et schype qui pourrait être utile aux philologues" (Kam një dorëshkrim, një gramatikë të greqishtes së folur dhe të shqipes, e cila mund të jetë e dobishme për filologë), por nuk mendoi ta botojë së bashku me përshkrimet e tij të udhëtimeve. E vënë si shtojcë në shënimet për gramatikën është edhe një letër me datë 30 tetor 1801, e shkruar shqip me dorën e Vellaras në fshatin Vokopolë, në jug të Beratit. Në të ai ankohet për kushtet e vështira të jetesës: "Kam tri muai qe fle mbë dhë; as shtratë, as paploma, as sëndonë, qe një gur më dënonë si jastik". Vellara vdiq më 23 dhjetor 1823.





6.4 Përfundime



Mbizotërimi i greqishtes si gjuhë e arsimit dhe kulturës së krishterë në Shqipërinë jugore si dhe qëndrimi shpesh armiqësor i kishës ortodokse ndaj përhapjes së shkrimeve në gjuhën shqipe e bënë të pamundur zhvillimin e një letërsie shqiptare me alfabetin grek. Kisha ortodokse si mjeti kryesor i përhapjes së kulturës në Ballkanin jugor, ndërsa synonte të përhapte

__________________________________________________ _________________

23 kr. Shuteriqi 1976, f. 112.

24 kr. Shuteriqi 1976, f. 216-217.

25 kr. Shuteriqi 1976, f. 179.

26 kr. Jochalas 1985.

27 Bibliothèque Nationale de Paris, Supplément grec 251, ff. 138-187.
__________________________________________________ _________________

arsimin dhe vlerat kristiane, nuk qe kurrë e bindur për dobinë e shkrimit të të folmeve vendëse si mjet për kthimin fetar të masave, ashtu sikundër kishte qenë e bindur, deri në një farë shkalle, kisha katolike në Shqipërinë veriore gjatë kohës së kundërreformës. Me përjashtim të shtypshkronjës jetëshkurtër në Voskopojë, shqiptarët e jugut nuk patën ndonjëherë as mjete botimi si ato që u viheshin në dispozicion klerikëve dhe dijetarëve të Shqipërisë katolike në Venedik e në Dalmaci. Si rrjedhim, tradita ortodokse në shkrimet shqipe, duke qenë një trashëgimi e fortë kulturore e shkollës dhe dijes, edhe pse e kufizuar kryesisht me përkthime tekstesh fetare e hartime fjalorësh, do të mbetej një filiz që kurrë nuk lëshoi gonxhe të vërteta.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
7. SOTTO IL SERENO CIELO ITALIANO
(Nën qiellin e kthjellët italian).

LETËRSIA ARBËRESHE NË SHEKUJT XVIII E XIX







7.1 Emigrimi shqiptar në Itali



Një degë e fuqishme e letërsisë shqiptare që do të zhvillohej më vete jashtë Ballkanit ishte letërsia e italo-shqiptarëve apo arbëreshëve të Italisë jugore. Grupe të rralla shqiptarësh kishin pasë marrë rrugën drejt Italisë qysh më 1272, 1388 dhe 1393, por vetëm në mesin e shekullit të pesëmbëdhjetë kemi ngulime të dukshme, kur trupa shqiptare nën komandën e Demetrius Reres u thirrën në Itali nga Alfonsi I Aragon (mbretëroi 1435-1458), mbreti i Napolit, për të mposhtur një kryengritje në Kalabri. Për ndihmën që dha, Reresit iu ofrua tokë në Kalabri më 1448, dhe pikërisht atje u vendosën ushtarët e tij me familjet e tyre. Thuhet se bijtë e tij, Gjergji dhe Vasili, më vonë morën rrugën për në Sicili dhe ngritën atje kolonitë e para shqiptare. Por ngulimet masive filluan me pushtimin e Ballkanit nga ana e Turqisë, gjë që shpuri në një eksod të madh të shqiptarëve drejt Italisë. Ky eksod u bë edhe më i ndjeshëm pas disfatës së qëndresës shqiptare me vdekjen e Skënderbeut më 1468, i cili kishte gjetur një mbështetje bujare nga ana e Oborrit Aragonas. Midis viteve 1468 dhe 1478 valë refugjatësh braktisën Shqipërinë jugore për t'u ngulur në Basilikatë, Molize, Pulje, dhe sidomos në Kalabri. Shqiptarë të tjerë u arratisën nga Greqia më 1532-1533 pas shtrirjes së Turqisë në More dhe u vendosën kryesisht në Sicili. Këto valë refugjatësh formuan bërthamën e kolonizimit shqiptar në Italinë jugore, ndonëse emigrantë të tjerë pasuan në vitet e mëvonëshme (28). Për shembull, një grup nga Piqerasi i krahinës së Himarës të Shqipërisë jugore u vendosën në Badhesë (ital. Villa Badessa) afër Peskarës më 1744-1746 (29), kurse një grup më i fundit u vendos në Brindizi di Montanja (ital. Brindisi di Montagna) afër Potencës më 1774.

Shqiptarët themeluan ose ripopulluan gjithsej mbi njëqind qytete e fshatra në Italinë jugore, gjysma e të cilave e më shumë gjenden në malësinë e Kalabrisë. Sot janë rreth pesëdhjetë qytete të shpërndarë anembanë Mezzogiorno-s, ku ende dëgjohet të flitet shqip. Këto bashkësi, që vlerësohet se përbëjnë një popullsi shqipfolëse prej rreth 90,000 vetësh, gjenden në shtatë krahina: Abruce, Molize, Kampania, Pulje, Bazilikata, Kalabri dhe Sicili. Ato janë:

Krahina e Peskarës (ital. Pescara / Abruzzi): Badhesa (ital. Villa Badessa),
Krahina e Kampobasos (ital. Campobasso, Molise): Këmarini (ital. Campomarino), Munxhifuni (ital. Montecilfone), Portkanuni (ital. Portocannone) dhe Ruri (ital. Ururi),

__________________________________________________ _________________

28 Për kolonizimin shqiptar të Italisë jugore, kr. Morelli 1842, Dorsa 1847, Scaglione 1921, Zangari 1940, Tajani 1969, Cassiano 1977, Bartl 1981a, Rotelli 1988 dhe Dessart 1984.

29 kr. Camaj 1975.
__________________________________________________ _________________


Krahina e Avelinos (ital. Avellino / Campania): Greçi (ital. Greci), Krahina e Foxhias (ital. Foggia / Puglia): Kazallveqi (ital. Casalvecchio di Puglia) dhe Qeuti (ital. Chieuti), Krahina e Tarantos (ital. Taranto / Puglia): Shën Marxani (ital. San Marzano di San Giuseppe), Krahina e Potencës (ital. Potenza / Basilicata):
Barilli (ital. Barile), Xhinestra (ital. Ginestra), Mashqiti (ital. Maschito), Shën Kostandini (ital. San Costantino Albanese) dhe Shën Pali (ital. San Paolo Albanese), Krahina e Kozencës (ital. Cosenza / Calabria): Firmoza (ital. Acquaformosa), Kastërnexhi (ital. Castroregio), Kajverici (ital. Cavallerizzo), Qana (ital. Cerzeto), Çifti (ital. Civita), Ejanina ose Purçilli (ital. Eianina ose Poicile), Fallkunara (ital. Falconara Albanese), Farneta (ital. Farneta), Ferma (ital. Firmo), Frasnita (ital. Frascineto), Ungra (ital. Lungro), Maqi (ital. Macchia Albanese), Marri (ital. Marri), Pllatani (ital. Plataci), Shën Vasili (ital. San Basile), Shën Benedhiti (ital. San Benedetto Ullano), Strigari (ital. San Cosmo Albanese), Shën Mitri (ital. San Demetrio Corone), Shën Japku (ital. San Giacomo di Cerzeto), Mbuzati (ital. San Giorgio Albanese), Shën Murtiri (ital. San Martino di Finita), Picilia (ital. Santa Caterina Albanese), Shën Sofia (ital. Santa Sofia d'Epiro), Spixana (ital. Spezzano Albanese) dhe Vakarici (ital. Vaccarizzo Albanese), Krahina e Katanxaros (ital. Catanzaro / Calabria):
Garafa (ital. Caraffa di Catanzaro), Karfici (ital. Carfizzi), Puhëriu (ital. Pallagorio), Shën Kolli (ital. San Nicola dell'Alto) dhe Vina (ital. Vena di Maida),
Krahina e Palermos (ital. Palermo / Sicilia): Kundisa (ital. Contessa Entellina), Hora e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi) dhe Shëndhastini (ital. Santa Cristina Gela).

Edhe pse gjuha shqipe kurrsesi nuk është zhdukur në Itali pas pesëqind vjetësh ekzistence, italishtja po mbisundon edhe në fshatrat të veçuar malorë. Në një numër bashkësish të sipërpërmendura, shqipja flitet ende nga të gjithë banorët, kurse në ngulime të tjera vetëm të rriturit janë dygjuhësh, kurse fëmijët flasin vetëm italisht. Në disa bashkësi të tjera vetëm pleqtë e kuptojnë shqipen. Kështu në komunikimin nëpër fshatra është kaluar shkallë-shkallë nga shqipja në italishte, dhe kjo për disa arsye: përdorimi i detyrueshëm i italishtes në të gjitha shkollat, mungesa e njohjes zyrtare dhe e mbështetjes nga qeveria italiane, mungesa e një territori të pandarë shqipfolës, mjetet e komunikimit në gjuhën italiane, dhe sidomos emigrimi stinor për shkak të papunësisë kronike që ekziston në Italinë e jugut. Për komunikimin me shkrim, shqipja është përdorur vetëm nga një pakicë intelektualësh përderisa shkollimi dhe nxitjet kulturore të jashtme kanë qenë gjithmonë në gjuhën italiane. Dallimet serioze midis dialekteve të shqipes që fliten në Italinë e jugut dhe gjuhës letrare në Shqipëri e kanë bërë, gjithashtu, të vështirë për arbëreshët që t'i përshtaten shqipes letrare për të komunikuar me shkrim.




7.2 Letërsia arbëreshe në shekullin e tetëmbëdhjetë



Vepra e parë e letërsisë arbëreshe, E mbsuame e krështerë (Doktrina Kristiane) nga kryeprifti sicilian Lekë Matrënga (1567-1619), daton aty nga fundi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë. Por ky përkthim fetar nga një klerik arbëresh me synimin e thjeshtë për t'ua bërë kristianizmin më të kuptueshëm njerëzve në Italinë e jugut duke përdorur gjuhën e tyre, qe parathënë të mbetej një rast i veçuar i krijimtarisë në gjuhën e vet përderisa, me sa dimë, nuk pati fuqi të nxiste të tjerë intelektualë e krerë fetarë arbëreshë të kohës për ta shkruar gjuhën amtare. Shekulli i shtatëmbëdhjetë, që u dëshmua jashtëzakonisht i frytshëm për zhvillimin e shkrimit dhe të letërsisë brenda Shqipërisë, nuk pa kurrfarë shenjash veprimtarie letrare ndër arbëreshët, madje duhet të presim plot një shekull e gjysmë nën qiellin e kthjellët italian dhe në truallin pjellor të qytetërimit italian.

Fillimit të ri në shekullin e tetëmbëdhjetë vrulli i erdhi përsëri nga Sicilia, pa dyshim për shkak se shumë ngulime arbëreshe atje, sidomos Hora e Arbëreshëvet (ital. Piana degli Albanesi), ishin gjeografikisht më afër një qendre të kulturës qytetëse, d.m.th. kryeqendrës së Sicilisë Palermo me traditat e saj të pasura e të hershme kulturore. Ndër poetët e parë arbëreshë të shekullit të tetëmbëdhjetë ka qenë Nikollë Brankati (ital. Nicolò Brancato, 1675-1741) nga Hora e Arbëreshëvet, doktor në filozofi dhe 'protopapas' i fshatit të lindjes. Më 1717 Brankati u emërua kryeprift në kishën arbëreshe të Palermos, detyrë që e mbajti derisa vdiq. Mbeti në histori për përkthimin dhe përshtatjen e shumë këngëve fetare nga italishtja e latinishtja si dhe për disa origjinale të tijat në shqipe. Poezia e tij me metrikë të pasur e të përpunuar, shpesh e një karakteri meditues të ngjashëm me atë të këngëve fetare italiane të periudhës baroke, u botua për herë të parë e shumë kohë më vonë nga Dhimitër Kamarda (Demetrio Camarda), Xhuzepe Skiroi plaku (Giuseppe Schirò) dhe Mikel Markianoi (Michele Marchianò) (30) ndërkohë që një prej pjesëve të saj kishte qenë ruajtur në Kodikun e Qeutit (1737), një përmbledhje këngësh popullore dhe vjershash arbëreshe nga Sicilia e zbuluar më 1901 nga Mikel Markianoi. Megjithatë, nuk jemi krejtësisht të sigurtë se cila nga vjershat në këtë dorëshkrim e në të tjerët është shkruar vërtet nga Brankati.

Kodiku i Qeutit (ital.Chieuti), një bashkësi shqiptare në veri të Foxhas në Pulje, përmban edhe poezi shqip nga Nikollë Filja (31) (ital. Nicolò Figlia, 1682?-1769), për të cilin thuhet se e ka pasur këtë kodik të tijin që nga viti 1736 deri më 1746. Filja ka qenë kryeprift në fshatin e tij Munxifsi (ital. Mezzoiuso) në Sicili pasi kishte shërbyer për shumë kohë si kryeprift në Qeuti. Është autor vjershash fetare pa ndonjë meritë artistike të veçantë, pjesa më e mirë e të cilave është e përshtatur nga poezia italiane e siciliane. Ka përkthyer, gjithashtu, një katekizëm të titulluar I Cristèu i Arbrésc mbesùare ne mistìriet klìscese scèite (I krishteri arbëresh i mësuar me të fshehtat e kishës së shenjtë) në dialektin sot të zhdukur të Munxifsit (32). Përveç kësaj, mendohet se Filja ka përmbledhur të tetëmbëdhjetë këngët popullore arbëreshe të përfshira në këtë kodik, Këngëzë të pleqrijsë, që, me sa duket, përbën përmbledhjen më të hershme ekzistuese të këngëve popullore arbëreshe (33). Shtytje vendimtare i dha përparimit intelektual e kulturor të arbëreshëve të Sicilisë ngritja e një kolegji apo seminari grek (34) në Palermo (35) në vitin 1730. Themeluesi i saj, Gjergj


__________________________________________________ _________________

30 kr. Camarda 1866, Schirò senior 1907 dhe 1923, dhe Marchianò 1908b.

31 kr. Figlia 1995.

32 kr. Marchianò 1911.

33 kr. Marchianò 1908a.

34 Në Italinë e jugut termi 'grek' përdorej shpesh për të shënuar arbëreshët, meqë shumë prej tyre kishin emigruar në Itali duke ardhur nga Morea (Peloponez) dhe sidomos meqë

__________________________________________________ __________________


Guxeta (36) (ital. Giorgio Guzzetta, 1682-1756) nga Hora e Arbëreshëvet, ka qenë autor prozash e poezish në italishte, autor i një studimi etimologjik për gjuhën shqipe e i një vepre historike të titulluar Cronica della Macedonia fino ai tempi di Scanderbeg (Kronikë e Maqedonisë (37) deri
në periudhën e Skënderbeut). Pak kohë pas themelimit, ky seminar u bë qendra intelektuale e bashkësisë shqiptare në ishull, nga ku do të dilnin shumë shkrimtarë e dijetarë me emër. Një ndër studentët e parë e, njëkohësisht, më të shquar të seminarit grek në Palermo ka qenë Nikollë Keta (38) (Nicola Chetta, 1740?-1803). Keta ka lindur (39) në Kundisa (ital. Contessa Entellina), ngulimi më i vjetër shqiptar në Sicili, i themeluar midis viteve 1450 dhe 1467. Në seminar pati mësues Gjergj Guxetën dhe dijetarin Paolo Maria Parrino (40) (1710-1765). Më 1777 Keta u bë vetë rektor i atij seminari. Si poet ka shkruar vargje fetare dhe laike në gjuhën shqipe dhe në greqishte. Ai ka meritën të jetë autori i tingëllimës së parë shqiptare (1777):

"Farie së ndeerme në Kuntisë u bii
Kolë Ketta, vllastar i t'arbrit dhee,
Shkoi në Palermë praa tek e Arbrit shpii,
Ç'e reshti, si zogu rep në folee.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësii,
Për në vapët e përtriijti ndënë hjee,
Si të veshkurin rremp stolis një dhrii,
E nani prift klisha kurorë e vee.

Si zok i sbjerrë praa t'di krahët çoi
Në Palermë e n'Kuntisë, po ktei e atei
Ndeern'e Arbreshet të gjithë gramët kërkoi.



__________________________________________________ _________________

në pjesën më të madhe ishin me prejardhje ortodokse. Edhe sot, ndonëse i thonë vetes katolikë, arbëreshët i ruajnë ritet e tyre të kishës greke bizantine. Prandaj edhe emri i parë i fshatit arbëresh Piana degli Albanesi (Hora e arbëreshëvet) afër Palermos, i themeluar më 1488, në fillim ka qenë Piana dei Greci.

35 Kolegji grek i Palermos (më pas i njohur me emrin seminari greko-shqiptar, e më pas akoma me emrin seminari italo-shqiptar) nuk është më, ndonëse ndërtesa në 'Via del Seminario Italo-Albanese' në qendër të Palermos është ende pronë e kishës arbëreshe të Horës
së Arbëreshëvet. Sot ajo godinë i është lëshuar me qira qeverisë për shkollë publike.

36 kr. D'Angelo 1798 dhe R. Petrotta 1956.

37 Termi 'Maqedoni' këtu dhe në veprat e tjera bashkëkohëse të arbëreshëve shënon Shqipërinë qendrore e jo atë Maqedoni që njohim sot.

38 kr. Schirò junior 1969, Shuteriqi 1976, f. 120, 130-132, 153-155, dhe 1977, f. 179-204, Sedaj 1990, Mandalà 1992, dhe Chetta 1992, 1993.

39 Gangale 1973, f. 57, thotë se në dorëshkrime ka gjetur të dhëna që të bëjnë të mendosh se Keta ka lindur më 1723, dhe ngul këmbë se viti 1740, që mbahet përgjithësisht si vit i lindjes, është gabim i Petrottës.

40 kr. Sciambra 1967.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
Si krymp mundafshi gjith e svis vetëhei
E ktë vistaar tuar, kjëndisi e shkroi,
Se të kjosëj gjithë Arbrin ndjeer përtei."

(Nga fis i ndershëm lindi në Kundesa
Kolë Keta, pinjoll i dheut të Arbërisë
Shkoi në Palermo pra te shtëpia e Arbrit
Që e priti si zog të njomë në fole.

E veshi e e ngjeshi me zakon, me urtësi,
Dhe në vapë e përtëriti nën hije,
Ashtu si rrembin e vyshkur stolis një dhri,
Dhe tani është prift, në kishë vë kurora.

Si zog i zbjerrë të dy krahët i çoi,
Në Palermo e në Kundisa, këndej e andej,
Në shkrimet e tij nderin e arbëreshëve kërkoi.

Si krimb mëndafshi u shua prej vetiu,
Dhe këtë visar tori, qëndisi e shkroi
Që të qoste gjithë Arbërinë gjer përtej.)

Më 1763 Keta hartoi një fjalor italisht-shqip prej 240 faqesh, i cili më 1779 u zgjerua mjaft deri në 640 faqe me rreth 10.000 fjalë. Një kopje e këtij Vocabulario italiano-albanese ende e pabotuar ruhet në Koleksionin Shqiptar në Bibliotekën Mbretërore në Kopenhagë (41). Libri i tij Tesoro di notizie su de' Macedoni, 1777 (Thesar njoftimesh mbi maqedonët), në kapakun e brendshëm të të cilit u zbulua tingëllima e mësipërme, është një trajtesë historike etnografike në italishte, deri diku jo pa atë shkallë fantazie tipike për kohën, për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve e të emigrimit të tyre në Itali. Ajo u botua pjesërisht në revistën La Sicilia në Palermo më 1867 (42). Vëllimi i parë trajton etnogjenezën e shqiptarëve deri në

__________________________________________________ _________________

41 kr. Gangale 1973 dhe 1977 për këtë e për dorëshkrime të tjera të Ketës dhe për veprat e shkrimtarëve të tjerë të vjetër arbëreshë në Koleksionin Shqiptar (Albansk Samling) në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës. Pjesën më të rëndësishme të këtij koleksioni e përbëjnë librat dhe dorëshkrimet e lëna nga dijetari i madh indo-evropianist dhe albanologu Holger Pedersen (1867-1953) mbas vdekjes. Louis Hjelmslev (1899-1965), vetë gjuhëtar i shquar dhe drejtor i Institutit të Gjuhësisë në Kopenhagë, kishte planifikuar të ngrinte një qendër studimesh shqiptare në kryeqytetin danez dhe dërgoi në Itali lektorin e tij të shqipes Xhuzepe Gangale (Giuseppe Gangale, 1898-1978) për të kërkuar dorëshkrime të tjera. Gangale i lindur vetë në Kalabri, gjeti, siguroi dhe bleu shumë dorëshkrime të vlefshme dhe botime të vjetra të letërsisë shqiptare për të cilat, me sa duket, askush nuk interesohej e nuk kujdesej asokohe. Arka plot me këto thesare morën rrugën për në Kopenhagë dhe, pasi u la projekti për një qendër studimesh shqiptare, u depozituan në sektorin e dorëshkrimeve të Bibliotekës Mbretërore. Për Xhuzepe Gangalen, emri i të cilit ka mbetur jo vetëm për këto zbulime, por edhe për veprimtaritë në mbështetje të kulturës Reto-Romane të Zvicrës, kr. biografinë e shkruar nga e veja e tij Margarita Uffer 1986. Kr. edhe Dhrimo & Lafe 1974, 1975.

42 kr. Spata 1870. Fragmente që trajtojnë seminarin grek janë botuar në Chetta 1985. Një kopje e dorëshkrimit origjinal të Thesarit është zbuluar kohët e fundit në 'Biblioteca
__________________________________________________ _________________

periudhëm romake dhe përhapjen e krishterimit; vëllimi i dytë trajton historinë e shqiptarëve nga periudha romake e deri në ditët tona, kurse vëllimi i tretë - emigrimin nga Shqipëria dhe Greqia në Italinë e jugut si dhe themelimin e seminarit grek në Palermo. Keta ishte poet me imagjinatë krijuese, ndonëse vargu i tij, me sa mund të gjykojmë sot për sot, nuk shquhet për ndonjë frymëzim të thellë, për metrikë të përpunuar apo për mjeshtëri gjuhësore. Rëndësia e tij, përgjithësisht, qendron më fort në larminë dhe shumanshmërinë e interesave dhe përpjekjeve si leksikograf e gjuhëtar, si një historian romantik i ndikuar mjaft nga Parrino dhe Guxeta, si teolog me prirje neoplatonike, dhe si figurë publike e fetare në detyrën e rektorit të seminarit grek. Por vlerësimi përfundimtar për Nikollë Ketën dhe veprën e tij mund të bëhet vetëm pasi dorëshkrimet të jenë botuar e studiuar si duhet.

Ndër poetë të tjerë shqiptarë nga Sicilia në shekullin e tetëmbëdhjetë mund të përmenden Jovan-Krisostomo Guxeta (43) (ital. Giovanni-Chrisostomo Guzzetta, 1700-1770), prift arbëresh nga Hora e Arbëreshëvet, nip i Gjergj Guxetës dhe autor vjershash fetare; Nikollë Suli (ital. Nicolò Suli, vd. 1785), prift nga Pallaci (ital. Palazzo Adriano) dhe zëvendësrektor i seminarit grek në Palermo, që ka qenë autor i një vjershe shqip të datuar 1757; Xhuzepe Barça (44) (ital. Giuseppe Barcia) nga Pallaci, autor i një vjershe didaktike të shkruar më 1753 me titullin Njeriu i harroshëm; Andrea Filja (ital. Andrea Figlia), prift dhe kapelan i Regjimentit Maqedon Perandorak të krijuar nga mbreti i Dy Sicilive, autor i një vjershe në Kodikun e Qeutit (45), që mban datën 1770; dhe Jovan Thoma Barbaçi (ital. Giovanni Tommaso Barbaci, 1742-1791) nga Munxifsi, famullitar i kishës ortodokse në Napoli dhe, ashtu si Andrea Filja, kapelan i Regjimentit Maqedon Perandorak, për të cilin thuhet se ka qenë mësues i greqishtes në Trapani. Barbaçi përmendet për një vjershë fetare me titullin O ti çë helme shkove, kushtuar Shën Mërisë (46).

Edhe pse arbëreshët e Sicilisë, padyshim për shkak të stimulit kulturor të seminarit grek të Palermos, mund të kishin hedhur më herët themelet e një letërsie arbëreshe, na duhet të kthehemi te malet e Kalabrisë për të gjetur poetin e parë arbëresh vërtet të talentuar, Jul Varibobën (47) (ital. Giulio Varibobba, 1724-1788), i vështruar nga shumë të tjerë si poeti i parë i vërtetë në mbarë letërsinë shqiptare. Variboba lindi në fshatin Mbuzat (ital. San Giorgio Albanese) në krahinën e Kozencës, në një familje me prejardhje, thuhet, nga Mallakastra në Shqipërinë jugore. Ndoqi studimet në seminarin Korsini (Corsini) në Shën Benedhiti (ital. San Benedetto Ullano), qendër e dijes dhe e shkollimit për klerin bizantin grek. Ky seminar (48), i themeluar më 1732 nga Papa Klementi

__________________________________________________ _________________
Centrale della Regione Siciliana' në Palermo nga Eleuterio Massi. kr. Sedaj 1990.

43 kr. Schirò senior 1923.

44 kr. Schirò senior 1923, f. 78-80.

45 kr. Marchianò 1908a, f. 86-89.

46 Një variant i kësaj vjershe në dorëshkrim ruhet në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë me Nr. II 6. kr. Gangale 1973.

47 kr. Librandi 1897, 1928, Schirò junior 1944, Demiraj 1953, 1956, 1958, Lambertz 1956, Minisci 1959, Ferrari 1963, Cucci 1968, 1969, Gradilone 1974, f. 273-281, Laudone 1981, dhe Fortino 1984 dhe 1986.

48 kr. Zavarroni 1750, dhe Rodotà 1763.
__________________________________________________ _________________

XII, pati ndikim në zhvillimin kulturor të arbëreshëve të Kalabrisë në shekullin e tetëmbëdhjetë, të ngjashëm me atë të seminarit grek në Palermo për arbëreshët e Sicilisë. Variboba, një nga studentët e parë të seminarit, u shugurua prift më 1749 dhe u kthye në Mbuzatin e tij për të ndihmuar të atin e moshuar Xhovani, kryeprift i famullisë. Qysh gjatë studimeve në seminarin Korsini, Variboba kishte pasur një parapëlqim të theksuar për ritet latine (katolike) përkundër ritit tradicional grek bizantin në kishën arbëreshe (49). Me kalimin e kohës përkrahja e tij për kalimin në ritin katolik ngjalli mjaft kundërshtime dhe i dha emër jo të mirë si në famullinë e tij ashtu edhe në hierarkinë kishtare vendore në Rossano, sidomos pas thirrjes së drejtpërdrejtë që i bëri Papës. Me sa duket u detyrua të emigrojë, në fillim në Kampanjë e pastaj në Napoli, e më 1761 u vendos në Romë, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës. Variboba vdiq ditën e fundit të vitit 1788.

Me gjithë trazirat e këtyre viteve, Variboba duhet të ketë kaluar edhe periudha të qeta, sepse menjëherë pas ardhjes në Romë u botua Ghiella e Shën Mëriis Virghiër, Romë 1762 (Jeta e Shën Mërisë së Virgjër), i vetmi libër arbëresh i shtypur në shekullin e tetëmbëdhjetë. Kjo poemë prej 4717 vargjesh, me një strukturë pjesësh jo fort të lidhura, e shkruar tërësisht në dialektin e Mbuzatit dhe e ngarkuar me mjaft fjalor të italishtes së Kalabrisë, i kushtohet jetës
së Shën Mërisë nga lindja deri në Ngjitjen në qiell. Duke u nisur nga jeta e poetit dhe nga qëndrimi i tij i patundur polemik ndaj riteve të kishës, mund të mendohej se kjo do të ishte poezi e meditimit të thellë shpirtëror, Ndërkaq, Ghiella dëshmon më shumë për një tonalitet lirizmi e balade popullore, duke përdorur Kalabrinë e Varibobës si sfond të lindjes dhe duke i shndërruar personazhet besimtarë të Dhjatës së Re në fshatarë truplidhur kalabrezë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Variboba nuk e ka shoqin në letërsinë e vjetër shqiptare si për ndjeshmërinë e kthjellët e të thjeshtë poetike ashtu edhe për larminë e shprehjes ritmike, ndonëse cilësia artistike e tij ka dallime të mëdha nga një varg te tjetri. Forca e 'Jetës së Shën Mërisë së Virgjër', e ndërthurur siç është me këngë popullore, qëndron madje në stilin realist e konkret, shpesh të përshkuar nga humori e naiviteti, si dhe në ngjyrimin e freskët lokal të figuracionit që i jep autori. Një nga pjesët më karakteristike, e përmendur shpesh është Kënka e të zgjuarit, në të cilën Shën Mëria e zgjon me kujdes të voglin e saj për të marrë adhurimin e barinjve të thjeshtë, Nikollës, Frangut, Xhuditës, Elizabetës, etj., të gjithë me dhurata nga fshati.

"Zgjou, bîr, jo më gjum', 
Zgjou, se më fjëjte shum', 
Jeta ime, via, m'u zgjo, 
Zgjou se bëre nino.
Vjen një lleg pekurâr
Pruçësjon' të vizitâr
Gjeq si lozën, si këndonjën, 
Dhên e dêtin çëmonjën. 
Karramunxa e fishkarol, 
Surdullina e rrusinjol
Mîr bukur u nguallâr,
O çë vjersh të rrikrjâr!..." (50)

(Zgjohu bir, jo më në gjumë, 
Zgjohu se më fjete shumë,

__________________________________________________ _________________

49 Për këtë konflikt brendapërbrenda kishës arbëreshe, kr. Bartl 1969.

50 Transkriptimi i tekstit shqip është nga Fortino 1984.
__________________________________________________ _________________ 

Zgjohu shpirti im, m'u zgjo
Zgjohu se bëre nino.
Të kanë ardhur barinjtë 
Një pas një për të të parë 
Shih si lozin, si këndojnë T
okë e det po ushtojnë Gajde e fyej
Me kallama e pipa
Mirë e bukur tingëllojnë
Për ty këngë që të gëzojnë!...)

Para jetës së Shën Mërisë janë vënë dy hyrje të shkëlqyera në prozë: Oi e ndeermia Regin (O e nderuara Mbretëreshë) dhe Oi ti cië diavasën (O ti që më lexon), të cilat përcjellin mjaft nga stili i poetit dhe ku ai shpjegon synimet e tij. Proza e parë nis kështu:

"Të vjen somenat mbë tries një pem' e rê, çë nëng' e kê pravuar maj, çë kûr jê ndër qiell. Ësht një cik skallangure, dimërore e e egër, vërtet: fare duket e bukur, si ato të tjerat çë ngâ dit të sjellën rrigâll vasalt' e tû. Ma mos e rrëze, oj Zonja e Sh. Mërî. Pravê edhe këtë, ashtu të ruat Krishti. U dî se një hêr një rregj dheu hëngër dica gorrica e tha: "Thom të vërtetën, s'kam ngrën' maj pem' kaq t'ëmbëla si këto." I tha rregji ahiera kto fjal' jo se veramende gorricat jan' t'ëmbëla, ma se ai kûr i hëngër kish' û, e andajna i dukëshin cukar. Ora fjasëm pâ llatine na të di, Zonja e Sh. Mërî. E kê pritur maj, të kâ qën' rrigallârtur një rrim' e arbëresh mbë ktë manêr e kaq e gjat si ë kjo çë somenat ta vë ndër duar? U e dî se ndër gjith gjuhët të tjera kê pasur aq rrima të gjata, të ëmbëla e të bukura sa së kanë kund e nëmër, ma ndë gjuhët tën' arbërisht mund thom se kjo ësht e para çë të vjen nani. Kjo çë të rrëfien gjith gjellën tënde, gjith harêt edhe dhulluret e gozhdët çë të shpuan zëmërën kûr ishe ndë ktë jet'. Nj' atër kënk si kjo çertu se ne e kê pasur maj, ne mëngë t'Arbëresht e kanë pandehjur. Ësht gjuha arbërisht aq frushkullorea, aq çota, aq e përbëtalëmea, sâ me të duket se jo jatër fjalë mund thuhen, mose mallkime, nëm', të shara, o veramende për turp. Ma për racjona, për predhika, për shërbise spirituâll e për urtërî ndë do të beç të qeshënjën sa ze fîll e fol arbërisht."


Poeti i fundit kalabrez i shekullit të tetëmbëdhjetë, nga i cili kemi deri në ditët tona një vepër në gjuhën shqipe është Stefan Bafa (ital. Stefano Baffa, vd. 1808) nga Shën Sofia (ital. Santa Sofia d'Epiro). Prej tij ka mbetur një poemë 320 vargjesh në gjuhën shqipe mbi shkatërrimin e kolegjit të Shën Adrianit në Shën Mitër më 1799, ngjarje që e pa me sytë e vet gjatë kohës së turbullt të Napoleonit. Ferdinandi IV i Napolit kishte dekretuar mbylljen e seminarit Korsini në Shën Benedhit më 1794 dhe transferimin e tij në manastirin e Shën Adrianit (51) në Shën Mitër në anën tjetër të luginës së Kratit. Kjo poemë me tetëdhjetë strofa katërshe me rimë AABB, që mendohej se kishte humbur prej kohësh, u botua në Grottaferrata më 1971. Nga seminari Korsini, si para dhe pas transferimit në Shën Mitër, kanë dalë një numër

__________________________________________________ _________________

51 Kolegji arbëresh në manastirin Bazilian të Shën Adrianit, i themeluar më 955 të erës sonë nga Shën Nili i Rossanos (910-1004), vazhdoi të veprojë për shumë vjet si qendër e dijes për popullatën arbëreshe të Kalabrisë. Godina, e cila gjendet në një breg jashtë Shën Mitrit, u braktis më 1970 dhe sot është gërmadhë. Në një godinë ngjitur është një shkollë e mesme publike ku mësimi jepet vetëm italisht. kr. Argondizza 1884, Mazziotti 1908/1994, Cucci 1977, Cassiano 1981, dhe Cava 1984.

__________________________________________________ _________________

dijetarësh dhe shkrimtarësh arbëreshë me rëndësi të drejtpërdrejtë për përparimin e kulturës arbëreshe në Kalabrinë e shekullit të tetëmbëdhjetë. Françesk Avati (52) (ital. Francesco Avato, 1717-1800), lindur në Maq (ital. Macchia Albanese), ka qenë njëri nga studentët e parë të kolegjit në Shën Benedhit, rektor i të cilit u bë më pas. Më vonë u emërua profesor i greqishtes në Universitetin e Urbinos, ku edhe vdiq. Avati përmendet si një nga mbledhësit sistematikë më të parë të këngëve popullore shqiptare në Kalabri. Një student tjetër i këtij seminari ishte Mikel Belushi (ital. Michele Bellusci, 1754-1806) nga Frasnita (ital. Frascineto), i cili i këndon lavdisë së popullit të vet shqiptar në një vepër të shkruar italisht me titull Risposta di Filalete a Monsignor Cardamone, Napoli 1796 (Përgjigja e Filaletës për Imzot Kardamonen). Ai është edhe autori i një përmbledhjeje me dyzet e dy rapsodi të shkruara shqip (53). Paskuale Bafa (54) (ital. Pasquale Baffa, 1749-1799) nga Shën Sofia, ishte një filolog i shquar klasik i kohës. Ai mbajti katedrën e latinishtjes e greqishtjes në Salerno më 1769 si dhe katedrën e studimeve klasike në Napoli më 1773. Pas restaurimit të Burbonëve u dënua me vdekje më 11 nëntor 1799 për shkak të veprimtarisë së tij politike. Me seminarin Korsini është i lidhur edhe Feliçe Samuele Rodota (ital. Felice Samuele Rodotà, 1691-1738) nga Shën Benedhiti, drejtori i parë i tij dhe i pari peshkop greko-shqiptar, i emëruar më 1733. I vëllai më i vogël Pietro Pompilio Rodotà (55) (l. 1707) u shkollua në kolegjin grek në Romë dhe më pas u emërua përkthyes i greqishtes në Bibliotekën e Vatikanit. Ai është autori i një vepre të rëndësishme për historinë e kishës në Itali e në Shqipëri të titulluar Dell'origine, progresso e stato presente del rito greco in Italia, Romë 1758, 1760 dhe 1763 (Mbi prejardhjen, ecurinë dhe gjendjen e sotme të ritit grek në Itali).

Shekulli i tetëmbëdhjetë dëshmoi një lulëzim të plotë të veprimtarive kulturore ndër arbëreshët, përfshirë edhe fillimet e një letërsie arbëreshe në Sicili e në Kalabri. Kjo letërsi u zhvillua krejt e pavarur nga prodhimi letrar kristian i shekullit të gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë në Shqipëri, i cili u ndërpre e u shua me pushtimin turk të vendit.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
7.3 Gjurmë të fundit të shkrimeve katolike në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë



Në Shqipërinë e shekullit të tetëmbëdhjetë nuk u krijua një letërsie e vërtetë në traditën katolike. Megjithatë kemi në dorë një numër të vogël dokumentesh të rralla në gjuhën shqipe, të gjitha të lidhura në një farë mënyre me Italinë.
Në fillimin e shekullit të tetëmbëdhjetë Roma pati, për të parën e të vetmen herë, një papë me prejardhje shqiptare, Klementin XI (Papë në vitet 1700-1721). Më 1702, Klementi XI urdhëroi peshkopin kroat Viskë Zmajeviqi (Vincentius Zmajevich, 1670-1742) të Tivarit (Antivari) për të raportuar mbi gjendjen e kishës katolike në Shqipërinë e veriut. Ky kryepeshkop e vizitoi Shqipërinë për tre muaj si 'Vizitor apostolik i Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë' dhe përgatiti një raport për vendin e vogël, për 'natione prediletta' e tij (kombin e parapëlqyer), të titulluar Notitie universali dello stato di Albania (Shënime të

__________________________________________________ _________________

52 kr. Shuteriqi 1975 dhe 1977, f. 160-178.

53 kr. Ferrari rreth 1965.

54 kr. Cava 1971; Tomori i vogël, Tiranë, 1942, nr. 8, f. 1-2..

55 kr. Scaglione 1921, f. 17; Leka, Shkodër, 1938, f. 350-351; Karalevskij 1950.
__________________________________________________ _________________

përgjithshme mbi gjendjen e Shqipërisë) (56), i cili ka shërbyer si burim parësor të dhënash për Shqipërinë e veriut të fillimit të shekullit të tetëmbëdhjetë. Me rastin e vizitës së kryepeshkopit, u mbajt një kuvend, i quajtur Kuvendi i Arbënit (57), në Mërqi afër Lezhës në dhjetor 1703. Si fjala e hapjes së Zmajeviçit ashtu edhe vendimet e Kuvendit qenë hartuar në gjuhën shqipe. Këto dokumente me rëndësi historike, gjuhësore dhe kishtare u dërguan në Romë për t'u parë nga Papa dhe u botuan shqip dhe latinisht nga Propaganda Fide më 1706 me ndihmën e Françesk Maria da Leçes O.F.M (ital. Francesco Maria da Lecce). Ato përbëjnë një burim me vlerë për njohuritë tona mbi gjuhën e Shqipërisë veriore në fillimin e shekullit të tetëmbëdhjetë.

Vetë Da Leçe, misionar dhe gjuhëtar italian, kishte qenë dërguar në Shqipëri nga Propaganda Fide më 1692 si prefekt apostolik i misioneve dhe kishte mësuar atje shqipen gjatë veprimtarisë së tij misionare. Një çerek shekulli më pas ai botoi librin Osservazioni grammaticali nella lingua albanese, Romë 1716 (Vëzhgime gramatikore mbi gjuhën shqipe), si e para gramatikë e shqipes e botuar ndonjëherë (58). Kleriku françeskan Da Leçe ka qenë edhe autori i një fjalori italisht-shqip (59) të shkruar para vitit 1702, i përmendur si më i zgjeruar se ai i Frang Bardhit (1635). Një kopje e këtij fjalori gjendej në Palermo deri në vitin 1890, kurse për një kopje tjetër ka fjalë se ruhet në arkivin e Propaganda Fides në Romë.

Gjon Nikollë Kazazi S.J. (1702-1752), i njohur në latinishte si Johannes Nicolevich Casasi dhe në italisht si Giovanni Battista di Nicola Casasi, lindur më 1 janar 1702 në Gjakovë, ka qenë autori i një përkthimi në shqipe të një Breve compendio della Dottrina Cristiana, Romë 1743 (Përmbledhje e shkurtër e Doktrinës së Krishterë) (60), i cili përbën të parin dokument të shkruar në dialektin e Gjakovës. Kazazi studioi për teologji në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës dhe në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku dhe mori titullin e doktorit në teologji e filozofi. Më pas u bë kryepeshkop i Shkupit derisa vdiq më 5 gusht 1752. Pikërisht gjatë studimeve në Kolegjin e Propaganda Fides, më 1740, Kazazi bëri zbulimin monumental të së vetmes kopje të mbetur të librit më të vjetër shqip, Meshari-t të Gjon Buzukut të vitit 1555. Ai bëri një kopje të pas-thënies dhe ia dhuroi Gjergj Guxetës, themeluesit të sipërpërmendur të seminarit grek në Palermo.

Po në këtë hulli është një Bonaventura Prucher, prift italian nga Kastel Xhovio (ital. Castel Giovio) me shërbim si misionar në Shqipëri. Ai është autori i një katekizme italisht- shqip, të cilit me sa duket i është vënë si shtojcë një fjalor italisht-shqip. Të dyja këto vepra, pjesë të një dorëshkrimi të shkruar para vitit 1752, ruheshin deri më 1765 në Propaganda Fide. Se çfarë u bë më vonë me këto vepra, nuk ka të dhëna.

__________________________________________________ _________________

56 kr. Bartl 1972 dhe 1975/1979.

57 kr. Stadtmüller 1956, P. Malaj 1971-1972, Bartl 1972, 1975 dhe 1979, dhe Ismajli 1985.

58 Një gramatikë e shqipes dhe një fjalor italisht-shqip më të hershëm, që tani i vishen Diego da Desios (Didacus a Desio), mbeti e pabotuar asokohe. Ruhet një kopje që mban datën 1710 në manastirin e Grottaferratës dhe është botuar nga Ismajli, 1982.

59 kr. Mandalà 1994, 1995.

60 kr. Shuteriqi 1976, f. 110-111.

__________________________________________________ _________________

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
7.4 Jeronim De Rada dhe letërsia arbëreshe e shekullit të nëntëmbëdhjetë





Jeronim De Rada (61) (ital. Girolamo De Rada, 1814-1903), është jo vetëm shkrimtari më i mirënjohur i letërsisë arbëreshe, por edhe figura më e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare në Italinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Bir i një prifti ortodoks në Maq (ital. Macchia Albanese) në malet e krahinës së Kozencës, De Rada lindi më 29 nëntor 1814 dhe ndoqi Kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër. Tashmë i mbrujtur me dashuri të zjarrtë për prejardhjen e tij shqiptare, që në rini nisi të mbledhë material folklorik. Në tetor 1834, duke përmbushur dëshirën e të atit, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Napolit, por interesimet e tij kryesore mbetën folklori dhe letërsia. Pikërisht në Napoli më 1836 De Rada nxori botimin e parë të poemës së tij më të mirënjohur shqip 'Këngët e Milosaos', nën titullin italisht Poesie albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, figlio del despota di Scutari (Poezi shqiptare të shekullit XV. Këngët e Milosaos, bir i despotit të Shkodrës). Për shkak të një epidemie kolere që pllakosi Napolin u detyrua të braktisë studimet e të kthehet në shtëpi në Kalabri. Vepra e tij e dytë, Canti storici albanesi di Serafina Thopia, moglie del principe Nicola Ducagino, Napoli 1839 (Këngë historike shqiptare të Serafina Topisë, gruaja e princit Nikollë Dukagjini) nuk u la të qarkullojë nga autoritetet Burbone për shkak sikur De Rada kishte lidhje me grupet komplotiste gjatë Risorxhimentos italiane. Kjo vepër u ribotua me titullin Canti di Serafina Thopia, principessa di Zadrina nel secolo XV, Napoli 1843 (Këngët e Serafina Topisë, princeshës së Zadrimës në shekullin e 15-të) dhe më pas në një variant të tretë me titullin Specchio di umano transito, vita di Serafina Thopia, Principessa di Ducagino, Napoli 1897 (Pasqyrë e jetës njerëzore, jeta e Serafina Topisë, princeshë e Dukagjinit). Tragjedia e tij historike italisht I Numidi, Napoli 1846 (Numidët), e ripunuar gjysmë shekulli më vonë me titullin Sofonisba, dramma storico, Napoli 1892 (Sofonisba, dramë historike), nuk pati jehonë të gjerë publike. Në vitin e revolucioneve, 1848, ai themeloi gazetën L'Albanese d'Italia (Shqiptari i Italisë), në të cilën përfshiheshin artikuj në gjuhën shqipe. Kjo gazetë dygjuhëshe, një 'giornale polìtico, morale, letterario', me një tirazh në fund prej 3200 kopjesh, ishte i pari periodik në gjuhën shqipe që është botuar ndokund.

Emri i Jeronim De Radës si katalizator i ndërgjegjes kombëtare shqiptare u bë i njohur e u përhap në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai mbajti letërkëmbim me figura të tilla udhëheqëse të lëvizjes së Rilindjes si Thimi Mitko (1820-1890), Zef Jubani (1818-1880), Sami Frashëri (1850-1904) dhe Dora d'Istria (1828-1888), si dhe me studiues e shkrimtarë të huaj të interesuar për Shqipërinë, si albanologu francez Ogyst Dozon (Auguste Dozon, 1822-1891), baronesha Jozefin fon Knorr (Josephine von Knorr, 1827-1908) dhe gjuhëtari austriak Gustav Majer (Gustav Meyer, 1850-1900). Ai pati inkurajimin edhe të poetit e politikanit francez Alfons de Lamartin (Alphonse de Lamartine, 1790-1869), që qëndroi për një kohë në Iskia. Poeti provansal Frederik Mistral (Frédéric Mistral, 1830-1914), romani i të cilit në vargje Mirèio (1859) që jo rastësisht ka afërsi me veprën e De Radës, ka shprehur adhurimin e vet për Këngët e Milosaos. Që më 1856, vargje të De Radës ishin përkthyer në gjermanishte nga

__________________________________________________ _________________


61 Literatura për Jeronim De Radën është relativisht e gjërë: kr. Marchianò 1902, Douglas 1930, Gualtieri 1930, Gradilone 1960, f. 11-114, 1983, f. 13-38, Kastrati 1962c, Ruberto 1966, Valentini 1964, Koliqi 1972b, f. 81-116, dhe Qosja 1984, vëll. 2, f. 35-184. Për studime të veçanta mbi stilin poetik të De Radës, kr. Pipa 1969b, 1970, 1973, 1977, 1978b, 1982, Desnickaja 1985a, 1985b, K. Kodra 1988, Altimari 1991b, Hamiti 1993a, Kabashi 1994, dhe Pipa 1994.
__________________________________________________ _________________

Hajnrih Kristof Gotlib Shtir (Heinrich Christoph Gottlieb Stier) (62).
I shkurajuar nga ngjarjet e vitit 1848, Jeronim De Rada e la botimin e L'Albanese d'Italia, iku nga Napoli dhe u kthye në Shën Mitër për të dhënë mësim në shkollë. Atje arriti të përfshijë gjuhën shqipe në programin mësimor, por u pushua nga puna më 1853 për shkak të bindjeve politike liberale. Më 1850 u martua me Madalena Melikion (ital. Maddalena Melicchio) nga Kajverici (ital. Cavallerizzo) me të cilën pati katër fëmijë: Xhuzepe, Mikelanxhelo, Rodrigo, Ettore, të cilët vdiqën të gjithë sa qe gjallë ai vetë. Këto ishin vite të vështira për De Radën, i cili u mbyll edhe më tepër në vetvete për shkak të humbjes më vonë të gruas dhe të vëllezërve, dhe jetoi i vetmuar në fshatin e tij malor të Kalabrisë, me sa dimë pa ndonjë burim të mirë të ardhurash. Në një çast dëshpërimi, asgjëson gjithë atë përmbledhje këngësh popullore që i kishte mbledhur me aq dëshirë të flaktë vit pas viti. Më 1868 arriti të marrë një detyrë si drejtor i shkollës së mesme të Garopolit në Koriliano Kalabro, detyrë që do ta mbante për dhjetë vjet. Pikërisht gjatë kësaj periudhe u shtypën një numër veprash të tjera të tij, pjesa më e madhe në italishte: Principii di estetica, Napoli 1861 (Parime të estetikës), Antichità della nazione albanese e sua affinità con gli Elleni e i Latini, Napoli 1864 (Lashtësia e kombit shqiptar dhe afëria e tij me grekët e latinët), Rapsodie d'un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano, Firence 1866 (Rapsodi nga një poemë shqiptare të mbledhura në ngulimet e krahinës së Napolit), Scanderbeccu i pafaan (Skënderbeu i pafat) në katër botime, Koriliano Kalabro 1872, 1873, Napoli 1877, 1884, dhe Quanto di libertà ed ottimo vivere sia nello stato rappresentativo, Napoli 1882 (Sa liri e mirëqenie ka në shtetin me përfaqësues).

Më 1883 ai themeloi revistën mujore dygjuhëshe Fiàmuri Arbërit - La bandiera dell'Albania. Ky periodik, i botuar në fillim në Maq e më pas në Kozencë 'nga një komitet fisnikësh nga Shqipëria dhe ngulimet e saj', zgjati deri në nëntor 1887 dhe, me gjithë censurën turke e greke, lexohej gjerësisht edhe nga shqiptarët në Ballkan.

Më 1892 De Rada u riemërua mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqiptare në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër dhe më 1895 organizoi të parin kongres gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro. Gjithashtu, mori pjesë aktive në Kongresin e dytë gjuhësor arbëresh në Ungër (Lungro) dy vjet më vonë, në të cilin ai bëri thirrje për të ngritur një katedër shumë të nevojshme të studimeve shqiptare në Institutin Oriental në Napoli (63). Në këto vite të fundit të jetës ai botoi një Caratteri e grammatica della lingua albanese, Koriliano Kalabro 1894 (Shkronjat dhe gramatika e gjuhës shqipe) mbi bazën e leksioneve të mbajtura në kolegjin e Shën Adrianit , një Antologia albanese tradotta fedelmente in italiano, Napoli 1896 (Antologji shqipe e përkthyer besnikërisht në gjuhën italiane), ku përfshihen poezi të zgjedhura nga Variboba, Santori, etj. dhe një autobiografi në katër vëllime të titulluar Autobiologia, Kozencë 1898, Napoli 1899. Pak para se të vdiste, botoi edhe një Testamento politico, një përmbledhje kjo e pikëpamjeve të tij politike e kulturore, e botuar në La Nazione Albanese më 30 shtator 1902. I vetmuar e i varfër, gjysmë i verbuar e në prag të urisë, Jeronim De Rada vdiq në vendlindje në malësinë e Kalabrisë më 28 shkurt 1903 - një fund tragjik ky për një figurë të madhe të kulturës shqiptare.

Para se të bëhej entitet politik, Shqipëria ishte bërë realitet poetik në veprat e Jeronim De Radës. Përfytyrimi i një Shqipërie të pavarur tek ai në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nga një dëshirë e thjeshtë erdhi e u kthye në një objektiv politik realist, për të cilin ai u angazhua në mënyrë të zjarrtë. De Rada qe lajmëtari dhe zëri i parë i dëgjueshëm i lëvizjes romantike në letërsinë

__________________________________________________ _________________

62 kr. Stier 1856.

63 Por në këtë katedër më 1901 nuk u caktua plaku De Rada, por poeti e studiuesi i ri arbëresh Xhuzepe Skirò plaku (1865-1927) nga Hora e Arbëreshëvet.
__________________________________________________ _________________

shqiptare, lëvizje e cila, e frymëzuar nga energjitë e tij të pashtershme në emër të zgjimit kombëtar ndër shqiptarët e Italisë e në Ballkan, do të zhvillohej në një romantizëm kombëtar karakteristik për periudhën e Rilindjes në Shqipëri. Veprimtaria e tij publicistike, letrare e politike ishte mjet jo vetëm për të zhvilluar vetëdijen e bashkësisë arbëreshe në Itali, por edhe për të hedhur themelet e një letërsie kombëtare shqiptare. Më e njohura ndër veprat e tij letrare është Këngët e Milosaos që përmendëm më lart, baladë e gjatë romantike që pasqyron dashurinë e Milosaos, një personazh i trilluar, djalosh fisnik në Shkodrën e shekullit të pesëmbëdhjetë, i cili është kthyer në shtëpi nga Selaniku. Këtu, tek burimi i fshatit, ai takon Rinën, vajzën e bareshës Kollogre, dhe bie në dashuri me të. Të dy të rinjtë e dashuruar u përkasin shtresave shoqërore të ndryshme, gjë që e pengon për një kohë të gjatë bashkimin e tyre, derisa vjen një ditë kur një tërmet shkatërron edhe qytetin edhe krejt fytyrën e dallimeve klasore. Pas martesës jashtë vendit u lind një foshnje. Por periudha e lumturisë martesore nuk zgjat shumë. I biri dhe e shoqja e Milosaos vdesin pas pak kohe, kurse ai vetë, i plagosur në betejë, jep shpirt në një breg lumi pranë Shkodrës. Këngët e Milosaos janë botuar në tri variante të ndryshme më 1836, 1847 dhe 1873. De Rada vazhdimisht e ndryshonte, e përmirësonte dhe e zgjeronte këtë përmbledhje baladash lirike me frymëzim të fuqishëm romantik, duke e kthyer nga një Milosao të mirëfilltë me njëzet këngë, në një variant përfundimtar shumë më të gjatë me tridhjetë e nëntë këngë. Kënga e parë nis kështu:

"Ljis jeta kishë ndërruar,
Uj të ri ndë dejtit
Kaljthëruar te dit e re;
Por llumbardh e Anakreontit
Ronej Temp e moçëme.
Nd'uj një dit vate të malji
E s'u pruar si kish zakon.
Vet çë atë s'e thajti bora,
S'e përgjaku akulli,
Se m'u resht njera çë ra
Tek e bardha shpia ime.
Kur te drita dheu me shpi
U sbuljua je dejti,
Si garea çë delj për sish,
Mua më zëgjoi, tue fjuturuar
Qeljqevet finestërës.
M'u pataksa e ruata jashtin:
Rusht pak skallankur
Dheut ën i kin hje;
Ljulje ljiu të gapura,
nd'era i tundën e përzien
Nd'at ninulj qeshënjën.
Si ato ljulje qielli.
Ti ruaje e së kuljtoje.
Një mbuin njerëzish.
Kallëzoret mbë dhemat
Mbajn kangjelje. Ka i goi
Ahjena ndër time motëra
Kishi arrën e mëma ime
Emërin tim thoj për ndë shpi.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
Një gare m'u rodh te kurmi,
Si garea mbrëmjes te shtrati,
Kur vajza e ngrohët
Ndien për të parëzën
Sist çë m'i frihjen."


Takimi i parë i Milosaos me të bijën e bareshës në këngën e dytë bëhet, ashtu siç ndodh shpesh në poezinë popullore shqiptare, te burimi i fshatit. Ai ka shërbyer si i vetmi vendtakimi në shoqërinë tradicionale shqiptare, ku të dy sekset, po t'u ecte, mund të këmbenin dy-tri fjalë para se vashat virgjëresha, me sytë e turpshëm ulur përdhe, të ktheheshin në strehën mbrojtëse të familjes.


"Vreshtat in të verdhullore:
Erth ka malji dheljpëra
Me të ljodhëta të bijlat
Porsa paru in të vjelja;
E te hera çë ndër sheshet
Sqepet djelli, si te bota
Ëma çë këntuan një valle,
Vet Fjokat u m'u hjimisa.
E përveshurëz, e ljart,
Me këshen të pjeksurith
Ndë një jetullëz të bardh,
Ish te kroi një vash. Te balli,
Një këshill i kish hje.
I ljidhur te brezi kaljthër,
Skemantilj' i ngit mbë truall.
Mua sa më ndieti,
Shtuara vasha m'u pruar,
Gjifritur, pjono hje.
Me të trëmbur një gare.
Trimi: 'Vajz, më jep ti një pik uj?'
Vajza: 'Sa të duash, ti, birë zoti.'
'Kuj e bilje je ti, vash?'
'Mos më je ti e dheut guaj?'
Kur jesh djalj e Salloniq
Vajta, vajza nëng ishin
Ndë katund me aqë gadhi.
Ndë çerët e dhezurës,
Vucën ajo ngrënej.
'Jam e bilje Kollogres',
Ngrejti ballët e sbuljuar.
Na vejim asaj udh,
Gjëmbat çë virëshin tek udha
Së gërvishtëtin at kopilje:
Me llort të përgjakura,
Ka ballt u më ja reshta.
Di buz të qeshëme,
Nji herje të bardh,
At mbrëma dukëshim."


Më fort se familjet, janë pushteti i zakoneve shoqërore dhe ndërgjegja klasore ato që i pengojnë të rinjtë të lidhen ashtu si dëshirojnë. Për më tepër e detyrojnë vashën që t'i shmanget të dashurit të saj të mundshëm. Ndodh edhe një ndarje, gjatë së cilës Milosaon e pushton dyshimi e dëshpërimi, të cilat nuk i ndahen deri në bashkimin përfundimtar. Në këtë poemë, të rralla janë rastet kur dashnorët takohen vërtet për të folur me njëri-tjetrin. Në këngën e katërt kemi një skenë prekëse të mbrujtur me motivin erotik, që nuk është karakteristik për poezinë shqiptare:


"Ish e diella menat
E i biri zonjës madhe
Ngjitej tek e bukura
Të m'i ljipën një pik uj,
Se ish et' i djegurith.
Vetëm e çoi ndë vatërët,
Çë këshen më pjeksënej.
Ata duhëshin e s'e thoshin.
Vajza, me buzën mbë gaz:
'Ç'ësht e ikën si ajri?'
'Më presën ndë roljiet.'
'Di moll t'ardhura
Qëndro, u tij t'i ruata.'
Me një dor ngrëjturith
Mbanej mbi veshin e bardh
Ljesht e saj të shpjeksurith;
Kalli jetërën te gjiri
E më goljq mollëzit,
Më ja e vu ndë dorjet,
Ndë çerët e dhezurëz.
Thomnie ju, të dashurit,
Nd'ëmbëlj aqë të puthurit."


Edhe 'Këngët e Serafina Topisë' na kthejnë prapa te bota romantike e mjegullt e Shqipërisë së mesit të shekullit të pesëmbëdhjetë. Serafina Topia, bija e dukës së Artës, dhe Bozdar Stresa janë nga dy dyer rivale të kohës së Mesjetës, një Romeo e një Zhuljetë shqiptarë, dashuria e të cilëve ka për të mbetur e papërmbushur. Në këtë romancë gotike të mbushur me magji dhe folklor kalabrez-shqiptar, Serafina sakrifikon lumturinë vetjake për interesat e shtetit, dhe martohet me princin Nikollë Dukagjini me qëllim që, në prag të pushtimit turk, Shqipëria e jugut dhe ajo e veriut të bashkohen. Rruga e jetës e të gjithë personazheve të poemës është e mbushur me fatkeqësi, vuajtje e madje vdekje të parakohshme, pasqyrë kjo e jetës së vetë poetit. Ashtu si me 'Këngët e Milosaos', De Rada i ndryshoi e i rishikoi disa herë 'Këngët e Serafina Topisë', e në çdo variant gjejmë të pasqyruar gjendjen e tij vetjake.

Vepra letrare e tretë më e madhe e De Radës në shqipe është Scanderbeccu i pa-faan (Skënderbeu i pafat) (64), që ai e konsideroi si kryeveprën e tij. Përsëri, edhe kjo seri baladash romantike doli në një radhë botimesh të ndryshme që pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të poetit në kohë të ndryshme. Në vija të trasha, ajo mbulon historinë e bëmave të para të Skënderbeut nga viti 1418 deri më 1444 dhe ndërthuret me shumë intermezo që kanë pak lidhje me të tërën. Skënderbeu, në të vërtetë, del pak në vepër. Edhe pse përmban shumë fragmente me poezi

__________________________________________________ _________________

64 kr. Camaj 1969a.
__________________________________________________ _________________

emocionuese, Scanderbeccu i pafaan nuk është ajo poemë epike tradicionale që mund të pritej prej një pishtari të parë të lëvizjes kombëtare shqiptare. Ajo kalon sa në një çështje në një tjetër, e kjo vihet re sidomos në botimet e mëvonshme. Forcën e vet letrare De Rada nuk e kishte në saktësinë klasike apo unitetin strukturor të veprës. Në përgjithësi, korpusi i poezisë në gjuhën shqipe të Jeronim De Radës është vështirë të gjykohet e madje të skicohet për shkak të një mungese gjithandej të unitetit tematik në të tri veprat e tij kryesore, si dhe për shkak të prirjes së tij për ndryshime të vazhdueshme e botime të rishikuara, çka pasqyron gjendjen shpirtërore, nevojat emocionale dhe pëlqimet letrare në periudha të ndryshme të jetës së tij të gjatë. Në më të shumtën e rasteve, botimet e rishikuara duket se i kanë ulur vlerat letrare të veprave në fjalë. Ndonëse poezia e De Radës në dukje është ndërtuar mbi tema shqiptare, po t'i hysh më thellë, del e bëhet e qartë se, mbi të gjitha, ajo është për vetë De Radën. Nuk është pa baza që albanologu britanik Stuart Man (Stuart Mann, 1905-1986) e ka cilësuar poezinë e De Radës 'të dobësuar për mungesë subjekti e strukture, për gjuhë të errët, dialog të rëndomtë dhe irrelevancë politike' (65). Ndonëse shkrimtar me vlera kulturore të paçmueshme, De Rada nuk është kurrsesi poeti i poetëve. Nuk kemi përshtypje se ishte në gjendje të krijonte në zhanre poetikë të tjerë përveç baladës romantike. Ka kritikë që kanë shkuar aq larg, sa të mos i japin fare merita si poet e shkrimtar (66). Pavarësisht nga këto, Jeronim De Rada prapëseprapë mbetet një figurë e lartë në historinë e letërsisë shqiptare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ai luajti një rol të dukshëm në zgjimin e arbëreshëve nga errësira kulturore e krahinorizmi letrar dhe veproi si katalizator, jehona e të cilit u ndie fort përtej detit në Shqipëri në që ende vuante nën zgjedhën osmane.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
7.5 Poetë romantikë: Françesk Santori, Gavril Dara i Riu dhe Zef Serembe




Zgjimi kulturor romantik i arbëreshëve në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë solli një tjetër shkrimtar me talent origjinal. Françesk Anton Santori (67) (ital. Francesco Antonio Santori, 1819-1894) lindi më 16 shtator 1819 në Picilia (ital. Santa Caterina Albanese) në krahinën e Kozencës. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç filloi mësimet për prift dhe më 1842 hyri në manastirin françeskan të Urdhërit të Reformuar në San Marko Arxhentano fqinje (San Marco Argentano). Atje jetoi tetëmbëdhjetë vjet deri më 1860 dhe pasi nuk arriti të themelojë një manastir në Latariko (Lattarico), aty nga viti 1858, e braktisi jetën e murgut njëherë e përgjithmonë. I kthyer prapë në Picilia, ai tani nisi të shtyjë ditët me një jetë modeste si mësues e si shitës i një vegje të bërë me duart e veta me tri apo katër fije. Më 1885 u caktua prift në famullinë e Shën Japkut (ital. San Giacomo di Cerzeto), ku edhe vdiq në shtator 1894. Santori është autor poezish, pjesësh teatrale, tregimesh, romanesh, përshtatjesh të 112 fabulave të Ezopit si dhe autor i një gramatike të shqipes të shkruar në vargje. Deri vonë pjesa më e madhe e shkrimeve, me një drejtshkrim të tijin e mjaft të vështirë, pati mbetur e

__________________________________________________ _________________

65 kr. Mann 1955, f. 21.

66 kr. Petrotta 1932, f. 219.

67 kr. Straticò 1896, f. 221-238, Z. Kodra 1954a, Gradilone 1974, f. 7-77, Altimari 1982, Qosja 1984, vëll. 2, f. 185-232, K. Kodra 1987, 1990, 1991, Fortino 1991a, 1993, dhe Santori 1993/1994.
__________________________________________________ _________________

pabotuar (68). Ishte ende në të njëzetat kur përfundoi poezinë e parë Canzoniere albanese (Këngëtorja arbëreshe). Kjo poemë e gjatë kushtuar dashurisë dhe bukurive të natyrës doli vetëm tre vjet pas botimit të parë të Këngëve të Milosaos të De Radës dhe në shumë anë mban vulën e De Radës. U ripërgatit për botim më 1975 nga Françesko Solano (l. 1914) dhe më pas në Tiranë nga Andrea Varfi (69). Me rastin e hyrjes në fuqi të kushtetutës napolitane më 1848, ai kompozoi edhe një himn shqip me titullin Vale garees madhe (Vallja e haresë së madhe), e cila u botua në revistën L'Albanese d'Italia të De Radës më 23 shkurt të atij viti. Il prigionero politico, Napoli 1848 (I burgosuri politik) është një rrëfim poetik në italishte, me disa pjesë në shqipe, për peripecitë e një familjeje të përndjekur gjatë revolucionit italian më 1848.

Spontaniteti dhe lirshmëria me të cilën Santori kalon nga italishtja në shqipe dëshmon për talentin e tij krijues në shprehjen kulturore dygjuhëshe. Santori është gjithashtu autori i dy veprave fetare në shqipe të botuara gjatë viteve që kaloi si murg në manastirin San Marko Arxhentano: Rozhaari i S. Myriis Virgkiyry, Kozencë 1849 (Ruzaria e Shën Mërisë së Virgjër), poemë fetare, dhe Kryšten i šyityruory, Napoli 1855 (I krishteri i shenjtëruar), 230 faqe vargje fetare, përmbledhje lutjesh, tekste kishtare në prozë e poezi dhe përkthime këngësh fetare nga Cuneus prophetarum (1685) i Pjetër Bogdanit, të cilat Santori i përfshiu në librin e tij në shenjë vazhdimësie të letërsisë fetare shqiptare.

Me rëndësi më të madhe letrare, nga pikëpamja historike janë dramat e Santorit. Emira njihet si e para dramë origjinale në gjuhën shqipe. U botua në mënyrë mjaft të çrregullt, disa pjesë në revistën Fiàmuri Arbërit në nëntor 1887, kurse të tjera në antologjinë shqiptare të De Radës të vitit 1896. Në vitin 1984 vepra u ribotua nga Françesko Solano (70). Santori shkroi një numër pjesësh melodramatike të tjera si komedi dhe tragjedi, disa të papërfunduara, që i mbetën në dorëshkrim për tërë jetën. Ndër to janë tragjedia Jeroboam dhe melodrama Alessio Ducagino (Lekë Dukagjini) të shkruara midis viteve 1855 dhe 1860, që janë botuar tani nga Françesko Solano(71).

Përveç përkthimit të fabulave të Ezopit që përmendëm më lart, Santori hartoi edhe 1845 vargje satirike që kanë dalë në dritë vetëm tani vonë (72). Në këto vargje më mirë se kudo mund të vërehet ndjeshmëria e thellë fshatare dhe lidhja e ngushtë e tij me folklorin, pikërisht në këto vargje shfaqet më së ploti vokacioni i vërtetë poetik i tij. Që Santori ishte edhe prozator me rëndësi për historinë e letërsisë shqiptare, është bërë përherë e më e qartë me anë të botimeve të sotme. Me dy romanet dhe gjashtë tregimet e tij ai mund të konsiderohet tani shkrimtari më i hershëm shqiptar që të ketë krijuar një korpus të rëndësishëm proze letrare ndonëse, me kriteret e sotme, asnjëra prej këtyre veprave, të cilat i mbetën të pabotuara në të gjallë, nuk ka ndonjë vlerë estetike të jashtëzakonshme. Romani i tij i papërfunduar Sofia Kominiate u shkrua në dy variante: një variant 282 faqesh në shqipe dhe një 714 faqesh në italishte, ndërsa Il soldato albanese (73) (Ushtari shqiptar) u shkrua vetëm në

__________________________________________________ _________________


68 kr. Gangale 1973 për dorëshkrimet ende të pabotuara që gjenden në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë, sidomos, f. 46 (III 5), (III 17), 102 (V 26) dhe 134 (V 58).

69 kr. Santori 1975, 1980.

70 kr. Santori 1984. Shih edhe Santori 1959, dhe K. Kodra 1977.

71 kr. Santori 1983.

72 kr. Santori 1982.

73 kr. Santori 1976.
__________________________________________________ _________________

italisht. Tregimet e tij, të njohur me emrat e personazheve kryesorë Panaini e Dellja (74), Kolluqi e Sorofina, Brisandi Lletixja e Ulladheni (75), Neomenia (76), Filaredo, Rosarja, Emilja, Miloshini, Virgjinia, Gnidhja e Kusari dhe Fëmija Pushtjerote (77) trajtojnë motive nga jeta në fshat. Të mbushur me mjaft elemente folklorike dhe etnografike konvencionale, ata vuajnë nga zgjidhje të lumtura sentimentale e naive, që vijnë në shumë raste me një 'deus ex machina'.

Santori e ushtroi penën e tij në shumë gjini: poezi, romanca në vargje, prozë, drama, përkthime dhe vjersha humoristike, dhe mu për këtë shumanëshmëri e ka të siguruar vendin e nderit në letërsinë arbëreshe, menjëherë pas De Radës. Krijimtaria e tij letrare është në përgjithësi më e kapshme për lexuesin se ajo e De Radës, me gjithë vështirësitë që paraqet drejtshkrimi i tij (veprat e Santorit tani botohen detyrimisht me transliterim). Nga ana tjetër, ajo është larg përsosmërisë artistike apo lëmimit estetik, nëse këto mund të shpresoheshin prej shkrimtarëve shqiptarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Megjithëse kishin kaluar katër shekuj me traditë shkrimi, gjuha shqipe ishte ende mjaft e papërpunuar për letërsinë, dhe do të mbetej e tillë deri në shekullin e njëzetë.

Rrjedha ende e ngadaltë e letërsisë arbëreshe në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, të cilën Jeronim De Rada e kishte kanalizuar aq thellë brenda lëvizjes romantike, do të nxirrte një vepër me frymëzim të vërtetë Osianik nga Gavril Dara i Riu (78) (1826-1885), i njohur edhe si Gabriele Dara. Dara lindi më 8 janar 1826 në Pallac (ital. Palazzo Adriano) në Sicili në një familje të lashtë arbëreshe me emër, duke qenë një nga të parat familje që kishte ikur nga Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut më 1468. Studioi në Seminarin grek në Palermo dhe më vonë kreu studimet e larta për drejtësi, dhe e ushtroi avokaturën disa kohë në Agrixhento. Dara u bë përherë e më aktiv në ngjarjet e bujshme politike të përmbysjes së Mbretërisë së Dy Sicilive prej Garibaldit dhe shërbeu në detyra të ndryshme. Pas emërimit të parë si kryekëshilltar i prefekturës së Palermos, ai shërbeu nga viti 1867 deri më 1869 si prefekt i qytetit të Trapanit. Nga 1871 deri më 1874 ishte edhe drejtor i periodikut La Riforma në Romë dhe vdiq më 19 nëntor 1885. Interesimet letrare e shkencore të Darës ishin të gjera dhe përfshinin poezinë, folklorin, filozofinë, arkeologjinë dhe drejtësinë. Ai shkroi vjersha në italishte si dhe një poemë fetare në shqipe kushtuar Shën Llazarit, por ka mbetur në histori kryesisht për baladën romantike Kënka e sprasme e Balës, Katanxaro 1906. Entuziazmi që shkaktoi poeti skocez Xhejms Mekferson (James Macpherson, 1736- 1796) me gjoja zbulimin e tij dhe botimin më 1760 të 'Fragmenteve nga poezia e lashtë e mbledhur në malësinë e Skocisë', e ndezi imagjinatën romantike të shkrimtarëve dhe studiuesve në mbarë Evropën gjatë më shumë se një shekulli. Mekfersoni hiqej se pati përkthyer poemat epike kelte të kalorësit dhe rapsodit legjendar Osian (Ossian), por, kur u shprehën dyshime për këtë, ai nuk paraqiti dot 'dorëshkrimet e vërteta të lashta' për të cilat bëhej fjalë. Lëvizja Romantike, me kultin e saj për sublimen dhe me primitivizmin e saj 'të vrazhdë fisnik', zgjoi pasionin për letërsinë gojore dhe traditat folklorike anembanë Evropës, kurse studiues të shumë gjuhëve iu vunë kërkimeve e studimeve për eposet e lashta të popujve të tjerë. Kështu një

__________________________________________________ _________________

74 kr. Santori 1979.

75 kr. Santori 1977.

76 kr. Fortino 1993.

77 kr. Santori 1979.

78 kr. Petrotta 1932, f. 228-232, 1950a, f. 8-24, K. Kodra 1975a, Varfi 1981, dhe Qosja 1984, vëll. 2, f. 349-374.
__________________________________________________ _________________

shembull, Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832) ishte adhurues i madh i poezisë 'Osianike'. Nuk ka dyshim se tamam nën ndikimet e vona të Osianizmit, Gavril Dara mëtoi se kishte njohur në përmbledhjen me këngë popullore të gjyshit fragmente nga një poemë e lashtë epike shqiptare e një rapsodi malësor me emrin Balë. Kjo poemë në katër pjesë, që rrëfen për bëmat e Nik Petës dhe Pal Golemit, heronj shqiptarë gjatë periudhës së motit të madh të Skënderbeut, u botua së pari pjesë-pjesë më 1887 në periodikun Arbri i Ri nga Zef Skiroi (Giuseppe Schirò), kurse e plotë doli në italishte e në shqipe në revistën La Nazione Albanese (Kombi shqiptar) nga korriku i vitit 1900 e më tej. Skiroi e cilësoi atë që mendohej si autor i kësaj poeme epike, me këto fjalë:

"Bala ka qenë një luftëtar i lashtë ndër ata që, pas pushtimit të Shqipërisë, erdhën në Sicili dhe themeluan ngulimin e Pallacit. Pleqtë e moshuar e tregojnë si njeri kuqalash e harbut. Ai u ikte shokëve dhe kalonte ditë e muaj me radhë duke u endur nëpër malësi e duke hipur majave për të përshëndetur Shqipërinë. Kishte raste kur, në thellësi të pyjeve, fliste me veten dhe vajtonte për shokët e rinisë. Nganjëherë, kur dimri ishte i ashpër dhe malet e fushat i zbardhonte dëbora, ai ulej pranë zjarrit dhe u rrëfente fëmijëve e të rinjve bëmat e epokës për të cilën vajtonte. Ai ishte poet luftëtar, si Osiani, që jetoi i veçuar e i tërhequr në kujtimet e veta." (79)

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
Nuk vonoi shumë dhe u njoh se Kënka e sprasme e Balës, me nëntë këngët e saj, ishte e penës së vetë Gavril Darës. Fjalën që ai hedh sikur ka zbuluar fragmente të një poeme epike shqiptare të lashtë, mund ta konsiderojmë më shumë si një vlim romantik tipik për kohën sesa si sajesë me ndërgjegje. Cilatdo të kenë qenë synimet e autorit, poema nuk është pa merita letrare në vetvete dhe sidoqoftë ka unitet e harmoni më të madhe se veprat e paraardhësit dhe mësuesit të Darës, Jeronim De Radës. Trajtimi me frymë heroike që ai i bën periudhës epike të historisë së Shqipërisë, ndonëse i paraqitur në një këndvështrim romantik që në letërsitë bashkëkohore do të vështrohej si i tepruar, është të paktën edhe më i kuptueshëm se endjet e ngatërruara poetike të De Radës te Milosao e te Serafina Thopia. Madje, Kënka e sprasme e Balës përbën diçka mjaft të këndshme për t'u lexuar nga radha e letërsisë romantike arbëreshe të shekullit të nëntëmbëdhjetë e për më tepër vazhdon të lexohet me ëndje nga studentët edhe sot.

Poeti lirik Zef Serembe (80) (ital. Giuseppe Serembe, 1844-1901) ka qenë një shpirt i shqetësuar i parathënë për të mbajtur barrën e rëndë të vuajtjeve njerëzore. Ajo atmosferë tragjike dëshpërimi, që e ndoqi gjatë gjithë jetës, shfaqet herë pas here e duket edhe në vargun e tij. Serembja lindi më 6 mars 1844 (81) në Strigar (ital. San Kosmo Albanese) në krahinën kalabreze të Kozencës dhe ndoqi mësimet në kolegjin e Shën Adrianit. Në moshë të re, ra në dashuri me një vajzë nga fshati i lindjes, e cila emigroi në Brazil me familjen dhe vdiq atje. Humbja e saj nuk iu shqit nga mendja dhe, me shpresë se mos të paktën ia gjente varrin, Serembe mori detin për në Brazil më 1874 në kërkim të një jete të re. Me një letër rekomandimi në dorë nga Dora d'Istria (1828-1888), ai u prit në oborrin e perandorit Dom Pedro II. Pas një historie të shkurtër dashurie atje, u kthye në Evropë, i mërzitur e i brengosur. Me të mbërritur

__________________________________________________ _________________

79 kr. Arbri i ri, 3 (1 qershor 1887).

80 kr. Gradilone 1960, f. 142-161, 1989, K. Kodra 1970, 1971, 1975b, Shuteriqi 1961, 1974, f. 143-196, 1977, f. 251-309, Qosja 1979b, f. 9-38, 1986, vëll. 3, f. 7-66, Belmonte (red.) 1988, dhe Belmonte 1991.

81 Mbi ditëlindjen e Serembes, kr. Serembe 1985, vëll. 1, f. 10.
__________________________________________________ _________________

në Botën e Vjetër në shtator të vitit 1875 rrota e fatit i eci prapë ters. Mbetur pa para, se ia vodhën me sa duket në portin e Marsejës, u detyrua të kthehet në Itali më këmbë, dhe mendohet se gjatë udhëtimit humbi shumë dorëshkrime. Në Livorno e ndihmoi Dhimitër Kamarda (ital. Demetrio Camarda), i cili i dha paratë e trenit për pjesën e mbetur të rrugës deri në Kozencë. Kudo që shkonte e kapte dëshpërimi, pa dyshim nga ndonjë depresion kronik apo ndonjë formë tjetër çrregullimi psikik, dhe ndihej i vetmuar e i pasigurt. Prehje gjente në ëndërrimet e tokës së stërgjyshëve, vizion ky i turbulluar nga realiteti i pushtimit turk të Shqipërisë dhe nga indiferentizmi i fuqive Perëndimore ndaj vuajtjeve të saj. Në këtë izolim shpirtëror të tij, Italia po bëhej përherë e më tepër dheu i huaj. Më 1886, Serembja vizitoi ngulimet arbëreshe në Sicili dhe më 1893 vajti në Shtetet e Bashkuara, ku jetoi rreth dy vjet. Një vëllim me vjersha të tij në italishte u botua në Nju Jork më 1895. Më 1887, emigroi nga Kalabria e tij në Amerikën e Jugut për herë të dytë dhe u mundua ta nisë jetën për së pari në Buenos Aires. Pas një viti ra sëmurë dhe vdiq më 31 dhjetor 1901 në Sao Paolo.

Shumë nga veprat e Serembes (vjersha, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit), të cilat ai vazhdimisht i rishikonte e i ripunonte, humbën gjatë ndërrimeve të shpeshta të vendbanimit. Në të gjallë ai botoi vetëm: Poesie italiane e canti originali tradotti dall'albanese, Kozencë 1883 (Poezi italiane dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja) në italishte e shqipe, Il reduce soldato, ballata lirica, Nju Jork 1895 (Kthimi i ushtarit, baladë lirike), vargje vetëm në italishte, dhe Sonetti vari, Napoli 189? (Tingëllima të ndryshme), një përmbledhje tepër e rrallë prej dyzet e dy tingëllimash në italishte të pajisura me një hyrje, të gjitha të ngjeshura në katër faqe me shkronja të imëta. Një vjershë doli gjithashtu në gazetën e Xhuzepe Skiroit Arbri i Ri më 31 mars 1887. Nga vjershat në gjuhën shqipe, tridhjetë e nëntë iu botuan pas vdekjes në përmbledhjen Vjersha, Milano 1926, nga i nipi Kozmo Serembe (ital. Cosmo Serembe). Krijime të tjera i janë gjetur në dorëshkrime dhe arkiva (82) të ndryshme në vitet e fundit, kurse disa vjersha madje kanë ardhur deri në ditët tona duke kaluar gojë më gojë ndër fshatarët e Strigarit. Kjo provë e popullaritetit të tij është disi për t'u habitur, po të kemi parasysh se një pjesë të mirë të jetës e kaloi larg fshatit të lindjes.

Vargu i Serembes, i pikëlluar e i trishtuar nga karakteri, por shpesh patriotik dhe idealist për nga frymëzimi, konsiderohet nga një numër i madh njerëzish si poezia më e mirë lirike në shqipe, të paktën para kohëve të reja. Gama tematike e tij përfshin lirika melodioze për dashurinë dhe himne për vendlindjen (qoftë Italia, toka e lindjes së tij, qoftë Shqipëria, toka e ëndrrave të tij), vjersha elegante për miqësinë dhe po ashtu për bukuritë e natyrës, si dhe vargje me frymëzim fetar. Lirikat që i kushtohen atdheut të humbur janë vjersha romantike me frymë kombëtare e me ndjenjë të ndezur malli, vjersha që çimentojnë lidhjet letrare me brezin që po lindte të poetëve të Rilindjes në Shqipërinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Po të tilla janë edhe
ato që i kushtohen Ali pashë Tepelenës, Dora d'Istrias dhe Domeniko Mauros. Sado atdhetar që mund të ketë qenë, Serembja nuk ishte nga ata poetë intelektualë që mund të na jepnin një kronikë poetike të së kaluarës së Shqipërisë. Ai ishte një poet i ndjenjës, e sidomos i vetmisë e
i zhgënjimit. Në vargun e tij ndihen disa nga anët më intime të poetëve italianë Françesko Petrarka, Dante Aligieri dhe Xhakomo Leopardi, të cilët i kishte lexuar dhe adhuruar të gjithë. Lirikat e tij të dashurisë, disa kushtuar vajzës që kishte dashur, përbëjnë një ditar të vërtetë të zemrës së tij, për shembull Kënthimë tharosi, e njohur edhe nën titullin Kënkë malli:

"Rri e pikosur me mua, ku e di çë ke,
O ti e të bjerrit Parrajs molla më e mirë!
Thuomë çë të bëra u i shkret e kështu më le

__________________________________________________ _________________
82 Për fragmente të veprës së tij në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë, shih Shuteriqi 1963a, dhe Gangale 1973, f. 53 (III 24), 61 (IV 5).
__________________________________________________ _________________

Sa gjellen bën - e rronj pa fare hirë.


Oh! si të tharëta më shkuon kto dit, çë fare
Nkë pe ninat e qeshur nd'ata si
Çë shpirtin, dreq, m'e mbijin ndë gavnare
Çë m'e pataksjin lart me mallëmadhi.

Ballet terjorisur rrëmba dielli
Ka jotja dritsorë u më nkë pe,
Ne buzen me at çerë çë i qeshnej qielli,
Se të vrëret m'i mbuluon paru shum re.

Te gjiri, vash, mua zëmra mbëshon me zjarr,
Gjith trutë më vruntullisnjin me noere,
Pushimë u nkë mun çonj, paq nk' mun marr
E gjellen kështu ti, vash, m'e vret njëhere!" (83)

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
7.6 Shkrimtarë të tjerë arbëreshë të shekullit të nëntëmbëdhjetë



Ndër shkrimtarët arbëreshë më të vegjël të fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë mund të përmendet Benjamin Frashini (84) (ital. Beniamin Frascini), poet dhe prift nga Frasnita (ital. Frascineto) në krahinën e Kozencës, autor i një poeme të gjatë, por me interes letrar të paktë. Ajo trajton ngjarjet e vitit 1807 kur trupat frënge shkretuan krahinën. Kjo vepër me 168 strofa, me titullin italisht I Francesi in Frascineto-Porcile nel 1807. Triste conseguenze delle discordie degli abitanti, divisi in Giacobini, partigiani de' Francesi, e Realisti, devoti al Re Ferdinando IV di Borbone (Francezët në Frasnitë-Purçill më 1807. Rrjedhojat trishtuese të mosmarrëveshjeve midis banorëve të ndarë në Jakobinë, partizanë të francezëve, dhe ruajalistë, besnikë të mbretit burbon Ferdinand IV), u kopjua më 1900 nga profesor Domeniko Manjeli (ital. Domenico Magnelli) dhe u zbulua në një nga dorëshkrimet e tij më 1960. Një poemë e dytë historike në shqipe që flet për pushtimin francez në atë periudhë është shkruar nga Kostantino Askuri (85) (ital. Costantino Ascuri, 1810-1871) nga Ejanina (ital. Eianina), student në kolegjin e Shën Mitrit. Ajo ndodhet në një dorëshkrim të titulluar thjesht Kënka (Kënga), që mban datën 1834. Një tjetër poet arbëresh nga Shën Mitri dhe student në kolegj ishte Kostantin Beluçi Shalja (86) (ital. Costantino Bellucci Sciaglia, 1796-1867). Beluçi ishte poet satirik i njohur, që asokohe e nxirrte jetesën duke punuar si rrobaqepës, kurse më vonë si pylltar. Veprat

__________________________________________________ _________________

83 Transkriptim i Xhuzepe Gradilones nga një dorëshkrim i Koleksionit Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë, kr. Gradilone 1989, f. 98-99.

84 kr. Shuteriqi 1976, f. 162.

85 kr. Shuteriqi 1976, f. 205.

86 kr. Gradilone 1960, f. 218-232, Gangale 1973, f. 88 (V 10), dhe Shuteriqi, 1976, f. 249.
__________________________________________________ _________________
e tij u botuan pjesërisht nga Jeronim De Rada më 1884 (87) dhe u përkthyen në italishte nga Salvatore Braile (1872-1960) në Shkodër më 1924 nën titullin La commediante, satira ai galantuomini di San Demetrio Corone. Euxhenio Peta (ital. Eugenio Petta), prift dhe poet sicilian i cili, ashtu si Nikolë Filja (1693-1769), shërbeu në Qeuti në Puljen veriore më 1804 dhe 1807, ishte autor i dy distikëve shqip të gjetur në kishën e San Merkurio in Serrakapriola (ital. San Mercurio in Serracapriola). Ata u botuan nga Mikel Markianoi (88). Vinçenco Suli nga Pallaci (ital. Palazzo Adriano) në Sicili ka shkruar në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë një vjershë për verën (pije) (89). Françesko Parrino (90) (1754-1831) nga Hora e Arbëreshëvet ishte autor i dy vjershave shqip për Shën Llazarin. Thuhet se i ati, Demetrio Parrino (91), prift në Horën e Arbëreshëvet, ka përkthyer shqip pjesë të liturgjisë, disa në vargje, ndonëse këto përkthime nuk kanë ardhur deri në ditët tona. Një vjershë tjetër për Shën Llazarin na ka lënë Gavril Dara Plaku (92) (ital. Gabriele Dara, 1765-1832), gjyshi i Gavril Dara të Riut dhe folklorist nga Pallaci në Sicili, përmbledhja me këngë popullore arbëreshe e të cilit ka humbur. Edhe i biri, Andrea Dara (93) (1796-1872), babai i Gavril Dara të Riut, dëshmoi interesim të gjallë për folklorin arbëresh dhe qe autor jo vetëm i një përmbledhjeje me këngë popullore arbëreshe të Sicilisë dhe i një vepre mbi Usi e costumi di Palazzo Adriano, 1859 (Zakonet e Pallacit), por edhe i një fjalori 5000 fjalësh shqip-italisht (1862-1868), pas një gramatike të shkurtër të shqipes (1830) dhe një përkthimi të Ungjillit të Shën Mateut. Shumica e këtyre veprave mbetën të pabotuara dhe ruhen në formë dorëshkrimi në Koleksionin Shqiptar të Bibliotekës Mbretërore në Kopenhagë (94). Mosè Troiano (95) nga Pllatani (ital. Plataci) në veri të Kozencës njihet si përkthyes i dy vjershave italiane në shqipe duke përdorur alfabetin e përhapur nga Jeronim De Rada. Ato datojnë nga fillimi i mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Nja dy a tri vjersha humoristike në shqipe të shkruara nga Karlo Dulçi (ital. Carlo Dulci, 1765-1850), i njohur edhe me emrin Carlo Dolce ose Luz Glikjini, nga Hora e Arbëreshëvet, u botuan

__________________________________________________ _________________


87 kr. Fiàmuri Arbërit 1884, Nr. 11-12, f. 84-93.

88 kr. M. Marchianò 1906.

89 kr. Schirò 1923, f. 330-331.

90 kr. Schirò 1907 dhe 1923.

91 kr. Schirò 1923.

92 kr. Schirò 1907, dhe Shuteriqi 1976, f. 201-202. Vjersha në fjalë ruhet në Koleksionin Shqiptar në Kopenhagë. kr. Gangale 1973, f. 68 (IV 16).

93 kr. G. Dara 1906, f. 6-7, Schirò 1923, dhe Petrotta 1932, f. 81-82.

94 kr. Gangale 1973, f. 16 (II 10), 21 (II 17), 25 (II 20a), 62 (IV 6), 82 (V 4), 126 (V 50) dhe 129 (V 53).

95 kr. Shuteriqi 1976, f. 271.
__________________________________________________ _________________
nga Dhimitër Kamarda më 1866 (96). Akil Parapunja (97) (ital. Achille Parapugna, 1855-1883), të cilit De Rada i parashikoi një të ardhme të madhe si poet, vdiq para kohe më 16 mars 1883, duke mos lënë veçse disa këngë në dialektin e tij vendës të Ejaninës. Nga letërsia fetare e gjysmës së parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë kemi katekizmin shqip në dialektin kalabrez të Shën Vasilit (98) të vitit 1834 nga një i quajtur Bonifac Tamburi (ital. Bonifacio Tamburi, l. 1799), i njohur ndryshe me emrin Françesko Saverio Tamburi, si dhe një përkthim tjetër shqip të katekizmit të Shën Robert Belarminit (1542-1621) nga Zef Gualiata S. J. (99) (ital. Giuseppe Guagliata, l. rreth vitit 1814). Ky përkthim i Belarminit nën titullin Dottrina e Kerscten (Doktrina e krishterë), e botuar nga Propaganda Fide në Romë më 1845, ndjek traditën e përkthimit të Pjetër Budit (1618) e të Bernardit të Kuintianos të gjysmës së parë të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Thuhet se Gualiata, prift jezuit italian i dërguar si misionar në Shqipëri më 1841, ka qenë bashkautor (me Vinçenc Bazilen) i një gramatike tani të humbur të shqipes, të shkruar në italishte rreth vitit 1842. Përveç kësaj gramatike, Vinçenc Bazile S. J.(100) (ital. Vincenzo Basile, 1818-1882), edhe ky prift jezuit italian e misionar në Shkodër, botoi Ruga e parrisit, Romë 1845 (Rruga e parajsës), një përmbledhje 144 faqesh rrëfenjash moralizuese, ndër to edhe legjendën e ikjes së Shën Mërisë nga Shkodra për në Itali më 1567 (101). Propaganda Fide, përherë e shqetësuar për mendjet dhe zemrat e grigjës shqiptare të kishës, që po rrëmbeheshin nga Islami, botoi edhe një numër veprash të tjera fetare autorësh anonimë.

Gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë që, me gjithë rrëzimin e dinastisë së Burbonëve, ishte një periudhë konfliktesh sociale të vazhdueshme në mbarë Italinë e jugut, na jep një shkrimtar i cili shpesh është cilësuar si poeti i parë socialist në letërsinë shqiptare, Vinçenc Stratigo (102) (ital. Vincenzo Straticò, 1822-1885). Ai ishte nga katundi kalabrez Ungër në provincën e Kozencës ku lindi më 16 dhjetor 1822 dhe studioi në Shën Mitër në Kolegjin e Shën Adrianit. Mori pjesë në ngjarjet e vitit 1848 ku për pak kohë ishte kapiten ushtrie. Me t'u kthyer në qytetin e lindjes, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës, iu përkushtua me gjithë shpirt mbrojtjes së të drejtave sociale e politike të fshatarësisë së varfër të Kalabrisë dhe luftës së saj për një jetë më të mirë. Poezitë e tij me tema atdhetare, shoqërore e dashurie, nga të cilat një numër i vogël dolën në dritë, dëshmojnë për një vetëdije të mprehtë sociale të shfrytëzimit

__________________________________________________ _________________

96 kr. Camarda 1866, f. 195-197. Shih edhe Schirò 1923, Petrotta 1932, f. 157, 187,
dhe Shuteriqi 1976, f. 237, 271, dhe për dorëshkrimet e Dulçit në Kopenhagë, Gangale 1973, sidomos f. 11 (II 6) dhe 157 (V 81).

97 kr. Selvaggi 1962.

98 kr. Solano 1983.

99 kr. Shuteriqi 1976, f. 244-245.

100 kr. Shuteriqi 1976, f. 245.

101 Sipas legjendës, kur turqit zunë Shkodrën, ikona e Zojës së Shkodrës ose Zojës së Bekueme (ital. Madonna di Scutari) u shkëput nga muri i një kishe në rrëzë të kalasë së Rozafës dhe u arratis nëpër Adriatik. Atë e ndoqën dy shqiptarë, Gjorgji dhe De Sklavisi, të cilët pas shumë gjurmimesh e zbuluan në Genazzano afër Romës, ku edhe sot e kësaj dite është vend i shenjtë i Zojës së Shkodrës, ku shkojnë e falen katolikët shqiptarë.

102 kr. Straticò 1896, f. 263-270, dhe Z. Kodra 1965.
__________________________________________________ _________________

klasor, një tipar krejt unikal në letërsinë arbëreshe.
Pak e njohur deri vonë ka qenë poezia e Zef Engjëll Noçitit (103) (ital. Giuseppe Angelo Nociti, 1832-1899) nga Spixana (ital. Spezzano Albanese) në Kalabri. Ashtu si Stratigoi, Noçiti studioi në kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën Mitër, ku edhe mori një arsim klasik të qëndrueshëm. Përmbledhja e tij prej njëzeteshtatë vjershash lirike me titull Rëmenxa t'arbresha (Rima shqiptare), e hartuar midis viteve 1858 e 1876 së bashku me një përkthim italisht, ka qenë botuar me një fjalor nga Italo Costante Fortino (104).

Bernard Bilota (105) (ital. Bernardo Bilotta, 1843-1918), ishte vjershëtor amator, filolog e mbledhës folklori që krijoi një numër të madh vjershash fshatarake. Lindur më 29 nëntor 1843 në Frasnitë në Kalabrinë e veriut, ai ndoqi kolegjin e Shën Adrianit dhe shërbeu si klerik më 1866, dhe më vonë si mësues. Mik dhe pasues i Jeronim De Radës, nga i cili trashëgoi vrullin e zjarrtë për të rizbuluar kulturën shqiptare, Bilota ishte antar i 'Consiglio Albanese d'Italia' (Këshillit Shqiptar të Italisë) dhe nismëtar, bashkë me De Radën dhe Anselm Lorekion, i kongresit të parë gjuhësor arbëresh në Koriliano Kalabro më 1895. Bilota ishte autor prodhimtar, ndonëse botoi pak. Përveç një numri veprash pak të njohura në italishte për historinë biblike, arkeologjinë dhe origjinën 'pellazgjike' të shqiptarëve, ai ishte autori i një Dizionario filologico albanese, 1888 (Fjalori filologjik të gjuhës shqipe) prej 6000 fjalësh, i cili përmban dyqind faqe me material gjuhësor në dialektin e Frasnitës si dhe disa sprova të habitshme etimologjike; i një Monografia di Frascineto, 1891 (Monografia e Frasnitës), kronikë poetike e papërfunduar në pesë pjesë për vendlindjen që përfshin rreth 2000 vargje njëmbëdhjetërrokshe, dhe Zakonet e Frasnitës, 1894, ku përshkruan traditat e fshatit, ritualet dhe ceremonitë e përvitshme, në 1710 vargje njëmbëdhjetërrokshe. Deri tani asnjë nga këto vepra nuk e ka gjetur dritën e botimit. Të pabotuara janë edhe një numër rrëfenjash në vargje, me tipare prozaike, fjala vjen E bukura e Jetës, 1895, sipas përrallës shqiptare të së Bukurës së Dheut; E Bukura Harezë, 1896, dhe Minosi, nga e cila gjenden tri variante, të viteve 1903, 1909 dhe 1918. Poema e tij satirike me 150 faqe, 8664 vargje, Minosi (106), na jep një tablo fshatarake e herë herë therëse satirike të skëterrës, në flakët e së cilës Bilota ndjen kënaqësinë Danteske të ndëshkimit të kundërshtarëve dhe armiqve të tij nga Frasnita. Ndër veprat e tjera të pabotuara, mbi 20,000 vargje gjithsej, janë Jeta e Shën Mërisë, 1896, me 1720 vargje; Të vdekurit, 1896; Monografi i Shën Nilit dhe një komedi me 3500 vargje Don Kishoti, 1908.

Në të gjallë Bilota botoi vetëm dy përmbledhje modeste me poezi shqipe: Versi lugubri, Kastrovillari 1894 (Vargje të zymtë), që përmban rreth dyzet sonete elegjiake me përkthim në italisht, dhe Stima agli ottimi, biasimo ai tristi, Kastrovillari 1898 (Nder më të mirëve, përbuzje të trishtuarve), një përmbledhje e vogël kushtuar Pjetër Buljarit (ital. Pietro Bugliari), që përmban edhe disa përkthime në italishte. Bilota lëvroi edhe temën shumë të dashur në letërsinë shqipe, atë të Skënderbeut, me poemën epike popullore me 10,000 vargje Shpata Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë, Tiranë 1967. Kjo poemë historike në 13 këngë plot patos heroik u nis më 1874 dhe përfundoi më 1890, dhe është me interes të veçantë për shqiptarët në kontekstin e zgjimit kombëtar në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Si në të tjerat, edhe në këtë vepër Bilotën e shohim shkrimtar që të habit me forcën e tij imagjinuese, të ndezur me vrull dhe entuziazëm patriotik, por pa ndonjë talent letrar e stil të spikatur. Skenave të zgjatura me

__________________________________________________ _________________

103 kr. Laviola 1991, Acquafredda 1991, dhe Francesco Marchianò 1993.

104 kr. Nociti 1992.

105 kr. Giordano 1959.

106 kr. Gangale 1973, f. 137 (V 61).
__________________________________________________ _________________

përshkrime betejash në Shpata Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë u mungon dukshëm dramaticiteti, kurse vepra e tij në përgjithësi është pak e përpunuar. Ajo që duhet nënvizuar është merita që ka Bilota në përdorimin e gjuhës amtare për herë të parë në një gamë aq të gjerë temash, duke i hapur kështu horizonte së idiomës fshatare të arbëreshëve.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
7.7 Ndihmesa e shkrimtarëve dhe studiuesve arbëreshë që shkruan italisht



Fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë shënoi kështu daljen e një numri të mirë poetësh e autorësh arbëreshë që provuan të shkruanin shqip. Por, çka është më e rëndësishme për zgjimin e kulturës së tyre, kishte një grup tjetër shkrimtarësh e studiuesish arbëreshë që shkruanin italisht. Të nxitur në fillim nga lëvizja e romantizmit evropian, e cila zgjoi jo vetëm interesimin për dijen, por edhe respektin e dashurinë e fortë për folklorin, këto figura filluan të hetojnë rrënjët dhe traditat e tyre shqiptare duke e drejtuar vëmendjen e energjinë në zhvillimin e kulturës së vet arbëreshe dhe në veçanti, në studimin e letërsisë gojore. Nga ana e tij, ky studim jo vetëm i dha shtytje krijimtarisë së mëtejshme në gjuhën shqipe, të zgjuar nga veprimtaria e Jeronim De Radës, por edhe i bëri arbëreshët t'i kushtojnë vëmendje përherë e më shumë atdheut të largët në Ballkan dhe vëllezërve të tyre shqiptarë që hiqnin e vuanin barrën përherë e më të padurueshme të sundimit turk.

Engjëll Mashi (107) (ital. Angelo Masci, 1758- 1821), ishte një studiues arbëresh nga Shën Sofia në krahinën e Kozencës, ku edhe studioi pranë të sipërpërmendurit Stefan Bafa (vd. 1808). Ai kreu detyra zyrtare të rëndësishme në Mbretërinë e Dy Sicilive. Mashi është autor i një vepre në italishte me titull Discorso sull'origine, costumi e stato attuale della nazione albanese, Napoli 1807 (Fjalë për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar), që u botua menjëherë pas daljes në frëngjishte të studimit të Konrad Malt-Brën (Conrad Malte-Brun, 1775-1826) Essai sur l'origine, les moeurs et l'état actuel de la nation albanaise (108) (Ese për prejardhjen, zakonet dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar). Historiani Xhovani Skiroi (ital. Giovanni Schirò) nga Hora e Arbëreshëvet studioi e analizoi lidhjet midis Shqipërisë dhe Italisë së jugut në punimin e tij Rapporti tra l'Epiro e il Regno delle Due Sicilie, 1834 (Marrëdhëniet midis Epirit dhe Mbretërisë së Dy Sicilive)109. Një tjetër studiues i shquar ishte Zef Krispi (ital. Giuseppe Crispi, 1781-1859), nga Pallaci i Sicilisë. Ai ishte prift, profesor i letërsisë greke në Universitetin e Palermos dhe rektor i seminarit grek atje. Mbahet mend për punimin e tij Memoria sulla lingua albanese, Palermo 1831 (Shënime mbi gjuhën shqipe), ku orvatej të provonte prejardhjen pellazgjike të popullit shqiptar, një teori kjo e përhapur asokohe, që as vitet e fundit nuk është lënë përfundimisht. Ai është edhe autor i një përmbledhjeje këngësh popullore arbëreshe të Sicilisë, shoqëruar nga përkthime në italishte, të titulluar Canti degli Albanesi di Sicilia (Këngë të shqiptarëve të Sicilisë), botuar në Canti popolari siciliani, Katania 1857 (Këngë popullore siciliane), të Leonardo Vigos dhe i Memorie storiche di alcune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia, Palermo 1853


__________________________________________________ _________________


107 kr. Shuteriqi 1976, f. 160-161, Kastrati 1987a, dhe Emmanuele 1988, f. 71.

108 kr. Malte-Brun 1807-1809, vëll. 3, f. 145-234.

109 Botuar në periodikun e Palermos 'Giornale di scienze, lettere ed arti di Palermo'.
__________________________________________________ _________________

(Shënime historike për disa zakone në ngulimet greko-shqiptare të Sicilisë). Rafaele Lopez (110) nga Shën Mitër, i cili ka dhënë mësim së bashku me De Radën në kolegjin e Shën Adrianit, ku të dy u arrestuan më 1851 për veprimtari revolucionare, përgatiti një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe të përkthyera prej tij në italishte. Edhe një mik i ngushtë i tij, Luigj Petrasi (111) (ital. Luigi Petrassi, vd. rreth v. 1843), me prejardhje nga Qana (ital. Cerzeto), mblodhi këngë popullore kalabreze. Po Petrasi përktheu këngën e parë të Çajlld Haroldit të Lord Bajronit dhe Dei Sepolcri të Ugo Foskolos, që janë përkthimet e para në shqipe të njohura deri tani të poezisë romantike evropiane. Feliçe Stafa (112) (ital. Felice Staffa) nga Fallkunara (ital. Falconara Albanese) në provincën e Kozencës ndoqi studimet në Napoli më 1820-1821 pranë Gabriele Rossettit, baba i para-rafaelitëve anglezë Kristina e Dante Rossetti. Thuhet se ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848 dhe është dënuar me tre vjet burg. Një kopje fort e rrallë e një përmbledhjeje 32 faqesh me këngë popullore shqiptare, Canti albanesi, Napoli 1845 (Këngë shqiptare), ruhet në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Gjatë Revolucionit të vitit 1848 në Napoli ishte edhe Engjëll Bazile (113) (ital. Angelo Basile, 1813-1848) nga Pllatani. Nga veprat e tij të shumta, në të gjallë u botua vetëm një dramë në italishte, Ines de Castro, Napoli 1847, kushtuar Jeronim De Radës dhe frymëzuar nga Os Lusiades e poetit kombëtar portugez Luis de Camoes (1524-1580). Përmbledhja e tij me këngë popullore arbëreshe të përkthyera në italisht, Raccolta di canti popolari albanesi (Përmbledhje këngësh popullore shqiptare) u botua nga miku i tij i ngushtë Jeronim De Rada. Një mbledhës tjetër këngësh popullore shqiptare ishte dramaturgu, poeti dhe prozatori arbëresh Emanuel Bidera (114) (ital. Emmanuele Bidera, 1784-1858) nga Pallaci i Sicilisë. Përsiatjet e tij tepër të lirshme për prejardhjen e shqiptarëve si popull u botuan në katërvëllimshin Quaranta secoli racconti su le Due Sicilie, Napoli 1846-1850 (Dyzet shekuj të rrëfyera për Dy Sicilitë). Vëllimi i parë përmban disa poezi popullore arbëreshe. Themelues dhe drejtor i një shkolle të gojëtarisë në Napoli, Bidera shkroi edhe librete operash për kompozitorin Gaetano Donixeti (ital. Gaetano Donizetti, 1797-1848) në të ri të tij. Domenik Mauri (115) (ital. Domenico Mauro, 1812-1873) ishte poet i njohur kalabrez me prejardhje arbëreshe që shkroi vetëm italisht. Lindur më 13 janar 1812 në Shën Mitër, ai qe njëri prej udhëheqësve të kryengritjes së vitit 1848 në Kalabri, dhe pas një periudhe mërgimi në ishujt e Jonit e në Romë u bë një nga një mijë 'këmishëkuqtë' e Xhuzepe Garibaldit, duke i vajtur pas deri në Marsejë. Ai vdiq në Firence më 17 janar 1873. Ndër botimet e tij letrare janë: Versi sciolti in occasione della morte di mio padre in risposta all'amico, Napoli 1835 (Vjersha të zgjedhura me rastin e vdekjes së babait tim, në përgjigje të një miku), Errico, Novella calabrese, Cyrih 1845 (Erriku, tregim kalabrez), Poesie varie, Napoli 1862 (Vjersha të ndryshme), dhe Errico, poemetto in cinque canti, Napoli 1869 (Erriku, poemth në pesë këngë). Vargu i tij në stil bajronian është i frymëzuar e i gjallë, ndonëse vende-vende i mungon disiplina poetike.

Shkrimtarët dhe studiuesit arbëreshë të gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë


__________________________________________________ _________________

110 kr. Shuteriqi 1976, f. 223.

111 kr. Straticò 1896, f. 276, dhe Shuteriqi 1976, f. 229-230.

112 kr. Shuteriqi 1976, f. 246-247, 1977, f. 219-233.

113 kr. Shuteriqi 1974, f. 120-142, 1976, f. 228, 260, 261.

114 kr. Mann 1955, f. 111, dhe Shuteriqi 1976, f. 253-254.

115 kr. Cingari 1965, dhe Gradilone 1974, f. 282-291.
__________________________________________________ _________________

u nxitën mjaft nga shenjat e qarta që vinin nga Shqipëria për zgjimin politik e kulturor të saj. Përpjekjet e tyre qenë të dyfishta: t'i jepnin përkrahje këtij rizgjimi në atdhe dhe të luftonin për njohjen e kulturës së tyre shqiptare në Italinë e jugut. Letërsia gojore dhe folklori, të hulumtuara për herë të parë mbi një bazë më sistematike e shkencore, përbënin një pikënisje për veprimtarinë e intelektualëve arbëreshë, ndërkaq që problemi qendror politik, që ishte lufta e përpjekjet e mundimshme për pavarësi nga Perandoria Osmane në rënie, do të vihej shumë shpejt në qendër të vëmendjes së tyre. Kësisoj, qëllimi i përbashkët i shqiptarëve në Ballkan e në Itali gjatë gjithë luftës për të mbajtur gjallë kulturën, u bë ideali për një Shqipëri sovrane. Shkrimtarët, studiuesit dhe personalitetet publike arbëreshe u dhanë ndihmë homologëve të tyre shqiptarë aty ku mundën, dhe u forcuan lidhjet midis dy palëve për nxitjen e veprimtarisë kulturore. Shekujve të gjatë të izolimit absolut nga Shqipëria po u vinte fundi për arbëreshët. Ishin ruajtur lidhjet e pashlyeshme të gjakut.

Ndër udhëheqësit kulturorë të arbëreshëve në shekullin e nëntëmbëdhjetë, botimet e të cilëve në gjuhën dhe letërsinë shqipe u dhanë hov jo vetëm shqiptarëve në Itali, por edhe lëvizjes së Rilindjes në atdhe, ishte filologu dhe folkloristi Dhimitër Kamarda (ital. Demetrio Camarda, 1821-1882). Ai lindi në Horën e Arbëreshëvet në Sicili më 23 tetor 1821 dhe studioi për prift në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Pasi u shugurua në ritin bizantin më 1844, banoi në Napoli e në fshatin e lindjes deri më 1848 kur u dëbua nga Mbretëria e Dy Sicilive prej autoriteteve burbone me akuzën se kishte bashkëpunuar me liberalët. Në fillim vajti në Romë e pastaj në manastirin benediktin të Çezenës. Më 1852 u emërua mësues në shkollën e mesme në Livorno, ku edhe kaloi pjesën tjetër të jetës si famullitar. Vdiq më 13 prill 1882. Kamarda përmendet për veprën e tij Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese, Livorno 1864 (Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe), një nga të parat vepra të filologjisë diakronike shqiptare, ku u orvat të provonte afërinë e gjuhës shqipe me greqishten, në kundërshtim me gjuhëtarin komparativist gjerman Franc Bop (gjerm. Franz Bopp, 1791-1867), i cili kishte demonstruar prejardhjen e drejtpërdrejtë indo-evropiane të saj më 1854 (116). Kjo vepër u pasua nga Appendice al saggio di grammatologia comparata, Prato 1866 (Shtojcë për sprovën e gramatologjisë krahasuese), një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe. Kamarda shkroi edhe një gramatikë të gjuhës shqipe (117) dhe botoi një libër me poezi shqiptare kushtuar Dora d'Istrias, me titullin A Dora d'Istria gli Albanesi, Livorno 1870 (Dora d'Istrias, shqiptarët), që përmbante vjersha nga Preng Doçi, Zef Jubani, Thimi Mitko, Jeronim De Rada, Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.

Dora d'Istria (118) (1828-1888), pseudonimi i Helena Gjikës, ka qenë një figurë interesante e kulturës shqiptare dhe evropiane të mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Kjo shkrimtare rumune me prejardhje shqiptare pati lindur në Bukuresht në familjen aristokrate Gjika të ardhur nga Maqedonia. I ungji, Grigore IV, ishte vojvodë në Vllahi. Që në moshë të re Dora d'Istria udhëtoi me prindët dhe vizitoi oborret e Vjenës, Drezdenit dhe Berlinit, dhe kudo
u adhurua për talentin dhe bukurinë. Më 1849 martesa me princin Aleksandër Masalski e shpuri në Rusi, ku kaloi gati gjashtë vjet. Pas ndarjes me të më 1855, u shpërngul e vajti në Zvicër, ku u bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau, kurse më 1860 bëri një udhëtim në Greqi. Pjesën tjetër të jetës e kaloi kryesisht në Itali. Përkushtimi i parreshtur i Dora d'Istrias ndaj aspiratave të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas e ndaj arsimit për popullin e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Edhe pse disa e kanë konsideruar amatore

__________________________________________________ _________________

116 kr. Bopp 1855.

117 kr. Camarda 1962.

118 kr. Bala 1967 dhe Goçi 1989.
__________________________________________________ _________________

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
në shkrimet e para, nuk ka kurrfarë dyshimi se studimi i saj La nationalité albanaise d'après les chants populaires (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar më 1866 në revistën letrare të Parisit Revue des deux mondes, luajti rol në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Ishte Dhimitër Kamarda ai që këtë studim e përktheu në gjuhën shqipe me titullin Fylétia e arbenoré prèj kanekate laoshima, Livorno 1867, dhe botoi për nder të saj atë antologji poetike që e përmendëm më lart. Për historinë e familjes së vet Dora d'Istria botoi edhe një vepër 455 faqesh me titull Gli Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX, Firenze 1873 (Shqiptarët në Rumani. Historia e princëve Gjika në shekujt e 17-të, 18-të dhe 19-të).

Vëllai më i vogël i Dhimitër Kamardës, Zef Kamarda (ital. Giuseppe Camarda, 1831-1878), përktheu Ungjillin e Shën Mateut në dialektin e Horës së Arbëreshëvet, variant ky i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1868 nga princi Louis-Lucien Bonaparte (119) (1813-1891). Zef Kamarda ishte edhe autor i disa poezive fetare, i një përralle e i një përmbledhjeje me këngë popullore arbëreshe.

Një variant kalabrez i Ungjillit të Shën Mateut, edhe ky i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar në Londër më 1869 nga princi Louis-Lucien Bonaparte, u përkthye nga një studiues tjetër i shquar arbëresh, Vinçenc Dorsa (ital. Vincenzo Dorsa, 1823-1885). Lindur në Frasnitë në provincën e Kozencës më 26 shkurt 1823, Dorsa ndoqi studimet në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër e më pas në kolegjin e Propaganda Fides në Romë. Për shumë vjet qe mësues i greqishtes dhe latinishtes në shkollën e mesme të Telesios në Kozencë. Vepra me të cilën u shqua është Su gli Albanesi, ricerche e pensieri, Napoli 1847 (Mbi shqiptarët, hulumtime e mendime), kushtuar alla mia nazione divisa e dispersa ma una (kombit tim, të ndarë e të shprishur, por një i vetëm), që synonte, siç e thotë vetë Dorsa në parathënie, "të tërheqë vëmendjen e opinionit publik ndaj të drejtave të një kombi të shquar por të panjohur".

E ndarë në njëzet krerë, vepra përmban të dhëna të bollshme, të para në dritën e mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve deri në kohën e Skënderbeut, për ngulimet shqiptare në Italinë e jugut dhe për poezinë popullore, zakonet dhe letërsinë. Më pas Dorsa botoi Studi etimologici della lingua albanese, Kozencë 1862 (Studime etimologjike për gjuhën shqipe) dhe La tradizione greco-latina nei dialetti della Calabria citeriore, Kozencë 1876, 1884 (Tradita greko-latine në dialektet e Kalabrisë së Epërme). Të pabotuara kanë mbetur vepra e tij Discorso in lingua albanese, një traktat fetar i shkruar shqip gjatë studimeve në Romë më 1842 (120), dhe dorëshkrimi për afro gjashtëdhjetepesë këngë popullore arbëreshe nga Kozenca, me titullin Canti popolari albanesi (121) (Këngë popullore shqiptare), të cilat i shërbyen Jeronim De Radës në përmbledhjen që ky hartoi me material folklorik arbëresh.

Anton Argondica (ital. Antonio Argondizza, 1839-1918) ishte folklorist, poet dhe botues nga Mbuzati (ital. San Giorgio Albanese) në krahinën e Kozencës. Studimet i përfundoi në kolegjin e Shën Adrianit, ku edhe qe mësues më vonë. Argondica bashkëpunoi me një varg periodikësh me artikuj mbi folklorin dhe gjuhën shqipe. Më 1890 vizitoi Spanjën, Francën dhe Shtetet e Bashkuara, ku themeloi gazetën L'Emigrato italiano. Më pas vizitoi Shqipërinë.

__________________________________________________ _________________

119 Koleksioni Shqiptar në Kopenhagë ruan një numër tekstesh e dokumentesh të Dhimitër dhe Zef Kamardës, ndër to një dorëshkrim të përkthimit origjinal nga Zef Kamarda të Shën Mateut, të bërë me alfabetin grek. kr. Gangale 1973, f. 62 (IV 6).

120 kr. Shuteriqi 1976, f. 228.

121 kr. Shuteriqi 1976, f. 270, dhe Gangale 1973, f. 32 (II 28).
__________________________________________________ _________________

Argondica ka mbetur kryesisht si botues i Ili i Arbrešvet (122) (Ylli i Arbëreshëve), revistë e themeluar më 1896 me porosi të kongresit të parë albanologjik në Koriliano Kalabro të kryesuar nga Jeronim De Rada më 1895. Kjo ishte një revistë me peshë në botën letrare arbëreshe, por, ashtu si shumë organe shqiptare shtypi të shekullit të nëntëmbëdhjetë, nuk e pati jetën të gjatë dhe u zëvendësua një vit më pas nga La Nazione albanese e Anselm Lorekios. Përveç shkrimeve në italishte për folklorin dhe gjuhën, dhe përveç një vepre mbi Collegio italo-greco di S. Adriano, Koriliano Kalabro 1884 (Kolegji italo-grek i Shën Adrianit), Argondica ishte edhe autori i disa vjershave shqip. Ato nuk kanë ndonjë nivel të dukshëm, vetëm mund të përmenden për interesa gjuhësore (123).

Gazetar, jurist dhe njeri i letrave, Pjetër Kjara (ital. Pietro Chiara, 1840-1915), lindi në Pallac në Sicili. Kushëri i Gavril Darës së Riut (1826-1885), Kjara bëri udhëtime në Shqipëri e në Ballkan më 1879 dhe, si shqipfolës që ishte, arriti të depërtojë thellë në gjendjen politike gjatë atyre viteve të ndera e vendimtare të Lidhjes së Prizrenit. Është autor i dy librave italisht për Shqipërinë: L'Albania, Palermo 1869 (Shqipëria), monografi në dymbëdhjetë krerë për gjuhën, letërsinë, historinë dhe politikën shqiptare, dhe L'Epiro, gli Albanesi e la Lega, Palermo 1880 (Epiri, shqiptarët dhe Lidhja), përmbledhje shkrimesh informative të botuara së pari në gazetën e Romës La Riforma, redaktuar në vitet 1871 deri 1874 nga Gavril Dara i Riu. Kjara, që ishte edhe deputet në parlament, botoi artikuj në të përmuajshmen e De Radës Fiàmuri Arbërit, e themeluar më 1883, si dhe shkroi disa poezi lirike modeste (124).

Sikundër e pamë, letërsia arbëreshe lindi dhe lulëzoi në truallin pjellor të qytetërimit italian, për të formuar një degë të letërsisë që nga fillesat e veta dhe nga zhvillimi që mori ishte krejt e pavarur nga ajo e Shqipërisë. Gjatë shekullit të tetëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit nëntëmbëdhjetë, vetëm në Italinë e jugut kushtet politike, sociale e ekonomike, sado të zymta të kenë qenë, po të shihen me syrin e kohëve më të reja, ishin mjaft të qëndrueshme për t'u dhënë mundësi shqiptarëve që të zhvillonin kulturën e tyre modeste të shkrimeve, çka do të hidhte themelet e letërsisë së sotme shqiptare.

Por në shekullin e nëntëmbëdhjetë, edhe Shqipëria më në fund po zgjohej nga pikëpamja politike e kulturore. Në kujtesën kolektive të arbëreshëve, të flakur tej në brigjet e dheut të huaj, të cilin ata do ta shihnin gjithmonë me një farë dyshimi, Shqipëria po dilte nga mjegulla e kujtimeve të hershme e po shfaqej para syve të tyre si një realitet konkret, si një mëmëdhe që lëngonte e luftonte, e që i frymëzonte ata për të ruajtur kulturën e vet të brishtë. I palodhshmi Jeronim De Rada kishte çimentuar lidhjet midis ngulimeve arbëreshe, të shpërndara andej këndej në mbarë vargmalet e veçuara e të thella të Italisë së jugut, dhe mëmëdheut të tyre në Ballkan, që luftonte të ruante njëjtësinë e vet. Që atëherë e më pas gjatë mbarë shekullit të nëntëmbëdhjetë, lidhjet politike, kulturore dhe letrare u zhvilluan e u forcuan, çka u dëshmua e frytshme dhe e dobishme për të dy palët. Letërsia arbëreshe kishte lulëzuar vetë, dhe pa dyshim ishte aq e pjekur në këtë kohë sa për të ecur me këmbët e veta, por lidhjet me gjakun e shprishur, i dhanë mundësi të mbetej pjesë përbërëse e pandashme e kulturës shqiptare. Nga ana tjetër, as letërsia shqiptare vetë nuk mund të përfytyrohet e të merret me mend pa rrënjët arbëreshe.


__________________________________________________ _________________

122 kr. Sammarra 1984.

123 kr. Mbuzati 1959, Gangale 1973, f. 7-8 (II 1), 38 (II 35), dhe Laudone 1983.

124 kr. Gangale 1973 (II 12).
__________________________________________________ _________________

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
8. LETËRSIA MYSLIMANE DHE BEKTASHIANE
1850-1950





8.1 Arti bektashian





Ndonëse forcat më krijuese dhe novatore të letërsisë dhe kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë ishin inkuadruar brenda lëvizjes së Rilindjes kombëtare, letërsia shqiptare e shkruar me alfabet arab nuk u dobësua krejt. Madje, letërsia myslimane dhe bektashiane e fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimit të shekullit të njëzetë, me tiparin e vet kryesisht fetar, vazhdoi të zhvillohej në pajtim me traditat letrare, kulturore e sidomos me traditat shpirtërore të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe, në rrugë e sipër, erdhi e shfaqi jo vetëm nivel më të lartë mjeshtërie, disipline dhe horizonti dijesh, por edhe një rritje të mëtejshme të shkallës së përsosmërisë artistike e gjuhësore. Megjithatë, duhet theksuar se përqëndrimi më i drejtpërdrejtë në tema fetare, në këtë periudhë të letërsisë shqiptare me alfabet arab, shpuri dalëngadalë në një përdorim më të kufizuar të saj si mjet shprehjeje letrare e, si rrjedhim, në largimin nga shtrati kryesor i rrjedhës së letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Lidhjen midis lëvizjes kombëtare shqiptare dhe traditave kulturore të Orientit në shekullin e nëntëmbëdhjetë e ruajtën më fort se të tjerët pikërisht bektashinjtë (1). Karakteri relativisht më liberal e i hapur i praktikave të tyre fetare e i besimit të tyre panteist, me elemente edhe islame edhe kristiane, u dha mundësi atyre të kapërcenin pengesat që ndanin bashkësitë myslimane, katolike e ortodokse. Autori më i mirënjohur bektashi ka qenë Naim bej Frashëri (1846-1900), veprat fetare, kombëtare dhe didaktike të të cilit, për shkak të rëndësisë dhe ndikimit të jashtëzakonshëm në zgjimin kombëtar në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, qëndrojnë si pjesë e letërsisë së Rilindjes dhe mund të analizohen më mirë në kuadrin e saj.

Ndër poetët e shumtë bektashinj të kësaj periudhe (2) ishte Baba Muharrem Mahzuni ose Mehzuni (vd. 1867) nga Gjirokastra, i cili që nga viti 1845 e deri sa vdiq jetoi në teqen e famshme bektashiane të Durballisë në Thesali, një nga më të vjetrat në Ballkan. Shkroi vargje turqisht e shqip. Ndër nxënësit e tij në teqenë e madhe të Durballisë ka qenë Baba Abidin Leskoviku nga Leskoviku në Shqipërinë e jugut, themelues i teqesë së Leskovikut. Baba Abidin shkroi vargje fetare turqisht e shqip, ndër to edhe një himn kushtuar Durballisë. Një autor tjetër i talentuar me shumë vjersha mistike ishte Baba Adem Vexhi (1841-1927) nga Gjakova. Bëri shumë udhëtime, veçanërisht për haxhillëk në Mekë, Medinë dhe Qerbela. Më 1877 e dërguan si baba në Prizren, ku hapi një teqe. Nga viti 1922 e deri sa vdiq ishte i pari i teqes së vendlindjes së tij në Gjakovë. Baba Meleq Shëmbërdhenji (1842-1947), i njohur edhe me emrin Meleq Staravecka, ishte nga krahina e Skraparit në Shqipërinë e jugut, dhe arsimin e mori në teqenë bektashiane tani të braktisur të Kajros, ku edhe u bë dervish. U kthye në

__________________________________________________ _________________


1 Për fenë dhe bashkësinë e bektashinjve në Shqipëri e në Ballkan, kr. M. Hasluck 1925, Choublier 1927, Babinger 1929, F. W. Hasluck 1929, Birge 1937, K. Halimi 1957, Kissling 1962, Kallajxhi 1964, Bartl 1968, f. 98-111, Rexhebi 1970, 1984, Stadtmüller 1971, Popovic 1986, 1992, Popovic & Veinstein 1986, Clayer 1990, dhe Trix 1993.

2 Për letërsinë bektashiane dhe myslimane të kësaj periudhe, kr. Tomori 1934/35, Rexhebi 1970, Mufaku 1981, 1983, Salihu 1987 dhe Kaleshi 1991.
__________________________________________________ _________________

Shqipëri dhe mori pjesë në lëvizjen kombëtare, sidomos duke shpërndarë libra fshehurazi e duke përhapur idetë e reja. Shëmbërdhenji mbajti titullin baba në teqenë me emrin e tij derisa kjo u shkatërrua më vonë, më 1914. Ai është autor vjershash shqip me frymë kombëtare e fetare, të përmbledhura në një vëllim e të botuara në vitet njëzetë, por që tani gjendet me vështirësi. Shëmbërdhenjin e mbajnë si njerin nga poetët më të mirë bektashinj të periudhës. Ai ishte edhe mik e adhurues i Naim Frashërit, të cilin e quajti "Zemra e Shqipërisë, gurra e urtësisë, pishtar i vegjëlisë, shejntor i njerëzisë".

Tradita bektashiane e poezisë fetare e atdhetare, e frymëzuar si nga besimi mistik e panteist i këtij sekti, ashtu edhe nga aspiratat kombëtare, eci mirë dhe vazhdoi me fillimin e shekullit të njëzetë. Baba Ibrahimi nga teqeja e Qesarakës afër Kolonjës në Shqipërinë e jugut ishte mjaft aktiv, ashtu si dhe shumë udhëheqës të tjerë bektashinj, në shpërndarjen fshehurazi të librave e të letërsisë shqiptare dhe për këtë u burgos nga forcat ushtarake turke. Më 1913 u arrestua edhe nga autoritetet greke, por u lirua më pas nga figura kombëtare, poeti e luftëtari kryengritës Sali Butka (1852-1938). Kur hynë përsëri grekët në Kolonjë, Baba Ibrahimi u shtrëngua të arratiset, kurse teqenë ia dogjën me themel. Në njërën nga vjershat e tij, Dimri, ai e krahason kombin shqiptar, të rrënuar nga lufta e shtypja, me barrën e një dimri të gjatë e të vështirë. Baba Salihu nga fshati Matohasanaj afër Tepelenës në Shqipërinë e jugut e ktheu teqenë e tij në një shkollë fillore të fshehtë për mësimin e gjuhës shqipe.

Ai ishte gjithashtu aktiv në përhapjen e librave shqip, e për këtë u burgos nga turqit më 1902. Aty në burg ai shkroi një pjesë të mirë të poezive dhe përktheu poemën epike Hadîqatû as-su'adâ (Kopshti i të bekuarve) të poetit të madh azerbajxhanas Fuzûlî (1494-1556), vepër nga e ka marrë frymëzimin edhe poeti i shekullit të nëntëmbëdhjetë Dalip Frashëri për poemën e tij shqip Hadika. Po nga krahina e Tepelenës ishte edhe Baba Ahmed Turani (vd. 1928), i cili në vitet e rinisë bëri udhëtime në Lindjen e Afërme. Titullin baba e mori më 1908 në fshatin e lindjes Turan. Më 1914 teqenë e tij (3), ashtu si shumë të tjera, i dogjën andartët grekë, kështu që u shtrëngua të shpërngulet në Vlorë. Thuhet se ka qenë poet me talent. Një tjetër autor bektashian vjershash fetare në këtë periudhë ka qenë Salih Nijazi Dedei (1876-1941) nga Starja e Kolonjës, i cili u rrit në Anadoll, u bë baba më 1908 dhe kryegjysh i bashkësisë bektashiane më 1916. Mbeti në Turqi edhe pas mbylljes së teqeve atje. U kthye në Shqipëri në fund të vitit 1930 dhe u vra më 28 nëntor 1941 në Tiranë, me sa duket pse kundërshtoi sundimin italian. Edhe Baba Hamza Gjakova (1882-1952) nga Gjakova bëri udhëtime në Lindjen e Afërme në moshë të re dhe, kur u kthye, mori titullin baba në teqenë e Shtipit në Maqedoni më 1912.

Ishte autor i shumë vjershave me frymëzim bektashian e shiit. Një nga shkrimtarët bektashinj më me kulturë të kohës ka qenë Baba Selim Ruhi (1869-1944) nga Elbasani, që u bë baba më 1907 dhe ishte autor i tri divaneve poetike në arabishte, turqishte e persishte. Aty nga fundi i jetës shkroi edhe shqip. Studiuesi orientalist gjerman Franz Babinger (1891-1967), që e ka vizituar Baba Selimin në teqe, e cilëson poezinë e tij si jashtëzakonisht të bukur. Poeti, shkrimtari dhe përkthyesi Baba Ali Tomori (vd. 1947) pati lindur në Shalës afër Tepelenës dhe ndoqi studimet në Janinë ashtu si edhe Naim e Sami Frashëri. Pas djegies së teqeve më 1913-1915, u shpërngul në Kajro, për t'u kthyer në Shqipëri vetëm pas Luftës I Botërore. Ndihmoi për organizimin e të tre Kongreseve te Bektashinjve, që u mbajtën në Shqipëri në vitet njëzetë (1921 në Prishtë, 1926 në Gjirokastër, dhe 1929 në Korçë), të cilët shpunë në themelimin e një bashkësie fetare të njohur në vend. Tomori është autor i të paktën gjashtë librave me letërsi apo histori të bektashinjve, ndër to edhe poezi të përkthyera apo origjinale, një pjesë e të cilave është botuar

__________________________________________________ _________________

3 Për një studim mbi teqetë ekzistuese në këtë periudhë, kr. F. W. Hasluck 1929, vëll. 2.
__________________________________________________ _________________

me pseudonimin Ali Tyrabiu (4). Me shkrimet e tij ai u vu kundër çdo shfaqjeje të fanatizmit fetar dhe u përpoq të bashkërendonte elemente kristiane dhe bektashiane. Tomori qe ndër të rrallët autorë bektashinj që braktisën alfabetin arab e që përdorën në botime alfabetin latin, ndryshim ky që ia vlen të theksohet. Disa nga veprat e tij dolën në gazeta e revista të kohës. Më 1947 u akuzua për spiunazh, u dënua me vdekje e u ekzekutua. I fundit i poetëve bektashinj të kësaj tradite është Ibrahim Hasnaj (1912-1995) nga Tirana, i cili përdor pseudonimet Hima, Bardhyl Nizami, Cen Qytyku etj. Hasnaj, i cili përmendet edhe për rizbulimin që i bëri poetit bektashian të fillimit te shekullit të nëntëmbëdhjetë Zenel Bastari, u bë vetë bektashi më 1937, viti kur nisi të shkruajë vjersha. Ka qenë sekretar i përgjithshëm i bashkësisë bektashiane të paraluftës dhe kryeredaktor i periodikut bektashi Djersa, që doli në tetë numra deri më 1947. Ibrahim Hasnaj u burgos dhe kaloi dhjetë vjet, nga viti 1947 deri më 1957, në burg në Tiranë, në fillim në një qeli me shkrimtarët Petro Marko, Andrea Varfi dhe Mitrush Kuteli, pastaj vuajti edhe pesë vjet të tjera internim. Është autori i tre vëllimeve ende të pabotuar me poezi mistike të frymëzimit bektashi: Unë dhe ndiesitë e mia, 1939, Lot skamnorësh, 1940, dhe Rreze të zjarrta, 1980. Është e qartë se këto vëllime, të shkruara me alfabetin latin, u mbajtën fshehur në periudhën e gjatë kur feja përndiqej në Shqipëri dhe çdo shprehje letrare e saj ishte me rrezik të madh. Me heqjen më në fund të ndalimit të fesë, shtatëdhjetëvjeçari Ibrahim Hasnaj u zgjodh Kryetar i Komitetit të përkohshëm të bashkësisë bektashiane, e cila u rithemelua me solemnitet në Tiranë më 27 janar 1991.

Edhe pse në vitet '30 bektashinjtë ia kishin dalë mbanë pak e nga pak që të njiheshin plotësisht si bashkësi fetare, ata nga ana kulturore kishin rënë mjaft. Plaçkitja dhe djegia e teqeve të Shqipërisë jugore nga ekstremistët grekë gjatë Luftës Ballkanike dhe Luftës I Botërore qenë një humbje kulturore e pamatë nga e cila letërsia e bektashinjve nuk e mori veten kurrë. Përveç kësaj, kalimi në përdorimin e alfabetit latin, i cili jepte mundësi më të mëdha për botimin dhe përhapjen masive të veprave letrare e fetare, u bë në shkallë të pamjaftueshme. Madje, ishte padyshim paaftësia e asaj që kishte mbetur nga letërsia bektashiane për t'iu përshtatur alfabetit latin dhe mënyrave bashkëkohore të botimit, që dha shenjën e vdekjes së saj përfundimtare.

Edhe pse grupi më i fortë, bektashinjtë nuk ishin i vetmi sekt dervishësh (5) i përkushtuar poezisë fetare me alfabet arab. Dervish Salihu (vitet 1820 - vitet 1890), lindur në fshatin Libizhdë të Hasit afër Prizrenit, i përkiste sektit Kadiri. U rrit në Rahovec, ku shehu i teqesë së atjeshme vuri re prirjen dhe interesimin për filozofi e misticizëm, prandaj e dërgoi në Koçan, në Maqedoninë lindore, për të vazhduar shkollën si kadiri te Myhliz Dedja. Atje u bë dervish dhe u kthye në vendlindje në Libizhdë të Hasit për të hapur një teqe kadiri. Në moshë të thyer mbështeti fuqishëm Lidhjen e Prizrenit dhe pati shumë përkrahës, ndër ta edhe një figurë politike si Bajram Curri (1862-1925). Ndonëse dorëshkrimet me poezitë e tij humbën të gjitha, sidomos gjatë luftërave ballkanike, disa vjersha janë ruajtur në liturgjinë e sektit Alevi. I biri i Dervish Salihut, Sheh Kadria, (vd. rreth v. 1903), ishte një tjetër poet Kadiri dhe figurë e shquar, që u vra në Gjakovë rreth vitit 1903. Nga Sheh Emini i Sadive (vd. 1918), figurë udhëheqëse fetare e politike nga Gjakova, për të cilin thuhet se ka qenë i pari i një teqeje të

__________________________________________________ _________________

4 kr. Tomori 1924, 1927, 1928, 1929, 1934, 1935.

5 Ndër sektet e tjera të dervishëve që kanë qenë aktivë ndër shqiptarët, qoftë në Shqipëri e qoftë në Kosovë, janë: Bedevi, Desuki, Halveti, Kadiri, Melami, Mevlevi, Nakshibendi, Rufai, Sa'di, Shahzeli, Sinani, Tixhani dhe Xhelveti. Nga të dhënat del se më 1976 ende ishin në Kosovë shtatëdhjetë e gjashtë teqe (kr. Glasnik vrhovnog islamskog starješinstva 39/3, 1976, f. 299).

__________________________________________________ _________________


atjeshme për shtatëdhjetepesë vjet me rradhë, kemi një fragment vjershe fetare me titull Thirr me zemër. Sheh Jonuzi (1848-1909), i njohur edhe me emrin Hajdar e me pseudonimin Sabri, ka qenë një dervish Melami nga Jashanica e Toplicës në Kosovë. Studioi për teologji në Stamboll dhe u kthye në Kosovë për të hapur një shkollë në Suhadollin e Ulët afër Mitrovicës, ku mësimi jepej në gjuhën shqipe, punë që asokohe bëhej krejt fshehurazi. Shpesh ra në konflikt me autoritetet shtetërore e fetare të kohës dhe u përndoq mjaft. Sheh Jonuzi është autor i nëntë ilahi-ve, një elifi-e, d.m.th. një përmbledhje me njëzet e nëntë vjersha për të mësuar alfabetin arab, si dhe i rreth dhjetë vjershave të tjera. (6)

Letërsia myslimane në Shqipëri e madje letërsia shqiptare në përgjithësi ishte privilegj vetëm i meshkujve dhe, me pak përjashtime, kështu do të mbetej deri në vitet 1960. Megjithatë, në zgrip të shekullit, biem në gjurmët e asaj që mund të quhet e para poete femër në Shqipëri, Nesibeja nga Gjirokastra, autorja e një kasideje (arab. qasîde 'odë historike') me tridhjetenjë strofa katërshe, që mban datën 1897 [1313 A.H.], e që flet për betejën në kufirin jugor të Shqipërisë. Në njërën nga këto përpjekje të zakonshme kufitare grekët kishin bombarduar Sarandën dhe me sa duket po kërcënonin Gjirokastrën vetë. Kasideja apo gjyfteja e Nesibes u zbulua në vitet 1950 nga Osman Myderrizi në një dorëshkrim (7) prej 48 faqesh që përmban njëzet e pesë vjersha autorësh të ndryshëm, ndër ta Nezim Frakulla, e që kaloi nëpër Shkodër e Durrës për të përfunduar në Tiranë. Megjithatë, mundet që emri Nesibe është vetëm një gabim ortografik për ndonjë Nesib mashkull; bile kemi poetin e quajtur Nesib Mezini, ndonëse ky, në njërën nga vjershat e tij, e këshillon Nesibenë "t'i lerë kasidetë rehat". Sidoqoftë, për jetën e saj nuk dihet gjë tjetër. Në dorëshkrimin në fjalë gjenden edhe disa vjersha me tema historike, ndonëse jo të po atij niveli, të një farë Abdulhamidi nga Gjirokastra, si dhe poezi fetare me frymëzim bektashian nga Hoxhë Dobi, të dy padyshim në zgrip të shekullit.

Tradita orientale e mevlud-it (Cool, poezi fetare festive për lindjen e profetit Muhamed, për të cilën është bërë fjalë në krijimtarinë letrare të autorëve shqiptarë më të hershëm, sidomos Hasan Zyko Kamberi, Abdullah Sulejman Konispoli dhe Ismail Floqi, vazhdoi t'u pëlqejë një numri autorësh myslimanë gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë e madje në shekullin e njëzetë (9). Burim më i drejtpërdrejtë frymëzimi për shkrimtarët shqiptarë mbeti mevludi i famshëm i poetit turk Sulejman Çelebi (10) (vd. 1422). Hafëz Ali Ulqinaku (1853- 1913), shkrimtar mysliman nga Ulqini (sikundër e thotë edhe mbiemri), port me popullsi shqipfolëse në bregdetin malazez, bëri një përkthim të mevludit të Çelebiut, të titulluar thjesht Ter—ume-i mevlud 'alâ lisân-i arnavûd (Përkthim i mevludi në gjuhën shqipe), të cilin e botoi në Stamboll në fillim të vitit 1878 [1295 A.H.]. Ulqinaku qe edhe autori i disa përkthimeve të tjera nga turqishtja si dhe i një fjalori të madh turqisht-shqip, shqip-turqisht (11), të hartuar në alfabet arab aty nga viti 1897. Pjesa turqisht-shqip e fjalorit përbën 915 faqe, ndërsa pjesa e dytë shqip-turqisht, origjinali i së cilës ruhet, përfshin vetëm 168 faqe me rreth 4000 leksema të

__________________________________________________ _________________


6 kr. Pirraku 1979, f. 207-217.

7 kr. Myderrizi 1959.

8 Për mevludin, kr. Lamaj 1982.

9 kr. Kaleshi 1958.

10 kr. MacCallum 1943. Mevlude vendëse ka edhe në serbisht, greqisht dhe çerkezisht.

11 kr. Myderrizi 1961.

__________________________________________________ _________________

ndryshme të shqipes. Edhe Tahir efendi Halil Popova (1856?-1949), i njohur edhe si Mehmet Tahir efendiu, nga fshati Popovë afër Vushtrrisës në Kosovë, ka shkruar një mevlud duke u mbështetur te ai i Çelebiut dhe arriti ta botojë në Stamboll aty rreth vitit 1876 (12). Mevludi i Popovës, për të cilin thuhet se është kënduar gjerësisht në qarqet myslimane të Kosovës deri vonë, si dhe ai i Ulqinakut janë kësisoj më të hershmet vepra në gjuhën shqipe të botuara me alfabet arab, plot një dhjetëvjeçar para variantit të ripunuar me alfabet latin nga Jani Vretoja të Ervehesë së Muhamet Kyçykut, të shkruar në fillim në alfabet arab më 1820. Mevlude të tjera, qoftë origjinale apo përkthime të Çelebiut, dihet se janë shkruar shqip nga njerëz të lindur në shekullin e nëntëmbëdhjetë, si Haxhi Çiçkoja nga Korça, Tahir efendi Lluka (vd. 1908), Hafëz Ali Korça (13) (1874-1957), anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit (mevludi që mban datën 1909), dhe Hafëz Abdullah Sëmlaku, mevludi i të cilit pati katër botime, i fundit në Korçë më 1944. Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952), shkrimtar i njohur për satirën e tij therëse dhe botues i gazetës së përjavshme Dajti nga 1923 deri më 1926, ishte autori i një mevludi prej 250 faqesh, më i gjati në dialektin gegërisht.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
8.2 Rënia e traditës myslimane



Pothuajse të gjithë autorët e mbetur të letërsisë myslimane të shekullit të njëzetë që njohim sot janë nga Kosova. Njëri nga më pjellorët ndër ta ka qenë Hilmi Abdyl Maliqi (14) (1856?-1928), i njohur edhe si Sheh Mala i Rahovecit apo Sheh Maliqi. Ka lindur në Kopila Gllavë afër Rahovecit dhe mori një shkollim të mirë në Rahovec dhe në medresenë e Mehmet Pashës në Prizren, duke mësuar jo vetëm shqipen e serbo-kroatishten, por edhe turqishten, persishten dhe arabishten. Poezia e tij mistike, përshkruese dhe sentimentale në një divan prej shtatëdhjetë e shtatë vjershash, ende pjesa më e madhe e pabotuar, shënon një kalim nga poezia orientale tradicionale në poezinë e periudhës së vonë të Rilindjes. Maliqi është autor edhe i gjashtëmbëdhjetë risaleteve apo letrave fetare dhe i disa përkthimeve nga turqishtja, persishtja dhe arabishtja, ndër to edhe një përkthim katërqind-faqesh i Wâridât të poetit, juristit dhe kryengritësit arab Bedr ed-Dîn nga Samauna (1358-1416).

Thuhet se dorëshkrimet e Maliqit ruhen në teqenë e Rahovecit. Bashkëkohësi i Maliqit Haxhi Ymer Lutfi Paçarizi (15) (1871-1929) ishte poet dhe klerik mistik nga Prizreni që ndoqi studimet në medresenë Fatih në Stamboll. Ndonëse i mbrujtur me traditën islame, ai e përshëndeti Revolucionin e Tetorit dhe mbështeti Partinë Komuniste të sapoformuar në Shkup që më 1920, veprimtari që e vuri në konflikt me policinë serbe. Nxënës i shquar i Hilmi Maliqit ka qenë Shaip Zurnaxhiu (1884-1951), një dervish melami nga fshati Mamushë. Ai është autor i shtatëmbëdhjetë vjershave shqip, njëzet në turqisht dhe pesë në serbokroatisht, të gjitha të shkruara me alfabet arab. Poezia e tij me ngarkesë të mirë emocionale e me një shqipe pak të përzier me fjalor oriental përfshin tema fetare dhe lirika dashurie.

__________________________________________________ _________________

12 kr. Kaleshi 1956, 1958, dhe Shuteriqi 1976, f. 206.

13 kr. I. D. Hoxha 1996.

14 kr. M. Krasniqi 1953, Pirraku 1979, f. 226-235, dhe për një studim gjuhësor Ajeti 1966 dhe 1985, vëll. 2, f. 217-248.

15 kr. M. Krasniqi 1955 dhe Kaleshi 1962.
__________________________________________________ _________________

Edhe pse alfabeti arab ishte përdorur për shqipen për gati dy shekuj, ai kurrë nuk i shkoi plotësisht për shtat sistemit fonologjik të shqipes dhe kishte raste që shkaktonte keqkuptime për lexuesin pa përvojë. Rexhep Voka (16) (1847-1917), studiues nga Tetova, iu përkushtua këtij problemi dhe propozoi një alfabet me shkronja arabe të përbërë prej dyzetekatër shkronjash, bashkëtingëllore e zanore, të cilin e botoi në librin e tij Elifbaja shqip, Stamboll 1911 [1327 A.H.] (Abc-ja shqip). Rexhep Voka, lindur në fshatin Shipkovicë të rajonit gjerësisht shqipfolës në Tetovë, i nisi studimet në Stamboll më 1868 ku dhe më vonë punoi si mësues dhe gazetar. U kthye në Tetovë më 1895 dhe u aktivizua si myfti në Manastir gjatë revolucionit të xhonturqve si dhe anëtar i shoqërisë Bashkimi. Voka është autor i tri veprave të tjera të shquara: Vendimet e Kongresit të Dibrës, Manastir 1909 [A.H. 1325];Mendime, Stamboll 1911 [A.H. 1328], në të cilën parashtron gjendjen e prapambetur të Shqipërisë dhe nevojën për arsim; dhe Arnavudçe müfessal ilmihal, Stamboll 1911 (Abetare shqip për fenë). Alfabeti i Rexhep Vokës nuk kaloi pa u ndjerë dhe u përdor një vit pas botimit nga një i quajtur Fadil Bodinaku (17) (1870?-1932) ose Fazili nga Tirana, i cili shtypi një gramatikë 32-faqesh të shqipes me titullin turqisht Sarfi iptidai arnavudi, Stamboll 1911 (Gramatikë elementare e shqipes). Por në këtë kohë, shkrimi i shqipes me alfabet arab për veprat jofetare i pati ditët të numëruara.

Po nga kjo periudhë kemi një numër poetësh myslimanë pak të njohur, nga të cilët vetëm pak vjersha kanë ardhur deri në ditët tona. Ndër ta janë: Dervish Veseli (1887-1950) nga Rahoveci, i cili ka bërë shumë udhëtime në Lindjen e Afërme dhe vdiq nga një aksident në teqenë e madhe Sadiu në Gjakovë më 1950; Hafiz Imer Shemsiu (1893-1945), imam në Talinovc, që hapi një shkollë fillore në gjuhën shqipe në Sazli-Talinovc dhe nga tridhjetë vjershat fetare të çmuara të të cilit kemi vetëm tri; Dervish Idrizi, kovaç nga Gjakova dhe autor i një vjershe me datë 1908; mësuesi Faik Maloku (1900-1935), i njohur edhe si Faik efendiu nga Prishtina, Sheh Osmoni i Junikut nga të cilët kemi nga një vjershë; dhe Hafiz Islami (rreth v. 1910 - rreth v. 1934), pseudonim i Islam Mehmet Bytyqit, nga fshati Mllanaviq i Llapushës, i cili pas studimeve fetare në Gjakovë nën Fahri Efendiun vdiq i ri gjatë shërbimit ushtarak në Slloveni. Edhe një i quajtur Sheh Ahmedi nga Shkodra, dervish i sektit Rufai, ka qenë pak i njohur deri vonë, kur njëzet e tre nga vjershat e tij me tema fetare apo me frymë të hollë kombëtare u zbuluan në një dorëshkrim në Strellc të Epërm afër Deçanit (18). Sheh Hyseni i Halvetive (1873-1926) ka qenë studiues feje i sektit Halveti në Prizren dhe nga ai kemi një ilahi (himn fetar) me njëzetekatër vargje pa kurrfarë vlere letrare apo teologjike të veçantë. Me sa duket, asgjë nuk ka mbetur nga veprat e Azem Efendi Ollurit (1825-1913) nga Kroimiroc në Kosovë ose nga bashkëkohësi i tij Hasan Efendi Hoti prej Drenice të Kosovës, divanin shqip të të cilit e ka pasur i biri deri më 1945 (19).

Dy poetë aktivë në vitet 1930 e 1940 i japin fund dhe e mbyllin historinë e letërsisë shqipe me alfabet arab. Vejsel Xhelaludin Guta (1900-1979) ka lindur në fshatin Zaskok afër Ferizajt në Kosovë; studioi në medresenë e Mehmet Pashës në Prizren, ku mësoi arabishten dhe persishten. Më vonë shërbeu si imam dhe mësues shkolle në Vojnoc afër Shtimes. Nga poezia e tij kemi pesë ilahi dhe një vjershë tjetër të vitit 1942. Mulla Hysein Hysni Statovci (l. 1900), lindur në Batllavë, jetoi në Prishtinë dhe Podujevë, ku edhe shërbeu si nëndrejtor i shkollës fillore myslimane të hapur nga Faik Maloku, që përmendëm më sipër. Ai mori pjesë në jetën

__________________________________________________ _________________

16 kr. Kaleshi 1956, f. 372-383, Pirraku 1979, f. 221-225, dhe Voka 1991.

17 kr. Kaleshi 1956, f. 383.

18 kr. Salihu 1987, f. 436.

19 kr. Pirraku 1979, f. 204-206.
__________________________________________________ _________________

politike e shoqërore të Kosovës së paraluftës dhe ishte luftëtar i flaktë për mësimdhënien në gjuhën shqipe. Shkroi vjersha midis viteve 1935 dhe 1947.

Me këta dy poetë të fundit fetarë, ende aktivë gjatë Luftës së Dytë Botërore, tradita e shkrimit shqip Alhamiado (span. aljamiado) merr fund një herë e mirë. Edhe pse letërsia shqiptare me alfabet arab kishte qenë gjithmonë e ndikuar fuqishëm nga Islami dhe traditat kulturore të Orientit, në shekullin e njëzetë ajo ishte kthyer në një veprimtari fetare e liturgjike të kohës së lirë, e ushtruar thuajse vetëm nga dervishë, imamë dhe klerikë vendorë, kryesisht në Kosovë. Edhe pse anakronike në vetvete, ajo e ruajti njëfarë flake të kulturës shqiptare në Jugosllavinë jugore në një kohë kur librat dhe shkollimi në gjuhën shqipe as mund të mendoheshin e kur njerëzit që e mbronin haptas këtë çështje u nënshtroheshin menjëherë përndjekjeve të egra të autoriteteve serbe. Në një atmosferë të tillë të rëndë shtypëse, kjo letërsi Alhamiado u shërbeu shkrimtarëve shqiptarë si liman shpëtimi, meqë alfabeti i saj arab dhe karakteri i dukshëm fetar e bënin tepër të largët e tepër të mbyllur për sulmet dhe shtypjen e mundshme nga ana e autoriteteve të Beogradit; e bënin një botë të pakuptueshme misticizmi oriental të ushqyer në teqetë e veçuara, xhamitë dhe medresetë nga një pakicë myslimane në dukje pa shkollë, pa pasuri e jo fort e kuptueshme brenda mbretërisë kristiane të sllavëve të jugut.

Vepra të tjera myslimane me alfabet arab janë shkruar pa dyshim midis dy luftërave edhe në Shqipëri, krahas letërsisë 'së vërtetë' me alfabet latin, që u zhvillua me vrull, por pak gjurmë të së parës kanë dalë në dritë. Është e sigurt që krijime të tilla me alfabet arab, qoftë me pretendime letrare apo jo, janë zhdukur ose kanë humbur gjatë fushatës revolucionare për heqjen e fesë në Shqipëri më 1967, e cila shpuri në fakt në shkatërrimin fizik të të gjitha xhamive, teqeve, kishave dhe manastireve në mbarë vendin. Mendimi i përgjithshëm sot në Shqipëri është se shumë vepra arti kanë përfunduar thjesht në koshin e plehrave ose janë djegur. Me sa duket të tri vëllimet me vjersha të poetit bektashi Ibrahim Hasnaj bëjnë një përjashtim. Vitet që vijnë do të tregojnë se çfarë tjetër ka mbetur nga kjo traditë letrare e shuar.

descriptionRe: Historia e Letersise Shqipe

more_horiz
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi