Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Share

descriptionDita e verës-Origjina dhe historiku

more_horiz

Dita e verës-Origjina dhe historiku


Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane . Ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM-it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet më 14 mars.

Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tanimë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.

Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t'i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.

Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te (VALMIT) Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, "14 mars") Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Si dëshmi po sjellin këtu dy përshkrime të kuptimit dhe kremtimit të "Ditës së Verës" njëra për krahinat jugore, tjetra për malësitë veriore. Janë përshkrime të botuara në kohën kur në Shqipëri nuk kishte parti politike, madje në kohën kur as institucionet klerikale nuk futnin hundët në kremtime të ashtuquajtura pagane. Përshkrimin e parë e kemi nga i madhi Faik Konica, i cili gati 100 vjet më parë, në kohën e sundimit osman, shkruante me atë stilin e vet elegant.

Edituar për herë të fundit nga Admin në 14th March 2016, 00:13, edituar 1 herë gjithsej

descriptionRe: Dita e verës-Origjina dhe historiku

more_horiz

Ç'është Dita e Verës?


Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur skish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shlegjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falën perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës. Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë.

Përshkrimin e dytë, i cili flet për kremtimin e "Ditës së Verës" nga malësorët katolikë të veriut, e kemi nga At Berdardin Palaj. Ai shkruante dy dekada pas Faik Konicës :

"Shtëpi më shtëpi në ditët e veravet, pjesëtarët e familjes bashkoheshin rreth zjarrit për me lidhë shtrigat, mgjillcat, llungjat, rrollcat e të gjitha shtazët dëmtuese : gjarprin mos ti nxajë, lepurin mos t’u hajë loknat e bathën, e shpendin emën për emën e krimbat e tokës mos t’u mbajnë dam ndër ara. Tri ditë përpara veravet duhet me mshefë shoshat, sitat, furkat e me çartë krojet, në mënyrë që mos me i pamë këto sende asnjë rob i shtëpisë, pse për ndryshej nul lidhet gja. Këto ditët e veravet bijnë gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darkë, të gjithë pjesëtarët e shtëpisë bashkohen rreth zjarmit. I zoti i shtëpisë merr një pe të zi leshi, e lidhë për vergue një nyje e thotë këto fjalë. Lidhe Zot nata e mojt e dita e verave ! Unë pak e Zoti shum ! Po lidhim shtringat. Kështu përsërit këtë veprim për secilin shpirt damtues, sëmundje, krimba e kodra që don me lidhë".

Po në Verilindje si festohet "Dita e Verës" ? Hapat e para të fëmirisë i kam kaluar në vendilindjen time Dibër, ku e kam përjetuar drejtpërsëdrejti dhe kam qenë dëshmitarë se si Dibranët e festojnë "Ditën e Verës". Prandaj po përshkruaj pikërisht trevën e Dibrës, duke e simbolizuar me pozicion gjeografik Veri-Lindje, pasi edhe zonat përreth në shumë element e festojnë dhe kanë shumë ngjashmëri me dibranët.

Festimet e kësaj ditë në Dibër fillojnë dy javë përpara, ku djemtë e rinj gjatë ditës shkojnë në mal dhe presin dëllinja, të cilat i sjellin në fshat, për të formuar një ose më shumë mullarë. Këta mullarë me dëllinja vendosen kryesisht në pika më të larta të fshatit, në mënyrë që zjarri të jetë sa më i lartë duke u bërë konkurrencë të dukshme fshatrave të tjerë për rreth.

Kur, Dielli ulet dal nga dal nga horizonti duke u zëvendësuar nga hëna, të rinjtë afrohen rreth mullarëve të dëllinjave, dhe presin momentin që ti vënë zjarrin. Sapo zjarri ndizet, djemtë gjuajnë me bahe (është mjet i trashëguar brez pas brezi dhe që bëhet në mënyrë artizanale, e cila hedh prej një distance relativisht të largët gurë që kanë përmasa mesatare) për të larguar dhe vrarë të keqen, në mënyrë që pranvera të jetë më reshje të bollshme, për siguruar të korra të mira me shumë "bereqet", nga të cilat do të krijohen rezerva të bollshme për të kaluar periudhën e gjatë të dimrit. Kurse, vajzat këndojnë rapsodi të trashëguara dhe të transmetuara brez pas brezi që i kushtohen "Ditës së Verës". Ky ritual vazhdon deri me datë "14 mars".

Me "14 mars" në mëngjes vendoset një garë e pashpallur kush zgjohet më shpejt në mëngjes (sipas traditës ai që zgjohet më vonë do ti shkoj i gjithë viti në të shumtë në kohës në gjumë), familjet që zgjohen më vonë zakonisht kanë edhe një ndëshkim simbolik, ju mbyllet nga jashtë dera e shtëpisë.

Pasi zgjohen, të rinjtë dalin për te mbledhur lule si kukreka, lulethane, shelgje etj, të cilat i vënë mbi portën hyrëse si dhe brenda shtëpisë. Kurse vajzat ziejnë vezët, dhe i ngjyrosin me mozaikun e ngjyrave. Vezët rroken mes të rinjve me fitimas (që do të thotë se ai që ka vezën me të fortë ja fiton dhe ja merr ati që i thyhet).

Këto ngjarje ndodhin zakonisht në një livadh ose në qendër të fshatit, ku përvec këtyre riteve bëhen edhe mjaft lorja të tjera si : "Kala Dibrane", mundje mes djemve të rinj e etj. Gjatë paradites nënat përgatisin drekën e bollshme, ku një vend të veçante zë flija (gatim tradicional kryesisht i zonës së Dibrës).

Pas drekës, njerëzit dalin për vizita tek të afërmit.

Kështu mbyllet festimi i Ditës Verës, si një festë që sjell vetëm gëzim, harmoni dhe lumturi në familjet tona.

Vitet e fundit "Dita e Verës" është bërë me të vërtet një festë mbarëkombëtare, ku festohet masivisht nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor. Kjo tregon se shqiptarët edhe në festa janë të bashkuar, si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm një identitet, atë shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë "Dita e Verës" është shumë e lashtë për nga koha e kremtimit dhe mënyra. Është festë pagane që rrjedh nga lashtësia dhe që është ruajtur me shumë fanatizëm deri në ditët tona.

Natyrisht që nga fillimet e kremtimit të saj deri sot, kohët kanë ndryshuar dhe për rrjedhojë edhe mënyra e festimit, por forma e saj bazë është po e njëjta, ka qenë dhe mbetet një festë pagane, me origjinë dhe traditë shqiptare dhe që i dedikohet stinës së pranverës, me të cilën rigjallërohet gjithçka pas një gjumi të lodhur dhe të gjatë dimëror.

Dita e Verës njihet si festa e gjithë shqiptareve, por Elbasani dhe ballokumja është zemra e saj. Një feste pagane, qe e ka origjinën ne kohen kur njerëzit i faleshin perëndive. Tempulli ka qene ne zonën e Çermenikas, ne afërsi te Librazhdit te sotëm. Ne kalendarin e vjetër, njerëzia orientohej ne diellin, hënën dhe gjelbërimin. Ndërsa sot është fiksuar 14 marsi, dite e festes se lashte, qe shënon ndryshe fundin e dimrit te acarte dhe hyrjen e pranverës se çeljes se luleve. Ne kohen antike, te paret tanë, Iliret, udhëtonin nga te kater anët për t'ju falur perëndisë së ripërtëritjes dhe gjithësisë, Diana Candieviensis. Dita e Verës është feste e te gjithëve, e te pasurve dhe te varfërve, është feste mbarëpopullore ku te gjithë gëzojnë. As feja, as ideologjia dhe së fundi as politika, nuk mundën ta kenë të tyre. Kohet shkuan dhe tempulli i festes qëndroi ne Elbasan, ne qytetin e luleve dhe këngës, te dashurisë dhe begatisë. Duhet theksuar dhe një herë që dt. 14 mars thjesht hap festivalin njëjavor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar drejt 21 marsit, që është Dita kalendarike diellore e Verës. 14 marsi është Dita e Verës për Shkumbinin dhe, për shumë vjet me radhë dhe, Tiranën, por krahinat e tjera shqiptare kanë secila Ditë të tyre të Verës brenda kësaj jave që mbahet në formë festivali në gjithë trojet. Vjet p. sh. qyteti i Shkodrës festonte në dt. 15 mars. Caktimi i datës kryhet krejt nga ana praktike duke marrë parasysh ditën më të qëndrueshme me diell brenda kësaj jave për secilën krahinë. N.q.s. vihet re në krahinat e Shqipërisë së Mesme, 14 marsi ka qenë gjithnjë ditë me diell dhe e ngrohtë, ndërsa ditët e mëpasme shpesh janë me re dhe madje dhe shi.

Duke synuar një ditë të tillë, secila krahinë në bazë të nën klimës së vet cakton një datë me ditën më të qëndrueshme të dielltë, brenda kësaj jave. Data mund të puqet dhe me një a më shumë krahina të tjera, por gjithnjë në vartësi të anës praktike dhe nuk është e thënë që secila krahinë të ketë doemos datën e vet. Është klima vendore që ka fjalën e fundit dhe për këtë është e nevojshme njohja e zonës, pasi festimi është organik dhe jo artificial. Për këtë arsye dhe mënyra e festimit ndryshon sipas krahinave, gjë që i jep dhe bukurinë e vet festivalit në rang kombëtar.

Një sqarim tjetër që shpeshherë është i nevojshëm. Pse dita quhet e Verës, kur në fakt festivali është pranveror ? Kjo ndodh sepse në kalendarin diellor ilir/shqiptar (dhe të disa popujve të tjerë), ka vetëm dy stinë, Verë dhe Dimër, dhe stinët nisin me barasnetët (ekuinokset) në mars e shtator dhe arrijnë mesin me solsticet në qershor e dhjetor, atëherë kur festohet përkatësisht Mesvera dhe Mesdimri.

descriptionRe: Dita e verës-Origjina dhe historiku

more_horiz

Shpjegimi sipas Konicës


Faik Konica, shkrimtari ynë i ndjenjës, arriti të shpjegojë shpirtin e Ditës së Verës. Ai e përkufizonte kështu këtë feste : "Dita e Verës është dita ne te cilën stërgjyshërit tanë, kur skish lindur Krishterimi, kremtonin bashke me romaket dhe grekerit e vjetër perëndite e luleve, te shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e holle dhe e gjate si ne pikture te Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barre, shijon një qetësi, një lumturi te ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyre, tu faleshin perëndive qe sillnin këto miresira. Dhe ashtu leu festa hiroshe qe e quajnë Dita e Verës..." Sipas shkrimtarit, kjo është një feste e vjetër e racës sonë. "Nuk i bëjnë dem njeriu, sjellin gëzim te kulluar ne shtepi. Ne një vend ku jeta e te vegjëlve është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kane një rast te rralle për t'u dëfryer. Për me te mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike, te holle e te rralle...", shkruan Konica.

descriptionRe: Dita e verës-Origjina dhe historiku

more_horiz

Ballokumja


Ballokumja është ëmbëlsire karakteristike vetëm në Elbasan. Ka qenë dhe është sinonim i Ditës së Verës. Ka një formule te veçante gatimi, e njohur vetëm ne këtë qytet. Në vija të përgjithshme, një ballokume përgatitet si vijon:

Në një enë të posaçme prej bakri futen sipas radhës gjalpë i freskët, sheqer, veze, maje miell misri dhe pak finje zjarri.
Të gjitha asortimentet përzgjidhen ne kushte natyrale. Gjalpi duhet të jetë prodhuar në fshat dhe të këtë një ngjyre te veçantë. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset ne enën e ballokumes. Mbi gjalpë hidhet pak e nga pak sheqer dhe te dyja rrihen gjate nga një luge druri. Më pas hidhen vezët një e nga një ndërkohe qe rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e majës së miellit të misrit. maja e miellit hidhet me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjte. Në masën e formuar hidhet pak finje zjarri. Rrahja duhet të behet me dore. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret me lugë druri dhe vendoset në topa në tepsi dhe futet ne furrën me dru zjarri. Piqet dhe shërbehet në formën e kulaçeve.

descriptionRe: Dita e verës-Origjina dhe historiku

more_horiz

Simbolika e Ditës së Verës


Kushdo që ka kaluar këto ditë Urën e Zaranikës, për të hyrë në qytetin e Elbasanit, ka ndjerë qysh në derën e këtij "oborri-qytet" aromën e ballokumeve, si simbol i festës së Ditës së Verës. Prej vitesh 14 marsi është shndërruar edhe zyrtarisht në një festë zyrtare. Ajo, në një mënyrë apo një tjetër, ka filluar të kremtohet kudo. Megjithatë, të paktë janë ata që e dinë se ç’përfaqëson Dita e Verës. Pra, ç’është Dita e Verës ?

Nga pikëpamja historike, Dita e Verës është shumë e lashtë. Është një festë pagane e kremtuar nga shqiptarët qysh në antikitet, pra para lindjes së krishterimit. Nga pikëpamja gjeografike, ajo festohej nga mbarë shqiptarët, në qytet e në fshat, në fushë e në malësi, në atdhe apo edhe në mërgim. Fakti që kremtimi i Ditës së Verës është bërë edhe nga arbëreshët (aq sa disa autorë e kanë quajtur "festë arbëreshe"), është dëshmi e përhapjes së saj të hershme ndër shqiptarët.

Prof. Mark Tirta, studiuesi i shquar i etnografisë, pra i kulturës popullore, i riteve e zakoneve të shqiptarëve dhe popujve të tjerë, tregon se përgjithësisht Dita e Verës ka të bëjë me ringjalljen, me ringjalljen pranverore të natyrës në raport me dimrin që jep shpirt. Në këtë kontekst, shpjegon prof. Tirta, ritet e kësaj natyre janë të dokumentuara të paktën prej tre mijë vjetësh. Ato janë pasqyruar në mitologji, në veprat e Homerit etj. Kemi të bëjmë, kështu me një traditë mesdhetare, për të mos shkuar më tej.

Sidoqoftë, Dita e Verës ka qenë e lidhur me ditën e parë të marsit. Në antikitet marsi ishte muaj i parë i vitit. Kjo sipas kalendarit Julian. Siç dihet, në Evropën Perëndimore, kalendari Julian u zbatua derisa në vend të tij u vendos kalendari Gregorian. Por në gjuhën e sotme shqipe ruhen ende gjurmë të kalendarit Julian. Duhet që viti kalendarik të fillojë me marsin që muaji i shtatë të jetë shtatori, i teti tetori, i nënti nëntori dhe i dhjeti dhjetori. Të tillë kanë mbetur emrat e tyre edhe pse, nga 15 tetori i vitit 1582, kohë në të cilën hyri në fuqi reforma gregoriane, ata janë respektivisht, muajt e nëntë, i dhjetë, i njëmbëdhjetë dhe i dymbëdhjetë.

Por, siç argumenton akademiku i mirënjohur, prof. Kristo Frashëri, kalendari i vjetër i shqiptarëve është edhe më i hershëm se kalendari Julian, i cili u shpall nga Jul Qezari, në vitin 46 para lindjes së Krishtit. Dhe gjithnjë dita e parë e marsit shënonte, sikurse edhe sot, fillimin e stinës së pranverës. Ishte koha kur stinët ishin më të dallueshme nga njëra-tjetra se në kohën e sotme (ngrohja globale nuk kishte filluar ende). Njerëzit mezi prisnin që të dilnin nga dimri, të shkrinte bora, të gjelbërohej natyra, të çelnin lulet, të blegërinin qengjat, të loznin fëmijët fushave e kodrave, të gëzonin të gjithë.

shkurt, Dita e Verës simbolizonte ringjalljen e natyrës. Tradicionalisht dalja nga dimri shoqërohej me një bilanc, sidomos për gjënë e gjallë. Aq sa edhe në gjuhën e përditshme të shqiptarëve, sidomos të zonave të thella malore të izoluara gjatë dimrit, ishte bërë zakon që njerëzit të pyesnin njëri-tjetrin : "Si dole në verë ?", ose "Sa nxore në verë ?" (sa bagëti ?) etj. Pra "me dalë në verë" kishte kuptimin me mbijetue, me ia arrit asaj dite (Ditës së Verës). Vera simbolizonte të mirën, mbarësinë, dritën, gëzimin. Kjo, kundrejt dimrit, të egrit, kiametit, gazepit.

Ja disa shprehje, si për të ilustruar këtë ide : "Asht si vera", "Ka një djalë e një çikë si vera", "Tu bëftë jeta verë/behar", "Asht rritë jetim, pa verë në jetë të vet", "Ajo punë iu ba verë" (iu pri mbarë) etj.

Tradicionalisht pelegrinazhet në Ditën e Verës bëheshin në majat më të larta të maleve, në majën e Tomorrit, të Çikës, të Gramozit, të Korabit, të Dejës, Krujës, Dajtit, Gjallicës, të majës së Hekurave etj. Kjo, për të qenë sa më afër Perëndisë së Diellit, jetëdhënësit, para të cilit luteshin për begatinë përgjatë vitit të ri. Madje adhurimin e tyre për perëndinë e tyre "Diell", shqiptarët e përjetësuan me emrin "e diel" (sikurse anglezët), ndryshe nga popujt e tjerë evropianë, të cilët e kanë emërtuar Dita e Zotit.

Dita e Verës shoqërohej me zjarre (zakonisht dëllinjash) mbrëmjeve, në mes të fshatit, të cilët i kapërcenin burrat e djemtë, si për t’i lënë lamtumirën dimrit. Dita e Verës ishte dita e verojkave (ose veroreve). Nëse i referohemi "Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe" (viti 1980, faqe 2135), verojka ishte një gjalmë i përgatitur me fije të kuqe e të bardha që ua lidhnin fëmijëve në duar apo në qafë në Ditën e Verës (verojka, verore, nga verë). Por, siç shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe degët e thanave, dëllinjave, dafinave apo shelgjeve të nderura.

Në shumë raste në Ditën e Verës thureshin kurora dhe i varnin në portat e shtëpisë, për të sjellë fat. Kjo është bërë, deri vonë, edhe në Tiranë.

Rezulton se Dita e Verës është kremtuar në mbarë viset shqiptare. Megjithatë, kremtimet kanë pasur nuanca të ndryshme për krahina të ndryshme. Etnologu i mirënjohur Bernardin Palaj, njohës i thellë i trashëgimisë kulturore sidomos të malësisë së Veriut, ka shkruar që në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, për mënyrën se si festohej atje Dita e Verës.

Dita e Verës është festuar shumë kohë para se institucionet klerikale e, më pas, ato shtetërore të fillonin të administronin festat popullore. Si festë pagane, ajo është kremtuar që në lashtësi.

Mëse një shekull më parë, kur Shqipëria ishte ende nën sundimin osman, Konica shkruante, për shembull, se "Dita e Verës është një ditë në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve..."

Në ç’masë Dita e Verës është një festë e mirëfilltë (mbarë)shqiptare? Të paktën në atë masë që ajo (referuar prof. Kristo Frashërit), ka qenë pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Edhe nëse në disa vise ajo filloi të venitej, përsëri duhet të rigjallërohet dhe të kthehet në një festë mbarëshqiptare, mbasi është më tradicionale se të kremtet fetare. Dita e Verës, ashtu sikurse edhe Viti i Ri, është festë e të gjithë shqiptarëve, pa dallim krahine, ideje, bindjesh, përkatësish, apo besimi fetar.

Por në të vërtetë kur themi Dita e Verës mendja na shkon tek Elbasani. Pse ? Sepse gjatë shekujve Dita e Verës erdhi duke u zbehur. Aq sa diku ajo u harrua krejtësisht e nuk kremtohej më. Ndërsa në Elbasan ajo nuk u zbeh kurrë. Nëse Dita e Verës erdhi deri në ditët tona merita i takon kryesisht Elbasanit. Tani ajo është zyrtarisht një festë kombëtare. Por ndryshe është të festosh e ndryshe është të bësh një pushim zyrtar. Madje ndryshe është të festosh, ndryshe të ndjesh me të vërtetë. Elbasani, pra ende shumë ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndjehet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.

Për të kuptuar ndryshimin midis kremtimit "alla-elbasançe" të Ditës së Verës, me atë që bëhet gjetkë, nëpër Shqipëri apo ndër shqiptarë, mjafton t’u referohemi ballokumeve. Në Elbasan përgatitjet për ballokumet të bëhen me kohë. Dihet se ku do të merret mielli i misrit për to, ku do të merret gjalpi, ku do të merret sheqeri. Dihet si do të rrihen, si do të shtrihen, si do të piqen. Me ç’gradacion, me ç’ritëm kohor. Të gjithë e dinë, për shembull, se ballokumet bëhen me miell misri. Por pak e dinë se një kg miell ballokumesh del (pas një cikli sitjesh) nga 7-8 kg miell misri. Edhe sheqeri ndryshon (është i imët), edhe gjalpi... Pra recetat për ballakumet nuk funksionojnë kudo. Unë kam vrojtuar, madje prej shumë vitesh, përgatitjen e ballokumeve të Elbasanit. Dhe mund të pohoj me bindje se edhe sikur gjithçka materiale të jetë njësoj (duke përfshirë edhe profesionalizmin e atij që i përgatit), përsëri ballokumet e Elbasanit ndryshojnë. Ato kanë gjithnjë diçka më shumë. Sepse Elbasani fut një "element" plus në recetën e ballokumeve. Kjo është dashuria. Ballokumet e Elbasanit kanë brenda shumë, shumë dashuri. Sikurse vetë Dita e Verës në Elbasan është një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për njeriun, për natyrën, për jetën. Le të përpiqemi që t’i afrohemi Elbasanit në dashurinë që jep ai në Ditën e Verës. Sado vështirë që është.

Duke iu referuar Ditës së Verës, kësaj feste me një shije poetike të hollë e të rrallë, Konica këshillonte dhe uronte, më shumë se një shekull më parë : "Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriu, veçse sjellin një gëzim të kulluar..." Le të urojmë, sërish me gjuhën e Konicës : "Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari !".

descriptionRe: Dita e verës-Origjina dhe historiku

more_horiz
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi