“Kur bilblilon këngëtari, pushtues i kontinenteve”
 
Intervistë me këngëtarin popullor, Vasil Çuri,  bilbili i Përmetit dhe i Shqipërisë
Intervistoi: Kristaq F. Shabani, shkrimtar, poet, publicist, estet, “President i LNPSHA”PEGASI” ALBANIA IWA, WPS, ABI
“    Njeriu i vitit 2011” ABI (SHBA)
Eshtë paksa e çuditshme, kur kalon nëpër mendje se protagonist i një interviste bashkëkohore me synime  do të jetë një këngëtar, i cili tashmë hapësiron me këngën e tij, jo vetëm në vendin e vet, por ka thyer rekorde të hapësirës, duke flatruar nëpër kontinente.  Fillesa e veprimtarisë së tij , ishte në vendin e origjinës në Leshicë, të Përmetit, vendlindja, ku u dallua, së pari aftësia e tij dhe, tashmë, pas pesëdekadash,  është shumë i kërkuar jo vetëm, në Evropë, por edhe në Australi, por edhe në SHBA. I pëlqyer për repertorin e këngëve të tij, për interpretimin  dhe jo më kot atë e quajnë “Bilbil  i Këngës” dhe pikaverazhi e ngritja e tij është marramendëse e marrarendëse. 
Kënga  e tij është një këngë e bukur, sikur e këndon vetë bilbili, ndaj Vasil (Vaskë) Çuri, është shpërblyer  e motivuar me të drejtë, tashmë, me një emër të veçantë, “Biblil”, i cili të ngazëllen, të afron afër vetes, të gjallëron dhe, së toku me të, fluturon  i tej kënaqur në hapësirën e partiturës së notave…
Gjithnonë ne, kur kthehemi në retrospektivë e sidomos në fëmijërinë e hershme, mundohemi të kapim disa momente, momente pra të rralla,  të cilat i kemi fiksuar në kujtesë dhe i tregojmë me një nostalgji mjaft të bukur  dhe mbresëlënëse.
Dhe intervista fillon me një pyetje, e cila sjell dritëzimin, buzëqeshjen  dhe shpirti tejemocionohet:
A mund të na përsillni nga kujtesa juaj shkreptimën e parë, kur djali i vogël, Vasili , u dallua se ishte i talentuar në një art të bukur, në atë të këngës. Kush e zbuloi dhe e  nisi në këtë rrugëtim? 
Vasili : Më kujtohet, si sot, ajo ditë , e cila më ka mbetur në kujtesë.  Papa Vangjeli, gjyshi im i mençur,  i cili ishte shkolluar e arsimuar  në  “Zosime “ të Janinës, ishte gjyshi im, shumë i zgjuar dhe shumë i ndjeshëm ndaj këngës, si dhe me shumë nivel në këtë fushë,  më vuri në një provë të vogël për të kënduar. Ishte më tepër një këngë, e cila  donte zë melodioz dhe përpjekje për ta realizuar … Unë, si fëmijë, iu përgjigja kërkesës së tij dhe prova doli me shumë sukses. Qysh atë ditë unë fillova ta dashuroja këngën  interpretimin e saj dhe t’i hyja me shumë qejf këtij arti të madh… Isha vetëm 7 vjeç atëherë .
 Si e fillluat mandej praktikimin e talentit?
Më kujtohet si sot, se kur kthehesha nga fusha për në fshat, i hipur në mushkë, këndoja.  Shikoja rreth e rrotull, mos ndoshta më shikonte ndonjë njeri, pasi më vinte turp, dhe kur nuk diktoja njeri ,  ia kërcisja këngës . Këndoja në majë të mushkës, këngët që më pëlqenin. Kështu realizoja provat për zërin tim  dhe këtë e përsëritsja vazhdimisht.
 
Kur mund të konsiderohet si koncerti  juaj i parë në interpretimine këngës?
“Skena” ime e parë interpretuese kanë qenë lëmenjtë e kishës së fshatit tim, ku mblidheshin shumë njerëz mbrëmjeve dhe unë këndoja. Ata më duartrokisnin, më inkurajonin. Interesante ishte se ishin disa lëmenj afër njëri – tjetrit, ku  grupoheshin bashkëfshatarët e mi. 
Lëmenjtë afër kishës së Shën Thanasit, lidheshin në kuartetin vallëzor me një shami mëndafshore. Në lëmin e parë  qëndronin burrat e rëndë, të cilët mundoheshin t’u ngjasonin të parëve të tyre. I imitonin ata deri në pore  dhe kështu krijonin profilin e tyre, të cilin e mbushnin për çdo ditë me karakteristika të reja, deri sa mendonin se ishte plotuar. ..
Në  lëmin e dytë  ishin gratë zonja të Leshicës, të cilat shquheshin për syndritshmërine  e tyre,  për tejbukurinë dhe për uniformitetin e veshjes. Ato hera- herës hidhnin tinas vështrimin te lëmi i burrave. Secila prej tyre kundronte  dhe parapëlqente vetitë e përshfaqura dhe tepër të dukshme të prezencës së gjinisë tjetër ...
Në lëmin e tretë ishin nuset dhe vajzat e reja, të cilat hidhnin shikimet e tyre,  sa andej këtej , shikime që ngjasonin me xixëllonja aktive, zjarrmish, të cilat ngjanin si lëndë iniciale ndezëse të dashurive; shkrepëtimë sysh, syçelje buze, trup i përngjarë me selvinë, e cila ka një pikësynim të vetëm ngjitje e përngjitje në drejtim qiellor...
Në lëmin e katërt dhe të fundit ishin dhëndurët, djemtë e sapomartuar, të cilët ëndërronin për fëmijët e tyre , të cilët do të lindnin dhe do të vijonin rrugëtimin.
Në këta lëmenj u rrita me këngë, interpretova ; në këta lëmenj skenikë u burrërove dhe u bëra këngëtar. Mësova gjithë ato këngë, duke u aktivizuar me grupet e këngës të fshatit tim e mandej në qytetin e Përmetit me grupet  amatore të këngës popullore “ Naim Frashëri” , “Mentor Xhemali dhe  “Elena Gjika” dhe, pas qytetit tim, dhashë koncerte në të gjithë Shqipërinë, duke rritur aftësinë dhe kualitetin tim të të kënduarit dhe duke përforcuar besimin dhe unë do të bëhesha këngëtar i dëgjuar.
 
Ju në këto dekada, falë talentit Tuaj, predispozicionit, keni arritur të bëheni një këngëtar i njohur, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha Trojet shqiptare, si dhe i dashur edhe për Diasporën . A mund të na shpalosni këtë veprimtari ?
U rrita me këngën, duke u aktivizuar në qytetin tim të Përmetit. Falë aftësisë dhe kontributit tim arrita të marr pjesë në Festivali Folklorik të  Gjirokastrës   që nga viti 1978 si dhe në mjaft festivale të tjerë kombëtarë  si në: Festivali i  Këngës Qytetare Elbasan, në vitet  1996, 1999, 2001; “Takimi i Sazeve  sazeve” , konkurrim i Qendrave Kulturore  me grupin “ Vëllezërit Frashëri”, Përmet, Tiranë 2005; Festivali  i  Parë të Orkestrinave  popullore viti 2007 me grupin e Sazeve të Përmetit; Festivali Tipologjik     Kombëtar i Sazeve zhvilluar në Korçë, shtator 2007 e tjerë .
Këto  pjesëmarrje dhe rritja e nivelit më  përgatitën që të zgjeroj gamën e pjesëmarrjeve dhe përfaqësimeve jashtë vendit, duke marrë pjesë në koncerte me grupe popullore. Kështu mund të përmend:    Koncerte ( me grupe popullore), të cilat duhet të evidentohen në: Suedi, Norvegji, Finlandë, Danimarkë  me Grupi i Shtëpisë së Kulturës Përmet, korrik 1990, Rumani  (Bukuresht, Konstancë) me grupin “Elena Gjika”, 1991, Francë – Zvicër me grupin “Naim Frashëri” Përmet,  2005, Greqi (Athinë, Selanik,  Rodos, Janinë,   periudha 2007-2012; Holandë (Amsterdam, Roterdam) tre koncerte me grupin “Naim Frashëri”, 2006. Mund të përmend pjesëmarrjen me  Ansamblin  i Këngëve, Valleve dhe Baletit Tiranë, në Itali.
Pjesëmarrja në këto evente ishte shumë e suksesshme. Por krahas kësaj të rëndësishme janë dhe  koncertet e mia  individuale: a. Shqipëri, Greqi, Maqedoni, Itali. Jam i ftuar edhe nga    Diaspora. Mund të përmend këtu koncertet në:  Australi (Melburn, Sidnei, Sheperton, Adelajda) viti 2014; Turqi (Stamboll), 2013 i ftuar nga Kryetari i Shoqatës Turqi - Shqipëri si dhe  koncerte me grup këngëtarësh (Poni, Ermal Fejzullahu) tani së fundi në Australi , mars 2016. Kanë qenë koncerte të suksesshme  dhe repertori ynë është pëlqyer së tepërmi .
 
Gjatë kësaj periudhe ju keni bashkëpunuar me mjaft kompozitorë, duke i dhënë shumë vlera interpretmit të këngës që ju lëvroni. Mund të na përmendni disa prej syresh?
Unë i kam dhënë parësi kësaj marrëdhënieje  dhe gjithmonë, gjatë gjithë aktivitetit tim i kam dhënë parësi përzgjedhjes dhe nivelit bashkëpunues. Kështu kam bashkëpunuar  me kompozitorë të dëgjuar si: Shpëtim Saraçi, Saimir Skënduli, Edmond Zhulali, Adrian Hila, Sokol Marsi, Valter Beqo e tjerë.
Ju shquheni për bashkëpunimin e frytshëm edhe me këngëtarë  e instrumentistë  dhe, në këtë kuadër, mund të na përmendni disa prej syresh  dhe ky bashkëpunim çfarë ka evidentuar?
I kam dhënë gjithmonë parësi bashkëpunimit profesional,  harmonik, etik me kolegët e koleget. Ky bashkëpunim ka qenë gjithmonë i synuar dhe evident. Kështu mund të përmend bashkëpunimin me këngëtarë  dhe instrumentistë në koncerte: 
Këngëtarë e këngëtare: Mentor  Xhemali, Sulejman Lame, Lindita Theodhori, Eli Fara, Poni, Ermal Fejzullahu, Eranda dhe Irma Libohova, Denis Xharahu, Artjola Toska, Paro Ziflaj, Dashnor Diko, Petrit Lulo, Arjan Shehu. Sikundërse shihet në këtë listë të shkurtër, ka këngëtarë shumë të njohur,  nga të cilët unë kam mësuar, por edhe kemi shkëmbyer përvojën.  Ndërsa për sa i përket Instrumentistëve  dua të veçoj Mjeshtrin e madh,  Laver Bariun, i cili ka qenë artisti ,  që më ka dhënë dorën, më  përkrahur gjatë gjithë kohës dhe unë gjithmonë e kam admiruar për punën e tij pasionante dhe shumë efektive. Po kështu veçoj edhe instrumentistët e tjerë si:  Aleks Xhelili, Zhani Struga, Sadik Zeqiri, apo mjeshtrin  gjirokastrit  Jorgo Roze.
 
Në se i bëhet një analitikë repertorit Tuaj, është shumë i pasur, shumë ngjyror dhe një përfaqësues tipik i folkloristikës së begatë përmetare dhe më gjerë . Ky repertor i pasuruar e i “vjelur” nga inteligjenti popullor si dhe kreatura juaj, ju kanë bërë sot një këngëtar në “avagardë”  shumë të pëlqyer nga publiku dhe shumë të kërkuar. Ky është një kapitull i bukur i jetës suaj si këngëtar. Çfarë mund të na thoni në këtë kontekst.
Me shumë të drejtë bëni këtë pyetje . Forca ime është se, unë gjithmonë di të përzgjedh, di të vjel, ato këngë dhe melodi që kanë arritur në pjekjen e vjeljes. Kam arritur të mat pëlqimin e publikut, të di preferencat e tij, por njëkohësisht dhe të datoj këtë pëlqesë. Jam i qetë në këtë analitikë, pasi unë gjithmonë, pas një veprimtarie bëj edhe analizën e kësaj veprimtarie. Falë këmbënguljes sime, kam mjaft këngë të realizuara si : “ Malli për atdhe”, Ç’u ngrit lulja  që në mëngjes”, “Këngë për Laver Bariun”, “Penxhere e zotërisë sate” , “ Të pres mike”, “Në udhë të malit shkova” , “O borzilok” , “Mos më qaj”, “Më pinje kafenë”, “Kishe  dalë në baçe”, “Leri , leri nazet”,  “ Copë e bëre gjunjë”  e tjerë .
Gjithë repertori im, tashmë, është i pëlqyer dhe i kërkuar. Disa prej këngëve të mia që interpretoj, kanë tekstin tim,  sikundër mund të përmend:  “Malli për Atdhe”, “Këngë për Laver Bariun” e tjerë.
Këngë popullore  shumë të suksesshme në interpretimin  : “ Malli për Atdhe”, Ç’u ngrit lulja  që në mëngjes”, “Këngë për Laver Bariun”, “Penxhere e zotërisë sate” , “ Të pres mike” e tjerë.  
 
Ju shquheni dhe për aftësinë  kreative. Kujt  i keni ngjarë në aftësinë kreative?
Familja jonë ka shumë këngëtarë: vëllai, motra, të cilët këndojnë shumë bukur. Ne në fshat , kur ishim së toku, krijonim një grup shumë simpatik, i cili shquhej në interpretimin e këngëve. Papa Vangjeli shquhej në krijimin e teksteve. Më duket se atij i ngjaj . (Qesh) Jam krijues i tekseve të 12 këngëve , të cilat i interpretoj vetë: Malli për Atdhe”, “Këngë për Laver Bariun” e tjerë.
Unë edhe në këtë drejtim do të shquhem, patjetër, pasi e kam këtë dhunti.
 
Veprimtaria  juaj  është pasqyruar  në median e shkuar dhe vizive  në Shqipëri dhe më gjërë. Ju, patjetër , ndjeni një sadisfaksion të veçantë ?... A mund ta shpalosni këtë sadisfaksion?
 
Po , kjo është më se e vërtetë.
Veprimtaria ime është fokusuar në  filmat: “ Këngët e zemrës”, me skenar të Vath Koreshit; “Pëmeti në këngë dhe punë”(Saimir Kumbaro), filma këto me metrazh të shkurtër.
Po kështu në google.com është një pjesë e mirë e repertorit tim.
Për veprimtarinë time si këngëtar kanë shkruar reportazhe, skicime, portretizime dhe intervista shumë gazeta si: “Shekulli”, “Shqip”, Dita” “ILYRIA”(SHBA)  “Përmeti”, ”Pegasi”  “Dëshnica e tjerë .
Jam pjesëmarrrës në tre  edicione: ” Zërat e Këngës”   të aktivitetit kombëtar , konkurrim  me këngë popullore me këngëtarë popullorë,  të organizuara nga TV CLAN,  ku në vitin 2014 nga 112 pjesëmarës u rreshtova në katër vendet e para. Gjithë kjo punë, gjithë kjo veprimtari aktive është vlerësuar.            Cilat janë disa nga këto  dhe tituj të ndryshëm?
Në vitin 1990 në koncertet  në Suedi, Norvegji, Finlandë, Danimarkë u cilësua: “Zëri më  i mirë” ;
Në vitin 1998, në festivalin  folklorik botëror, u përzgjodha si “Zëri më i mirë” nga  këngëtarët e grupet konkurrues të   12 shteteve pjesëmarrës;  
Jam  laureat i FFK Gjirokastrës.
Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ALBANIA, AKADEMIA ALTERNATIVE PEGASIANE  më ka akorduar titullin e lartë “ ARTIST  (Këngëtar ) I SHQUAR” viti 2011  dhe, në vitin 2014, kjo lidhje më  ka shpallur “KËNGËTARI I VITIT 2014”.
Mund të veçoja: Për veprimtarinë  time, si  këngëtar,  është duke   përfunduar një vepër romanore , e cila pasqyron veprimtarinë  time shumëdimensionale në fushën e këngës. Gjithashtu kam përgatitur për botim një libër, ku kam përmbledhur mbi 250 këngë tradicionale përmetare, të cilat i kam mbledhur me shumë kujdes ndër vite dhe shumë shpejt  ky libër do të gjejë dritën e botimit.
 
Ju shquheni edhe në dhënien e kontributit në shumë lëme të tjerë , të ndërlidhura natyrisht me këngën, Artin . Mund të na evidentoni disa nga këto veprimtari?
 
Është një pyetje shumë interesante , e cila shpalos vlera: Falë nisiativës sime kam krijuar grupin e këngëtarëve të rinj popullorë, duke dhënë ndihmesë në vijimësinë e dashurisë së intepretimit të këngës. Kjo është një punë imja pasionante , e cila do të japë , patjetër fryte nesër . Është detyra e çdo këngëtari me përvojë, të hedhë vështrimin real për të lënë te brezat pasurinë e çmuar, të pasur  folkloristike. Secili prej nesh duhet ta bëjë mirë këtë detyrë të rëndësishme  në fushën e përcjelljes së traditës. Në këtë kontekst jam edhe hartues  i projektit : “Dasma tradicionale përmetare”.
Si anëtar i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve , Shkrimtarëve dhe Artistëve “ Pegasi”  Albania, e cila operon prej dy dekada në fushën e Letërsisë, Kulturës dhe Artit dhe ka zgjeruar veprimtarinë  e saj në 120 vende të botës, kam marrë pjesë aktive në  të gjitha veprimtaritë e saj shumë dimensionale, kombëtare dhe ndërkombëtare.  Mund të përmend pjesëmarrjen time   aktive, të vijueshme në Manifestimin Mbarëbotëror, (organizuar nga Mihail Rothenberg, publicist, poet,  Kaliforni) ” POETËT DHE ARTISTËT E BOTËS PËR NDRYSHIM”  me LNPSHA “PEGASI “në Tiranë, Kosovë, 2011-2015. Ky manifestim zhvillohet në një ditë shtatori përvitshëm, në mbi 100 vende të Botës, ku interpretimet e mia janë vlerësuar ndërkombëtarisht .
Si rrjedhojë  e cilësive dhe aftësive të  mia, jam  përzgjedhur në juri të ndryshme për të përzgjedhur talente të rinj  në fushën e këngës. Vijoj të jem  pjesëtar aktiv i grupeve amatore të këngës popullore: “ Naim Frashëri” , “Mentor Xhemali dhe  “Elena Gjika”. Po kështu  pjesëtar aktiv  i Ansamblit LNPSHA “PEGASI” ALBANIA.
 
Para se të bier perdja e kësaj interviste duhet të rievidentojmë:  “Vasil Çuri është një nga këngëtarët më të preferuar të muzikës popullore në Shqipëri dhe në Trojet shqiptare duke e motivuar: “ Bilbili i Këngës ”. Këngët e tij zënë vend në të gjitha mediat vizive të Shqipërisë në programin e përditshëm. Të ardhmen si e përfytyroni?”
 
Jam në një fazë që mund të jap shumë. Jam gjithmonë në përgatitje intensive  dhe jeta ime koncertale është e pasur dhe e kërkuar, jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij. Po i jap rëndësi dhe publikimeve të jetës sime artistike. Tani jam në një fazë përgatitjesh aktive për ta zgjeruar hapësirën e veprimtarisë sime si në Evropë, Australi , gjithashtu dhe SHBA.   Kam përgatitur  katër sidi  dhe 3 vidioklipe me këngët e  mia dhe po përgatitem ta zgjeroj këtë gamë publikimi. Duke pasur një publik , i cili e do këngën, shpreh mendimin tim se e ardhmja do të jetë më e bukur  dhe më rezultative.
 
Ju faleminderit , i nderuari Vasil , për këtë intervistë, e cila hedh dritë shumëplanshe për veprimtarinë Tuaj si këngëtar.   
 
 
Intervistoi: Kristaq F. Shabani, shkrimtar, poet, publicist, estet, “President i LNPSHA”PEGASI” ALBANIA IWA, WPS, ABI
“    Njeriu i vitit 2011” ABI (SHBA)
Gjirokastër, më 29 mars 2016