Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Share

descriptionUshtaraku shqiptar: Erdogan burim i krizave në Turqi -endërra e tij pushtimi i botës shqiptare me anë të fesë e xhamive

more_horiz

Ushtaraku shqiptar: Erdogan burim i krizave në Turqi -endërra e tij pushtimi i botës shqiptare me anë të fesë e xhamive


Hajro Limaj, ish - atashe ushtarak në Republikën e Turqisë tani drejtor i Institutit të Politikave të Sigurisë Kombëtare në një intervistë për "Dita" ka folur për zhvillimet në Turqi pasi tentim grusht shtetit atje. Ai ka thënë se masat që ka ndërmarrë pushteti i Erdogan janë të ngjashme me ato të diktatorëve duke e përmendur Hitlerin, Stalinin, Pinoçetin, Sadam Hyseinin...

Limaj duke komentuar rreth politikave të Erdoganit në raport me botën shqiptare ka thënë se ai ndjek një politikë shumë të ndryshme nga pasardhësit e tij.

“Politikat e Erdoganit nuk janë aspak të ngjashme me politikat e paraardhësve të tij në lidhje me Botën Shqiptare. Turgut Ozali, Demireli, Cilleri, Mesut Jellmazi dhe Exheviti, me të cilët pata fatin dhe nderin të takohesha dhe të punoja në vitet 1993-2001, ishin  intelektualë elitarë, pro amerikane dhe europianë. Ata nuk mendonin dhe projektonin pushtimin e Botës Shqiptare me xhami dhe institucione të tjera fetare për të realizuar ëndrrën e paraardhësve të tyre apo aktualisht të Erdoganit dhe Davutoglusë, të rikthimit të perandorisë Osmane në hartat e saj të vjetra apo të mykura” ka theksuar ai.



Erdogani  akuzon Gylenin për  grusht shteti, sipas jush, si qëndron e vërteta ?

H.Limaj: Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë,  në përpjekjen e grushtit ushtarak kanë marrë pjesë  35 avionë, 37 helikopterë, 246 tanke dhe mjete të blinduara, 3 anije si dhe u përdorën 3 992 armë të lehta dhe 8651  ushtarakë, nga të cilët  1676  tetar/ushtar, 1214 nxënës ushtarakë. Këto shifra përbëjnë  1,5 % të numurit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Fatkeqësisht  humbën jetën 240 vetë dhe pati rreth 1200 të plagosur. Por asnjë qeveritar  apo autoritet shtetëror jo vetëm që nuk u vra, por as u bë tentativë për t'u arrestuar. Edhe në ato që thuhen për  orvatjet në hotelin ku ishte me pushime Erdogani, Marmarisa, forcat ushtarake janë  me një numur shumë të kufizuar. Përgjithësisht, grushtet ushtarake  janë shumë të fuqishme dhe  shumë goditëse ndaj  presidentit dhe qeverisë, që kanë planifikuar për t'i rrëzuar. Fillojnë me arrestimin e krerëve drejtues dhe  bllokimin e institucioneve vendimarrëse, me sulmin dhe marrjen e radiotelevizionit dhe të rrugëve,  që i lidhin këto institucione. Ky është shkaku që pothuajse i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka dyshime serioze  për aktoret  e organizimit të këtij mini puçi të dështuar ushtarak. Puçet e mëparshme ushtarake në Tuqi ishin shumë të fuqishme dhe asnjëri prej tyre nuk është zmbrapsur.Unë jam dëshmitar i grushtit ushtarak të vitit 1980, kohë në të cilën ndodhesha me shërbim në Izmir. Çdo godinë qeveritare dhe shtetërore, rrugët, sheshet,  ishin nën kontrollin e rreptë të ushtrisë nëpërmjet ushtarëvë të armatosur rëndë.                                      E dyta, në ketë tentativë për grusht shteti, u angazhua vetëm një pjesë  e vogël ushtarakësh dhe aspak civilë. Ushtarakët, me përjashtime shumë të vogla, janë mbështetës për vdekje të Ataturkut dhe jo të Gylenit. Mbështetësit e Gylenit janë në hapësirat civile.                                           E treta, në këtë tentativë, nuk ka as komandantë operacioni dhe as  qeveri për të drejtuar vëndin në ditët e para nëse do të rrezohej pushteti. Prandaj ajo që ndodhi  duket si një skenar tetari….                                                                                                                                        Por, duke qenë se prej 17 Dhjetorit të vitit 2013, Erdogani  i ka përqëndruar mllefet, akuzat publike dhe sulmet ndaj armikut të tij personal, Gylenit, edhe këtë trazirë ai nxitoi ta interpretonte dhe reklamonte si  përpjekje për grusht i organizatës terroriste të Fetullah Gylenit, organizatë të cilën asnjë vend i botës nuk e njeh dhe nuk e pranon si të tillë. Shumë analistë politikë dhe strategjistë raportet dhe qëndrimet e Erdoganit me Gylenin i vlerësojnë si ata të Stalinit me Trockin. Gyleni, edhe po të dojë, nuk ka ato mundësi, kapacitete dhe mbështetje, që të shkojë deri në grusht shteti.                                                                                                                         Unë jam mbështetës i tezës se të vërtetën e kësaj tentative ushtarake mund ta  zgjidhë vetëm një  hetim dhe gjykim i një institucioni drejtësie ndërkombëtare, në të kundërt  gjithçka do të emërtohet siç shprehet dhe dëshiron Erdogani. Tani në Turqi çdo gjë është vetëm në një dorë, atë të Erdoganit. Kudo është vendosur gjëndje e jashtëzakonëshme, për të ligjëruar objektivat që kishte Erdogani, të cilat nuk mund t'i realizonte në kushte normale. Ai prej kohësh kërkon të  ligjërojë  ndryshimin e sistemit parlamentar në sistem presidencial, të modelit absolutist apo Putin, për të marrë të gjitha kompetencat dhe të bëhet i paprekshëm. Edhe pse kushtetuta nuk është ndryshuar, edhe përpara  tentativës për grusht shteti, Erdogani  sillej dhe drejtonte vendin si president i një shteti presidencial, për të cilat ishte në objektiv të kritikave të të gjithë opozitës, akademikëve, analistëve vëndas dhe të huaj.

Po si është situata mbas kësaj tentative ?

Hajro Limaj: Shumë e rëndë. Në terror fizik dhe psikologjik. Kushdo nuk e di të nesërmen. Shifrat janë shumë tronditëse. Arrestime, dhunime dhe masakrime të të arrestuarve. Pamje rrëngjethëse që të kujtojnë periudhën e mesjetës apo të diktaturave të Hitlerit, Stalinit, Pinoçetit, Sadam Hyseinit, e tj. Janë  ndaluar  18 879 vetë. Nga këta: 10 879 ushtarakë, nga të cilët 157 gjeneralë. Lista vazhdon me kolonelë, nënkolonelë, majorë, kapitenë...Midis tyre edhe komandanti i Armatës së dytë, shqiptari nga Kosova  me gradën  gjeneral-armate, Adem Hudut, Janë pushuar nga puna, në ndjekje penale apo arrestuar 4 227 oficerë policie, 91 prefektë dhe  autoritete  lokale, 2 624 prokurorë dhe gjykatës, nga 14 661 që ka Turqia,  630 biznesmenë, 77 gazetarë, disa rektorë universitesh, 2 antarë të gjykatës kushtetuese, mbi 60 prokurorë dhe gjykatës të Prokurorisë së Përgjithëshme ….                                                                  

 Në kuadër të fushatës hakmarrëse apo ndëshkuese të Erdoganit u bllokuan  dhe sekuestruan pasuritë e  15 universiteteve, 934 shkollave parauniversitare, 109 konvikteve, 104 fondacioneve, 35 spitaleve, 1125 shoqatave, 19 sindikatave, 151 institucioneve të ndryshme të medias dhe shtëpive botuese, gjithsej 2492 subjekte. Kjo pasuri e vlerësuar në rreth 100 miliardë dollarësh u eshte sekuestruar pronarëve të ligjshëm dhe ka kaluar në dispozicion të shtetit.                                                                                                                                       Fshesa e hekurt në administratën publike ka hedhur në rrugë  72 078  kuadro, nga të cilët  42 767 nga Ministria e Arsimit, 8 777 nga Ministria e Brendëshme, 2 345 nga Ministria e Rinisë dhe Sporteve, 2 990 nga Këshilli i lartë i Edukimit, 1 379 nga  Ministria e Ushqimit, Bujqësisë dhe Blegtorisë, 560 nga Minitria e Teknollogjisë, 88 diplomatë të Ministrisë së Jashtme, 5 581 nga Ministria e Shëndetësisë,1500 nga Ministria e Financave,1180 nga Ministria e Tregtisë,30 kuadro në apartin e Kuvendit Popullor, 29 nga Këshilli i Lartë i Radiotelevizionit dhe 300 punonjës të radiotelevizionit, 262 nga aparati i Ministrisë së Mbrojtjes, 257 nga Kryeministria……….

-Janë  shkarkuar nga detyra 1577 dekanë  në të gjitha universitetet.
LEXO EDHE Rritet popullariteti i Erdoganit pas puçit të dështuar

-Janë larguar nga puna 60 000 mësues.

- U hoqën licensën 21 000 mësuesve të shkollave private.

- Me urdhër të Erdoganit është ndaluar dalja jashtë shtetit e akademikëve.

- Janë nxjerrë jashtë përdorimit mbi 42 000 pasaporta.

Po Kushtetuta nuk mund ta ndalë Erdoganin ?

Hajro Limaj: Ai po tregon se  nuk njeh më as kushtetutë dhe asnjë ligj. Në kuadrin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme tre mujore, duke u konsultuar me 2-3 veta dhe jashtë institucioneve kushtetuese, ai merr vendime në kundërshtim me kushtetutën. Për këtë arsye, edhe pse është kjo gjëndje, disa analistë të gazetave Milliyet dhe Hurriyet vazhdojnë të shkruajnë  kundër këtyre qëndrimeve autoritariste apo absolutiste të Erdoganit. Dhe  kanë shumë të drejtë. Erdogani  shkatërroi me urdhërin që nxorri  organizimin, përbërjen, drejtimin dhe zinxhirin e komandimit të Forcave të Armatosura. Këtë kompetencë mund ta ketë vetëm pas ndryshimi të kushtetutës në kuvend.                                                                                        Në zbatim të skenarit për vënien e ushtrisë në duart e tij apo të njerëzve më besnikë, Erdogani hoqi nga vartësia e Shtabit të Përgjithshëm  Komandën e Forcave Toksore, që ka në vartësi 4 armata, Komandën e Forcave Detare,  që ka në vartësi një armatë dhe i kaloi në vartësi direkte të ministrit të Mbrojtjes. Komandantëve të këtyre forcave, përveç ministrit të mbrojtjes, mund t'u japin urdhëra edhe kryeministri dhe zëvëndës kryeministri, bile direkt edhe njësive në vartësi të tyre. Komandën e Forcave të Xhandarmërisë  me një armatë e kaloi  në vartësi të ministrit të Brëndshëm, ashtu siç kaloi edhe Komandën e Forcave të Mbrojtjes Bregdetare. Shtabi i Përgjithshëm tani është pa asnjë kompetencë në zinxhirin e komandimit dhe të drejtimit.                       U mbyllën  të katër gjimnazet ushtarake, shkollat e përgatitjes së nënoficerave dhe më e madhja e Akademisë së Shtabit të Përgjithshëm për Forcat Toksore, Detare dhe Ajrore, ku për dy vjet pergatiteshin shtaboviket dhe drejtuesit madhor të ushtrisë.                                                            Akademinë e Mjeksisë Ushtarake me Spitalin Qëndror të Ushtrisë (GATA)  i kaloi në vartësi të ministrisë së  Shëndetësisë.Të gjitha këto ndryshime kërkonin ndryshime kushtetuese dhe të ligjeve të dala prej saj.

Gjithnjë sipas jush dhe sipas analistëve të pavarur turq dhe ndërkombëtarë, përse i bën këto Erdogani ?

Hajro Limaj: Forcat e Armatosura te Turqisë me kushtetutë kanë për detyrë të mbrojnë shtetin laik, demokratik dhe ligjor. Prandaj ato disa herë, me këtë synim,  kanë ndërhyrë dhe kanë përmbysur disa qeveri. Tashmë është bërë e kuptueshme apo e qartë se Erdogani objektivin kryesor ka shkatërrimin në themel te shtetit laik, që krijoi Ataturku. Për realizimin e këtij qëllimi “perëndia i solli këtë grusht ushtarak” dhe siç u shpreh, “ do ta krijojë shtetin nga zeroja. Forcat e Sigurisë do t'i pastrojmë”. Qysh kur ka ardhur në pushtet Erdogani ka qenë në konflikt me Shefat e Shtamadhorisë. Arrestoi  më 5 Gusht 2013, sapo doli në pension, shefin e Shtatmadhorisë, gjeneral armate Bashbu, shqiptar nga Lugina e Preshevës. Nga Gjykata e shkallës së Parë e Krimeve të Rënda gjenerali Bashbu  u dënua me burgim të përjetshëm. Me një mbrojtje të jashtëzakonshme ai fitoi pafajsinë nga Gjykata Kushtetuese më 7 Mars 2014.                                                                  Më 3 Janar 2013 paraburgosi ish shefin e Shtatmadhorisë, Gjeneral armate Ismail Karadaj, mikun e popullit shqiptar, i cili më1997, me kryeministren Ciller bëri të pamundurën për të shpëtuar  tërësinë territoriale të Shqipërise dhe daljen e saj nga kriza.                                             Arrestoi presidentin e 7-të të Turqisë, Kenan Evren, birin e Kosovës, i cili në vitin 1980 bëri grushtin e shtetin në mbrojtje te shtetit lak dhe demokratik. Mbas 31 vjetësh me nderim dhe  respektim masiv,  Erdogani  e çoi Evrenin në paraburgim, duke e detyruar të shkonte në hetuesi me karrocë. Gjatë kësaj periudhe të vështirë hetimi dhe gjykimi ai vdiq. Më 16 Prill 2012 arrestoi zëvëndës shefin e shtatmadhorisë, gjeneral-armate Cevik Bir me 9 gjeneralë të tjerë, të cilët më 19 Dhjetor 2013 dolën nga burgu të pafajshëm. Po atëhere kishte edhe gjykatës të pavarur, që zbatonin ligjet, ndërsa tani nuk mund të gjesh, sepse ata që dhane denime në kundërshtim me urdhërat e Erdoganit sot janë të gjithë në burg. Kampi “kundër” Ataturkut, që kërkon ta rikthejë Turqinë në një vend islam, është mbështetur tradicionalisht prej shumicës më pak të edukuar të popullsisë së vendit, mirëpo deri në vitin 2002 ky rend është ruajtur nga forcat ushtarake, ideologjia përbashkuese kemaliste e të cilëve ka qenë rreptësisht sekulare. Ataturku nuk do të çuditej po t’i shihte këto që po ndodhin; ai e dinte se do të ishte “Islami” ai që do t’i shkaktonte rrënimin Turqisë. Dhe këtë mision po e kryen Erdogani. Në vitin 1999, Erdogani e dënua me 6 muaj   burg  muaj, si  nxitës i urrejtjes me bazë fetare në vend kundër shtetit laik. Prandaj ushtarakët që janë arrestuar mbas  tentativës për puc, i cili është me shumë pikëpyetje, nuk janë pjesë e Gylenit apo grushtit të shtetit të përgatitur prej tij, sic thotë Erdogani, por ata janë mbrojtjës së parimeve te Ataturkut.Këtë e shprehu me forcë një gjenaral i arrestuar.”Unë nuk e njoh fare Gylenin. Unë jam mbështetës i Ataturkut, laik. Më pushkatoni! “Çfarë bindje dhe sakrifice ndaj idealit! Më pushkatoni ! Këtë e di mjaft mirë edhe Erdogani, por  ai, duke fshehur qëllimin e tij të shkatërrimit të shtetit laik, ka përbotësuar si organizator të puçit Gylenin, i cili prej vitit 1999 jeton në Amerikë dhe ndërton dhe mban me investimet e tij universitete dhe kolegje me programe laike dhe të vlerësuara pozitivisht në shumicën e vendeve të botës. Nga kjo panoramë del qartë dhe lehtësisht përgjigjia e pyetjes se cili është burimi i krizave dhe rreziku i vërtetë për Turqinë: Erdogani në Ankara, një president i plotpushtetshëm sa një sulltan e diktator dhe që tani ka në duar ushtri, polici, xhandarmëri, drejtësi, sherbimet sekrete, mediat, diplomacinë, doganat... apo Gyleni, prej 17 vjetësh në SHBA, që ka në pronësi vetëm shkolla, universitete, çerdhe e kopshte për fëmijë, konvikte...?

Kur Erdogani pretendon për një grusht shteti nga ushtarakët, çfarë ka me botën akademike?

Hajro Limaj: Shifrat e mësipërme tregojnë  se shumica e spastrimeve me fshesë të hekurt  është kryer në institucionet civile të gjithë Turqisë. Kjo po ndodh edhe pse këta  civilë nuk kishin asnjë angazhim në tentativën e grushtit të shtetit. Për këtë arsye  si  shumë politikanë dhe analistë të botës demokratike edhe unë  shprehem  se "listat kanë qenë të parapërgatitura" dhe Erdogani i vuri në zbatim mënjëherë. Prandaj Erdogani  ditën e dytë u shpeh  fitimtar “nga grushti i shtetit që i dha Zoti". Pra, sipas tij, zoti e ndihmoi  që të bëhej kjo tentativë për grusht shteti për të realizuar  spastrimet masive të të gjitha atyre që nuk e duan Erdoganin, duke goditur dhe ndëshkuar ashpërsisht dhe jo demokratikisht çdo qëndrim opozitar dhe mendimi ndryshe. Erdogani prej kohësh ka qenë në kontradikta me qëndrimet e akademikëve dhe shkenctarëve, të cilët shpreheshin kundër qëndrimeve dhe rrugës që përdorte ai ndaj kundërshtarëve brënda vendit dhe aletatëve jashtë Turqisë. Ai nuk mbështetet fare tek elitat intelektuale, por në shtresat masive të zonave urbane dhe rurale, hapësira  ku mbizoterojnë  dhe sundojnë  popullsia me kulturë të kufizuar dhe e mbarsur me  islamizëm jo normal. Këtë qëndrim çuditërsisht e shprehu një zonjë në një miting duke bërtitur me histeri.” Mallkuar qofshin intelektualët”.                                     Pra, Turqia ndodhet nën një terror të gjithanshëm politik dhe psikologjik dhe para një rreziku me rrjedhoja të rënda. Uniteti kombëtar  fillon që me shkatërrimin e unitetit në familje.Mendimet e kundërta për këto zhvillime i kanë çuar pjestarët e familjeve të spiunojnë njëri- tjetrin në polici, si  tek ne, në periudhën e diktaturës komuniste. Lufta e klasave dhe lufta ideologjike janë në antagonizëm.Me mijra turq janë arratisur dhe me mijra të tjerë janë në pritje. Prandaj BE është e friksuar. Liberalizimi i vizave për qytetarët turq në tetor, përveç  problemeve të tjera, mund të sjellë dyndje të popullsisë turke për strehim politik ne vendet demokratike të Europës.

Po kriza me ish mikun e ti, Gylen, kur filloi dhe pse duket kaq e ashpër?

Hajro Limaj : Eshtë data  17 Dhjetor 2013, e cila  e thelloi  shpejt dhe ndjeshëm  krizën  në politikat e brendëshme. Është koha kur djali i Erdoganit, Bilali, me 3 djemtë e tre ministrave të qeverisë Erdogan dhe me një turko-iranian, Zarrabin, u kapën në flagrancë,  duke pastruar 1 miliard dollarë në Bankën Qendrore të Ankarasë. Tre fëmijët e tre ministrave, Zarrabi dhe drejtori i bankës u arrestuan, ndërsa djali i Erdoganit ishte lënë për datën 25. Duke qenë se Gyleni u shpreh se "koha e Erdoganit përfundoi" ai e shpalli atë nga aleat në armik dhe këto arrestime të bëra pa dijeninë e tij i quajti “Grusht shteti”. Duke qenë se edhe për Bilalin  kishte dalë urdhëri i arrestit  ai lëvizte ne Turqi vetëm më babain, Erdoganin, në makinën e tij. Në vend që Erdogani të jepte dorëheqjen, ashtu si u detyruan të bënin tre ministrat e tij nga ky skandal, prej kësaj kohe Erdogani kërkonte ta mbante pushtetin me dhunë të gjithanshme ndaj shtypit, akadamikëve, opozitës dhe çfarëdolloj mendimi opozitar.  Turko-iraniani, Zarrabi, miku i Bilalit, mbas doli me makinacione nga burgu u nis për në Amerikë, ku u arrestua sapo zbriti në aeroport dhe tani vazhdojnë hetimet për veprimtaritë e tij kriminale. Ndërsa djalit të presidentit Turk, Bilalit i është hapur çështje penale ne gjykatën e Bolonjës  për pastrim parash. Presioneve të Erdoganit për  mundësinë e tronditjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, kryeministri i Italisë Matteo Renzi iu përgjigj  se në “Në Itali ka një sistem drejtësie të pavarur, që vepron në bazë të ligjeve dhe që lufton të gjitha format e paligjshmërisë. Gjyqtarët dhe hetuesit përgjigjen vetëm para Kushtetutës italiane dhe jo para Presidentit turk. Këtë sistem e quajmë ‘shteti i së drejtës’ dhe jemi krenarë për këtë”.

Duket dhe shprehet se këto muajt e fundit kanë ndryshuar ndjeshëm edhe marrëdhëniet me SHBA dhe Bashkimin Europian? Cili është komenti juaj për këtë aspekt?

Hajro Limaj: Erdogani tashmë në të gjithë botën demokratike ;në Bashkimin Europian dhe në Amerikë njihet dhe cilësohet si një  pushtetar totalitarist, shantazhues dhe kërcënues. Aktualisht me SHBA  dhe Bashkimin Europian marrdhëniet pothuajse janë të ngrira. Amerikën fillimisht Erdogani e akuzoi për gisht në këtë tentativë për grusht sheti dhe vazhdon ta kërcënojë të dorëzojë me ekstradim në Turqi Gylenin. Qeveria amerikane, me të drejtë, kërkon fakte bindëse, por deri tani nga dosjet që ka dërguar Turqia dhe grupet e hetimit që janë ngritur posaçërisht për këtë çeshtje në SHBA,  nuk po e vërtetojnë akuzën e Erdoganit. Gyleni me të drejtë kërkon të ngrihet nje gjykatë e pavarur ndërkombëtare dhe nëse vërtetohen akuzat ndaj tij të marrë dënimin kapital.                                                                                                              Kapur tek ushtria e refugjatëve sirianë, që janë grumbulluar nëpër kampet e Turqisë dhe kërcënimi se mund t'i lejojë të dynden drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perendimore dhe Qendrore, Erdogani i kushtëzon BE-së bashkëpunimin e mëtejshëm me liberalizimin e vizave në muajin tetor, kur nuk i ka përmbushur detyrat plotësuese dhe vazhdon t'i shkelë me arrogancë dhe brutalizëm të gjitha të drejtat dhe lirite e njeriut.                                      
Ideja e qeverisë turke për të vënë tani një ulimatum dhe për të përmendur tetorin si datë për fillimin e heqjes së vizave është absurde, thonë shumë liderë europianë. Sot shpresat e tyre janë shuar. Rexhep Tayip Erdogan u shndërrua nga një reformator në një president autokrat, i cili e minoi shtetin ligjor, shkatërroi  lirinë e shtypit e së fundi me dekretet në gjendjen e jashtëzakonshme, po përgatit përfundimisht transformimin e shtetit t turk në një regjim presidencial abssolutist. Deklaratat e tij  për "spastrime" shoqërore janënjë ogur i keq. Erdogani dhe shteti, që ai ka krijuar, nuk janë aspak në gjendje për antarësim në BE. Kancelari i Austrisë kërkoi prerazi ndërprerjen e menjëhershme të dialogut me Turqinë për vazhdimin e negociatave të antarësimit.                                                                                                                               Erdogani në të gjitha mitingjet populiste që organizon qahet se si është e mundur që asnjë ministër nga shtetet e Bashkimit Europian nuk vizitoi Turqine mbas tentativës për grusht shteti. Papa Fracesku para disa ditësh, kur u pyet  për këtë çështje,  tha se “ ne nuk e kemi të qarte se çfarë ka ndodhur në Turqi”. Pra,  Komuniteti Europian nuk e përjashton pistën se kjo tentativë ka qenë një skenar ogurzi i përgatitur dhe i drejtuar nga Erdogani, kryetari i SHIK-ut dhe Shefi i Shtatmadhorisë.

Po për "Aksionet e  spastrimit“ edhe në Ballkan cili është mendimi juaj?

Hajro Limaj:  Aksionet e spastrimit“, siç i quan presidenti  Erdogan mijëra arrestimet pas puçit të dështuar, kanë në fokus tani institucionet arsimore në Europën Juglindore. Disa vendeve europiano-lindore u kanë arritur kërkesa me shkrim nga ambasadat dhe konsullatat turke, që të mbyllin shkollat e Gylenit“.  Në Ballkan ato konsiderohen si alternativë ndaj sistemit të vjetëruar shtetëror të arsimit. Shpesh ato vlerësohen për cilësi dhe rendimente të larta të nxënësve të tyre. Si menaxhuesit e këtyre institucioneve ashtu edhe ministritë përkatëse të Arsimit në vendet e Europës Juglindore hedhin poshtë çdo akuzë, sipas të cilave në këto shkolla bëhet „punë misionare“. Shkolla u përmbahet strikt ligjeve të vendit përkatës dhe janë të orientuara sipas planeve mësimore shtetërore.Qendrimi i Ankarasë  ka ngjallur indinjatë tek shtetet e prekura. Në Rumani konsullata turke madje disa shkollave u ka kërkuar direkt që të mbyllen. Ministria rumune e Arsimit i hedh poshtë me vendosmëri të tilla kërkesa dhe siguron, se shkollat nuk do të mbyllen.Nga Bullgaria ka lajme të ngjashme.  Në Bosnje ambasadori turk u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve që t'u kundërvihen shkollave, të cilat ai i cilësoi si „organizata terroriste“. Në Shkup shoqata e minoritetit turk kërkoi „spastrimin“ e vendit nga „tradhëtarët“. Kësaj i shtohet edhe kërkesa për „dënimin“ e gazetarëve kritikë, si në rastin e publicistit të mirënjohur kosovar Berat Buzhala . Qeverisë kosovare iu kërkua që të veprojë kundër Buzhalës. Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj e quajti këtë kërkesë „të papranueshme“ dhe „krejtësisht të ekzagjeruar“.Prokurorë, shkolla, gazetarë – përpjekjet e qeverisë turke për t'i përçuar edhe në botën e jashtme mosmarrëveshjet në politikën e vet të brendshme, po shtohen. Ndërsa politikanët europianë u kundërvihen ndërhyrjeve të presidenitt turk Erdogan. Interes dhe jehonë të veçantë pati deklarata  Kryeministrit  të Belgjikës,  Bourgeois,  kundër ambasadorit tuk në Bruksel në  lidhje me kolegjet turke atje: “Këto deklarata janë të papranueshme, për më tepër, të lajthitura. Është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që një ambasador t’i mësojë qeverisë flamande dhe Kryeministrit se si duhet të veprojë. Nuk e pranoj kurrsesi akuzën se po mbështesim ndonjë organizatë terroriste. Nëse ka ndonjë njeri që ka dijeni për praninë e ndonjë bashkëpunimi ilegal ,besoj se duhet ta dijë se ai për këtë  duhet të paraqitet menjëherë përpara gjykatave të pavarura . Gjithashtu, nuk e pranoj që Lëvizja “Gylen” të jetë organizatë terroriste”.Për këtë arsye  kryeministri i Belgjikës i kërkoi  Bashkimit  Europian  të reagojë prerazi ndaj Ankarasë për deklaratat e bëra nga ana e ambasadës turke në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe. Kundërshtimet kanë qenë të ndryshme. Ditët e fundit e kundërshtoi qeveria e Kazikastanit dhe Kërgistanit. Sistemi arsimor i kolegjeve turke tashmë është në 160 vënde te botës, në SHBA, Gjermani, Austri, Belgjikë, Kanada, Zelandën e Re, Australi…

Dhe këto natyrisht janë hapur edhe me mbështetjen e shtetit Turk. Prandaj edhe qeveria jonë, me në krye kryeministrin Rama duhet t'i japin përgjigjen e merituar. Këto janë shkollat tona, të hapura dhe të kontrolluara me vendime të qeverisë. Dhe më e rëndësishmja, politika dhe qeveria shqiptare duhet të distancohen nga politikat e Erdoganit, mbasi ato bien në kundërshtim me interesat tona strategjike dhe me aleatët tanë strategjikë, me antarësimin në BE. Erdogani dhe politika e tij  kanë strategjinë e ripushtimit të Botës Shqiptare në Ballkan vetëm nëpërmjet islamizimit të popullit, vashdimin e ngritjes se xhamive dhe të institucioneve të tjera fetare islame për të rigjallëruar marrëdhëniet me konceptet e Perandorisë Osmane dhe jo me konceptet bashkëkohore moderme, sic kanë bërë qeveritë e mëparshme të Turqisë, Demireli, Tansu Ciller, Exheviti etj.

Si e vlerësoni rikthimin e Erdoganit tek Putini ?

Hajro Limaj: Thuhet se politika është kurvë, por jo kaq e pa skrupullt. Kriza që lindi midis tyre për rrëzimin e nje avioni ushtarak rus që shkeli hapësirat ajrore të Turqisë, nga Erdoganai u propagandua me forcë se " ne jemi shtet i madh". Bile ai iu përgjigj Putinit: " mos luaj me zjarrin". Ndërsa për rrëzimin e avionit rus, ish kryeministri turk Davutogllu  deklaroi se  "aviatorët turq ishin urdhëruar direkt prej tij". Ndërsa tani të dy pilotët me urdhër të Edoganit janë arrestuar dhe Erdogani i kërkoi falje publikisht Putinit, akt që disa analistë politikë e kanë përkthyer si nënshtrim të turpshëm të presidentit turk, në një kohë kur u drejtohet me deklarata dhe tone kërcënuese predidentit Obama, kancelares Angela Merkel, kryeministrit italian Matteo Renzi, kryeministrit të Belgjikës, Bourgeois. Më datën 9 gusht Erdogan u takua me Putinin. Plot ngjarje dhe fakte, pavarësisht një sherri disa mujor, pas rrëzimit të avionit rus, shprehin se Erdogani prej kohësh është i "dashuruar " me Rusinë dhe me Putinin. Ai edhe pse është anëtar i NATO-s është bërë pjesë e "Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ushtarak të Shangait", si vëzhgues. Me Putinin, përveç rithellimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis dy vëndeve, Erdogan synon dhe kërkon që të ndajnë rajonet e influencës në Kaukaz dhe në Lindjen e Mesme. Vizita e Erdoganit në Rusi dhe takimet e tij me Putinin, pavarësisht të ndonjë mospërputhjeje në synime dhe qëndrime, shprehën qartazi nënshtrimin e "sulltanit" turk ndaj "carit" rus apo ortakllëkun e tyre për kundërvënie ndaj BE-së dhe NATO-s.  Putin dhe Erdogan  po  bëjnë lëshime reciproke për realizimin e interesave gjeostrategjike në rajonet e Evropës Lindore, të Lindjes së Mesme dhe të Largët. Erdogani ka për objektiv të bëhet lideri i Botës Islame në Lindjen e Mesme, në Kaukaz dhe më tej. Brënda kësaj strategjie një vend parësor ka edhe Ballkani, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.

Para disa ditësh juve në gazetën "Shekulli" botuat një  koment me titull "Një përgjigje për ambasadorin turk në Tiranë , ndërsa këshilltari i ambasadës po në këtë gazetë, më 5 gusht, ju përgjigj me shkrimin "Kush e komandon Hajro Limajn".

Hajro Limaj: Eshtë një pyetje qe patjeter opinioni publik kërkon një sqarim konciz. Me kujdesin dhe terminologjinë e një diplomati, ambasadorit turk i kërkova që në marrëdhëniet dy palëshe duhet zbatuar Konventa e Vjenës për mosndërhurje në punët e brendëshme të një vendi sovran. Ju referova përgjigjes shume të ashpër që i dha kryeministri i Belgjikës ambasadorit turk në lidhje me kolegjet turke atje.Fatkeqsisht, edhe këshilltari i Erdoganit në Tiranë, në vend të një përgjigjeje sipas etikës diplomatike, përdori gjuhën e Erdoganit, që është bërë problem botëror. Ky këshilltar të njëjtën gjë bëri edhe me analistin e njohur Mentor Kikia para disa muajsh në "Gazetën Shqiptare". Ky diplomat natyrisht që do të mbrojë politikat e Erdoganit, sepse nga ai paguhet, ndryshe brenda 24 orëve kthehet në Turqi e shkon në burg si plot shokë të tij. Pra atë e komandon Erdogani, ndërsa mua nuk mund të më komandojë as Erdogani, as Gyleni dhe askush tjetër. Unë jam një personalitet i pavarur në media dhe drejtues i një instituti të pavarur. Koha provoi parashikimet e mia te botuara tek "Shekulli",   "Sulltanizimi i Erdoganit" dhe "Totalitarizimi i Erdoganit dhe rritja e terrorizmit", botuar  në vitin 2015, të cilat mund të gjenden nëpërmjet Google-s. Si një analist i fushave te sigurisë, për të cilën shteti ka shpenzuar për të më përgatitur dhe bazuar në përvojën time në këtë fushë, shprehur edhe në rreth 1500 analiza, komente dhe opinione në gazetat kryesore të Shqipërisë, në 5 libra publicistikë dhe studimorë si dhe në shumë debate televizive, unë e ndiej si  detyrë t'u bëj thirrje politikanëve dhe shtetarëve të Shqipërisë: "Distancohunu nga politikat e Erdoganit", siç është distancuar e gjithë Eoropa ku ne duam të integrohemi!" Politikat e Erdoganit nuk janë aspak të ngjashme me politikat e paraardhësve të tij në lidhje me Botën Shqiptare. Turgut Ozali, Demireli, Cilleri, Mesut Jellmazi dhe Exheviti, me të cilët pata fatin dhe nderin të takohesha dhe të punoja në vitet 1993-2001, ishin  intelektualë elitarë, pro amerikane dhe europianë. Ata nuk mendonin dhe projektonin pushtimin e Botës Shqiptare me xhami dhe institucione të tjera fetare për të realizuar ëndrrën e paraardhësve të tyre apo aktualisht të Erdoganit dhe Davutoglusë, të rikthimit të perandorisë Osmane në hartat e saj të vjetra apo të mykura. Ky skenar përbën kërcënim për Shqipërinë es totme dhe të nesërme, mbasi bie në kundërshtim me objektivat integruese të vëndit. Koha do t'i provojë të gjitha. Populli turk mbetet një popull mik i shqiptarëve dhe ai duhet ndarë nga Erdogani. Ky, si çdo udhëheqës, është kalimtar. Për fatin e tij të keq Erdogani nuk e mendon fundin e tij, siç nuk e mendonin para tij Hitleri, Musolini, Stalini, Pinoçeti, Çaushesku, Sadam Hysejni, Kadafi,...etj
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi