QYTETËRIMI I PAQES DHE LIRISË
Ese
Nga  Prend BUZHALA, studius, poet, shkrimtar
Letërsia dhe kombi ynë gjithmonë kanë qenë në krahun e paqes, në anën e së bukurës, lirisë dhe të vërtetës. E kush më shumë se kombi ynë ka aspiruar më shumë për paqe, qetësi e mirëkuptim?!
 
1.
 
Nuk është e habitshme, prandaj, përse pikërisht nga gjiri i kombit tonë, doli gruaja më e afirmuar e shekullit XX që mori Çmimin Nobel për Paqe, Nëna Tereze apo si quhet tani, Shën Nëna Tereze.
Dhe çmimet kryesore që ajo ka marrë gjatë gjithë jetës së saj, kanë çmime për paqe dhe për solidarësinë e dashurinë e saj të pakushte ndaj njeriut, pa dallime race, kombi, bindjeje politike a religjioni.
Ajo kishte postulatet e saj thelbësore, sikundër i shpreh te poezia e saj lutjesore:
 
Fryt i heshtjes është lutja,
fryt i lutjes është besimi,
fryt i besimit është dashuri,
fryt i dashurisë është shërbimi,
fryt i shërbimit është paqja.
 
Por e vërteta e ka dialektikën e vet historike: para lëvizjeve paqësore e IDESË SË LIRISË janë bërë dhe bëhen hi e pluhur idetë totalitare të ideologjive a religjioneve që i mohojnë këto vlera të CIVILIZIMIT MODERN. Te QYTETËRIMI I PAQES DHE LIRISË ka tolerancë ndaj besimeve, bindjeve politike a fetare, tolerancë midis kombeve, por ky QYTETËRIM nuk e mohon vetveten për ta vendosur një ideologji totalitare.
Paqja Liria mbrojnë individin, kurse ideologjia totalitare e sakrifikon atë (qoftë ai edhe fëmijë).
Paqja dhe Liria janë forma të VETËDIJES MODERNE që ecin e zhvillohen gjithnjë nëpërmes afrimeve, Fjalës së Shqiptuar Bukur. Nuk e thoshte kot Ëalt Ëhitman, një poet amerikan me shtrirje botërore, kur thoshte: "Paqja është gjithmonë e bukur."
Paqja dhe Liria nuk janë hyjnizim i vrasjes e i shfaqjeve të dhunës.
Ndër kryevepra të Epokës Moderne janë Paqja, Liria dhe Njeriu i Lirë, çlirimi i njeriut nga shumë paragjykime (dogma e kufizime tjera antinjerëzore) e Njeriu i Çliruar.
Sa e sa herë e kemi lexuar, dëgjuar a përjetuar thënien lapidare: për lirinë njerëzit e japin edhe jetën. Por lirinë duan ta përjetojnë e jetojnë në Bukurinë e Paqes.
 
2.
 
Paqja vë ura të komunikimit.
Këto ura vijnë kur në rruzullin tokësor kanë vërshuar e mbuluar në të gjithë cepat e tij, në tokë e në qiell, rrjete të shumta e të llojllojshme interneti.
Kur ende ka përgjakje e luftëra të pakuptimta...
Planeti ynë është i mbuluar me telefoni mobile, me qendra stacionesh telefonike, me rrjeta video-komunikimesh...
Nëpër qiell lëvizin satelitë të shumtë për t'i lidhur njerëzit me njëri-tjetrin, për t'i bashkuar në komunikimin, në punë, në jetë...
Kurse jeta bëhet kaq e copëzuar. Familjet tona janë gjithnjë e më të copëzuara.
Solidarësia e komunikimit shuhet, lindin moskuptime e mosmarrëveshje, në vend që njerëzit të kuptohen e të merren vesh.
Njerëzit keqkuptohen, në vend që të mirëkuptohen.
Njerëzit nuk e pranojnë njëri-tjetrin, e mohojnë miku mikun, bashkëpunëtori bashkëpunëtorin, kolegu kolegen, i riu të renë apo e reja që dashuron braktis të dashurin e saj.
Kaq shumë mjete komunikimi e ka shumë njerëzit e harrojnë njëri-tjetrin!
Paqe është kjo!?
Jo!
Sepse të gjithë ndjehen gjithnjë e më të braktisur. Komunikimi shndërrohet në moskomunikim total. Sikur na gllabëron një epokë e totalitarizmit moskomunikues.
Mungon mirëkuptimi.
Paqja e brendshme shpirtërore, familjare e shoqërore janë shprishur, për shkak të ankthit ekzistencial dhe kundërthënieve shoqërore.
Rrjetet e komunikimit digjital, tashmë në pjesën më të madhe, shndërrohen në mjete të urrejtjes, fyerjes, denigrimit, sharjes, sulmeve...
U pa: mjetet e komunikimit nuk sigurojnë e as nuk garantojnë se njerëzit mund të mirëkuptohen apo mund të merren vesh.
E pra, mirëkuptimi dhe paqja mes njerëzve shndërrohen në problem shqetësues dhe në çështje të të gjithë njerëzve
Kësisoj, kudo në borë, njerëzit kanë nevojë edhe të ndërlidhen dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.
"Shumica e probleme në jetë vijnë nga keqkuptimi", thotë një personazh i veprës së L.M. Montgomery.
 
3.
 
Dhe, mbasi konstatohet gjendja e tillë, atëherë çka duhet bërë? Ku gjendet zgjidhja dhe ku mund ta vendosim zgjedhjen tonë? Prandaj, na u dashka dhe Edukimi për Mirëkuptim, arsimimi për marrëveshje.
Ky edukim ngërthen dhe një Kulturë të Etikës Njerëzore:
- si ta zhvillojmë ndjeshmërinë tonë për Tjetrin (prind, profesor, i moshuar, mik,...njeri),
- si të krijojmë atmosferë çiltërsie dhe si të nxirim prirje të brendshme për simpati, mirëdashje dhe afri,
- si të arrihet, me anë të komunikimit e mirëkuptimit, përvetësimi i shpirtit bujar, i zemërgjerësisë, i fisnikërisë shpirtërore, domethënë, si t'i qëndrojmë pranë asaj thënies proverbiale për Bujarinë e Shqiptarit...
Dhe, kudo në botë, nuk është e habitshme përse njerëzit e të gjitha kohëve dhe  njerëzit më të shquar të planetit, jo vetëm që janë shprehur bukur për paqen, por edhe kanë punuar për të:
"Paqja nuk mund të mbahet me forcë, ajo mund të arrihet vetëm me anë të mirëkupotimit", shprehej dikur  Albert Einstein.
“Unë ëndëlrroj një Afrikë që është në paqe me veten" na e shpall kredon e tij i madhi Nelson Mandella.
Dhe ja se si shprehet ipeshkvi Deumond Tutu, një aktivist i madh i Paqes në Afrikë, Izrael, palestinël e kudo në botë:
"Nëse doni paqe, ju nuk keni nevojë të flisni me miqtë tuaj. Ju flisni me armiqtë tuaj" e që korrespondon me postulatin biblik të jezusit, si kryesimbol paqeje: "Duaje armikun tënd."
A është përfundimisht bota e përgatitur që palët e armiqësuara të krijojnë afri e paqe?
Këtë shembull na e dhanë kombet që dolën të armiqësuara nga Lufta e Dytë Botërore si gjermanët e francezët e që për dekada të tëra pas kësaj lufte, jo vetëm që jetojnë në paqe, por edhe bashkëveprojnë në të gjitha sferat e jetës.
Ndërkaq Xhimi Hendriks (Jimi Hendrix), një kantautor e poet muzikor amerikan, na e përcjell po ashtu mesazhin e madh të paqes: "Kur fuqia e dashurisë kapërcen dhe trimufon mbi dashurinë për pushtet, bota do ta përjetojë paqen".
Në fund, ne vetëm mund të themi: ashtu qoftë, si na thonë me fjalët e me shembullin e jetës së tyre njerëzit e mëdhenj e kombet paqekrijuese.
Prill 2017