Vëllimi poetik “Kollare akulli” është libri i dytë i skulptorit dhe poetit Haxhi Kalluci, pas librit “Në gjumë zura poetët”, botuar në fillim të verës së vitit 2005. Edhe tek libri i parë, edhe tek ky libër, pata nderin të merrem me redaktimin dhe përzgjedhjen dhe, ajo çka më ka bërë përshtypjen e parë në kontaktet e mia me poezinë e Haxhiut, është fakti se kemi të bëjmë me një poezi të mirëfilltë, të pangjashme, plot lëndë jetësore dhe njëkohësisht plot imazh.
Është rasti i vetëm në letërsinë shqipe, të paktën me sa di unë deri tani, që një skulptor, i cili zakonisht e skalit mendimin në materien e ngurtë, ta skalisë edhe fjalën e vargun me po aq mjeshtëri dhe zotësi.
Që këtu e dhjetë vite të shkura, kur jam njohur për herë të parë me poezinë e Haxhiut, kam filluar ta dua këtë poezi. Dhe pothuaj gjatë këtyre dhjetë viteve, që nga ajo kohë, unë kam qenë gati përherë i pari që jam njohur me çdo krijim të ri të autorit, apo “teshtimë”, siç i quan ai inspirimet nganjëherë.
Dhjetë vjet dhe asnjëherë nuk e kam pyetur për tërheqjen e tij në drejtim të poezisë, gjë që ndodh fort rrallë në mesin e skulptorëve. Duke bërë deduksion nga ai intimitet miqësor përmes të cilit e njoh autorin në gjithë këto vite, nga udhëtimet e shumta që kemi bërë bashkë, nga jugu në veri, cep më cep të Shqipërisë, në qytete e fshatra, në fusha e bregdet, nëpër pyje e shkëmbinj, në lugina e lumenj të rrëmbyer, ditën e natën, me diell e me shi, mendoj se shpirtit liridashës, njeridashës dhe natyrëdashës të këtij njeriu nuk i mjaftonte vetëm skulptura me format e saj përjetësisht të ngrira për ta shprehur, vrullin, dëshirën, pasionin, mallin, pezmin, klithmën, habinë, ironinë dhe sa e sa ndjesi të tjera që përftohen në shpirtin e artistit nga përvojat e vetë jetës.
Kjo njohje e gjatë, udhët tona të gjata e të pafundme, pahitur kudo me pluhurin përmallues të atdheut, ku pavarësisht dilemave, asnjëherë s’kemi dashur ta besojmë se jemi gjendur të huaj, midis njerëzve që na kanë pritur e përcjellur, midis njerëzve që na kanë dashur apo na kanë urryer, siç ndodh në poezitë e Eseninit, apo Brodskit - kanë bërë shpjegimin më të madh për mua, përsa i përket këndvështrimit poetik përmes të cilit Haxhiu i qaset njerëzve, natyrës apo gjësendeve.
Haxhiu i qaset materies dhe metafizikes sipas mënyrës krejt të tij. Poezia e tij është vetvetja, është vetë Haxhiu; skulptori, miku, shoku, biri, prindi, kolegu, bashkëshorti, bashkudhëtari, qytetari, fshatari, bashkëvuajtësi, ngarkesa e ankthit social dhe ekzistencial që po kalojmë të gjithë.  Prandaj poezia e Haxhiut, është poezi e situatës, është poezi si ato retë që “ngarkohen në mal dhe shkarkohen në det”, apo anasjelltas, siç e thotë dhe vetë ai diku në një varg. Poezia e tij shpesh herë komunikon përmes metaforave që ftojnë në një mori supozimesh, por përgjithësisht poezia e tij është për të gjithë.
Ajo e fton çdo njeri, çdo lexues, në kuvendimin e shpirtit, për të parë e për të ndjerë më shumë dhe më me kujdes tek njerëzit, natyra dhe gjësendet, madje dhe tek ato që në ecejaket tona të përditshme, s’na lë rutina, as t’i vëmë re që ekzistojnë, jo më t’i ndjejmë si  pjesë e bashkekzistencës sonë, si pjesë e kujtimeve tona të ditëve që s’kthejnë më.
Sa për shembull, mjafton të citojmë diçka nga poezia “Shpirti i instrumentit”.
 
Rrëshqasin akrepat e orës sime,
e ritëm s’kanë.
Flenë instrumentët klasikë e popullorë,
se duan ato të zotin e parë.
 
T’i prek me shpirt,
t’i prekë me buzë,
me gishta, këmbë, apo dorë...
 
Në disa poezi të tjera autori dallon dhe evidenton zbulime marrëdhëniesh fizike, apo transhedentale, midis fenoemeneve dhe gjësendeve të ndryshme në natyrë, që njëtrajtëzohen, ndërlidhen dhe funksionojnë në mënyrë të habitshme, si dhe bashkekzistojnë shmang kuptimit të njerëzve.
 
 
Dhe hënëza
ka fshikulluar detin,
si me bishtin e një mushke.
E kjo pjesë duket
si një rrugë kalldrëmi e argjendtë...
 
Poezia çuditërisht titullohet “Bisht mushke”, por në kuptimin e parë të domosdoshëm të marrëdhënieve të gjësendeve, vetëm me bishtin e mushkës tabloja s’ka lidhje. Lidhja qëndron tek një funksionim i tjetërllojtë. Është funksionimi i pandjeshëm midis fenomeneve të largëta, sa të ngjashme, aq dhe të pangjashme, që të vënë në dilemë sikur ndodhesh përpara një pikture të Van Gogut, apo ndoshta të Vasil Kandinskit, gjuha e ngjyrave të të cilit është edhe më e pa lexueshme. Fundja ky është arti. Kjo është poezia. Haxhiu di t’i lexojë këto simbole përmes të cilave natyra shpreh vetveten e saj. Ky është një aspekt që e gjen dendur në poezitë e këtij autori, ku flora, fauna dhe fenomenet ndërlidhëse midis tyre me njëra - tjetrën, apo midis tyre së bashkunga njëra ane dhe botës së njerëzve nga ana tjetër, janë shumë të pasura dhe të larmishme. Në poezinë e Haxhiut gjen kuqëlimin e shegës, ashpërsinë e rrepeve, vetminë e kavakëve, madhështinë e maleve ku mbi të gjitha malet spikat Tomorri i tij hyjnor, për të cilin edhe albanologu austriak Maximilian Lambertz thotë se: “Një perëndi e madhe është vetë Baba Tomorri, mali mbret. Ai është babai i perëndive të ilirëve. Mjekra e bardhë valë - valë i bie deri në brez.” (Posta e Shqypnisë, Shkodër, gusht 1917, nr. 69, F. 4). Por tek libri “Kollare akulli”, s’mund të lë pa përmendur edhe atë çka interpretimi i lexuesit do ta përthyej e copëzojë në shumë presupozime, duke filluar që nga vetë titulli, në dukje i ftohtë, statik dhe në kondicione krejtësisht të sikletshme, sidomos për kohën e verës. Po t’i marrim veç e veç kuptimësitë e këtyre leksemave, kollarja është gjendje, ndërsa akulli është gjendje krejtësisht e përkohshme; e ftohtë, solide, e pandjeshme, e pranishme dhe e papranishme njëkohësisht, që kthehet nga momenti në moment në ujë, pa formë, pa trajtë, ose më saktë, sipas formave që i diktohen nga ena apo mjedisi ku do bjerë.
Pavarësisht nëse vëmë, apo s’vëmë kollare, e kush nga ne s’e ka ndjerë veten të mbërthyer me një kollare akulli ndonjëherë? Kjo është metafora më ironike, ose më saktë sarkastike, që lidh individin me pushtetin, në jetën shqiptare në diakroni. Të kësaj natyre libri përmban jo një, por disa poezi, të cilat nuk vijnë në asnjë moment me patetizëm buçitës, me thirrma e protesta nevrastenike, por përmes ironisë, sarkazmës dhe nganjëherë - thjeshtë përmes keqardhjes.
Po të nisesha nga përvojat jetësore dhe intelektuale që kemi ndarë me Haxhiun në një kohë të gjatë njohjeje, qoftë njerëzore, qoftë poetike, mund të shkruaja gjatë, shumë gjatë, aq gjatë sa ç’janë rrugët tona që kemi përshkuar nëpër Shqipërinë tonë kaq të dashur dhe mizore në këto vite, por në këtë shkrim përcjellës të këtyre poezive të dhjetë vjetëve, të këtij libri që vjen sot pas dhjetë vjetëve, doja të ndaja me ju lexues të nderuar, pak nga ajo çka përbën thelbin e gjësë poetike mbi njerëzit, natyrën dhe gjësendet, sesi i shikon një skulptor dhe poet - Haxhi Kalluci.
Dhe e mbyll duke konstatuar me bindje të plotë se poezia e Haxhi Kallucit, është një thagmë mendimi dhe përjetimesh të fuqishme të realitetit shpirtëror dhe social që ka kaluar dhe po kalon Shqipëria e këtyre dekadave të vështira në kërkim të një identiteti europian. Në thelbin e saj është shoqëria shqiptare, me cilësitë e saj negative dhe pozitive, natyra e atdheut me diversitetin e saj të mrekullueshëm, dhe deri edhe shqetësimet e një poeti me një  vëzhgim shumë të mprehur në drejtim të vlerësimit të situatave, ku elementi i madhërishëm për një njeri të zakonshëm nuk bie në sy.
Në poezinë e Haxhiut bie në sy larmia e tematikave, larmia e stilizimit të vargut dhe strofës, përdorimi i onomatopesë, akrostikut, krahasimeve, njohja dhe përdorimi me mjeshtëri i leksikut të shqipes, si dhe prirja drejt ndërtimit të një universi të veçantë poetik, tërësisht me botë shqiptare, tërësisht me aromat e lirisë.
 
Petrit Nika
Fier, 9 qershor 2015