“Studimi, realja dhe surprizantja e një këndvështrimi gjithëgjinish”
Nga Kristaq F. Shabani IWA, WPS, AOM

Ridaljet shkrimore, gjithmonë sjellin një zgjim të ri të energjive pozitive, të cilat janë mëse të nevojshme, mëse të domosdoshme të “përflakin” hapësirën e dijeve. Është obligim kreativ i krijuesve për të sjellë gjithmonë “flakërime “ të tilla, të cilat vijojnë mbajtjen e “odave” të kujtesës me kujtesa, pjesëza, vizione, këndvështrime, kërkime, refleksione e studime të plota me thelb, në kahje të ndryshme të fushave jetësore.
Krijuesi, kreatori, duhet ta ketë gjithmonë parasysh këtë objektiv, këtë synim madhor, të cilit duhet t’i përkushtohet. Në këtë kontekst, s’duhet të ketë asnjë anashkalim, asnjë lëkundje, asnjë tolerim. Krijimet, të cilat rrjedhin nga një spontaneitet, që e kanë burimin në urime kualitative, duhet t’u jepet parësi e nevojshme, lirshmëria konkurrative. Shtrirja e veprimtarisë në hapësirë, rrokja e temave në një gjeografi të përzmadhuar, është një synim domethënës dhe ndriçues rruge. Studimi, hulumtimi, kërkimi shkencor është një privilegj i të diturve dhe profesionalëve me vullnet dhe që kanë erudivitet.
Studiuesi Dr. Bexhet Asani rishfaqet çdo vit me një vepër të mbruajtur në magjen kreative, duke hulumtuar, këndvështruar, evidentuar dhe përsjellë diçka të re, të nxjerrë nga arkivat e kujtesës së tij, diçka të re të t’harrur në jetën e përditshme plot frymëmarrje, në problematikën e kohës. Gjithmonë, në kërkim të risisë, gjithmonë në sjelljen e përvojës vetjake të trajtesës, e cila është e rëndësishme edhe për studiuesit e rinj.
“Optika letrare”, këndvështrimi im, është një hap tjetër i hedhur në studimiologjinë e studiuesit, e cila dallohet nga një trajtim risi, ku gjinitë veçohen, kur është për të veçuar, ndërlidhen, kur duhen ndërlidhur dhe shkrihen në një tërësi të vetme, kur duhet të shkrihen apo të unifikohen.
Duke e parë këtë vepër, në një kahje tjetër këndvështrimi, do të ndalemi në disa ndjesi përforcuese të nevojshme për gjithë studimiologjinë shqiptare, në ca kolona të nevojshme, të cilat e dendësojnë mendimin, e bëjnë atë më produktiv dhe më determinat në hulumtim dhe në sprovë.
Qëmtimi i gjendjes reale dhe surprizantja
Një sy i hollë dhe vëzhgues dallon te realja atë që është më se e nevojshme, në fillesë empiriken dhe mandej, me aftësinë kërkimore dhe sfiduese, hyn në thelb, nëpërmjet kërkimit, eksperimentit studimor, duke siguruar kështu racionalen. Studiuesi Bexhet Asani i mëshon fort temës së trajtesës, e zhvillon atë, e kulmon dhe mandej e këndvështron atë me syrin e lexuesit dhe syrin diapazonar të studiuesit, duke mbajtur qëndrim të hollë ndaj produktit. Është një lidhësi harmonike produktor- produkt letrar e shkencor.
Në “Optikën letrare” studiuesi insiston të rrokë paraanalitika si te: “DY FJALË PËR POEMËN "SFINKSI" I GERMAVE" të Kristaq F. Shabanit, analitika “TANUSHA, SIMBOL I FEMRËS SHQIPTARE”, për poetin Nikollë Ulndreaj , “POEZI E DHIMBJES KRENARE” për poetin Xheladin Muça dhe sprova për një vepër të mirëfilltë dhe të vështirë në prurje sikundërse: “KRIZANTEMA” NJË KRESTOMACI QË SJELL FRESKI"... Ka realizuar një këndvështrim vetjak për novelën monografike të Nexhmije Hasanit “ Vija e lakuar” me një titulll shumë domethënës, “SAGA E NJË ËNDRRE TË VRARË” apo “RRËFENJA, SI DOKUMENT HISTORIK DHE SI MONUMENT ARTISTIK”për gjininë e tregimit dhe të skicës për krijuesen Lindita Kopliku dhe publicisin Peço Kagjini.
Sjellja e përjetimit të veçantë “E PASHË ISMAIL KADARENË”, është një rritje emocionate e kësaj vepre e përshkruar me penelata.
Krijimi i profileve dhe publikimi i tyre
E rëndësishme, është në analitikë, pasi qëmton e përzgjedh profilin, përkushtimin dhe mandej fillimi i stisjes së këtij profili, duke i hyrë në thelb. Parja e këtij profili në hapësirë si dhe në vertikalitet e horizontalitet, duke e “kthetruar” në virtyte, cilësi, karakteristika, veti, talent të dhuntuar dhe produkt, sikundërse ndodh me përshkrimin narrativ dhe surprizues të Bohemit të fundit, Mirko Gashit, duke trajtuar qenien, në të gjitha trajtat e duke zbuluar me aftësi karakteristika që të nxisin dhe të emocionojnë në diagramën dydrejtimshe. Plot freski dhe stil vetjak sillen në këtë vepër profile tipike tërheqëse, profile si: “DIAPAZON I STUDIUESES ME PUNË TITANIKE” për studiuesen Migena Arllati, profili i studiuesit arbëresh: “AT ANTONIO BELUSHI, JERONIM DE RADA I DITËVE TONA”. Interesant profili i “Doktor Miniri, pasha ty, Dhe qorrin, e bën me sy”, por edhe portrete të tilla si : YRIE YMERI (ZAGRAÇAN) Nëna Lie, Nazlisha Dervishi Nuredini (më e njohur si Lishe- ja, Lishja ), apo spikatja te portretizimi : “QËNDRIMI STOIK I PROFESOR AXHEM KICËS”. Asqë mund të mos rrokeshin edhe portretizime si : “TEATRI I NDRITUR “POSHKA” .
Pra, në këtë vepër i është mëshuar fort paraqitjes së profilit me indivualitet krijues.
Publicistika e gjetur në realitetin e kërkuar
Studiuesi Asani ka një përvojë të artë dhe në lëmin e gazetarisë, ndaj, edhe në këtë vepër, është shfaqur kjo dashuri e tij ndaj saj, duke sjellë pjesëza, ndodhi, ngjarje si: “Një kujtim heroik nga jeta e Agim Shehut”, “UNË DHE GURI”, “MËSUESET ENTUZIASTE”, “MËSUESI NË TEZGË”, “LEXOJMË NJËRI – TJETRIN…”, “Mësuesi Arnaut” e tjerë. Është një kontribut i Asanit në Perandorinë e fjalës , e cila shprehet në të gjithë veprën .
Nxjerrja në pah e letërkëmbimit, apo korrespodencës
Shpesh letërkëmbimeve, korrespodencave nuk u jepet vendi që u takon dhe që ato japin informacione shkencore, letrare, gjuhësore dhe më gjerë. Nxjerrja nga arkivat e shkruara individuale, apo ekzistenciale shtetërore, kanë në vlerë reale: autentizmin, sigurojnë aktin historik real, sjellin ballafaqimin dhe mbushamendjen e proceseve dhe pse jo atë rrugëtim të kërkimit shkencor, gjuhësor, letrar e tjera.Vlen të përmenden, në këtë sens: “EMOCIONET E NJË LETRE” “LETËR PËRSHËNDETËSE“, “LETËR MATURANTËVE”, të cilat rrokin tema të rëndësishme të përjetimit . Një vend të veçantë në këtë vepër zënë dhe urimet për festat si dhe letërkëmbimet e karakterit profesional për letërsinë, gjuhën, historinë me studiues të tjerë, sikundërse është ajo me Prof. Dr. Dhori Qirjazin, apo me Prof. Prof.dr. Ali Jashari.
Mëshimi i fortë ndaj temave madhore
Edhe te “Optika letrare”studiuesi Asani është munduar që në substratin e librit të jenë prezentë temat madhore, të cilat janë me shumë vlera në shpjegimin e ngjarjeve të mëdha të Kombit tonë. Kjo përsillet në shumë shkrime te “Optika letrare”, ku ndërlidhen gjinitë.
Historikja motivim dhe impuls për edukim historik
Një nga tendencat e rrokjes së temave të dashura të Asanit janë temat historike, të cilat janë të lidhur me ngjarje madhore, ku sillet, nëpërmjet fakteve reale, historike domethënëse, kompozicioni i këtyre ndodhive dhe ngjarjeve me teh të rëndësishëm, sikundërse janë ato të gjuhës, apo ato të dredhive otomane, ato të sublimiteteve, ato të heroikes dhe të këshillimit të mirë; të gjitha këto në bashkësi jepen për një edukim real të brezave, nëpërmjet historikes. Të tilla, në këtë vepër, mund të përmendim:
“NGADHNJIM MORAL MBI TË KEQEN”për veprën “Dëshmia e Kohës” e publicistit Peço Kagjini, apo shkrimi apel “GJUHA E MOHUAR DHE SHQIPTARËT E HARRUAR”, duke i dhënë kontur të problematikës gjuhësore.
I veçantë është shkrimi : “ JEHONA E MASAKRËS SË MANASTIRIT NË KËNGËT POPULLORE TE POPUJT E BALLKANIT” , ku hapërohen dimensionet e trajtesës së ndodhive historike të shqiptarëve, të cilët kanë qenë gjithmonë në shënjestër eliminimi.
Lidhësia me protagonistët e nisiativës dhe veprimit
Protagonistët, në këtë vepër letrare, shfaqen me epërsinë e tyre. Ata janë njerëz që i mban mend historia e Kombit, e vendit, si patrioti Thimi Mitko; mësues, njerëz të mençur të kuvendit, të profecisë popullore, këngëtarë, e deri te njerëz të fisit të autorit me dimensione të mëdha njerëzore, ku autori, nëpërmjet aftësisë së tij, i paraqet me shumë vërtetësi dhe dashuri, duke krijuar një galeri të re tipash në këtë “roman” jetësor.
Personazhet janë njerëz aktivë, të cilët lënë gjurmë të pashlyeshme te lexuesi, studiuesi dhe madje krijojnë edhe sprovën ballafaquese e krahasuse dhe japin mesazhe të mëdha për jetën shoqërore. Të tillë, në këtë vepër, janë të shumtë,të cilët i përmendëm më lart.
Folkloristika, një dimensionim i ri në mendimin kritik të studiuesit
Folkloristika është një fushë, ku dr. Bexhet Asani ka një përvojë të gjatë me veprat e botuara, të cilat kanë lënë shenjë dhe kanë hyrë në panteonin folkloristik të trashëgueshmërisë për shqiptarët e ish RSF të Maqedonisë dhe më gjerë. Në këtë libër paraqitet punimi i tij “NJERIU QË I DHA SHPIRT KËNGËS PËRMETARE” (THE MAN WHO REVIVED THE PËRMETAR SONG), një shkrim tipik ky i studimit analitik të këngës përmetare me kryebilbilin, Vaskë Çuri , në të cilën shpaloset pasuria, kreativiteti përmetar në këtë gjini, krahasimtarja midis trevave, spikatja, përbashkësia, dinamikja. Një kumtim domethënës, i cili jep ndihmesë në njohjen folklorike shqiptare.
“Vjelja” e pasurisë fjalore në trevat e Strugës...
Një nga kontributet e dr. Asanit është hulumtimi i fjalësit popullor të trevës së Strugës. Si një studiues me diapazon dhe me një dashuri të madhe për gjuhën shqipe, gjuhën e mëmës, ka ndërmarrë gjatë jetës së tij shumë “inkursione” të tilla, duke “vjelur” nga fjalësi popullor i mençuruar shumë fjalë të rralla, të shndritshme. Kjo pasuri fjalore është pjesë e substratit të këtij libri. Krahas gjetjes dhe evidentimit të kësaj pasurie, ai ka realizuar edhe shpjegimin e këtyre fjalëve të rralla, duke realizuar kështu edhe paraqitjen semantike dhe pasurimin e fjalësit të gjuhës shqipe, pasi, disa fjalë prej syresh, mund të hyjnë në këtë fjalës, madje shumë prej tyre. Kontribute të tilla duhet të nxiten, duke “gërmuar”në thellësi të kujtesës dhe të transmetimit të kësaj pasurie. Pra, dr. Asani, në këtë kontekst, vijon rrugëtimin për vjeljen e zgjuar të këtyre fjalëve të ralla, duke justifikuar profesionalizmin e tij dhe në këtë drejtim të dëshiruar.
Ndaj sugjerohet ndalja te kjo paraqitje: “FJALË TË RRALLA NGA TREVA E STRUGËS”( nga fshatrat gege dhe toske).
Universializimi i vlerave shkrimore
Tendenca e “Optikës letrare” ka qenë universaliteti i saj në përgatitje, me synim e qëllim që substrati i saj të përcillet dhe të shërbejë për shkëmbim universal vlerash në studimin, mendim kritik letrar bashkëkohor. Një formë e trajtë kjo, e cila është kthyer në përvojë edhe i LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, si dhe i AKADEMISË ALTERNATIVE PEGASIANE, gjë që tregon, më së miri edhe prezencën e këtij mendimi, por edhe këmbimin alternativ të vlerave. Kështu realizohet, jo vetëm njohja, por edhe tejnjohja. Shkrimet e shumta, që janë në këtë libër, të gjinive të ndryshme, në gjuhën angleze, e përligjin më së miri këtë synim. Ndezja e kësaj “flake” shkrimore është një apel për të gjithë krijuesit, studiuesit, artistët që produktojnë. Vetëm kështu njihet ky produkt dhe respektohet pasuria kreative. Dhe autori, së toku me stafin përgatitës dhe botues të kësaj vepre, e ka realizuar më së miri këtë objektiv.
Kontribuese është se shumë libra të studiuesit sot ndodhen edhe në biblioteka prestigjioze, sikundërse në Bibliotekën Publike të Nju Jorkut, në fondin e së cilës janë: 1 “Lirika popullore shqiptare në Maqedoni” 2011, “Këngët popullore rituale toske të trevës së Strugës” 2012, “Nuse përtejdetit” prozë dhe poezi 2012, “Studime letrare” 2015 etj.
Vendosja e pikës “i’ mbi veprimtarinë e Asanit
S’kishte si të ndodhte ndryshe për këtë paraqitje të studiuesit që, në këtë vepër, të mos paraqiteshin dhe shkrime(kumtime) për veptën e tij “Studime letrare’” , të cilat janë mbajtur gjatë analitikës për këtë vepër në Strugë e në vende të tjera.
Vend zë te “Optika letrare” : Spektër: “Evidentimi i vlerës studimore dhe dritëzimi i saj prezantuese”
KRISTAQ F. SHABANI ”LINDJET E REJA NË LETËRSI, ART, GJUHËSI GJITHMONË SJELLIN AGMI” (KRISTAQ F. SHABANI “THE NEW NASCENCES IN LITERATURE, ART, LINGUISTICS ALWAYS BRING DAWNS”);
“ PERSONALITET I NDRITSHËM I KRYEPERSONAZHIT TË FEMRËS SHQIPTARE, NË KONTRIBUTIN E EMANCIPIMIT SHOQËROR DHE INTELEKTUAL” nga NEXHMIJE HASANI, shkrimtare
( A BRIGHT PERSONALITY OF THE CHARACTER OF THE ALBANIAN FEMALE, IN THE CONTRIBUTION OF THE SOCIAL AND INTELLECTUAL EMANCIPATION) by NEXHMIJE HASANI, writer.
Veprat e dr. Bexhet Asanit , natyrisht kanë nevojë për analitika, për vetë faktin se substrati i tyre është gjithëgjinish rrokës dhe me vlerë në studimiologjinë shqiptare.
Përfundesë logjike:
Mendoj se vepra “ Optika letrare” këndvështrimi im, është një vepër, së cilës duhet të t’i kushtohet vëmendje, për vetë trajtesën e saj me problemet bashkëkohore si dhe ato të përvojës historike studimore.
Gjirokastër, Albania, korrik 2017