Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Share

descriptionVepra e tablove të shenjtëruara në qëndrim filozofik, moral dhe psikologjik Nga Nexhmije Hasani , shkrimtare , LNPSHA “PEGASI” ALBANIA

more_horiz
Vepra e tablove të shenjtëruara në qëndrim filozofik, moral dhe psikologjik
 
Përsiatje rreth librit “Arratisja nga “vdekja” ” të autorit Zekirija Idrizit
 
Nga Nexhmije Hasani , shkrimtare , LNPSHA “PEGASI” ALBANIA
 
Hyrje në shpresë  dhe në ekzistencë shenjtërore
 
Askush nuk ka të drejtë të vendosë për jetën e dikujt tjetër, pavarësisht nga madhështia dhe fuqia e tij. As ne vetë, nuk kemi të drejtë të vendosim për jetën tonë, nëse e duam atë të jetojë apo ta vrasim?  Egërsia e ashtëquajtur, fuqi shteti, e formuar nga njerëz, është një virus kanceroz, që injektohet në damarë të njeriut dhe dalëngadalë përhapet në trup, duke zhvilluar virusin kancerogjen, deri në grirje të kockave dhe të krijon mpirje të membranës së trurit. Fryma e tij dobësohet, duke pritur të shfaqet zëri.
"Fjala e Perëndisë… " . "Perëndia është Fjalë". Shpirti shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit. “Sinjali” i trajtimit jepet që në fillim të veprës, një trajtim ndryshe, i cili, pa dyshim, do ta rrëmbejë lexuesin. 
 
Fryma e re e revoltës shpërthyese
 
Autori shpreh qartë shpresën në fjalë të Perëndisë. Një libër ky tentues  i karakterit  filozofik, por i bazuar në ekzistencën e vërtetësisë shenjtore. Nëpërmjet kësaj vërtetësie, autori zbulon unin personal, i cili është i përcaktuar të jetë Iliri, si personazhi kryesor i librit. Është një histori njerëzore, e cila fillon me krijimin e botës, të gjithësisë. Edhe pse autori hyn gjatë rrëfimit, nëpër skuta të errëta, pa dritë, pa jetë, në ato skuta, ku shfaqet prania e djallit, ai përsëri, në fund të çdo rrëfenje, e shohim të rilindë, të riçelet në të qindën herë. Të rilindë nga fjala. Lexuesi takohet me Perëndinë, duke ndjekur vargun, ndjek rrugën e krijimit nga njeriu i parë Adami (Ademi ) deri te rruga e linjës së historisë së Patriarkëve  nga Abrahami (Ibrahimi) te Moisiu.
 
Vepra jep mezazhe  të arsyeshme , nxitëse  për materializim
 
Vepra, e parë në këndvështrimin tim, është  e kompletuar deri në detaj, sipas trajtimit të bërë nga autori. Kjo është meritore. Jo vetëm si autor, por si një profet i frymëzuar nga fryma e Perëndisë. Të komentosh për librin e Zekerijas, nuk është e lehtë. Arsyeja e parë  nuk mundet ta quajmë libër “poetik”, paçka se ai tenton të hyjë dhe në këtë gjini dhe përdor, me aftësi, prozën poetike në zhvillim të ngjarjeve, por edhe shpreh “nota” romanore, në skicimet dhe trajtat që përdor nëpërmjet përshkrimit të portreteve të personazheve dhe ngjarjeve. Ai ka pasur një qëllim që në kohën që ka menduar ta shkruajë .Tashmë, ne e dimë faktin e rrugës së vërtetësisë që ai ndjek, që ka përqafuar. Kështu që fjalë "të bukura" nuk i shkojnë për shtat prezantimit të kësaj vepre, por, sigurisht, duhet trajtuar me respekt, maturi dhe dinjitet. I vetmuar, i arratisur nga e ashtëquajtura botë, personazhi në libër ndjehet i eliminiuar, gati-gati, nga toka. Lutet në frymën e tij të "fundit". Kërkon hak për ata që e ndjekin, ata që i hapin gropa me mendjemadhësinë e tyre, të cilët nuk veprojnë sipas ligjeve të perëndisë. Gazetari Ndue Lazri,  është munduar të  bëjë një zbërthim të qartë e të arsyeshëm. Duke qenë dhe mik personal i autorit, e ka pasur akoma më të qartë e të lehtë, të hyjë në botën e tij. Unë   hedh versionin tim, ashtu, sa unë mundem të kap thelbin e ngjarjes , e cila, aq sa duket e lehtë në lexim dhe në kuptimin e përgjithshëm  të faktit problematik social dhe  psikologjik, po aq është i vështirë  në kapjen dhe kuptimin e mesazheve që përcjell.
 Unë mendoj se, kjo vepër do  të jetë në përballje me “gjykatën e një trupe gjykuese”,që përfaqësohet nga mendje të “mpira” njerëzore. Shkaku se autori, nëpërmjet personazhit, Ilirit, sjell një frymë të re revoltë shpërthyese, kundër atyre të vetëquajtur  "pushtetarë të perëndisë", injoron me delikatesë propagandën e tyre, të cilët pretendojnë se po ndjekin rrugën e duhur. Në fakt, janë hijena të krijuara nga djalli.
“Nga qielli zbritën ëngjëj dhe u verbuan nga dashuria mishtore e njeriut. Nga ky bashkim mishtor ëngjëj “njeri”, lindën bisha. U rritën dhe u shumuan. Ëngjëjt s’u lejuan më të ktheheshin në qiellin e Perëndisë, po u lanë në tokë. Ata u steruan e u nxinë dhe e pagëzuan veten me emrin “Djall” .
 Ja, tashmë, ai është shfaqur, përballë Ilirit, përballë gjithë njerëzimit. Po jo të gjithë dinë të mbrohen nga ai. Në librat e shenjtë thuhet:
" Do të  vijë një ditë dhe shumë të ashtëquajtur profetë, do të ngrihen e do  të flasin në emrin tim, por unë nuk do t’i njoh". Këto janë fjalë të Perëndisë.  Këtë mesazh përcjell autori, duke hedhur poshtë politikën e feve radikale. Politikën e të ashtëquajturve “grupe islamike”, grupe, të cilat flasin në emër të Allahut. Ata s’janë gjë tjetër, veçse krijesa rrëshqitëse të krijuara nga djalli.
 
 
Ngritja e një problem madhore : Dashuria ndaj Atdheut dhe Shqiptarizmës
 
Autorin e shohim dhe e ndjejmë  në rrugëtimin e tij të lodhshëm psikologjikisht, por edhe në disa momente, romancier të dashuruar me botën natyrore, me familjen, me bukurinë yjësore. Një patriot i flakët, ku shfaq dhimbjen për vendin e tij; dhimbjen për tradhtinë që i bëhet shqiptarizmit, duke e ndarë e copëtuar në shumë gjuhë e besime të ndryshme. Dhimbja shfaqet, në të katër anët, duke flijuar veten. Përballet me turpin më të madh të shekullit. Disa shqiptarë të “shpëlarë” nga truri, si pasojë e propagandës ekstremiste, vetëvriten, duke marrë në qafë qindra të tjerë të pafajshëm. E frikëshme të mendosh si po katandiset jeta mbi tokë! Shqiptarët, populli më i lashtë, ku, mbi të gjitha, vlerësonin atdheun, sot, disa prej tyre, janë shndërruar në vegla vrasëse. Në faqen 23 të librit, më ndodhi të më përshkonte një rrymë elektrizuese nga ndjeshmëria e pjesës që lexova.
 
 
Vepër ku përplasen dy  botë me galerinë e tyre tip të personazheve
 
Jo rrallëhere kam shtrëngime të mëdha shpirti, melankoli e iluzione të thella. Më vetëtin në kokë mendimi që vdekja është më e mirë se jeta dhe se është shumë fatlum ai, i cili nuk ka lindur fare në këtë botë relative, të padrejtë, ku ka përplotësi vuajtjesh, terr e mjegullnajë, lloj demonësh, cmirëzinj, maskarenj e satanë....! Është si të mbartësh shpirtin në duart e tua dhe me zë të mekur e qan, duke dashur ta rikthesh përsëri në parakrijim. Kërkon ta mbrosh nga e shëmtuara botë. I vetmuar, personazhi mediton duke përqafuar natën, ku ndjehet më i qetë e më i sigurt. Një fakt ky, që e afron më afër me Perëndinë .
“Jo rastësisht, të gjithë rivelat hyjnore, Zoti na komunikoi e shpalli natën  profetëve të tij, meqë është kurora e meditimit dhe kompletacioni shpirtëror “.
Në mënyrë selektive, filozofia e jetës u ka dhënë ngushëllim shpirtrave të urtë, duke i bërë ata më të besueshëm  te besimi që lidh magjinë e dëshirës jetësore me atë hyjnore. Dhe për këtë libër, pra, unë do të thosha është një vepër frymëzuese, ku rrezaton në përmbajtje dhe ide, ku përplasen dy botë: ajo shpirtërore dhe ajo frymore. Shpirtërore është vartësi e mëkatit mishtor, ku ne jemi të destinuar të mbijetojme duke u kapur thonjazi jetës. Ndërsa frymore  është lidhja me Perëndinë. Kontakti me të është i vështirë, por jo i pamundur. Nëse troket, do të hapet ! Nëse beson, do  të shpëtohesh! Heroizmi personal, i cili pasqyrohet në ngjarje, prodhon një dramë, sa e panjohur dhe, po aq, shekullore. Sinjalet shfaqen, herë pas here, naivë, duke prekur anën psikologjike të njeriut të kornizuar, në një pikë të globit, i cili lufton, si individ, me njeriun mbi njeriun. "Tablo paradoksale".
 Në libër gjejme faqe të pashkruara nga një ditar jetësor. Faqe të bardha, por që thërrasin me zë të mbytur dhe mundohen të na tregojnë zhveshjen e abstraktitetit në atë realen. Shpirti i drejtohet shpirtit. Një dashuri e ndarë në dy kulme e pjesëtuar rrugëve të kurbetit. Ndarje të sakatuara, të paralizuara (faqe 28, zemra i flet zemrës).
 Kristinë, mbrëmë nga goditjet e rënda që kisha në shpirt dhe fantazmave ogurzeza në tru, lëviza nga krevati dhe brofa në këmbë si një i çmendur. Trokamat e zemrës sa vinin e shtoheshin me një ritëm të përshpejtuar. Kisha ndjesinë se do më ikte truri”.
Transmetohen momente, në të cilat autori lëshohet i ligështuar, i pashpresë nga mungesa dhe dashuria për fëmijet, të cilët jetojnë larg tij. I drejtohet qiellit, në lutje të këputur, atërore!
 "A ka kush të kujdeset për femijët e mi?”  
Ah!...
Kush nuk e ka provuar ftohjen e akullt të mureve në dhoma boshe, ku Evropa plakë na afronte. Dëshira satanike te njeriu e ben atë të shpërfytyruar, duke kërkuar veten në mesin e botës, ku të duhet të jetosh mes dy kufijve ndarës të fortë që shkaktojnë trauma psikofizike. E shkuara, ku u linde dhe u formove dhe e tashmja në një vend të ri, ku humbja dhe fitimi janë shumë pranë njëra - tjetrës. Nëse kërkon forcën e brendshme, e cila fle në gjumë nostalgjik, për sa kohe ne s’e zgjojmë, ajo rizgjohet dhe kapet fort mbas shpresës.  Ka më të bukur dhuratë në jetë, se sa ekzistenca e një fëmije? !
“Ja pra, e dashura Kristinë, unë sot jam ndjerë krenar që vajza jonë shkëlqeu përpara auditorimit të trupës mësimdhënëse nxënës dhe prindër”.
Kështu shprehet autori, i lumtur në zhytjen e tij dramatike të betejës para përballjes e orvatjes për mbijetesë. Një shpirt artist, doja të thosha, e gjen veten mes veprave artistike. Literatura moderne vepron ndjeshëm në mendjen dhe ndjenjën e autorit. Një Frojdian shqiptar përballë bankës së akuzuarve të vetvetes nga vetvetja. Depresion psikologjik, si vartës të traumës të dramacitetit të një “uni” përballë llumit shoqëror, shfaqet diagnoza e tij "skizofrojdiane". Rreshtat e ditarit shkruhen në heshtje dhe lexohen pa zë. Por energjia negative ulëret brenda vetes. Sa bën të çahen muret mbrojtës të kraharorit. Shpirti kërkon të dalë, duke u arratisur nga errësira - vdekje. Kërkon të hapërohet, hapësires duke pritur qiej të rinj, tokë të re , tokën e premtuar. Sa më shumë autori, duke depertuar mes personazhit, ngre sytë drejt qiellit e lutet dhe  aq më shumë forcohet lidhja, kontakti midis qenies së tij dhe Perëndisë.
Autori Idrizi ynë është modern dhe unë vazhdoj e cilësoj këtë si fakt dhe më shumë. Ka perceptimet e tij individuale, në lidhje me faktorin e krijesës “njeri” , si shembëlltyrë të perëndisë. Ai hyn në dy botë shpirtërore: të vetes dhe të Zotit. Rizbulon lidhjen “njeri” dhe “natyrë”, ku ekzistenca përcjell sinjale të elektrizuara që vijnë nga toka. Lidhja e tokës me qiellin. Krijim i krijuesit.
 
 
Luftë, jo vetëm nga risi hormonale fizike që sjell pasojë shkaktimin traumatik, por dhe pasojë e sprovës që Djalli hedh mbi njeriun.
 
“Ne jemi krijuar nga pluhuri dhe në pluhur kthehemi. Trupi i përket tokës dhe shpirti qiellit”.  Prandaj dhe, hera – herës, shfaqet primare dëshira e të qenurit vetëm pranë natyrës. Me ndodh gjatë leximit të këtij libri, të udhëtoj dhe unë me autorin. Edhe pse nuk besoj në doktrina, në besime pagane, kjo s’më shpëton dot, për të mos qenë dhe unë, pjese e haluçinacioneve që shkaktohen nga çrregullime, psikozë, të cilat hedhin rrënjë më shpejt në shpirtra të butë, të ndjeshëm. Kjo luftë, jo vetëm nga risi hormonale fizike që sjell pasojë shkaktimin traumatik, por dhe pasojë e sprovës që Djalli hedh mbi njeriun. Bota, rreth njeriut, zvogëlohet dhe ndjesia e ligësht ndaj vetes vepron si lavër kapriçioze, duke të cënuar lirinë e mendimit dhe të arsyes. Unë do të  gaboja, nëse mundohesha të hidhja dritë mbi këtë libër. Ai është vetë drita dhe, tashmë, shume fort i ndriçuar.
 
Një Odise shqiptar, në mes të njerëzimit, të botës së gënjeshtërt
 
E ka marrë tashmë këtë ndriçim nga vetë autori, me plot të drejtën e tij të plotëfuqishme, e cila bazohet mbi vepra të shenjta. Ja, sa bukur tingëllon notacioni në këto rreshta:
“Kuptova, më në fund, se kam jetuar vetëm me besimin ndaj Zotit. E mjaftueshme ishte vetëm të besoja për Zotin dhe të ringjallesha, kur e harroja Atë! Jeta ime fillonte të shkatërrohej dhe shkonte buzë greminës, sikur të mos shpresoja, madje edhe shumë pak, se do ta gjeja Zotin, jeta ime do të përfundonte shumë më herët. Do të vetëvritesha. Por unë kam vazhduar të jetoj, sepse e gjeta Zotin, e besova dhe e ndjeva Atë! Thjesht nuk ka jetë pa Zot”.
Një Noe në mes të oqeanit. Një Odise shqiptar, në mes të njerëzimit, të botës së gënjeshtërt. Besimi te Perëndia, busulla orientuese.
 
Sheffild, korrik 2017

descriptionRe: Vepra e tablove të shenjtëruara në qëndrim filozofik, moral dhe psikologjik Nga Nexhmije Hasani , shkrimtare , LNPSHA “PEGASI” ALBANIA

more_horiz
Korrigjim: "Perëndia është Fjala".
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi