Forumi Zeri YT!identifikimi

Zeri i çdo shqiptari ne internet


Share

description9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
9.MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES
 
Është bërë një hulumtim për librat kryesorë që kanë shërbyer për plotimin edukativ, arsenalin teorik dhe prakticitetin e tij në fushat, që  u veprimua me pasion e  përkushtim.
 Në romanin tim “Kryefjala e Fatales” kam përmendur Martin Taperin, i cili kishte një lajtmotiv interesant: “…nulla dias sine…linea”, e cila përkthehet: “ asnjë ditë pa asnjë rresht…” Ky përkufizim është karakteristik edhe për “Martin Taperin” e Shabanaj (Sabanaj), Filipin. Blloqet e tij të mëdha të shkruara me shkrimin e tij të bukur, të pastër dhe të qartë, shprehin katërcipërisht këtë të vertetë se ai vetëm shënonte, shënonte dhe vetëm shënonte, duke pasqyruar kohën e tij. Duke shfletuar këto  blloqe, të cilat kanë mbushur shekullin, menjëherë përqëndrohesh dhe të pushton zilia. Ai shkruante që të linte. Shkruante që të vazhdonte të jetonte.
 Këtë erudicion Filip Shabani e fitoi falë shfletimit dhe vullnetit të tij. Në atë “zonë” të pëlqyeshme përfshihen shkrimtarë të mëdhenj, mendimtarë, filozofë, publicistë, mendimtarë të mendimit filozofik, pedagogë të filologjisë, të psikologjisë, të estetikës e deri në shkencëtarë të mëdhenj të fushave të ndryshme; fjalorët e gjuhëve të huaja që zotëronte si: greqisht , turqisht, latinisht, frëngjisht, italisht…, si dhe të gjuhës shqipe, që e mësoi në mënyrë autodidakte, sepse shkollë shqipe nuk bëri asnjë ditë të rregullt.
Ilustrimi me shënime nga blloqet e tij të punës të befasojnë për mënyrën e bukur të të shkruarit dhe të zbërthyerit.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Krahas fjalorëve të mësipërm dhe të gjuhëve të tjera, që nuk i përmendëm, rreshtohen një sërë veprash të studiuara për të cilat, në mënyrë periodike, ka nxjerrë shënime, libra me subjekte, të cilat kanë të bëjnë me metoda të gjuhës, vërejtje gjuhësore, sintaksa të gjuhëve të ndryshme, gramatika, çështje gjuhësore, psikologjike të moshës , të pubertitetit, të adoleshencës, sisteme praktike të arsimit popullor, sistemi psikoarsimor, psikologjia e grupit dhe e individit, metoda dhe leksione për didaktikën e shkollës së punës, gjuhën e re të mesjetës, gramatika të gjuhës së vjetër, njohje e gjuhës dhe shkrimi i saj, programe të shkollave të niveleve të ndryshme, probleme të ortografisë, studime filologjike, enciklopedi filologjike, elemente gramatikorë të gjuhëve e tjera.
Krahas këtyre librave të nevojshëm për të realizuar pikësynime të tij madhore, ka nxjerrë shënime nga mjaft vepra astronomike, arkitektonike, gjeologjike, gjeografike e deri te libra të kohës për shëndetin, trupin, shërbimin shëndetsor, artin kulinar; libra të karakterit historik e gjeografik, artin ushtarak si “Lufta në det”, biografi të njerëzve të mëdhenj, kalendarë historikë, fetarë e tjerë.
I rëndësishëm është leximi sistematik i veprave letrare në gjuhët që zotëronte. Veprat u përkasin shkrimtarëve dhe poetëve gjithë shoqërorë, mitologjikë të periudhës para Krishti dhe mbas tij, mesjetarë, modernë e tjerë.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Filipit i interesonte dhe legjislacioni, jurisprudenca, veprat e të drejtës penale, të ndërtimit të shtetit e deri te algjebra, fizika, meteorologjia, kimia , gjeometria, teoria e futbollit dhe e sporteve të tjera si Atletika.
Të bëjnë përshtypje shënimet e nxjerra nga veprat: “Vepra të zgjedhura të Lukianit” (latinisht) i Saros, “Simpoziumi i Platonit” i Sikuxhis (një nga veprat më të dashura të tij). Dhe një nga këto vepra e mori me vete, duke e kërkuar në momentin e fundit në pragvdekje! “Veprat e Esiodit”, “Pindari” të Krist, “Antigoni i Sofokliut” i Saros; “Idilet e Theokritit” të Grapses. Po kështu shënime ka mbajtur edhe për veprat e mëposhtme: “Mitologjia botërore” Dypre, “Historia e të Drejtës Penale” Frag, “Historia e SHBA” Brand, “Njeriu prehistorik” Wels,”Filozofia e Martesës” Shefer, “Para se të arrijë të lulëzojë” Eliot, “Vallja e Vdekjes” Strinberg, “Forca e gruas” Gejerstam, “Furtuna” Shekspir, “Asnjë të re nga fronti” Remari, “Gramatika e gjuhës greke” Filinda, “Fjalori shqip”Konstandin Kristoforidhi, “Gjuha dhe jeta “ Janidhi, “Burra të mëdhenj të kohës së kaluar” Paneco, “Nga muzeu i Ejmas” Velter, “Teatri turk i paraluftës” Iliadhi, “Enciklopedinë Filologjike”, “Historia Bizantine” Sullu-Birzi e tjerë.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Sipas njerëzve, të cilët kanë kontaktuar me Filipin, ata që kanë pasur mundësi të dëgjojnë kontaktuesit, tregohet se ai librin nuk e hiqte kurrë nga dora. Pëlqente të lexonte shkrimtarët e mëdhenj të Letërsisë Botërore si: Shekspirin, Servantesin, Zolanë, Balzakun, Gorkin, Eliotin e tjerë. Edhe poezia ishte pjesë e pandarë e jetës së tij. Ajo Filipin e çlodhte, i jepte kënaqësira të mëdha. Nuk i ndahej Homerit, Eskilit, Gëtes, Hajnes etjerë. “Pasazhe të veprave të lexuara i recitonte, i mbante përmendësh. Kishte një kujtesë të çuditshme. Këtë e evidenton edhe djali i tij i “pleqërisë”, Perikliu, i cili shprehet: “Babai qe i çuditshëm. Unë pata fatin të jetoj me të vetëm dymbëdhjetë vjet. Vetëkuptohet që unë munda të kap shumë tipare të tij, falë fëmijërisë sime.
Mbaj mend që e gjëje duke shfletuar libra. Ai nuk shkëputej prej tyre.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Nuk donte ta trazonte njeri në këto momente. Atë procedurë që bënte ai gjatë leximit nuk mund ta quash lexim, pasi mbante në gatishmëri penicën e tij dhe në një bllok shënonte ndjesi përshtypje, shpjegime e tjera. Librat, të cilët i kishte qejf i rishfletonte dhe i hapte në vendet, ku kishte vënë ndonjë shenjë. Edhe sot, kur unë kam dëshirë të kujtoj atë kohë dhe të rivendos veten time në atë njësi kohe, ndiej babanë të ulur në studion e tij, të humbur me miqtë e tij të mëdhenj: Librat. Shënimet e tij gjenden për “Napoleonin” Kipling, “Historia e Letërsisë italiane”, “Nderi” Sunderman, “Historia e Letërsisë ruse” Kazanzaqi, “Athina, hyrje në klasike” Rejnand, “ Filozofia e dashurisë” Burze, “Mendime rreth psikologjisë dhe etikës së moralit” të Vundit, “Tregime bullgare” të Bojaxhi, “Historia e Letërsisë italiane” Kremje, “Apoloni, Udhëheqësi i muzikës” Pahtiku, “Vjershat e Vallaoritit”, “Historia e Përgjithshme e Artit” Rejnan Pier, “Letërsia Ballkanike”. Ngandonjëherë, zhytem në shënimet e tij në valiçen “muze”, ku ka korrespodenca nga më të çuditshmet dhe me njerëz nga të gjitha fushat, personalitete të mëdha, të cilët kërkojnë mendime për veprat e tyre, kërkojnë analiza për rikonceptime, konfirmime, të dhëna të karakterit të ndryshëm të aspektit biografik, historik, gjuhësor, filologjik, pedagogjik e tjera. Pallamas, Elefterioti e të tjerë i uronin Vitin e Ri…”

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Si përfundim, Filip Shabani ka qenë njeriu i letrave, i cili me vullnet dhe me përgatitjen e tij të gjithanshme merrte mend dhe jepte mend. Ai ka qenë kontribues në shumë fusha duke thënë me kompetencë fjalën që ka ngjitur. Vetë libri monografik prej 130 faqesh “Përpjekje kombëtare” i Dh. Vogazionou, dedikuar Filip Shabanit, flet për përmasat e tij dhe vendin e rolin që ka luajtur. (Në shënimet e tij për librat që ka evidentuar e veçuar, padyshim, që është nënvizuar libri “Përpjekje kombëtare” i Dhimitri Vogazionnou dhe njëzet e pesë kopjet që mbante, po kështu është cituar që i dedikohej atij personalisht. Shënimi im K. Sh.). Unë duke marrë nxitje më ka futur “mikrobin” për të shkruar një vepër të madhe prej dymijë faqesh, ku do të evidentoj gjera që të befasojnë… Le të presim…” .

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Perikliu, ish Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit të Greqisë, projektuesi i Ligjit të Turizmit në Republikën e Greqisë, ka të drejtë të flasë në këtë mënyrë, të ndiejë një krenari të ligjshme për babanë e tij, atë që e quajtën “Tatë Bukuri” në fshatin e tij, Lliar…
Ajo që të bie në sy është lidhësia e Filipit me shkrimtarët, gjuhëtarët, publicistët grekë, të cilët kanë jetuar në një kohë me të. (Letërkëmbimi midis tyre pasqyrohet në këtë libër në një vend të veçantë dhe del në pah çdo gjë. Shënimi im K. SH.) Kështu veprat e miqve të tij janë gjithmonë në dorë të tij. “Kur s’i kam ata pranë, - shprehet diku në një shënim Ai, - kam shëmbëlltyrat e tyre të zgjuara dhe që më duket sikur më bëjnë shoqëri. Bisedoj me Psiharin, Palis, Fotiadhin dhe Pinelopi Dheltën. Po kuptoj se mungesën e tyre fizike po e kompesoj me mendimin e tyre të rrallë, duke fituar “trajtën fizike “ të tyre, që më pushton. Kështu “Inisiatori”, “Dashuri” dhe “Shegë e mollë” të Psiharit, “Çështje gjuhësore” të Fotiadhit, “Spiru”, “Falstaj” “Iliada” të Palis dhe “Të fshehtat “ të Pinelopi Dheltës edhe libra të tjerë të tyre ishin miqtë e mëdhenj e të përhershëm.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Prapa tyre fshihej bukur mendimtari , filologu Shabani. Lidhësia e Filologut realizohej me anën e librit. Kjo ishte një lidhësi e hollë fine, e shquar, që nxjerr në pah natyralitet, afërsi, debatim, konsultë me njerëzit e mëdhenj të kërkesës shqipe për një shqipe të kulluar në të folur dhe të shkruar bukur. I kujtohej shpesh ai mision i madh i marrë mbi shpinë, para shumë e shumë vitesh, kur ishte “përballur” me Samiun e madh, kur ishte vetëm 17 vjeç. Duke sjellë herë pas here ato imazhe të këndshme, Filip Shabani, nuk mund të mos zbatonte detyra të vëna nga “Filozofi i së Nesërmes”, nga projektuesi i madh dhe me mjaft emër. Prandaj s’reshti duke shkruar, duke dhënë mend për të përmirësuar punën. Por që të realizoheshin këto, ai dhe, atje, ku ndodhej, lidhej, bisedonte, dërgonte shkrime (siç faktohet në këtë libër në rastin e dërgimit të letrës në drejtim të Redaksisë së Gazetës “Demokratia” më 6 janar 1935, ku shtrohen probleme të mëdha, ku dhe politikanët e sotëm modernë do t’i kishin zili ato mendime.) Ai kishte lidhje me Ilia Dilo Sheperin, Kondën si dhe shumë studiues të tjerë të mirëfilltë arvanitas në Greqi , që trajtonin e trajtonin posaçërisht çështjen e arvanitasve për gjuhën e folur, për toponomastikën në Atikë, apo probleme të prejardhjes së kombësisë shqiptare. Filipi ishte gjithmonë i interesuar për problemet në Shqipëri, rrjedhat e ngjarjeve, interesat kombëtare.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Ai ishte ithtar i Nolit. Ishte nxitës jo vetëm në Turqi, por edhe në Greqi që vendi i shqiponjave të çlirohej dhe jo t’i merrej fryma nga mjegullat… Sa për ilustrim donim të evidentonim disa nga librat që ai i kishte më në qejf se ishin të shkruar në shqip si: “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i K. Kristoforidhit, “Gramatika e Gjuhës shqipe” e K.Tasit, “Sintaksa”e Ilia Dilo Sheperit (Dy ekzemplarë të saj ndodhen edhe sot në Bibliotekën e Filipit në Athinë),”Gramatika shqipe” e Aleksandër Xhuvanit; “Fjalori greqisht- shqip” i Floqit, “Shqipëria në vitin 1927”, “Shqipëria, ikonografi” me ilustrime nga Selenica. Po kështu, Filipi ka dhënë mendime direkte për libra të botuara e të shkruara nga studiues, hulumtues të çështjes greke, etnografë apo arvanitas në organet periodike dhe të shtypit grek. Të tilla mund të përmendim veprat e Furriqit: “Ndihmë në toponomastikën e Atikës”, ”Dialekti greko –shqiptar në Atikë”. Po kështu “Kalendari pellazgjik” i Skënderit, “Prej nga rrodhi kombësia shqiptare” e Haxhiut, “Pelazgjike” e Thimopulos, “Mendime të vogla rreth historisë epiriote” të Furriqit, “Bibliografia, shtojcë për Shqipërinë” Kallojergopullos apo “15 ditë në Shqipëri”.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Filipi ka përshëndetur nismat në fushën e gjuhës dhe është bërë promotor që në vend të tij të flitej gjuha e nënës. Dashuria, që kishte për njerëzit e mençur të tij (shprehur edhe te Intervista e dhënë : 32 pyetje, 32 përgjigje”) e sidomos me Fan Nolin, Nolin, Çajupin e tjerë e deri tek miku i tij i ngushtë Omer Nishani, të cilit i ka dhënë ndihmesë gjatë qëndrimit të tij në Greqi, duke krijuar me të një miqësi intelektuale, e cila, kur Filipi s’jetonte më, Omeri firmosi kalimin e ligjshëm të Perikliut dhe të nënës së tij, Paskalisë, për të shkuar në shtëpinë e tyre në Athinë. Dr. Omer Nishani në atë kohë ishte President i Kuvendit të Shqipërisë.
Nuk mund të lihet pa përmendur kontaktimi që kishte Filipi me librat e Filindës, Haxhikostës, Haxhillaqit, Vllasiut, Arvanitit, Kurkulsus, Jisfilis, Jeorgjiut, Amantidhuit, Mistriotit,Sotiriadhit, Lambaridhit, Thimopulos, Papamihalit, Andreadhit, Kazanzaqit, Karahristos, Llazarusë, Tantalidhit, Anastasulit, Dhimitratut, Ejidhit, Prevalaqit, Fotiut, Trandafilidhit, Kondurit, Athanaqit, Rrodhakanaqit, Abarkoglut, Haxhidhamit e shumë e shumë të tjerëve.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Filipi ka përshëndetur nismat në fushën e gjuhës dhe është bërë promotor që në vend të tij të flitej gjuha e nënës. Dashuria, që kishte për njerëzit e mençur të tij (shprehur edhe te Intervista e dhënë : 32 pyetje, 32 përgjigje”) e sidomos me Fan Nolin, Nolin, Çajupin e tjerë e deri tek miku i tij i ngushtë Omer Nishani, të cilit i ka dhënë ndihmesë gjatë qëndrimit të tij në Greqi, duke krijuar me të një miqësi intelektuale, e cila, kur Filipi s’jetonte më, Omeri firmosi kalimin e ligjshëm të Perikliut dhe të nënës së tij, Paskalisë, për të shkuar në shtëpinë e tyre në Athinë. Dr. Omer Nishani në atë kohë ishte President i Kuvendit të Shqipërisë.
Nuk mund të lihet pa përmendur kontaktimi që kishte Filipi me librat e Filindës, Haxhikostës, Haxhillaqit, Vllasiut, Arvanitit, Kurkulsus, Jisfilis, Jeorgjiut, Amantidhuit, Mistriotit,Sotiriadhit, Lambaridhit, Thimopulos, Papamihalit, Andreadhit, Kazanzaqit, Karahristos, Llazarusë, Tantalidhit, Anastasulit, Dhimitratut, Ejidhit, Prevalaqit, Fotiut, Trandafilidhit, Kondurit, Athanaqit, Rrodhakanaqit, Abarkoglut, Haxhidhamit e shumë e shumë të tjerëve.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Pavarësisht se nuk mundi të merrte të gjitha librat në gjuhën turke nga Peran, si rrjedhojë e largimit të paprinciptë dhe të pabazuar, të motivuar si “person non grata”, ai dispononte mjaft libra në këtë gjuhë në Athinë dhe në Bibliotekën e tij në Lliar. Por, kjo ikje e ndau nga miqtë dhe të dashurit e tij të shumtë. Në Turqi Filipi kishte kaluar rreth katër dekada të jetës së tij aktive. Sipas të dhënave në Arkivin turk janë mjaft të dhëna, të cilat e nesërmja do të na i bëjë pronë. Po kështu në Patriarkanën e Stambollit janë mjaft dokumente autentikë, të cilat nxjerrin në pah kontributin e madh të këtij “Kolosi” dhe në aspektin shkrimor. E shumë materiale janë evidencuar edhe në këtë libër duke u nisur edhe nga gërmimet e Dh. Vogazionnou, i cili ka kontaktuar me Filipin personalisht dhe ka shkruar, siç theksuam më lart, monografinë për të. Një kontaktim ka bërë edhe Aleksandër Mamopullo. Por, megjithatë, përpjekjet tona shkojnë deri atje sa ne të marrim kontakt me këtë shtet, arkivin e tij për të vërtetuar veprimtarinë e Filipit. Fakti që Filipi ka pasur në dispozicion historitë e Letërsisë evropiane: angleze, gjermane, frënge, turke, ballkanike, ruse e tjerë), por edhe atë amerikane, kineze e tjerë, flet për disponimin dhe lëvrimin. Po kështu edhe letërsia e vjetër ka zënë vend në dijen, inteligjencën dhe erudicionin e tij, flet për një rast epokal dhe në fushën eruditive.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Atij i interesonin, jo vetëm probleme të profesionit të tij, probleme të psikikës, elementët e paraqitjes (të Faund), heronjtë dhe ndershmëria, probleme të shtypit të shkruar, teoria e Lidhjes së kontratave, problemet e nderit (Suderman), probleme të ligjeve, ligjet dhe ritmet e artit, seksualizmi dhe edukimi, çështje të mbrojtjes kombëtare dhe të të gjuhëve të tjera.
Gama e gjerë e një mendje të gjerë dhe të thellë e tepër të kthjellët, që arriti në këtë stad falë përpjekjes, kërkimit duke u bazuar te dhuntitë, talenti i tij, por edhe si rrjedhojë e djersës së derdhur në punë.
Në vitin 1961 në shtëpinë e Lliarit bisedohej për Filipin. Unë duke u nisur nga ajo që më pëlqente të lexuarit dhe kisha lexuar mjaft për moshën, Profeti Thoma më mbante afër dhe më jepte këshilla. Në shtëpinë tonë erdhi Papa Jorgua, i cili kishte një dhomë të vetën në anën tjetër të shtëpisë sonë, që ia kishte lënë i ati, Filipi. Ishte një burrë serioz. I shquhej mjekra e tij, që ne të vegjëlve na bënte përshtypje. Në pamjen e parë të jepte përshtypjen, sikur në bisedë me “Profetin “ dorëzohej lehtë, por kur biseda ndizej , ai tregonte nivelin e tij jo vetëm në fushën fetare, por në fushën e përgjithshme. Ulej afër Tatës në divan dhe të dy ndiznin bisedën. Ishte vështirë të kuptoje ata burra të mençur, por unë mundohesha t’i kuptoja. Papa Jorgua vinte në fshat se kishte në kujdestari dhe kishën e Shën Triadhës ku bënte rite fetare.

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Filipi ishte i veçantë, - filloi bisedën Thomai. - Nuk ishte i veçantë se ishte i ditur, por se atë dituri e vinte në jetë. Njerëzit kudo që shkonte e respektonin për diturinë që kishte. Ai dinte të fliste me çdo njeri. Njeriu kështu duhet të jetë…”
“Të them të drejtën, o xhaxha, - iu drejtua Jorgoja, Thomait. - Ai, kur vinte, se si më dukej, ma mbushte jetën, pale shtëpinë… Më thoshte: “Bir, sa më shumë fëmijë të kesh…”. Dhe porosia e tij është zbatuar. Fëmijët po më rriten djali Pirro dhe vajzat Urania, Argjiroja, Angjelina… Por , ajo që doja të të thoshja është se më pëlqente këmbëngulja e tij për librat. Dora e tij mbante gjithmonë libër…”
“Ajo ishte e veçanta e tij. Ai mbante Ungjillin në dorë, duke ua kënduar pasionantëve. Ishte emisar, i Dërguari i Dijes, për të propaganduar Dijen…” - shtoi Thomai.
“Kur vinte në Doshnicë, dilnim të dy së toku dhe nuk ngopeshim me njëri tjetrin. Duke kuvenduar ngado që rrotulloheshim, te libri ktheheshim. Si duket ai ishte i lidhur me librin me një najlon të padukshëm… Ne na arsimoi të dyve. Por edhe ne duhet ta bëjmë punën tonë… Më fal një minutë,…” - tha Totua dhe shkoi në dhomë. Andej pas pak u kthye me një libër të rëndë. Lexova ca shkronja si të arta Platon në gjuhën greke, të cilën e njihja nga që kisha filluar të arsimohesha në Dropull. Klasën e parë e fillova në Dropull, pikërisht në Sofratikë, ku babai im ishte mësues dhe kisha mësues Perikli Karajanin nga Dhuvjani.
“Është ai ?” - pyeti përgjysmë Tata.
“Po, Ai!…” - iu përgjigj po përgjysmë Totua.
“Cili Ai?”- pyeta unë guximshëm dhe kafshova paksa gjuhën për nxitimin që tregova, i shtyrë nga kureshtja.
“Bëre mirë që pyete, - m’u drejtua mua Tata. - Sidomos ty të duhen këto gjëra t’i dish…Të lutem, Jorgo, tregoje historinë se dhe unë duhet ta dëgjoj nga goja jote…” - përfundoi ligjiratën e shkurtër Tata.
Për herë të parë pashë në fytyrën e Priftit një mallëngjim, që sa vinte dhe shtonte hapësirën e tij shpirtërore. Pësoi një si mekje…Tata e ndieu, dhe sytë e tij dukej sikur më thoshnin: “Le të shprehet se çlirohet.” Kishte nevojë Papa Jorgoja të shprehej duke lotuar. Nuk e kisha parë ndonjëherë Priftin në atë gjendje depresionale… M’u dhimbs në shpirtin tim të vogël. Ai, pasi qëndroi disa caste, ashtu me fytyrën, që i tregonte dhimbje, tronditje, kujtesë dhe mallëngjim, e përmblodhi veten, fshiu lotët në të dy sytë, mori frymë thellë dhe i dha fytyrës së zeshkët një pamje burrërore.
“E sheh, xhaxha, që njeriu tronditet?”
“Tronditja për njerëzit është. E ç’kuptim kishte jeta pa tronditjen. Ajo është ilaç shpëtimi. Kemi nevojë, Jorgo, kemi nevojë. Sa më shumë që të tronditesh për babanë, aq më i fortë bëhesh dhe harresa nuk gjen fushë ku të shtrihet apo të kapë duart.”
“Këtë kërkoi në momentin e fundit, para se shpirti i tij të shkonte…” - m’u drejtua mua papa Jorgoja.
“Si e kërkoi? - pyeta unë dhe vijova të pyes: “Ç’donte të bënte me të? Ta lexonte?”
“Jo, ta merrte me vete, nën kokë. E kishte gjënë, ndoshta më të çmuar të tij. Platoni thotë…Platoni këtu na mëson…Le t’i referohemi Platonit. Platoni na mëson, na mënçuron… Platoni punon ende për shekujt që vinë…”
Prifti po vijonte fjalët e tij. Unë i kisha ngulur sytë te Platoni. “Do të jetë njeri i madh ky Platoni që babai i Priftit, Lipe Shabani i famshëm, nuk e hiqte nga dora?”… Atë ditë dhe gjithë natën përsërisja e përsërisja: ”Platoni, Platoni…” sa që gjyshja më tha: “Fli gjumë. Hiq dorë tani nga Platoni yt!…”
“Nuk është imi gjyshe, - i thashë.
“Po i kujt është në se s’është yti?” - më pyeti gjyshja ime e mençur që i ra në të për cilin Platon bëhej fjalë. “I zot Filipit?”
“Tatë Filipit ia vumë nën jastëk…” - m’u përgjigj gjyshja ime, Frosua.
“Ai mbante dy të tillë , - vazhdoi Prifti. Shih, se ç’shkruan këtu. Dhe lexoi greqisht: “Libri që më pëlqen më shumë dhe do ta marr me vete…” Ne nuk kuptonim se për çfarë bëhej fjalë. Dhe shikonim sa ikte dhe vinte libri ishte me babanë. As na shkonte ndër mend se një ditë ai do ta merrte vërtet me vete….”
Ky ishte Filip Shabani i madh, që mikun e tij më të ngushtë e mori me vete! Ai pushon me Platonin, nën një trëndafil te varrezat e Kishës së Shëntriadhës. Mermerit të bukur nuk i është ngritur ende mermeri. Padyshim koha ka ardhur për t’ia ngritur….

descriptionRe: 9."MË GJENI “BINJAKUN” NË HOROSKOPIN E DIJES"

more_horiz
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi