Fshat në lartësinë 750 m  i vendosur në rrjedhën e poshtme të lumit të Zagories, në anë e djathtë të tij. Është vendbanim i vjetër. Dëshmohet për herë të parë Manastiri i Shën Sotirit në shek. X. dhe Plesha në shek. XV. Përmendet në dokumentat osmane të vitit 1582 - 83 me 19 familje dhe 1826 me 50 shtëpi. Banorët e saj kanë tradita në luftë për liri, demokraci e përparim, ku veçohet në luftë kundër pushtimit osman Kapedani Kiço Vlashi. Në kishën e Shën  e Premtes, në vitet 20 të shek. XVIII, u organizua kuvendi, ku u lidh besa për të luftuar  kundër pushtuesit osman. Morën pjesë përfaqësues nga e gjithë Zagoria dhe fshatrat përreth. Gjatë pushtimit osman u islamizua një numër i vogël familjesh, të cilat më vonë u dëbuan në Leskaj dhe qysh atëherë lindi një konflikt, i cili vazhdoi gjatë. Banorët e Hoshtevës janë autoktonë, por gjatë sundimit osman (shek XVIII - XIX) kanë ardhur disa familje nga krahinat e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Labërisë dhe Sulit (Greqi). Hoshteva ka qenë  mbështetësja kryesore e Ali Pashë Tepelenës dhe e ka mbrojtur atë nga Kurt Pasha i Beratit dhe beu tepelenas, ndaj Aliu, në shenjë mirënjohje, ndërtoi shtëpinë e Kristananje dhe të Kostares, dy ura mbi përroin e Hosit, urën mbi lumin e Zagorisë dhe ndërmjetësoi në zgjidhjen e konfliktit kufitar me Malëshovën në dobi të tyre. Hoshtevjatët për mbrojtjen e malit nga synimet e feudalëve vendas kanë organizuar disa revolta dhe i kanë zgjidhur ato me forcën e armëve dhe të ligjit, qysh në fund të viteve 20 të shek. XX si ajo kundër Dervish Mekos. Hoshteva  ka pasur të ardhura të pakta dhe banorët kanë qenë të detyruar të emigrojnë në Greqi, Turqi, Egjypt në mesin e shekullit të XX. Në Bullgari, Rumani, Maqedoni, në fund të këtij shekulli dhe në Kanada, SHBA. Argjentinë dhe Francë në vitet 1900 -1940. Gjatë këtyre viteve kanë emigruar 30 familje dhe 140 vetë, nga të cilët 92  në  SHBA dhe Kanada, 28 në Turqi dhe të tjerët në Greqi dhe  Argjentinë. Emigracioni tërhoqi forcën e aftë për punë dhe dobësoi përkohësisht ekonominë e fshatit, por më pas rriti mirëqenien dhe  nivelin kulturor të popullsisë së fshatit. Mjaft prej emigrantëve zhvilluan veprimtari ardhetare, u anëtarësuan në Federatën “Vatra” dhe dërguan në vendlindje libra dhe abetare në gjuhën shqipe. U dalluan Gaçe Dhoqo, Lipe Kasapi, Stathi Suli, Ilia Andoni dhe Perikli Suli. Ndërsa për përhapjen  e arsimit  në gjuhën amtare ndihmuan Eftim Konomi, Cino Saqellari, Kolo Ndreu, Thanas Puleshi e Qiro Prifti, të cilët punuan edhe në krahina të tjera të vendit. Shkolla e parë shqipe u hap në vitin 1919 me 29 nxënës. Banorët e Hoshtevës kanë qenë shpesh herë pre e çetave kusare, që zinin kryesisht prita ndaj emigrantëve dhe i plaçkitnin. Këto banda vinin nga Malshova, Hormova, Picari, Golëmi, Progonati e tjerë. Më 1914 banorët e fshatit u përzunë nga popullsia myslimane e ardhur nga fshatrat e afërme, për rrjedhojë disa familje hoshteviate u strehuan në fshatrat greke pranë kufirit me Shqipërinë. Gjatë këtyre ndjekjeve gjeti vdekjen një banor i fshatit.
Hoshteva ka pasur 20 kisha. Gjatë viteve 1870 - 1940 kanë shërbyer në to 6 priftërinj, nga të cilët dhespoti Eftim Konomi. Në këto kisha kanë kryer shërbesa fetare Dhespotët: Pandelejmon Kotoko (1939) dhe Anastas Janullatos (2001). Banorët hoshteviatë janë të dalluar për ushtrimin e shumë zanateve. Ata kryenin punë sezonale kryesisht në viset jugore të vendit  dhe në Greqinë veriore. Gjithashtu hoshteviatët u dalluan  si blegtorë dhe kultivues të zotë të perimeve dhe të drithërave. Nga këta të fundit, sidomos në lumëra, merrnin dy prodhime në vit, (të lashtat në qershor dhe të vonat në tetor). Këto prodhime i favorizon klima e zonës me 2613 mm rreshje dhe 2600 orë me diell në vit. Hoshteva ka rreth 16 kronje e burime të vegjël, por me vështirësi i përballon nevojat e saj. Më 189 kishte 120 shtëpi, më 1927 -  467 banorë. Gjatë luftës italo - greke në Hoshtevë u vendos përkohësisht komanda e ushtrisë greke dhe pranë saj,  prej Dërrasës së Doshnicës deri në Shën Mitra kalonte vija e frontit. Banorët kanë marrë pjesë aktive në  Luftën ANAÇ në rreshtat partizane dhe komandën e vendit u inkuadruan 17 vetë.
Në muajin qershor dhe korrik të vitit 1942 u formua grupi edukativ dhe Këshilli ANÇ, në dhjetor njësiti gueril dhe në fillim të vitit 1943 u krijua organizata e rinisë dhe ajo e gruas antifashiste. Në këto organizata zhvilluan veprimtari Dhame, Mina Koçollari, Kiço Ndreu, Aleks Kostare, Sile Beqari, Harrillo Zike, Llazo Ndreu e tjerë.
Gjatë operacionit të dimrit (29 Janar)) u dogjën në Hoshtevë 57 shtëpi, ndërsa në atë të qershorit  (13. 06.1944) gjermanët qëndruan 24 orë. Gjatë operacionit banorët u  strehuan në pyllin e Dërmazit, Plagëza, Kospinec dhe në mal. Në vitet e luftës ANAÇL, përveç shkatërrimeve e dëmtimeve të shumta, pati dhe 4 viktima dhe një dëshmor:  Spiro Suli.
Pas çlirimit Hoshteva kishte 400 banorë. Më 22.04.1957 u krijua Kooperativa bujqësore, më 1959 u bashkua me Vithyqin dhe më 1960 me  Zhejin. Më 1967, gjatë lëvizjes për zhdukjen e paragjykimeve fetare, zakoneve prapanike dhe bazës materiale të fesë, që shpërthyen në  të gjithë vendin, u shkatërruan 3 kishat kryesore me vlera arkitektonike e artistike ajo e Shën Pjetrit, Shën Kollit dhe Shën  Sotirit dhe u kthyen në magazina të kooperativës.
Më 1969 u bë elektrifikimi dhe telefonizimi i fshatit. Gjithashtu gjatë këtij viti dhe u ngritën 12 vepra socialkulturore në shërbim të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe jetës shoqërore si: u ndërtua rruga automobilistike Konckë – Hoshtevë, u çel shkolla 8 - vjeçare, vatra e kulturës, kopështi i fëmijëve, ambulanca, furra e bukës, menca, lavanteria, dyqani, mulliri elektrik e tjerë.
Gjatë 50 vjetëve të shek. të kaluar nga Hoshteva kanë mbaruar arsimin e lartë rreth 200 vetë nga të cilët rreth 50 arsimtarë. Të burgosur politikë kanë qenë: Koli Kostare e Vasillaq  Dilogjika. Më 15.03.1992 pasuria e kooperativës u përfitua nga 400 anëtarët ekzistues. Gjatë këtij viti dhe atij pasardhës u prishën stallat dhe komplekset blegtorale, tufat edhive, u bastisën magazinat e tjera.
Në Hoshtevë sot banojnë 25 familje, prej tyre 10  me 1 - 2 banorë. Ndërsa në të gjithë Globin tokësor banojnë 400 familje nga të cilat 123 në Tiranë, 23 në Gjirokastër, 20 në Përmet, 92 në Greqi, 19 në SHBA e tjerë. Mjaft prej hoshtevjatëve, duke filluar nga viti 1992, organizojnë  çdo 15 gusht takimin në vendlindjen e tyre. Duhet evidentuar se është  botuar historiku i fshatit me titullin “Hoshteva dhe Hoshteviatët” i autorëve Llukan Saqellari dhe Milo Kristani. Një kontribut të madh  në periudhën e plurimendimit ka dhënë  dhe jep për botimin e librave të autorëve zagoritë poeti dhe studiuesi Spiro Dede n ë Shtëpinë e tij botuese “Albin” Tiranë.
 
Plesha
Vendbanim i vjetër pranë Hoshtevës, rreth 1km në JL të saj. Përmendet për herë të parë në shek XI një manastir i madh, ngritur në Pleshë. Në shek e XV ishte qendra më  e madhe e banuar në krahinën e Zagorisë. Në regjistrimet osmane të viteve 1431 - 1432 ajo kishte 49 familje dhe më 1582 - 78 shtëpi. Gjatë viteve ‘40- ‘60 të shek XVIII pushtuesit osmanë mundën të islamizojnë në Pleshë një numër të vogël banorësh, të cilët u dëbuan  më pas në Malshovë. U shkatërrua si fshat në gjysmën e dytë të këtij shekulli dhe popullsia u vendos kryesisht në Hoshtevë, Greqi dhe Itali.
Ujërat e pijshëm
Hoshtevë: Çezma e madhe (Lipemenja), Cekbite te baxhua, Pusi i Kalloit, Gurra e rrënuar, Burimi, Përrua 1, burimi  2.
Material ilustrues
Lëvizjet e hershme demografike të zagoritëve
Nga arkivi
Skicuar sipas tregimit të Ing. Mitro Durit
Doktor Plesha
Mitro Puleshi nga Hoshteva kishte dëgjuar se një doktor italian me famë, kishte një mbiemër të çuditshëm: Plesha. Mbiemri i doktorit përkonte me Pleshën e tij, ndaj vendosi të shkonte të “vizitohej” te Doktori. Midis tyre u zhvillua ky dialog:
Mitrua: - Doktor mirë se u gjeta!
Plesha: - Mirë se erdhët! Fol shqip se shqipen e flasim mirë. Ç’nevojë kishit?
Mitrua:  - Unë kam nevojë të vizitohem, por dhe do t’ju pyes në rast se ka mundësi?
Plesha: - Flisni po ju dëgjoj… Dhe priste përgjigjen e tjetrit.
Mitrua:  - Pse mbiemri juaj është Plesha? Ju jeni italian.
Tjetri, pasi e dëgjoi pyetjen, u ul. I tregoi dhe Mitros vendin se ku duhej të ulej. Pastaj vazhdoi: “Unë jam kalabrez, ndaj di të flas mirë shqip. Ne jemi të vajtur në Kalabri, pas vdekjes së Skenderbeut. Origjina ime është nga  një fshat i Gjirokastrës që quhet Hoshtevë. Ne kemi lexuar historikun tonë, i cili është përcjellë brez pas brezi. Është burimi i Pleshës, pastaj kisha e Shën Thanasit, një shesh dhe kisha e Shën Sotirit…”.
Doktor Plesha i tregonte gjërat ashtu siç ishin, sikur të kishte ikur dje nga Plesha. Ai filloi të tregojë shumë gjëra. Mitrua u emocionua dheu befasua. Doktori kishte gjak zagorit si gjaku i tij. Pastaj u ngrit në këmbë dhe e përqafoi, duke e ftuar bashkëfshatarin në Pleshë.
 
Hoshtevë- Vithyq: Stavri Nasi, Themo Ndreu, P. Prifti, Ll. Ndreu, A. Ndreko, M. Marka (Adhami), L. Zike e vajza e tij, J. Saqellari, A.  Suli, F. Suli (Ndreu), A. Ndreu, Th. Puleshi, V. Puleshi, motrat Hila, vëllezërit dhe motrat Mboqe, motrat Penelli, K. Puleshi, J. Puleshi, J. Ndreu, E. Ndreu, Th. Ndreko, A. Mboqe (Konini), V. Qirollari, P. Qirollari, P. Dede, P. Hila, A. Puleshi, motrat Prifti, vëllezërit Duri.