"KUR LIGJËRONTE PROFESOR SHEFQET PLLANA…"
(1930-1994)
nga Dr. Bexhet Asani

Hap siparin e njohjes

Ishte vjeshtë e dytë e vitit 1977, kur u ula në bankat e Universitetit të Prishtinës. Atë botë, Universiteti i vetëm për shqiptarët e ish Jugosllavisë. Universiteti, relativisht, i ri, por me një kuadër të përgatitur mirë që ua kishin lakminë edhe Universitetet tjerë, në ish Jugosllavi. Dalë nga dalë fillova të njihesha me të gjithë profesorët, të cilët jepnin mësim, në katër vitet e fakultetit. Në Katedrën e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe ligjëronin këta pishtarë: dr. Shefqet Pllana, dr. Latif Berisha, dr. Gani Luboteni, prof. Hasan Mekuli, dr. Isak Shema, dr. Agim Vinca, dr. Isa Bajçinca, dr. Enver Mehmeti, dr. Agim Deva, prof. Murat Blaku, dr. Mahmud Hysa etj. I përmenda këto emra të ndritur, në shenjë respekti për punën e tyre të palodhshme, të cilët punuan e vepruan në një kohë pa kohë. Ata ishin hal në sy të autoriteteve të kohës… Universiteti i Prishtinës llogaritej nga pushteti serbo-jugosllav çerdhe e nacionalizmit, irredentizmit dhe separatizmit shqiptar…
Midis këtyre martirëve të arsimit, unë njoha prof. Shefqet Pllanën, një mesoburrë me flokë të bardhë si dëbora, i afërt e i dashur me të gjithë. Pedant në veshje, pedant në punë, pedant në sjellje. Komunikativ. Me njohuri të jashtëzakonshme. Enciklopedist. Zakonisht ligjëratat i mbante te amfiteatri i Fakultetit Filozofik atëherë, më vonë Fakulteti Filologjik. Amfiteatri mbushej plot me studentë. Herë-herë s’ kishte vend, ku të uleshim dhe qëndronim, për dy orë rresht, në këmbë. Orët e para nuk e kuptoja dot, pse gjithë ata njerëz në amfiteatër!... Më duhej të shkoja, mbi 30-40 minuta më herët, për të siguruar vendin. Kështu gjatë pritjes, në bisedë të lirë njiheshim me pjesëmarrësit në ligjëratë. Rezultoi se, kur mbante mësim ai, jo vetëm që vinin studentë nga Fakultetet tjerë, por vinin edhe qytetarë, kur ligjëronte prof. Shefqet Pllana.
Një ditë, aq shumë u mbush amfiteatri, saqë nga bisedat e pjesëmarrësve, pothuaj nuk dëgjohej zëri i profesor Shefqetit; ishte e pamundur të mbahej qetësi, gjë që s’ kishte bërë vaki herëve tjera. Ua tërhoqi nja dy herë vërejtjen, por aha, asgjë nga vërejtja…, zhurma vazhdonte, si në kafene..!
Nuk pashë që profesori të nervozohej, siç ndodhte zakonisht me pedagogët e tjerë. Dalëngadalë dryshoi ligjëratën. Kaloi te këngët kreshnike…, sesi i afrohej gjarpri heroit kreshnik… Zhurma u ndërpre. Miza të kalonte, dëgjohej. Ne shtrëngoheshim për karrigeve, pas asaj skene të tmerrshme që na tregonte. Kur qetësia arriti kulmin, për një çast u ndal dhe na u drejtua:
“ Hë, flisni tani!?”
Nuk pipëtinte njeri. Na kishte hipnotizuar me ligjëratën e tij. Dëgjohej vetëm zëri i profesorit. Befas, i dha një të qeshur, me efektin që kishte arritur të na hipnotizonte. Si sot e parafytyroj figurën dhe të qeshurit e tij karakteristik.
Rifilloi ligjëratën. Dalëngadalë kaloi te këngët humoristike. E bëri me qëllim që të na largonte hipnozën! Një skenë tepër humoristike. Ne ia dhamë gazit. Shpërthyen të qeshurat.
“Tani qeshni! Pse s’ qeshët qëparë…?!” – na u drejtua. Ajo ishte dita e parë dhe e fundit, pëshpëritje nuk u përsëritën më në amfiteatër, gjatë ligjëratave të të madhit Shefqet Pllana.
*
Këngët popullore arbëreshe për Skënderbeun
Profesor Shefqeti fliste me një dashuri të jashtëzakonshme, kur ligjëronte për këngët e Skënderbeut që i kishte shënuar Jeronim de Rada ynë i madh. Dy orë i bënte analizë të shkëlqyer këngëve për Skënderbeun.
Viti 2018 është vit jubilar i 550 vjetorit të shkuarjes në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Hajde, dhe mos i kujtoj rrëfimet e profesor Shefqetit! Ai fliste me aq dashuri për bëmat dhe heroizmat e Skënderbeut. Kishte bërë studime e studime për kryeheroin e shqiptarizmit.
“Shkuam në Stamboll, – ia niste ai, – atje vizituam mjaft monumente kulturore e historike. Midis tjerash vizituam dhe një xhami të vjetër. Ciceroni fliste për një llambadar prej ari, e që ishte i vetmi në tërë Turqinë, i cili ishte varur në mes të kubes së xhamisë dhe natën shëndriste nga rrezet e hënës. Atë llambadar e ruanin ditë natë. Ciceroni krenohej me të.
 – Më falni, sa llambadarë keni si ky? – e pyeta në turqisht.
 Profesori e njihte shumë mirë turqishten dhe disa gjuhë të tjera si: gjermanishten, italishten, rusishten, kroatishten, serbishten, bullgarishten dhe maqedonishten.
 Ciceroni,  përsëri u përgjigj: “ Vetëm një kemi, është unik”.
“ Ne shqiptarët kemi nëntë, si ky”.
I zgurdulloi sytë ciceroni”
 “Si është e mundur një popull, aq i vogël, t’ i ketë nëntë llambadarë të tillë?!
“Po. Po. Ne shqiptarët i kemi nëntë këngë për Skënderbeun”.
 Krenohej me Skënderbeun dhe qeshte me shpirt.
Në kryeqytetin e Malit të Zi, në Titograd, sot Podgoricë, mbahej një simpozium shkencor. Në atë simpozium shkencor merrte pjesë edhe Kryetari i Folkloristëve të Jugosllavisë, Prof. dr. Shefqet Pllana me kumtesën: “Skënderbeu në këngët popullore shqiptare”.
“ Flisja për luftërat e kryeheroit dhe kryelegjendarit tone, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Një luftë e pabarabartë me një superfuqi ushtarake të kohës, për 25 vjet me radhë. Mbreti ynë i lavdishëm, Skënderbeu, mbrojti tokat arbërore. Një plak malazias, mustaqet gjer te veshët, i kishte hapur jo vetëm sy e veshë, por edhe gojën dhe dëgjonte me vëmendje për luftërat e Skënderbeut. I ngazëllyer nga luftërat heroike të Skënderbeut, nuk mundi të duronte, gjer në fund të kumtesës dhe pyeti:
“Jeli taj nash Skanderbeg!?” ( A është ai Skënderbeu jonë?)
– Jo. Ky është Skënderbeu jonë. Tani do t’ iu flas edhe për Skënderbeun tuaj. Skënderbeu juaj ka qenë nipi i këtij Skënderbeut tonë. Përderisa Skënderbu ynë vdiq nga plagët që kishte marrë nëpër betejat e shumta, Skënderbeu juaj ka vdekur në harem….!
“Ky qenka Skënderbeu ynë?!..!”
“Iku plaku me mustaqet gjer te veshët i demoralizuar dhe nuk e pashë më në seancat e simpoziumit.”
*
Nusja arbëreshe
Arbëreshët, veshjet arbëreshe dhe këngët arbëreshe, profesor Shefqeti i kishte pikë të dobët. Fliste për ta, jo vetëm në ligjërata, por edhe në biseda të lira me studentë e me shokë edhe duke pirë kafe. Ai ishte një orator i shkëlqyer. Universiteti i Prishtinës, nën ndikimin e Univeriteteve tjerë në Jugosllavi, sidomos Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë shqipe, organizonte dhe organizon sot e kësaj dite Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës shqiptare. Vinin studiues dhe studentë nga mbarë bota. Prishtina ishte bërë një qendër e rëndësishme për Shkencat Albanologjike. Në Seminar, i cili organizohej nga 15 gushti gjer më 31 gusht, vinin dhe shumë arbëreshë si: Kate Xukaro, Atë Antonio Belushi, Prof. Altimari e shumë të tjerë. Të rejat e të rinjtë ndiqnin kursin e gjuhës shqipe, kurse studiuesit mbanin simpoziumin shkencor, në të cilin simpozium prof. Shefqeti çdo vit merrte pjesë me kumtesë. Pra veç studimeve që bënte, ai ishte në kontakt të vazhdueshëm me zakonet dhe kulturën e arbëreshëve të Klabrisë dhe të Sicilisë, pastaj edhe me arbëreshët e Zarës së Kroacisë.
Profesor Shefqeti kishte vizituar disa herë arbëreshët në Kalabri dhe në Sicili, krahinat jugore të Italisë. Kur ligjëronte për këngët popullore, adetet dhe zakonet arbëreshe ndjente krenari, shpirti dhe fytyra i qeshte. Kuvendonte me pasion.
“ Ndonjë djalë kalabrez apo italian, nëse dashurohet në një vajzë arbëreshe, ajo e kushtëzon djalin: nëse pranon që në shtëpinë tonë të flitet arbërisht, mbi vatrën tonë ta kemi Skënderbegun, të ruhet veshja, të ruhen adetet dhe zakonet arbëreshe, atëherë ne të dy mund të martohemi!... Në qoftë se djali italian i pranonte këto kushte, atëherë kur do të shkonin në kishë, para priftit, që të kurorëzoheshin, vajza arbëreshe do të vishte fustanin e kuq të nusërisë. Shenjë kjo se arbëreshja, atje ku do të shkonte nuse, do të ruhej dhe do të flitej arbërishtja, gjuha e Skënderbeut. Në qoftë se arbëreshen e shihnin në kishë me fustanin e bardhë të nusërisë, ogur i keq ky, se ajo do të dorëzohej dhe nuk do ta ruante veshjen, zakonet dhe arbërishten gjuhën e Skënderbeut”.
*
Shqiptarët s’ kanë nevojë për Katedrën e Gjermanishtes! …
Në seminarin e Gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, siç u tha edhe më lart, vinin studiues nga mbarë bota. Numri i tyre shkonte dhe gjer më dyqind pjesëmarrës. Universiteti i Prishtinës, vitet shtatëdhjetë kishte Katedrën e Frëngjishtes, Katedrën e Anglishtes, Katedrën e Rusishtes dhe Katedrën e Serbishtes. Nuk ekzistonte Katedra e Gjermanishtes. Njërit prej studiuesve gjermanë, pjesëmarrës në seminar, kjo gjë i kishte rënë në sy. I drejtohet profesorit:
“ Profesor Shefqeti, Universiteti i Prishtinës i ka disa disa katedra të gjuhëve të huaja, a mund të më thoni, pse nuk e ka Katedrën e Gjermanishtes?”
“ Ne nuk kemi nevojë për katedrën e Gjermanishtes!”
“ Pse nuk keni nevojë?” – e mori këtë punën e katedrës me seriozitetin më të madh gjermani.
“ Shqiptarët e dinë gjermanishten”.
“ Kështu, si ju, e dinë gjermanishten?”
“ Edhe më mirë!"
“ Si ka mundësi që populli shqiptar ta dijë gjuhën gjermane!? – shfaqi dyshimin profesori gjerman.
“ Doni ta vërtetoni këtë?”
”Po”.
“ Hajdeni me mua”.
 dolëm nga Fakulteti. U afruam te rruga. Atëherë, te rruga para Fakultetit, kalonin qerre me kuaj, ende nuk ishte e ndaluar si sot. Pashë një plak me qerre kali.
 – O mixhë, a po ndalesh pak?
 Plaku e ndaloi kalin.
“Çoje kalin prapë?”
“ Currik..! Currik! Currik!” – i bërtiste kalit plaku. Kali e çonte qerren prapë.  Iu falënderova plakut dhe ai iku.
“ Hë! E shihni? Prandaj neve s’ kemi nevojë për Katedrën e Gjermanishtes..!”   
Studiuesi gjerman, hapi fletoren e shënimeve dhe filloi të shkruaj.
 Qeshte me shpirt profesor Shefqeti, kur tregonte këtë ngjarje. Ai pohonte se fjala “currik” te shqiptarët ka hyrë që në Luftën e Parë Botërore. Fshatarët shqiptarë, kryesisht ishin bujq. Kur dëgjonin ushtarët gjermanë që u thoshin kuajve të tyre të stërvitur “currik!”, mendonin se po t’ u thoshin edhe ata kuajve të tyre “currik”, besonin se më mirë do të shkonin prapë kuajt!…
Sot e kësaj dite, ne shqiptarët kur e urdhërojmë kalin ta shtyjë qerren për prapë i themi “currik”!
*
Nuk jeni të vetëdijshëm, se ç’ njeri të madh keni!...
Ishte viti 1989, viti i ngujimit të minatorëve të Trepçës. Atë kohë, që nga viti 1996, bëja punën (pa para) e gazetarit në “Rilindje” të Prishtinës. I lodhur ekonomikisht, i dërmuar shpirtërisht. Më lindi ideja që ta hapja Katedrën e Gjuhës shqipe, në Universitetin e Lubjanës në Slloveni. Atë kohë, u botua Fjalori shqip-sllovenisht, me autor France Novshak, redaktor i të cilit ishte poligloti Janko Moder. Njohës i 15 gjuhëve botërore dhe përkthyes i shkëlqyer i veprave të Shekspirit në gjuhën sllovene. I dekoruar disa herë, për punën e tij të palodhshme, me çmimet më të larta të shtetit slloven. Profesor Janko Moderit i pëlqeu pa masë ideja ime. Pas disa telefonatash, një ditë qershori të vitit 1989, vendosa të shkoja në Lubjanë. Udhëtimi me tren nuk ishte dhe aq shtrenjtë, por ushqimi dhe e fjetura në hotel! Ç’ të bëja?! E kisha mik pastorin e kishës së parë protestante në Prishtinë, Anton Krasniqin. Shihja se tek ai dhe te kisha e tij vinin të huaj, pothuaj nga mbarë bota. Antoni më tregonte se disa nga kishat protestante kishin dhoma për miqtë. I thashë, në kishte mundësi që të bisedonte me pastorin e kishës protestante në Lubjanë, të qëndroja atje për një natë apo maksimumi për dy netë! Antoni më premtoi se do të bisedonte me priftin kolegun e tij në mbrëmje dhe të nesërmen do të më lajmëronte. Të nesërmen, u takova me Antonin. Pa u përshëndetur, më tha: “ Mund të shkosh, kur të duash dhe të rrish, sa të duash!”
 M’ u duk një lajm, sa i papritur, po aq befasues. Nuk dija për momentin ç’ të bëja: Ta falënderoja apo ta pyesja edhe njëherë, në ishte e vërtetë kjo që thoshte?! Ai e kuptoi shqetësimin tim dhe e pohoi edhe njëherë mendimin e tij. “Faleminderit, Anton! Do të nisem nesër”. Më dha adresën dhe numrin e telefonit të pastorit slloven. Në mëngjes herët, i hipa trenit nga Fushë Kosova për në Lubjanë. Atje mbërrita në orën pesë pas dreke.
Pastori më priste te stacioni i trenit me veturën “Reno”. Nga stacioni gjer te shtëpia e tij nuk ishte larg. Mbërritëm në shtëpi. Unë prisja që të shkonim në kishë që të lija në dhomë teshat dhe të pushoja. Zonja e shtëpisë shtroi darkën, mbushi tryezën me lloj-lloj gjellërash. Aty pashë për herë të parë makarona me ngjyrë, një specilalitet me mish të grirë, njëlloj siç i përgatitnin edhe nënat tona. Një mikpritje e papërshkruar, një mikpritje madhështore. Një mikpritje që s’ do ta harroj kurrë! Ne kishim dëgjuar se sllovenët janë të ftohtë! Nuk janë aq mikpritës! Po kishim pasur mendim të gabuar për popullin slloven.
Antoni, si duket i kishte treguar se unë isha mysliman apo pastori slloven kishte ardhur në përfundim në bazë të emrit tim, këtë s’e kuptova kurrë. Në mënyrë tepër të kulturuar, prifti m’u drejtua:
“ Ju do të rrini këtu, ja ku e keni televizorin dhe gjithçka që ju duhet, ta ndjeni veten, si në shtëpinë tuaj, ne do të shkojmë në kishë, të falemi”.
- Ku e keni kishën?
- Ja këtu poshtë, në bodrum.
- A mund të vi edhe unë?
- Po, mundeni.
 I erdhi mirë priftit, ky gjesti im. Kushedi se ç’ ka menduar: “Një mysliman në kishë..!?” Hymë në falëtore. Atje, ku predikonte pastori, pashë disa instrumente muzikore. I ngjante një skene të vogël. I hedh një sy mureve, nuk pashë, as kryqe, as ikona.
Filluan të vinin besimtarët një nga një. Nuk më kujtohet, sesa besimtarë kishte saktësisht, mbase nja 10 apo 20! Më prezentoi para besimtarëve të tij. Pastori kishte familje muzikantësh. Të gjithë anëtarët e familjes i binin nga një instrumenti. U sollën në mënyrë shumë të kulturuar me mua. Ata besonin në mrekulli. Dy gra, më të moshuara, m’ u afruan dhe, derisa filloi mesha, ato bisedonin me mua dhe ishin të interesuara për gjithçka. Sidomos për situatën në Kosovë. Pasi përfundoi mesha, njëra nga ato zonja, si u përshëndetëm më futi në xhep nja dy zhetonë, ato zëvendësonin biletat, me to mund të udhëtohej me autobusët urbanë.
Të nesërmen u ngritëm herët, pastori dhe e shoqja duhej të shkonin në punë. Më luti të rrija në shtëpi, sepse ende ishte herët për takimet që kisha. E falënderova priftin dhe bashkëshorten e tij përzemërsisht dhe u nisa me ta. Ata bënë që unë përgjithmonë të ndryshoja mendjen dhe t’ i bindja edhe të tjerët që kishin mendime se sllovenët ishin gjakftohtë. Sllovenët ishin dhe janë mikpritës si shqiptarët.
Takimin e parë e kisha më ora 8.00, me drejtorin e Institutit të Etnologjisë sllovene, Prof. dr. Julijan Strajnar. Me profesorin e nderuar, për një kohë bashkëpunuam në fushë të etnomuzikologjisë. Për këtë më gjerësisht te libri “Studime letrare” f. 259, 260 (B.A. 2015).
Atëherë nëpunësit fillonin më ora 7.00 dhe përfundonin më ora 15.00. Unë isha 20 minuta para kohe dhe prisja në corridor, ulur te një karrige. Drejtori doli nga zyra e tij 15 minuta më 8.00,  si duket, kishte ndonjë punë me kolegët e tij. Kur më pa mua në korridor, desh u çmend:
“ Ç’ prisni këtu!? Pse s’ hyni brenda?!”
“ Ne e lame takimin më ora 8, prandaj pres kohën e caktuar!..”.
“ Studenti i profesor Shefqet Pllanës të presë para zyrës sime!?”
 Në korridor nuk foli, u hutua fare. Më kapi për krahu dhe, si shqiponja, më futi në zyrën e tij. Si shkëmbyem disa fjalë, kërkoi falje që do të më linte ta prisja për nja gjysmë ore. U kishte dalë një mbledhje e paplanifikuar.
“ Që të mos mërziteni çfarë muzike doni të dëgjoni?
 Meqë unë i njihja shumë mirë sllovenët dhe kulturën sllovene i them:
“ Lëshoni atëherë një muzikë të sllovenëve që jetojnë në Austri”.
“ Ja, menjëherë.”
 E lëshoi muzikën dhe doli nga zyra. Unë u kënaqa. Pas gjysmë ore, erdhi pa frymë.
“ A u mërzitët?”
“ E ku të mërzitem me këtë muzikë, i nderuar profesor! Këto këngë janë aq të ngjashme me këngët polifonike labe, saqë nuk dallohen fare në janë sllovene apo shqiptare”.
“ Po janë këngë arkaike”.
 Dhe e mbylli me kaq. Biseduam gjerë e gjatë për bashkëpunimin tonë. Nuk rrinte dot pa folur për profesor Shefqet Pllanën. Tërë atë bisedë të gjatë e përmbylli me këtë fjali:
“ Ju shqiptarët, nuk jeni të vetëdijshëm, se ç’ njeri të madh keni atje!”
M’ u bë zemra mal. Kur dëgjoja një njeri aq të madh, siç ishte Julijan Strajnar, të mbante një fjalim panegjerik për profesorin tonë me famë botërore, Shefqet Pllanën.
Në ora 11.00, të po asaj dite, kisha takim me poliglotin Janko Moder. Meqë kisha kohë, fillova të ecja ngadalë bregut të Lumit Lubjanka. Gjatë ecjes kisha menduar disa herë që t’ i hidhja në lumë ato dy zhetonë që m’ i kishin dhënë ato zonjat e nderuara sllovene, në meshën e mbrëmjes, në kishën protestante. Ato zhetonë i mbaja për kot, sepse nuk më “hynin” dot në punë…! Po kisha ecur aq shumë, gjer më 11 e 45, saqë unë nuk e realizoja dot takimin me redaktorin e fjalorit Sllovenisht-Shqip, zotin Janko Moder. Si u afrua koha e takimit e pyes një kalimtar:
“ Ju lutem, ku gjendet kjo adresë?”
“ Jeni shumë larg!...”
“ Sa?”
“ Një orë”.
 Filluan të më dilnin djersët nga i keqi që do të më dështonte takimi!… Kur pa shqetësimin tim, slloveni tha:
“ Mund të shkoni me autobusin urban”.
“ Ku? Si?”
“ Ja, dilni matanë rrugës. Autobusi nr…. Do t’ u çoj gjer te dera”.
 S’ dita, sesi ta falënderoja atë njeri të mirë. Ika me të vrapuar. Nuk kaloi as edhe një minutë, ia mbërriti autobusi me numrin që më duhej mua. Hyra me vrap. E shfrytëzova zhetonin e asaj besimtares protestante sllovene, të cilin doja ta hidhja në lumë.
Në katin e dhjetë të rrokaqiellit, më priste i madhi Janko Moder. Një takim i përzemërt, tepër miqësor, tepër altruist. Në apartamentin e tij, s’ kishte vend, ku të uleshim, ai kishte me mijëra e mijëra libra. U ulëm mbi disa libra, në vend të karrigeve. Folëm gjatë për situatën në Kosovë. Po biseda edhe më e gjatë ishte për autorin e fjalorit Sllovenisht – Shqip, z. France Novshak. Punën e Katedrës së Gjuhës shqipe e mbyllëm menjëherë. Përgjigjja e Janko Moderit ishte kjo:
“ Këtë problem do ta ngre në Rektoratin e Universitetit të Lubjanës dhe, po qe nevoja, edhe në Qeveri!...”.
Nuk shkoi as dy – tre muaj, Profesor Janko Moderi më telefonoi:
“ Vendimi për hapjen e Katedrës së Gjuhës shqipe u mor. Konkursi del këto ditë. Përgatitni dokumentet!...”.
Gëzimi im qe i papërshkruar që ia kisha arritur qëllimit. Po ai gëzim nuk zgjati shumë. Përsëri në telefon redaktori i Fjalorit sllovenisht – shqip. z. Janko Moder:
“ Profesor Bexhet, në konkurs ishte paraqitur Rexhep Ismajli, ai paska ndjekur një kurs në Paris, prandaj dhe u përcaktua për atë!..”
 E falënderova Profesor Janko Moderit për angazhimin e tij. Profesori, në fjalë, punonte në Katedrën e Gjuhës shqipe në Prishtinë. E dija se ai nuk do ta linte Prishtinën për Lubjanën. Si u mbyll konkursi, i shkova Rexhep Ismajlit në Fakultet.
“ Profesor, ju jeni pranuar në Katedrën – Lektoratin e Gjuhës shqipe në Lubjanë, do të shkoni?”
“ Do të shkoj, në qoftë se do të më largojnë nga puna!...”
 Ndodhi që Rexhep Ismajlin nuk e larguan serbët apo LKJ-ja, Lidhja Komuniste e Jugosllavisë, nga puna. Dhe Katedra – Lektorati i Gjuhës shqipe në Lubjanë të Sllovenisë, i mbylli sytë pa i çelur!…
Mirënjohje për miqtë e mi sllovenë, z. Janko Moder, z. Julijan Strajnar, Ju Pastor që ua kam harruar emrin si dhe për familjen tuaj të mrekullueshme.
*
Do të vij në Tiranë por dije se s’ ke për të mbaruar punë..!
Më 1989, Universiteti i Prishtinës, shkollat e mesme dhe shkollat fillore, u mbyllën dhunshëm nga Qeveria e Serbisë dhe Qeveria e Jugosllavisë. Arsimi, nën udhëheqjen e Sindikatës dhe të gjitha institucionet e Kosovës, dolën komplet nga sistemi. Mësimi mbahej nëpër shtëpi, gjer më 1999, me çlirimin e Kosovës. Gjenerata ime e Shkallës së tretë kishim dhënë provimet dhe i kishim marrë temat e magjistraturës si dhe ishin caktuar Mentorët tanë. Unë pata nderin që për Mentor të kisha Prof. dr. Shefqet Pllanën. Në ish Jugosllavi, kudo, vinte erë lufte! Puna e mbrojtjes së temës së magjistraturës sime u zgjat si tepër… Sikur edhe të magjistroja në Kosovë, diploma nuk njihej në Maqedoni, aty ku jetoja unë. Si u hapën kufijtë e shtetit amë Shqipërisë, lindi një fije shprese për mua dhe për të gjithë. Aty nga viti 1992, shkova në Prishtinë për ta takuar Prof. Shefqetin. E takova dhe, pas përshëndetjeve të zakonshme, i thashë:
“ Profesor, ju e shihni se këtu nuk ka shenja për përmirësimin e situatës. Meqë u hapën kufijtë e Shqipërisë, dua të regjistrohem në Universitetin e Tiranës, dua që, edhe atje, të jeni ju Mentori im. A jeni dakord të vini ju në Tiranë?” Pasi dëgjoi me vëmendje m’ u përgjigj:
“ Po, Bexhet. Me gjithë qejf do të vij, por dije se s’ ke për të mbaruar punë!”
U bëra me fletë, si mora miratimin e tij. Jo më vonë, të nesërmen, u nisa për në Tiranë. Për në Tiranën tonë, Tiranën e partisë, që i kishim kënduar aq shumë!… Por, vazhdimisht, më ndiqte nga pas zëri i tij me pjesën e dytë të fjalisë: “… dije se s’ ke për të mbaruar punë!”
Kërkova “Institutin e Kulturës Popullore” që, për ne të gjitha institucionet, ishin të shenjta. E shenjtë ishte gjithë Shqipëria. Hyra brenda. Si i sqarova se për çka kisha shkuar, më thanë të takoja Agron Xhagollin. E takova e sqarova për gjithçka. Më tha që të kompletoja “dokumentet e nevojshme!” Përmendi dhe Currikulumin-CV ! Që ne në Prishtinë nuk e përdornim këtë term. Unë u ngazëlleva nga “mikpritja”...! Aty qëlloi edhe një studiues i moshuar, ishte para pensionit. Kur dëgjoi emrin e profesor Shefqet Pllanës, u ndal me mua dhe dolëm bashkë me të.
“ E kam mik të madh Shefqetin. E kam mik shtëpie”.
 Pa një pa dy, më rrëmbeu për krahu: “  Do të vish te unë në pallat! Ti je student i Shefqet Pllanës, do të vish, patjetër!”
 Dhe u nisëm. Më prezentoi me bashkëshorten e tij dhe me vajzën e tyre të mrekullueshme, Lela. Shoqja e profesor Mustafa Gërcaliut, një zonjë e rëndë dhe një nikoqire e shkëlqyer. Me origjinë ishte nga Korça, nga djepi i kulturës shqiptare. M’ u bë një mikpritje madhështore. Prof. Mustafa Gërcaliu qe jetëshkurtër. Më vjen keq që kjo familje e mrekullueshme kurrë nuk ma ktheu vizitën. Ishalla, Lela Gërcaliu dhe e motra e saj që nuk ia kujtoj emrin, e lexojnë këtë shkrim të shkurtër dhe me familjet e tyre do të rivëmë lidhjet tona vëllazërore.
Shkova në Tiranën tonë të dashur edhe nja dy – tre here!... Hyja dilja në Institutin e Kulturës Popullore, Agronit, ende nuk i kishte ikur lepuri nga barku i socializmit!...  (kupto frika), Filloi të më përmendte ligje… Ky ligj, ai ligj…! Herëve të tjera fshihej, nuk më dilte para. Shkurt s’ bëra asgjë!... Më doli fjala e të madhit Shefqet Pllana:
“ …dije se s’ ke për të mbaruar punë!”
Profesor Shefqet Pllana ishte vizionar.
*
Ju do të ikni…
Sa herë që shkoja në Prishtinë ishte e pamundur të mos takoheshim me profesor Shefqet Pllanën. Uleshim, zakonisht, te “Bufeja” e Fakultetit ose te: “Tre sheshirët”, përballë Radio Prishtinës. Biseda vazhdonte me orë të tëra. Ai ishte një enciklopedi. Duhet të ishte viti 1992 apo 1993, kur e takova për herë të fundit profesorin tim të nderuar, Shefqet Pllanën. Asnjëherë nuk e kisha parë në atë gjendje! Po duhet pranuar se nuk e kuptonte dot njeri atë edhe kur ishte i mërzitur. Gjithmonë kishte një natyrë të zhdërvjelltë që të bënte për vete. Kam përshtypjen se këngët polifonike labe i kishte pikë të dobët. Kishim humbur, biseda kishte arritur kulmin. Tanimë, ishte i papunë. Masat e dhunshme të regjimit serb kishin hedhur në rrugë të madhe, jo vetëm punëtorët, por edhe intelektualët në mbarë Kosovën. Përmendi dekanin e dhunshëm të Fakultetit Filozofik. Aty e kuptova se ai ishte i shqetësuar pa masë por krenar:
“ Më thirri dekani serb, - ia tha edhe emrin, - të shkoja e ta vizitoja në Fakultet.
I thashë: - Faleminderit për ftesën!... Dëgjo, koleg: “Ju keni uzurpuar dhunshëm Institucionet tona. Së shpejti, ne do të jemi zotër te Istitucioneve tona dhe Shtetit tone, Kosovës. Ju do të ikni të turpëruar”.
Ne na shkuan të ngjethura. Ishte kulmi i terrorit serb në Kosovë.
Më 1994, profesor Shefqet Pllana shkoi në amshim, duke i lënë trashëgim kalasë së kulturës shqiptare dhe asaj botërore me dhjetëra vëllime në dorëshkrim. Fakulteti Filologjik e pa të udhës këtij gjigandi të folklorit dhe të etnomuzikologjisë shqiptare t’ i botojë vetëm një vepër shkencore dhe kaq!