DR. BEXHET ASANI QAU ME LOT, KUR TË TJERËT S’ KISHIN HABER, SE KU GJENDEJ SHTËPIA E LINDJES SË ALFABETIT!?..
Nuk e kam të qartë edhe vetë sesi ndodhi që, rastësisht, të lexoja me vëmendje të madhe reportazhin me titull: “ Pashë me sy e qava me zemër” të prof. Bexhet Asanit, të botuar në “Flaka e vëllazërimit”, më 1990. “Flaka…”, atë kohë, ishte gazeta e vetme shqiptare në Maqedoni. Sigurisht, se më intrigoi titulli mallëngjyes, e nëse Bexhet Asani, qau që pa e përjetoi duke qëndruar para Tempullit të Kulturës dhe të Historisë shqiptare, unë qava nga titulli dhe përmbajtja e reportazhit që autori e kishte qendisur me një mjeshtëri të rrallë artistike dhe estetike.
Për fatin e objektit të Kongresit të Manastirit, kanë shkruar shumë gazetarë, shumë shkencëtarë, kam shkruar edhe unë reportazhe, mirëpo, një reportazh më ka mbetur në kujtim që e ruaj sot e kësaj dite, ai është reportzhi më i mirë me titull “Pashë me sy e qava me zemër” nga autori Bexhet Aasni nga Struga.
Më 1990, në qytetin e Strugës, u themelua dega e Shoqatës humanitare “Nëna Terezë”, aty e njoha edhe fizikisht autorin e reportazhit “Pashë me sy e qava me zemër” shkrimtarin e talentuar, Bexhet Asanin. Nga ai cast, lindi miqësia jonë e përhershme e ajo miqësi vazhdon edhe sot në ditët, kur jemi me mijëra kilometër larg njëri – tjetrit: ai në Amerikë, në tokën e premtuar, e unë në tokën mëmë, në vendlindjen time të dashur, apo siç do të shkruante Çajupi: “Mëmëdhe quhet toka, Ku më ka rënë koka!…”
Miqësia jonë do të vazhdojë përgjithmonë.
Jo vetëm kaq. Dhe më shumë më frymëzuan aktivitetet e Prof. Bexhet Asanit për shumë aktivitete të  tjera kulturore. Në fshatin Ladorisht të Strugës ata themeluan Shkollën e mesme “Hajdar Dushi”, kur mbi kokat e aktivistëve shqiptarë apo “separatistëve shqiptarë”, siç i quante regjimi i atëhershëm, fishkëllenin plumbat. Pr. Bexhet Asani edhe për këtë aktivitet të tij dhe të struganëve arsimdashës, ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Kështu ai me sakrifica të mëdha shkroi dhe botoi studimin monografik “Gjimnazi “Hajdar Dushi” çerdhe e diturisë”. I vetëdijshëm se do të nxirrte nga pluhuri i harresës një pjesë të historisë së arsimit shqiptar në Strugë në veçanti dhe arsimit shqiptar në Maqedoni në përgjithësi. Hapja e shkollave të mesme, në disa qytete të Maqedonisë, ishte kulmi i kërkesave të struganëve dhe gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, në ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor e kulturor të shqiptarëve të këtij nënqielli të vrenjtur, pa diell për shqiptarët e Maqedonisë.
Nëse ky Bexheti kishte lotuar këtu e 28 vjet më parë, për shtëpinë e Alfabetit, unë duke lexuar monografinë “Gjimnazi “Hajdar Dushi” çerdhe e diturisë” të Bexhet Asanit, qava me zemër për të gjitha peripecitë që kishin përjetuar nxënësit dhe profesorët e Gjimnazit “Hajdar Dushi”. Pasi përfundova së lexuari Monografinë, ashtu i emocionuar, lotët ende pa u tharë, u ula dhe shkrova recensionin me titull: “Peripecitë dhe dhuna ndaj arsimit shqip në Strugë” i cili u botua në faqet e gazettes “Fakti”, më 16 maj të vitit 2007. Miqësia dhe bashkëpunimi ynë vazhdon dhe do të vazhdojë derisa të realizohen qëllimet tona!...

Manastir, më 12 korrik 2018
Me nderime

Shoku yt i paharruar i idealeve

Qenan Hasani