"T E T A OSE ODISEJA POETIKE"
I
... Kishte këmbë rakitike. Mezi i qëndronin në tokë… Kishte xhepe të arnuara pa një dyshkë... Kishte të vetat vetëm mbulojat e trupit..., këmishën e pëlhurtë, një “teke”... edhe të mbathurat të arnuara, pa lulka... Ujin, ajrin, dritën, diellin, këngën të përbashkët me të tjerët. Rubineta “bridhte” dhe “kërcente” e lirshme. Herë lirohej e herë shtrëngohej!...
I I
Teksa të tjerët përgatitnin kthesën..., hop hodhi stërkëmbthin e “hirtë” dhe tha i pari: “ Këto janë të miat!” Dhe këndoi Këngën e “Marrjes”. Bëri një kryq jo gjoksi, por më të madh, që Zoti ta besonte... S’kishte bërë kurrë kryq në jetë dhe me këtë akt donte të justifikonte gjithçka. Hodhi dy duart mbi “pronën e të gjithëve”, mbi “pronën e askujt” të lëshuar si balon në ajrin e holluar... Donte..., akoma duar. I shndërroi si në përrallë edhe këmbët në duar. (Njeri me katër duar !...)
S’u ngop me katër… I ftoi të afërmit, miqtë e dashamirësit të zgjatnin edhe ata duart për interes të tij: “Do t’jua shpërblej !…” Ata i dhanë duar dhe mbetën pa duar! U dha diçka për t’i përdorur në vend të duarve ...
Vështrojnë qiellin, kur të dalë në valle “Arusha e Madhe”, të rifitojnë ato, që humbën! Sa duken paksa Yjet e Arushës dhe duart nisen për në origjinë, Yjet fiken dhe Arusha hu...mbet, du...art s’nisen, por rikthehen “protezat”...Duart origjinale rritën duart e tij !...
I I I
Me të gjitha duart, që ia dhanë ka formuar TETË DUAR TMERRËSISHT TË MËDHA me gishtrinj të mëdhenj, të paimagjinueshëm në gjatësinë e tyre... Vrau mendjen për lidhje jashtë e brenda... Kërkoi ditën, kërkoi natën,... Këndoi natën e vetëtimtë. U dhjamos si “reptil”...
Hobi : “ DINAKËRIA”.
I V
Prejardhja e duarve të harruara... ( origjina ). S’u kthye me përqindjet...
E drejta gjykatëse zgjedh katrahurat... Ecën ti në katër e pastaj në tetë ura të harkuara. Sa kapërcen një URË, Ura e kapërcyer të rikthehet ta kapërcesh, por tani jo me hark, por tundëse... Te kapërcimi i tetë e pret të fluturojë lart një HELIKOPTER i madh i polarizuar me veshje të artë...
V
Harron të vështrojë poshtë..., por vetëm lart! Ky vështrim e pushton të gjithin... “PROTEZAT“ e duarve poshtë arkivolizohen...
Marrë nga libri “Profeti i Liruar” i Kristaq F. Shabanit, botuar në vitin 1998 nga shtëpia botuese “THAMIRIS” ATHINË