"LËVRIMI I PROEMËS NË PËRGJITHËSI DHE ASAJ LIRIKE NË VEÇANTI, NJË MODUL, PREFERENCË POETIKE HAPËSIRËGJERË”
Nga Prof. Kristaq Shabani I.W.A,AOM, W.P.S LNPSHA “PEGASI”
Në vëllimet poetike të kohëve të fundit, një nga dukuritë fanitëse është ndeshja e proems, si një gjini e veçantë poetike. Nuk kemi ndërmend të bëjmë historik për proemat, kohën e lëvrimit të tyre nga shumë krijues gjatë kohrave, por të evidentojmë praninë e tyre në vëllimet ebotuara gjatë plurimendimit. Veçse është e nevojshme të dimë që proema si gjini është shumë e vjetër. Ajo gjen përdorim, sidomos në letërsinë franceze e tjerë.
“Për mua, thelbi i poezisë nuk është muzikaliteti metrik, - thotë Pierre Alferi, - por është poeticiteti, mendimi dhe ndjenja me intesitet të lartë, imazhi shkrepëtitës, befasues”.
Jean Orizet ka shkruar: “Veç kësaj, vallë a do ta dimë ndonjëherë ç’është poezia? Prej kohësh, janë rrekur ta përkufizojnë shumë veta. Ata kanë kapur veç një shkëndijë nga ky zjarr i madh, i gjallë. Si mund ta përkufizosh zjarrin? Poezia, ajo e vërteta, ngaherë ka qenë thelbi i njeriut”.
Njohësit e letërsisë e dinë se, proema në prozë është më e hershme se krijimtaria e Ponge-it. Në kuadër të letërsisë sonë, proema në prozë ka shkruar, qysh në shekullin XIX, miku i Guillaume Apollinaire-it, Faik Konica. Këtë formë poetike, e ndeshim edhe në krijimtarinë e Fan Nolit, Hil Mosit, Gjikami-t. Kemi bindjen se shkëlqimin më të madh proemat në prozë e ka arritur te “Drania” Martin Canaj, njëherësh një kryevepër e këtij poeti dhe e letërsisë shqiptare.
Kryeneçësia për ta detyruar poezinë tonë të ecte me hap “rreshtor”, na kujton një varg të Paul Morand-it: “Nuk duhet t’i vësh fjalët në kolonë për katër…”. Me substancën dhe fakturën e saj epike, proema ka përparërsi ndaj lirizmit narcistik apo minimalist. Pra proema është një formë e veçantë poezie, që ka të drejtën e saj të qytetërimit të ekzistojë edhe në letërsinë tonë.
Proema, s’është gjë tjetër, veçse poezi në prozë, që ka vijë melodike, ritëm, rimim të padukshëm dhe intonacion të brendshëm dhe i shkon më së miri interpretimit dramatik.
Edhe gjatë periudhës, që shkoi, pak poetë e kanë përdorur proemën, pasi konsiderohej si të shkruar “tabu”, e pakonceptuar mirë, si prozaizëm, prolikse, e tjerë, por më e theksuar kjo vërehet në letërsinë shqipe te veprat e botuara kohët e fundit me titull: “Proema” të Andon Paplekës. Si rrjedhojë e privilegjit dhe en kontaktimit të kahershëm me gjininë letrare proemën unë e kam lëvruar atë te “Virtyt i gënjyer”, Gjashtëtip, Antologji vetiake, si dhe te romani “Kryefjala e Fatales”, duke e ravijëzuar ndjeshëm edhe në veprat e tjera të kohëve të fundit. Duhet theksuar se, në të kaluarën, tipëzime të tilla gjinish konsideroheshin moderniste dhe të pakuptueshme duke sulmuar haptas autorët e ndryshëm, të cilët nuk i lejonin të krijonin, sipas linjës së sponteitetit, duke i bindur për të ecur në korsi të programuara. Këto forma quheshin të sforcuara dhe aspak bindëse dhe të pabotueshme. Tashmë, shfaqet, ka shfaqëri të proemës lirike, ku poeti shprehet lirshëm dhe “ thotë çka i ndjen shpirti në “lidhatimin” rrugimor lirik...Siç e shprehëm dhe më lart, në këtë radhitje të menduar, proema kërkon aftësi lëvruese dhe nuk është aq e thjeshtë sa mund të mendohet, për të shprehur substancën letrare me një gjuhë koncize dhe figuracion të pranishëm, e punuar tërësisht me një stil të gjetur.
Duke u nisur nga fakti që, në auditorin e nderuar ka edhe të tillë, që nuk kanë informacion për proemat, por ka edhe prej syresh që, në kreaturën e tyre, kanë prezenca të proemave , është një nga pikësynimet e këtij Simpoziumi që të zhvillohet debat për proemën lirike dhe pse në veprimtaritë e tjera madhore të organizohet dhe “Miting” i madh poetik për këtë gjini të bukur, të kahershme letrare.
Vijimi i lëvrimit të proemave, mendoj se do të bëhet një dukuri prezente e krijuesve të Lidhjes sonë.
Marrë nga libri “ Gjithëgjinia e mirëfilltë ”  i Kristaq F. Shabanit, 2018