“Poezia është sentencë figurative”
nga Prof. Kristaq Shabani I.W.A, AOM, W.P.S LNPSHA “PEGASI”ALBANIA
Flitet shpesh për poezinë, vlerën e saj, por përgjithësimi është mbizotërues ndaj detajit dhe dhënies së kontributit në këtë “pistë figuracioni”, ku mendimi duhet të jetë i një shkalle të lartë. Thuhet që poezia shkruhet, por mendoj se poezia është një “akt i dhuruar” në çaste magjie, ndaj shkallinat e saj të larta nuk arrihen nga të gjithë, që e provojnë “startimin “ poetik, një nga “tentimet” më të vështira. Rëndom thuhet shpesh: “Shkruaj poezi…”. Kjo është një shprehje që pohon diçka, por nuk tregon “cilësinë” poetike.
Poezia është ngacmim i realitetit, i qiellit, i mendimit, i pamjes , i konturimit, i të dukurës, i prurjes dhe i arkitekturimit, lidhjes, ngjyrimit, eklipsit, ylberit, tallazitjes…
Një nga elementët më pikantë të poezisë është fjala e figurshme, e ndritshme , e cila kalon në një proces “kategorizimi e përzgjedhje” të detyruar. Kështu mund të flitet për konceptimin dhe shtrirjen në linja të asaj që të ka përshtypëzuar dhe të ka barrëzuar mendërisht për të hedhurit në pentagramin poetik të ndjenjës ( apo lindja me konturim), me spontaneitet për rikthimin e detyruar për të marrë ndjesitë dhe aprovimin e shqisave pjesëmarrëse të organizimit, jo vetëm të jashtme, por të brendshme! Kjo do të thotë që poezia të mbajë një “dietë” figurative…
Poezia është sentencë. Ajo nuk pranon stërgjatime, shtrirje pa intuitë, me tjerrje të panevojshme. Kërkon metodën e kërkimit në hapësirën mendimore për të gjetur yllësinë… Mesazhi nuk jepet fare zbuluar , por ai duhet të ketë aftësi të tillë paraqitëse si një “kriptogram” që kërkon zgjidhje me gjimnastikë mendore. Poezia, duke patur në brendësi “arteriet” e figurës së zgjedhur të fituar me konkurrimin latim, mbart me vete emocionin e autorit si dhe sjell shpërthimin pasthirrmor të të dashuruarit me poezinë. Aftësia përcjellëse duhet të “sfilojë” me pamjen e saj magjepse të demonstrimit.
Poezia ka në dejet e veta të papriturën e këndshme të krijuar pa sforco dhe jo me një konceptim të standartizuar kompozicional, por me ritëm, bindje, seleksionim, mbetje… dhe pozicionim të së bukurës mbresalënëse. Ajo varion dhe fanitet me fizionominë individuale pa provuar huazimin apo krijimin mbi gjeturinë e tjetrit, duke lënë hapësirën e origjinalitetit. Zbulesa e një objekti në tërësinë e tij, qysh në zanafillë të asaj që e motivon poezi, do të thotë që nervi poetik fillon dhe mbaron në një PIKËNISJE rrafshuese e vlerës.
Të shkruash poezi, do të thotë të reflektosh në kualitetin tënd. Poezia me forcën e saj emocionale, që shpesh e fsheh dhe tregohet e “ftohtë”, kur ndalesh në stacione moskuptimi e tregon “enigmën” me rikuptim pak të vonët,  por  të freskon, pra të ngroh. Ky është një qëllim i zbuluar me inteligjencë…
Jo pa qëllim, rreshtova këto mendime individuale dhe “precipitime” përvoje poetike, për të treguar se poezia nuk është lojë “kukafshehti. Ajo kërkon zbërthimin e figurës nëpërmjet vendosjes në provë të intelektit “të dyfishtë”. Të ndjesh poezinë do të thotë të respektosh kualitetin… LNPSHA “PEGASI” ALBANIA  me qendër në Gjirokastër dhe me shtrirje tashmë të gjerë dhe me njohje jashtë shtetit, ka bërë punë të programuar për zbulimin e talenteve dhe impulsimin e tyre.
Marrë nga libri “ Gjithëgjinia e mirëfilltë ”  i Kristaq F. Shabanit, 2018