“Potenca e Fjalës”
Eseistika e Perandorisë së Fjalës
Nga Kristaq F. Shabani
Fjala është diamanti i të folurës dhe të të shkruarit. “E para është fjala!” përkufizon Bibla. Ky përkufizim total ka treguar epërsinë e vet që nga krijimi i botës dhe që kur filloi predominimi i fjalës ndaj sinjaleve. Nuk po zgjatemi me gjëra të njohura si të folurit e fjalës, intonacioni i saj, të shkruarit, sepse këto janë të njohura. Do të ndalemi te potenca (forca) e fjalës. Po kështu këtë forcë do ta zbërthejmë në fushën që na intereson Letërsinë.
Sot shfrytëzohet së tepërmi potenca e artit të fjalës. Një vepër potente s’diskutohet, ka tërësi fjalës të ndërthurura, të pleksura, të ngjyruara, të dritëzuara, të hijezuara, të veshura me emocione dykahësh me prezencë të tharmit, por në sipërfaqen e “të shkruarit” ka dhe fjalë meite, të verdhura,në prag ikjeje, fjalë në pragardhjeje që janë sythime të veçanta e të nevojshme… Fjalët e stilizuara nuk mund të kuptohen pa prezencën e gjithë ngjyrimeve, sepse vetëm kështu kuptohet universializmi i fjalës, shkëmbimi i vlerës, kjo e ndërlidhur me semantikën (anën kuptimore) si dhe me rolin që luajnë fjalët në fraza, periudha, kapituj, akte, pjesë,…
Në një vepër letrare, e cila plotëson këtë kontekst, në kuptimin e vërtetë jo të fluturimit dhe të retushimit fjala zgjidhet, përsëri zgjidhet dhe kalon në një proces të rëndësishëm që quhet përzgjedhje. Një gjuhë që ka pasuri fjalësh, pasuri kualitative që sundojnë figurat, simbolet që kanë përdorim elastik siguron një përdorim kursimtativ dhe kualitativ të fjalës, e cila varet nga aftësia e shkrimtarit, poetit për t’i dhënë kualitetin dhe gjallërinë, në dy kahjet e përdorimit si edhe në kahjen e qëndrimit të vetë autorit ndaj përmbajtjes së veprës.
Vepra me përzgjedhje të tillë fjalësh ka shkëlqim dhe lexuesit, apo vetë studiuesit gjejnë fushë të gjerë veprimi plot nerv, ku binden dhe kënaqen estetikisht. Që të arrihet në këto vepra kërkohet që vetë përfaqësuesit e botës shkrimore, ata që kërkojnë të lënë diçka, duhet të përpiqen shumë. E drejtë është se guximi apo të guxuarit në letërsi është diçka serioze, por e shton seriozitetin bukuria tërësore e veprës. Tashmë, ka shumë vepra të sforcuara, për të cilat autorët nuk konsultohen me njerëzit e letrave, specialistët për të dhënë dhe ata mendime. Nuk mund të rimëzojë kushdo, nuk mund të thurë vargje të shndritshme kushdo, që ka dëshirë e pasion për të bërë emër… Nuk mund të bëhen vargje me fjalë të thata, prolikse në të gjitha strofat. Kësaj i thonë të ngjitësh vetëm fjalë. Kësaj praktike duhet t’i jepet fund dhe të operohet me vargje poetike plot ngjyrim për të cilët duhet të rrish gjatë që t’i provosh, në rast se ke atë që quhet talent, apo dhunti! Sa e hijshme është parabola e mëposhtme: “Një bujkeshë kishte mbjellë një lloj gruri të quajtur “Kutruvel” që zogu ia dinte anën si ta boshatiste kallirin. Bujkesha e mbolli grurin, por kur shkoi për ta vjelë, nuk gjeti asnjë kokërr gruri në kalli dhe filloi të thoshte:
“Ah, more Kutruvel, ç’më bëre!”
“Ne poetët, shkrimtarët, njerëzit e letrave, duhet të prodhojmë vepra të bukura, që të mbeten dhe jo të na i marrë, si grurin “Kutruvel” zogu i çuditshëm i zhdukjes së farës i  Qytezës.
 Pra, një vepër me fjalë të përzgjedhur, me forcë të madhe fjalë hyjnore që këtë e jep vetëm fjala figurative, e bukur, dinamike e kukull që i flet syri e buza e bukur, mund të bëjë plotimin e kësaj dëshire që e kanë gjithë shkrimtarët. Por nuk mund ta arrijnë gjithmonë se dhe potenca e fjalës ka probabilitetin e saj goditës. Nga ne kërkohet latimi i fjalës, ose, siç thuhet, gdhendja e saj, përllogaritja në vendosje në arkitekturën e të shkruarit e sidomos në poezi, e cila  është gjinia më e vështirë… Shëmbëlltyrë pozitive e kësaj është përvoja e shkrimtarëve të mëdhenj, e nobelistëve.
Duhet të hiqet dorë nga dhënia apo stimulimi me çmime i veprave mediokre, që ndodh shumë rëndom te ne dhe aplikohet shpesh, për të kënaqur “miqësi” dhe  paracaktohet, qysh më pare, pa filluar konkurimi i vlerës.
Shembull i pozitivitetit është juria e madhe e dhënies së çmimit “NOBEL”, e cila po të shikosh se kujt ua jep çmimet, befasohesh se përcaktuese është dhe kjo që parashtruam ne më sipër: Potenca e fjalës.
Marrë nga libri “ Gjithëgjinia e mirëfilltë ”  i Kristaq F. Shabanit, 2018