Cekje “ditirambe” e gjinisë dramatike të dramaturgut Limani në tetë “globe”dramatikë (përsiatje)
Nga Prof. Kristaq F. Shabani , IWA, poet, shkrimtar, studiues, estet
(Xhevat Limani “Albaniada”, tetë drama)

Pak histori për hyrësi në odat dramatike të Limanit

Fillesa  e këtij kumtimi e ka te   etimologjia e fjalës dramë (drao, veproj, bëj; dráma, veprim), është me prejardhje   më të  vjetër se “Poetika”  Aristoteliane, para së cilës Tespisi, në vitin 534, para erës së re, shkruante tekste lirike e epike, ende pa e dhënë mendimin teorik, estetik e etik Aristoteli për to. Asokohë, Tespisi organizonte shfaqje ditirambike, të cilat përbëheshin nga vallet dhe kënga korale dhe i shfaqte, sa në një fshat, sa në një tjetër, në një hapësirë, e cila mori përmasë. Meqë, ky lloj i dramatikës, ditirambi, lindi nga kulti i Dionisit, shfaqjet teatrore filluan të jepeshin në një zonë mbi tempullin e Dionisit. Ditirambi ishte një lloj i dramës lirike, subjektet e së cilës ishin mitologjike e, ndonjëherë, edhe historike, që përkujtonin shumë në subjektet e tragjedisë. Edhe tragjedia edhe komedia, asokohë, shkruheshin në vargje. E para ishte e lidhur me mitin e me ritet e festave për nder të perëndisë Dionis, e dyta me ritet popullore. Autorët e tragjedive, së bashku me ata të ditirambit, të cilin athinasit e shkruanin shumë para tragjedisë, merrnin pjesë në festivalin e përvitshëm për nder të Dionisit të Madh. Por, këtyre simotrave u mungonte drama, e cila, kur u shfaq fillimisht në mesjetë, subjekti i saj lidhej me ritet fetare të krishtera, kurse nisi të marrë kuptime të ndryshme në romantizëm, në shekujt XVII, XVIII e XIX, në poetikat e reja të krijuara në vendet evropiane dhe të shkruhej më shumë se tragjedia. Në këta shekuj, edhe pas tyre, heronjtë e tragjedisë e të komedisë, nisin të dallojnë nga ata të dramës, pasi heroi i dramës është individ që e ndjen thellësisht vuajtjen dhe me gjithë shpirt lufton për t’i zgjidhur çështjet e mëdha jetësore.
Jo pa qëllim e cituam këtë  dhe morëm një shembull të madh si Diogjeni, për të nxjerrë në pah përpjekjadën diogjeniane të Xhevat Limanit, i cili është shndërruar në një Diogjen i ri i kësaj hapësire kohe, duke sjellë novatorizma në trajtesën e dramës shqiptare me dramat e tij të ndjera dhe të kulmuara.  Kjo e prejardhur nga eruditiviteti i tij dhe aftësia fantazuese e realizuese…
*
Termi “dramaturgji” është një term  frymëgjerë dhe shumëkuptimësh. Fjalorët e termave letrarë, në të shumtën e rasteve, herëve, përmbledhin në termin “dramaturgji”: tekstin teatral, artin e  të shkruarit, poetikën dhe vënien e tij në skenë.
Këto të gjitha, së toku, janë të lidhura me
procesin e paraqitjes.Theksi ynë   interesohet për tekstin dramatik.
Në kontekstin e studimeve letrare, termi “dramaturgji” ka vazhduar të përdoret për të përcaktuar artin e krijimit apo të kompozimit dramatik, ashtu siç na jepet në tekstet e dramave.
Analiza dramaturgjike, është praktika kritike, e cila konsiston në përshkrimin dhe vlerësimin e efekteve të këtij arti dhe në përdorimin e teorisë dramaturgjike, e cila na jep instrumentet e nevojshme për këtë praktikë.
Struktura diakronike e gjinisë dramatike në sistemin letrar të letërsisë shqipe, nuk mundet ta mënjanojë nevojën që kishte për institucionin e teatrit. Hapësira e vogël që zë drama, si prodhim letrar, brenda sistemit letrar shqiptar në fazat e tij fillestare, ka të bëjë me faktin se prodhimi kryesor letrar ishte i lidhur ngushtë me poezinë. Struktura e sistemit tonë letrar ka pasur si dominante poezinë, qoftë në krijimtarinë gojore folklorike, qoftë përsa i përket krijimtarisë letrare të kultivuar. Por kjo nuk e ka frenuar aspak artin dramatik, krijimin e dramës si një gjini e veçantë .
Në historinë e dramës modern dhe postmoderne  zë vend dhe krijimi dramatik i Xhevat Limanit, i cili, në dy vepra, “Albanaida” dhe “Dodona”, ka shkruar 10 drama vitale, të cilat ndryshojnë jo vetëm nga sunstrati , por  trajta, struktura dhe emërtimi, duke të befasuar.
 
Këndvështrim për pasurinë dramatike limaniane
 
Tekstet dramatike të dramaturgut Xhevat Limani  janë tekste të zhanrit dramatik bashkëkohor,  tekste elastike, të  larguara nga ngurtësia, statizmi  apo njëforshmëria, shembëlltyra  narrative, fizionomia e ngjashmërisë .
Dramat e tij janë fizionomi tërësisht vetjake, me fytyrizim të plotë, madje këto cilësohen, gjetje, prurje dhe relatim leksionar, një shkollë më vete në krijimin e tyre me futje të elementëve ekspresivë, të shëndetshëm dhe plot klorofilë dramatike , drama pulsante dhe impulsive, të cilat  krijojnë efekte  dhe praktika evoluimi.
Konteksti i ndërlidhësisë dhe ndërlimtësisë krijon një shtrat dhe arkitekturë dramatike estetikisht të prekshme, të kënaqësisë së epërme. Kjo siguron interpretimin e pastër të tekstit dramatik. Në këto tejtekste shquhet predominanca e një shqipe letrare të pastër,për t’u admiruar, e cila, vetëm, në ndonjë rast efektshëm, ka dhe prezencë pakicore dialektore. Ky format sjell arritjen e profilit  të personazheve (atje ku është parë e domosdoshme)  të dramës dhe i bën të veçantë dhe domethënës.
Dramat kanë një strukturë dinamike, ndërthyrje për të zhvilluar, në gjithë qenësinë  e tyre, intriguesen, fabulën zjarrndezëse prometiane  dhe efektin , afektin psikologjiko- filozofik, duke e tunduar  dhe duke e drejtuar procesin volitiv të  shikuesit, lexuesit dhe dëgjuesit për të rritur shkallën e ndjeshmërisë së substratit të gatuar në magje të denjë brumimi të artit dramatik.
 
*
Në përballjen me tekstet dramatike bashkëkohore, që nuk janë tekste të ngurta,  statike apo njëformëshe, argumentohet se arti i tyre qëndron pikërisht te gjendja e  ndërlikuar, por estetikisht e kënaqshme, që krijohet në raportin me receptuesin e veprave.
Për një interpretin të pastër të teksteve, i jemi drejtuar një aspekti teorik themelor që shqetëson dramën moderne dhe postmoderne botërore. Vepra “Teoria e dramës  moderne” e autorit Peter Szondi duket se paraqet një anë  themelore dhe e vendos  poetikën e dramës së tjetërsuar në optikën filozofike hegeliane, ku elementet e reja të  përmbajtjes, reflektohen me ndryshimet formale të gjinisë dramatike. Ky pikëvështrim  teorik ka qenë i vlefshëm edhe për këndvështrimin përsiatës tonin, i cili është përpjekur ti dallojë dhe  analizojë ato elemente që dramaturgët modernë dhe postmodernë shqiptarë, për arsye zgjedhjeje, i pasqyruan në tekstet e tyre. Në qoftë se bëjmë një lojë fjalësh, kur themi  postmoderne, kemi thënë edhe moderne, por në njëfarë mënyre kemi thënë edhe klasike.
Në korelacion me këtë që theksuam më lart, cila është lidhësia e dramave limaniane?
Një përfytyrim real, një paraqitje plot frymëmarrje  dhe një tendencë aktive precipitimi në një lidhësi harmonike trengjyrore, e cila shkrihet në mënyrë të hatashme në një .
 
 *
Autorët bashkëkohorë propozojnë në dramat e tyre elemente të trashëgimisë klasike, por
të tretura mirë brenda formës së re dramatike.
Si vërehet kjo te dramat e Limanit?
Një veprim tërësisht kreator vetjak që të lë pa frymë me densitetin e veprimit, me lëvizshmërinë  dinamike të tekstit, me aftësinë apelore dhe me precipitimin e gjendjeve për ndryshesë dhe për dhënie mesazhesh plotore për transformime gjendjesh dhe eliminim stacionimesh.
Një procedim original, ku kryefjalëzon individualiteti në stisje, ndërthyrje dhe strukturë; shquhet drama limaniane, ku vëren raporte kohore e hapësinore, funksion elastik dhe të dritëruar të galërisë së personazheve. Motivet  janë shpërthyese në brendësi të strukturës dhe koha e ndërkoha, e tashmja, retrospektiva dhe perspektiva, ardhmëria ndërthyren bukur dhe mbushamendëse. Skenat e Akteve sjellin me origjinalitet kohët, të cilat interpretojnë me mentalitetet dhe konceptet e tyre, nëpërmjet një teksti dramatik ngjyror.
Një formësi kjo shumëtrajtëshe dhe shumëformëshe  dramatike, në një kombinim klasik, modern dhe postmodern, ku kreativiteti është i magjishëm.
Asnjë referencë apo shëmbëllim me autorë të nivelit, si: Ibsen, Çehov, Strindberg, Maeterlinck, Hauptman…
Veprat e Xhevat Limanit janë vepra të theksit problematik, klithës, lakonik, shpërthyes, apelor
dhe lënë gjurmë në kujtesë dhe në memorje të kombit dhe të teatrit botëror për konsekuencën dhe tufëdritësimin globik.
 
Teoricieni i poetikës moderne të dramës, Szondi, ka studiuar me vëmendje dramën së pari, si një “fenomen i historisë së letërsisë”; pra është logjike dhe e vlerësueshme që kriza manifestohet në fillim në tekste, dhe për këtë duhet të studiohet aty.
Reagimi i dramaturgut Limanit pasqyrohet në tetë dramat e “Albaniadës”, ku  manifestohen, përveç të tjerash dhe modele të reja të dramës, duke mos e njohur krizën, por duke dhënë elementë shpjegues dhe gjallues.
 Veprat dramatike të Limanit janë shkruajtur për t’u luajtur, jo për t’u konservuar e për të thënë që ekzistojnë. Leximi i tyre të shtyn për t’i vendosur në skenë të frymojnë me sensin e madh frymëmarrës dhe të bëhen pjesë eruditive e ndjekësit  dhe e procesit studiues të mendimit kritik të dramaturgjisë.
Në se bëhet një përshkrim i kësaj, në gjithë firsamonikën melodioze të notave, ndesh atë të vërtetë të madhe :  
*Dramat e tij  janë të karakterit veprues, të cilat me strukturën e tyre dhe me interpretimin e tekstit dramatik, spektatorin e përfshijnë në tërësinë skenike, duke e emocionuar së tepërmi e duke e  zhytyr atë në substrat; spektatori ndjen tensionin, impulsohet, ndjen ekzistencën reale, jo formale. Forma epike dhe lirike  narrative substanciale  e detyron spektatorin me bukuritë përfshihet në aftësi vëzhgimore, të ndjekë me siguri rrjedhën e ngjarjeve, t’i rrëmbejë vendime të dala nga skenat, i realizon njohjen e nocioneve, i nënshtrohet argumentit, ndjenjat lëvizin apo precipitojnë deri në ndërgjegjësim të guxuar, ai,me dashje, kthehet në subjekt dhe në objekt leksionimi të natyrshëm, krijon psikozën e ndryshes, rol luan dhe tensionimi psikologjiko-moral; ndjen rrjedhat e ngjarjet dhe i përjeton ato dhe, mandej,   futet në aspektin e zgjidhjeve problemore…. Tension i plotë,  në lidhje me ecurinë  dhe me krijimin e përcaktimit  të rrjedhave, duke bërë paracaktime dhe duke ballafaquar atë që mendon me atë që ndodh realisht … Ekzistenca konceptuale,  me motivet e saj, sjell rritje të aftësisë zgjidhëse  mendore..
 
Në dramat e dramaturgut Limani ndjehet thellësisht dhe frymësisht hapësira e strukturuar moderne dhe postmoderne kryesisht. Dramat kanë elementë të fuqishëm tematikë, stilistikë  dhe narrativë të detajuar, të përcaktuar mirë në efekt; janë të organizuara, në mënyrë të tillë, që të sugjestionojnë  përjetim tërësor.
Nëse i bën një vështrim kritik prezencës tematike  të substratit të librit me tetë drama “Albanaida”  ndesh në atë aftësi diogjeniane, ku kërkohet një stil i ri, një mënyrë e re kapjeje dhe trajtese me një shumëllojshmëri prekjeje takimi:
Dua të ndalem te një elementë domethënës:
Antikiteti ose miti dhe mitikja vërehet sidomos te  monodrama:” Urtaku (Sokrati shqiptar),  sipas motiveve të veprave të Plutarkut dhe Varnalis, ku aftësia e  tekstit urtak kapërcen shekujt dhe mbartet me risi për në të sotmen, duke realizuar paralelizmin e bukur dhe kontrastin e duhur…
Një monodramë risi, e cila sjell në skenë të vërteta të mëdha  të ngjarjeve të mëdha , si dhe praninë e mendimit të madh të urtësisë, filozofisë dhe  parashikimit të evoluimit,  progresivitetit.
Apo plasticiteti i gjithanshëm te drama : “Mësuesi i ëndrrave” , një servirje tipike e pagjendur, “prometim groteskë –tragjike”, ku aktrojnë profile të kryezëshme dhe të zëshme të njohura në Mitologji si: Prometeu, Zeusi, Gorgona, Atinaja, Apoloni, Hefesti  dhe Hermesi… Një rrokje e tillë frymëmarrëse  të kujton Perënditë e Olimpit, ku dramaturgu Limani ka plotësi njohurish dhe në “areolën” skenike  hyn me potencë profilore dhe paraqitje të hollë fine. Pa e tepëruar, duhet të theksojmë, katërcipërisht, se edhe në të gjitha dramat e tjera, të cilat i rrok lehtësisht ky këndvështrim, i cili në të pastajmen do të thellohet, vërehet  një ndërtekstorësi  ( futja e teksteve në tekst), loja simboliane, imazhore dhe ligjërimore, paralelizmi tematik ose trajtimi paralel i dy apo më shumë temave, ironia në sistem në të gjithë veprën letrare, e pranishme në trajtimin e  historisë dhe të aktualitetit postmodern, shpesh shoqërohet edhe me cinizmin, montazhi, pastishi, kolazhi, kjo e fundit edhe pse kategori e arteve vizive, bëhet  karakteristike për veprën letrare postmoderne, arkaizmi apo shfrytëzimi i strukturave ligjërimore arkaike regjionalizmi ose përdorimi shpesh i një ligjërimi krahinor dialektor, kujtesa dhe loja me kujtesën e lexuesit, tribalizmi ose dhënia e elementeve fisnorë, të rëndomtë, të zakonshëm,biblizmi, detaje ose aluzione nga Bibla dhe libra të tjerë të shenjtë, citati dhe metateksti që do të thotë përftimi i një teksti të ri nga shfrytëzimi i një teksti të mëparshëm,paraqitja e ritualit në veprën letrare postmoderne, parodizmi ku e shkuara dhe praktikat e mëparshme trajtohen në këndvështrimin e  parodisë.
Dramaturgu Limani ,përsa më sipër është i prerë, autoritar, dinamik, ka aftësi përzgjedhëse dhe përcaktuese,duke i lëvizur të gjitha “gurët” me shumë aftësi, seriozitet dhe intuit e duke dhënë shembull për të tjerët…
 
Veprat postmoderne në përbërjen e tyre kanë elemente tematike, stilistike dhe narrative, të cilat duhet të ndryshojnë për nga mënyra e veçantë e organizimit të tyre, me veprat e tjera artistike klasike apo moderne. Disa elemente kryesore që duket se tashmë janë  standardizuar në veprat postmoderne i gjejmë edhe tek dramat që po marrim në analizë.
 
 
Miti i lashtë dhe miti i ri në veprën e Limanit
 
Në traditën kulturore shqiptare përcillet në formë gojore apo të shkruar, legjenda ose miti i murosjes. Tipizim  te drama “ Viktima e  virgjër”, një tragjedi tipike referuese moderne, ku personazhet aktruese janë:  Rozafa, Fati Trari, Mavia, Lajmëtari, Lojalisti , Djali, Muratori I (Vëllai 1) Muratori 2(Vëllai dy) Muratori 3 (Vëllai tre) si dhe Xhedalli 1, 2, 3 që presupozojnë Hijet 1, 2, 3.
Rrëfim simbolik, sakrilegj… Shprehet safrifica sublime në themel të mbijetesës, përcjelljes brezive… Akti i murosjes, i muranës ,  në themelet e një kalaje, kulle, muri… Mbi këtë shtrat janë krijuar shumë vepra të letërsisë shqipe, por, një kombinim i tillë  në personazhe dhe në akt veprimi e ndërlidhur me personazhe psiko-moralë, nuk ka ndodhë në këtë shumatore të qendisur si në këtë  tragjedi moderne, e cila të befason në shumë aspekte e drejtime  për potencën vepruese, konfiguruese dhe klithmuese…
Personazhi “Mavia” i gjetur dhe i arrirë, i profilizuar me shumë art.
Veprimet për shëndoshje themeli me akt sublime dhe sakrilegj përgatiten nga një kolektivitet  i arrirë për të realizuar synimin.  Tematika, në këtë kuadër, është shndërruar në thesar.
Kjo dramë përkon me ecurinë në rrugën e etërve të mitit  të shkrimtarëve përfaqësues tipikë që u bënë klasikë të modernizmit si” Xhojsi, Prusti, Kafka, Rilke, etj.
Përcjellja gojore, legjenda, interpretimi i saj zë vend në veprat dramatike të Xhevatit.
 
*
Formate të reja të paraqitjes jo vetëm strukturore, por dhe mpotivuese, ku shprehësi gjejnë formulime dhe emërtime novatore me galeri personazhesh realë, mitikë, të improvizyuar, të motivuar me qenie, preference,  shpërthim simbolik sipas gjendjeve dhe ndodhive: “Varrtarët” (dramë tematike) personazhe personifikues “pishtar, shkabë, lumë, lodërtar, shkozë, këlysh, kryepykë, gegë dhe realë Prokurori, Poeti, Polici, Betimi  e tjerë, ku  në dramë luhet “vallja e vdekjes”, nëpërmjet groteskut dhe lakonizmit tipik, kryelartësisë dhe mosnështrimit si dhe vihet në lojë me sarkazëm niveli i pushtetit të sapoformuar dhe ndryshimi i kursit, injoranca dhe injorimi. Gatuhet intriga dhe poshtërimi dhe eliminimi njerëzor  kundër pishtarëve , shqiponjave dhe ngrihet përjetësi e Murit të Lotëve,  në një duet idiotesk: veprimi profan dhe mbrojtja e njeriut dhe e trojeve…
“Albaniada” (satirë  sipas motiveve të Gjergj Fishtës) , satirë kryekëput, ku personazhe  janë  figura madhore e Kryeheroit të Shqiptarëve, Djalli, Evropa dhe Diplomacia, një pasqyrim fin, i cili  përshkon dramën,  nga fillesa në fund, dhe del me elegancë e vërteta, ndërmjet dialogimeve  të personazheve për Shqipërinë, qëndrimit të Evropës, diplomacisë së saj dhe veprimeve djallëzore.
Lulëzon figura e Kryeheroit …
"Anatema” , një trinom imagjinar dramatik, ku  Babazoti, Djalli dhe Ëngjëllima tregojnë klimën, sinoptikat, idetë, realizimet, ngadhnjimin   si dhe dalin në pah  kurthet djallëzore të personazhit Djall, i cili ka një motiv” vënie stërkëmth të gjithçkaje njerëzore dhe ëngjëllore. Një mbyllje  e jashtëzakonshme me fjalën e Babazotit.
“Gladiatorët” një farsë tragjiko-komike, ku personazhet veprues janë: Arbëri, Gega, Toska, Ujku, Dhelpra, Ariu, Dosa, Lepuri, Drejtori- Beki.
Kombinime të jashtëzakonshme që mund t’i fantazojë një mendje xhevatiane…
Është shumë bukur të futesh në këtë substrat mahnitës, ku edhe relievi, në format e tij, flet lirshëm dhe shqiptarisht, ndërsa kafshët egra demonstrojnë  instiktet shtazarake. Personazhi ujk i goditur, i profilizuar, kërcëllitës dhe ulëritës…
“Mësuesi i Ëndrrave” Prometeu, groteskë tragjike me personazhe të dëgjuara  dhe të pasqyruara  më lart me detaj.
“Vetëvrasja” (neotragjedi) e përshkruar sipas Antigonës së Sofokliut me personazhe Tirani (përfaqësuar nga Kreoni), Tapia( Antigona) dhe Trashëgimtari (Emoni) për të përfunduar me Urtakun  (Sokratin shqiptar) e emërtuar kjo monodramë, sipas motiveve nga veprat e Platon, Varnalis.

*
Si përfundesë,  dua të theksoj se, krahas të tjerave të shprehura më lart, dramat e Xhevat Limanit  janë drama intelektuale, të cilat, midis të tjerash, kërkojnë çelsin  për çkodifikim  të tekstit dramatik, pasi ai është edhe simbolik, ekziston figurimi, lakonizmi, satira dhe poetika.
Dramat janë “globe “ të vegjël dramatikë, ku lëviz dinamikisht ideja, përmbajtja, larmiteti, gjetja, novatorja dhe mesazhi , nënteksti.
Do të rekomandoja që këto drama të shfaqeshin për publikun e etur shqiptar, ku regjisorët sot përzgjedhin  drama të draturgëve të huaj. Është e mira të njihet pulsi ritmik i dramës shqiptare dhe sidomos i kësaj moderne, pasi, vetëm kështu, mund të ecim  me dinamikën e kërkuar dhe me objektivin e konkurrimit universal të vlerave….
Fuksioni i vënies në lëvizje të të gjithë elementëve ideorë, skenikë dhe në fushën panaromike e ndriçuse sjell trefrytshin e dritësimit dhe të shndritjes gjithëkahëshe.
Gjenialiteti kreator i Xhevat Limanit, si dramatug i suksesshëm, është se tek ai funksionon trinomi : aktor, dramaturg dhe regjisor i suksesshëm,  plot vitalitet dhe përvojë skenike. Ai është në gjendje që të shkruajë drama edhe më të arrira, kjo falë aftësisë dhe kryenivelit të tij, në këtë gjini, ku ka arritur suksese dhe në arenën ndërkombëtare.
Gjirokastër, Albania, gusht 2018