T.

*  *   *
         Ideja e gjetur, trajtesa origjinale në këndvështrim, shpërthimi me vrull, gjetje të rrugëve të reja, gërshetimi shumëplanësh dhe befasim në përdorim figuracional, ndërtim kompozicional, me një muzikalitet mjaft të këndshëm…Ja disa risi të poetit.
          Poema “Seli në qiejt” ikën nga “moda” poetike e Letërsisë shqiptare, udhëton në rrugë të panjohura, të cilat i kërkon vetë dhe i çan me një domethënie të vrullshme. Pjesëzat e saj të ndërtuara mbi një gjetje moderne janë në unison me atë që kërkon të trumbetojë fantastikisht me kërkim atë realitet, i cili mbretëron si një mbret i pakurorëzuar me skeptër, me një fshehje disi ylberore…
Një pasqyrë ku shihet një”President” i rizgjedhur i botës, befasohet nga që fytyra e tij fillon të shndërrohet në një hartë filmike të Botës, ku ajo lëviz në mënyrë marrarendëse…me njerëzit e saj të sotëm, psikozën e tyre, besimin e thyer dhe me syrin që nxjerr çudia…Shfaqen “aktet”e poemës që nga “Pozimi” e deri te “Blici” me një shtat që rritet dhe me një frymëmarrje që sa vjen dhe  vjen dhe shtohet, kulmon e shpërndan lastarë poetikë domethënës. Gjuha e saktë poetike e kombinuar me një gjetje edhe në “përdorim të shenjave origjinale, hedh hapa e ngjit shkallë…”Pika e madhe” dhe “Piku i madh”…”Kënga shtet” dhe “Tragjedia shtet” e ndjekur nga një “Këngë barotizmi”, “Notat e të falurës”, që çngjyrëzojnë dhe arrijnë te “Trëndafili, dhëndër i Luleve”, i cili nxjerr lot nga petalet e tij e deri te një qen të krekosur për të dashurën e tij dhe të birin gjysmëqen , gjysmënjeri, të bëjnë të fantazosh dhe të meditosh…
          “Përralla e Yjeve”  vetëm një presje larg “Shkallinave të rëndesës”…”Fraza arabe” dhe  “E Verdhura e harlisur” sjell një “Sy të menduar” e një Sinoptikë, e cila rikujton e penduar,…Një “Blic”ul perden. Bashkë me dramën luhen dhe komeditë e Kombeve, por ka shpresë…
         Kristaqi këtë shpërthim e ka pasur që në hershmërinë e tij, por “redaktorëve” nuk u shkonte për shtat kjo formë të gatuari në Magjen e brumit poetik dhe shumë vargje të tij u vranë, por tek i vranë lëshuan gjak vargjesh, që përsëritën vetveten dhe sot ngrihen lastarë. Respekt për vargjet!..
        Poema është një operacion kirurgjikal poetik që i bëhet Botës. Secili ndien dhimbjen e këtij operacioni dhe merr dritë ndriçimi. Triniteti: Mitologji- Realitet dhe Modernizëm = përkufizimi i poemës.
         Përkthimi i realizuar në greqisht nga Avjerini Papa dhe përkthimi në anglisht nga Lefter Fotiu dhe Arjan Ligu ka pasur tendencën të përkthejë atë që thuhet dhe jo atë që ndreqet. Kjo është bërë me qëllim.Tryeza poetike mund të njohë një firmë, që firmos vetë me ndjenjë dhe autoritet poetik.
                                  Sazan Gjomema, Filolog
Athinë, Janar 1998







KËNGA SHTET DHE TRAGJEDIA SHTET
 
Në kurmin e Botës pasqyrë:
 “Shtetet zihen për Detin,
 grinden për emrin,
 kacafyten për ndarjen,
 shfryjnë për plakjen,
 shtet u ngjajnë pleqve grindavecë…
Dikush i quajti vogëlushë të përkëdhelur,
 Pinokë të gjallë me hundë prej “mishi”;
 Shtetet ndërtuan mure,
Sistemet kthenin vithet,
 karrikaturonin zeniet
në vrasje qeniesh pa  faj,…
Ç’bënë Shtetet, mos bëftë kurkush!…”
         ***
Njerëzit lënë shtetet:
 Vrapojnë në Pistat e kaltra
 mes vdekjes shtet dhe jetës shtet;
 lënë muret e rënë,
statujat e shqyera,
 pemët vetëm me trungje të prerë,
 fytyra të turmbullta si lumenj të dalë nga shtratet…
E kush nuk e do vendin e thurjes
 si rrjetë merimange të ëndrrës…Kush?
 Kush ia vrau ëndrrën lehonë njeriut?
 Kush i dha udhën,
e pastaj një tufë me lule bliri…,
 a një gjethe dafine e pasinqertë
mbuluan kokën e kockët të mortjes?…
 
“O brohorimë e pashpirt,
 O klithmë e djalltë,
 O fjalë e vrerosur,
 O shpoti  tronditëse,
 O poshtërim tetëkëmbësh,
O…, o…,o!…”
 
 Fytyrë me pudër vrasëse
 shfaq Aktin e Ikjes së Fshehur
për të zgjuar Shuarjen…
Kombet nuk mbahen
në dhëmbë  elementësh,
 rrëshqasin,
 sikur afrojnë Mosekzistencën,…
Faniten, papritmas,
 i vënë gishtin ceremonisë…
Pema riçelet…