Retrospektiva: Enkelejda Fejzo…

Kur hidhte rrënjë “PEGASI”

Enkelejda Fejzo, një vajzë bukuroshe nga fizionomia dhe nga mendja. Në moshë fare të re shkroi një libër shumë interesant, me titull intrigues: “ Kaq kohë që eci mprapsht”. Përmbajtja e këtij vëllimi ishte mjaft e larme dhe me një maturitet të parakohshëm, i cili tregonte se e ardhmja e saj, pa dyshesë, do të ishte bota shkrimore. Ishte një vajzë, e cila,  çuditërisht, në moshë fare të njomë,me mendje të madhi  trajtoi temën e feminilitetit, duke kapur momente të anëve të padukshme të kësaj bote, duke përdoruar me shumë aftësi zbulesën. Ishte një dhunti e Enkelejdës. Ajo ishte në gjendje të bisedonte me një dlirësi, çiltërsi dhe natyralitet.
Mua më përshtypëzoi që në fillesë të kontaktimit dhe duke u nisur nga që kthehesha nga Greqia, pas shumë vjetësh, i kisha vënë vetes detyrë të ideoja një grupim shkrimtarësh, poetësh, artistësh të rinj, të talentuar dhe kjo solli që në vitin 1996 iniciova dhe krijova Shoqatën Letrare “Pegasi”(korrik 1998) me qendër në Gjirokastër, që u ligjërua në vitin 1998, e cila, më vonë, ngjiti shkallina “Lidhja e Krijuesve “ Pegasi” Albania(2002) dhe së fundi Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI” ALBANIA (prill 2009) e njohur sot, pothuajse, nga të gjitha organizmat letrare në të gjithë Botën…
Nejse, le të kthehemi te Enkelejda, te kjo vajzë potente në mendim dhe në vjershërim. Më befasoi në qytetin e Memaliajt, ku miku im, shkrimtari, publicisti i njohur, Novruz Shehu, së toku me mësuesen e shkollës së mesme të Memaliajt, zonjushën Arlinda Beqiri (sot në Kanada), prezantuan librin tim “PULSI I DHIMBJES”, të botuar në Shtëpinë botuese ‘THAMIRIS” ATHINË (1997), ku edhe Enkeleida kishte një kumt të shkurtër, por shumë domethënës dhe kishte trajtuar me profesionalizëm pjesën e poezive të mia të këtij vëllimi, (i cili më bëri me shumë emër dhe u ribotua disa herë) që trajtonin e preknin personalitetin e femrës, me një trajtë të re dhe logjikë të re. Më emocionoi me aftësinë e saj depertuese dhe trajtuese, ndaj, që nga ajo ditë e mbajta afër, sepse shikoja tek ajo një krijuese të talentuar. E papërtuar vinte në të gjithë veprimtaritë, të cilat organizonim dhe jepte mendimet e saj faqas dhe me kompentencë; shkruante mendime kritike në organin tonë letrar “PEGASI”, por mbi të gjitha ishte e etur dhe e vullnetshme për të vijuar studimet e larta. Shihni curriculumin e saj dhe mos u habitni. Shpesh më thoshte se do të mundohem të shkollohem si ju… Një ditë më tregoi disa tregime të saj. Një ndërthurje e bukur, një individualitet i rrallë me një stil vetiak… Përsëri buzëqesha, si dikur, për vjershat.
“Je në një rrugë krijuese origjinale, - i thashë. Poetët e tjerë Petro Dudi, Novruz Shehu, Lumo Kolleshi, Sazan Gjomema, Dhimitër Miti e të tjerë shihnin te Enkelejda Fejzo një krijuese të së ardhmes…
Sa e sa prezantime librash, sa kumte, sa fjalë poetike, sa e sa publikime librash të autorëve vendas dhe të huaj... mori pjesë dhe tha fjalën e saj koncize Enkelejda, apo siç e thërrisnim ne shkurt me përkëdheli  “Kela”. Ajo erdhi vijoi studimet në Gjirokastër në Universitet dhe punoi në një gazetë periodike dhe kështu prania e saj ishte e përhershme në veprimtaritë e bukura letrare.
Kur një ditë poetes Mimoza Ahmeti i tregova librin e saj, ajo lexoi librin me kërshëri dhe më tha shprehimisht: “Kristaq, përkrah mendimin tuaj. Është me të vërtetë poete interesante...”.“.
Por një ditë Kela jonë u shkëput, pasi u largua në Tiranë, dhe më vonë në Belgjikë, nga ku dërgoi edhe përshëndetjen për veprimtarinë e madhe festive “PEGASI DHE TALENTET E RINJ”. Kush e shtyu Kelën tonë të dërgojë këtë përshëndetje? E ngacmoi, si duket, përkrahja, që i është dhënë asaj, kur ishte e vogël dhe impulsimi që u kemi bërë talenteve të rinj ne, gjatë gjithë ekzistencës... Dhe ne u kthyem në retropsektivën tonë të bukur “ME ENKELEJDËN”, e cila tashmë do të jetë tepër aktive në Degën tonë të Brukselit.
Poetja dhe gazetarja Enkelejda Fejzo, kam besim të plotë se do të punojë shumë për Pegasin, atje ku jeton dhe banon dhe do të sjellë vlera të reja kjo krijuese, një nga sekretaret e ngarkuar për punën me talentet e rinj të Pegasit...Ajo rivjen, tashmë, kur ne kemi një përvojë të madhe, kemi organizuar Simpoziume Ndërkombëtare (tre të tillë) dhe po përgatitim të katërtin, kur kemi dhe anëtarë nga rreth 50 vende të Botës. E pret një punë e madhe ...
Mirupafshim, Enkelejda, në Prill 2011, në Simpoziumin madh Ndërkombëtar, i cili  do të zhvillohet në Tiranë .
GËZUAR VITIN E RI 2011, ENKELEJDA JONË E DASHUR! Viti 2011 të jetë për ju dhe familjen tuaj viti i sukseseve dhe i ecurive të reja si dhe i kontributit profesional dhe letrar.
KRISTAQ F. SHABANI I.W.A, W.P.S
PRESIDENT I LNPSHA “PEGASI” ALBANIA

Gjirokastër, Albania 30.12.2010

PËRSHËNDETJA e Enkelejdës për VEPRIMTARINË LETRARE “PEGASI DHE TALENTET E RINJ”

Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar poetë, shkrimtarë, publicistë, dashamirës të librit, ku sot ndodheni të gjithë së bashku, në qytetin e gurtë dhe nuk lodheni asnjëherë t’i jepni dritë këtij qyteti nëpërmjet, fjalës dhe penës...Përshëndetja ime vjen sot me mall nga Belgjika, për këtë ambient të ngrohtë, të cilin e keni zbukuruar si dinë vetëm poetët ta zbukurojnë… thjesht, bukur dhe të pavdekshëm. Në këtë ditë të ftohtë dimri, vendosa të shkruaj një përshendetje malli dhe gëzimi njëkohësisht...Bora e bardhë është ulur afër banesës, ku unë banoj. Ndoshta, edhe për këtë arsye gjithmonë më pëlqente të jetoja në periferi, larg zhurmës dhe stresit. Jam ulur të shkruaj këtë përshëndeteje, por qetësinë e kësaj nate të shurdhët, e prish përplasja e erës jashtë dhe tik-taku i orës në mur, edhe shpirti im i trazuar që u ngjan dallgëve të detit në dimër...
E kanë trazuar kujtimet rinore, albumet dhe ditaret, leksikonet e fëmijërisë dhe kujtimet e vjetra dhe të ëmbla, që s'harrohen kurrë... E kanë trazuar dhe s'më lënë të qetë. Rrugëdaljen e vetme e shoh që t’i rrëfehem dikujt, po këtu gjithëçka është e huaj, e ftohtë, e askush s’të kupton...Por zemra ime ndien që edhe ajo është juaja, miq…,por kam ndier se dhe juaja ka qenë për të gjithë, e trazuar, jo e qetë, për këdo artist, apo njeri të thjeshtë që lë atdheun e jeton në një vend të huaj...Ndoshta edhe gabohem, por, për këtë, ju kërkoj ndjesë e, nëse nuk gabohem, prapë kërkoj ndjesë, sepse realiteti nuk ma ndërron dot mendimin. E vërteta është jashtë atdheut tënd. Ndihemi gjithnjë "ILEGALË". Eh, ku ka më mirë, kur gëzon fatin e një aksesi shoqërie, ka kuptim gjithëçka... Nëse i humbet ato, atëhere ndien keqardhje dhe demorializim total, edhe për planet, që mund të kesh… Do  të më pyesnit, ndoshta:...”Ç’do të thotë kjo?”
Pergjigjen as nuk mundohem ta jap, sepse ju e dini...
..."Njeriu nuk heq dorë nga vendi, ku i dhemb; nuk i heq sytë nga njeriu që dashuron, syri për të zgjedhur të bukurën, mendja të mirën, goja të ëmblën, zemra të dojë gjithmonë atdhen, ku ka lindur". Kur mora penën isha vetëm 13 vjeçe dhe desha të bëja një vjershë për babin tim që kthehej vonë nga puna. Mërzitesha pse gjithnjë ai vonohej dhe kurrë nuk ishte me ne në shtëpi... E shkrova vjershën dhe, në mesnatë, kur babi ishte kthyer, e kishte lexuar... Ne mëngjes në çantën time të shkollës unë gjej një stilograf dhe një fletore ... Kështu nisa të shkruaj...Isha vetëm 18 vjeçe në vitin '99, kur u takova me z. Kristaq F. Shabanin në Gjirokastër. As nuk e njihja, as e kisha idenë se kush ishte. I drejtohem dhe i them se një shkrimtar më ka dërguar për të më lexuar poezitë e mia. Nëse kanë shpresë botimi, apo jo... Ai më shikon, pasi i kishte lexuar disa nga poezitë e mia dhe me pyet:
“Nga jeni ju, Enkelejda?”
“Nga Republika e Shqipërisë, “- i them.
Qeshi dhe më drejtohet, duke më thënë: “Ju jeni poete, dhe që sot do të jeni anëtare e "Pegasi"(ashtu quhej në atë kohë Lidhja e Krijuesve). Dhe kështu lidhja jonë nuk u shkëput, por vazhdoi gjatë duke sjellë edhe poetë e shkrimtarë të panumërt në gjirin e kësaj shoqate. Lidhja e Krijuesve “Pegasi”(tashmë Lidhja Ndërkombeëtare e Poetëve , shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Albania, me qender në Gjirokastër dhe me dege në shume qytete të Shqipërisë edhe jashtë vendit), ka nje mirënjohje të jashtëzakonshme për punë talentore, të palodhshme që ka bërë duke filluar që nga poetët e rinj, e deri te artistët e mëdhenj, duke i përkrahur, duke mos i harruar, duke u nxjerrë në pah potencën e madhe letrare. Gjithashtu, detyrë e saj është që ta ruajmë e ta njohim trashëgiminë e pasur që na kanë lënë stërgjyshërit e rilindasit tanë. Jam e lumtur që jam pjesëmarrëse e kësaj Lidhjeje dinjitoze, me horizont diagonal dhe horizontal.
Të nderuar miq, në këtë veprimtari botuese!
Dëshiroja të merrja pjesë aty me ju, të lexonim poezi, të shkëmbenim dy fjalë, të tregojmë se mjaft u bëmë të egër me njëri - tjetrin, se dashuria ka vlerë për të gjithë, se me derën pa trokitur të mos ngelet asnjeri, se fjala, si thotë populli, thyen gur...
Per ju kam nje poezi, që, për herë të pare, po e publikoj...


Ku me mungon Atdheu im

Këneta sociale më doli diku,
e papritur në jetë,
po tani e përkufizoj si vend,
ku më mungon shpirti i shenjtë,
dashuria,
ku më mungon Atdheu im...
Dhimbja e pamundësive,
tejpërshkrimi i imazhit të keq për ty,
rrezatimi i natyrës tënde,
më trullosin e më lënë pa gjumë...
dhe këtu jam gjithnjë duke bërë
rrufepritësin e ndonjë lajmi nga ty, ATDHE...


E dua pagjumësinë,
për një puthje të pafalur tënden,
për një shprit të pafjetur akoma,
për një qenie që të mendon pandalshëm,
duke kërkuar më të mirën për ty, Atdhe!...

I uroj krijueses se re ANXHELA QIRUSHI suksese të mëtejshme dhe të mos tërhiqet nga vështirësit që i sjell jeta.
 
JU PERQAFOJ TE GJITHËVE, SA KILOMETRA JEMI !…


Me konsideratë të veçantë e të paharruar
28.12.2010


Belgium
ENKELEJDA ZENEL FEJZO