Manifestimi : “100.000 Poetët e Botës për Ndryshim”në Athinë,  nga Bardha Mançe, gazetare
Megjithë kushtet e vështira atmosferike, ciklonin i cili, pikërisht, në orën 18.00,datë 29 shtator 2018 , kur ne fillonim Manifestimin " 100.000 Poetët dhe Artistët e botës për Ndryshim" kalonte nëpër Athinë, ne arritëm të realizojmë me sukses një veprimtari mjaft interesante dhe me vlerë, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, me dëshirën që të jemi aktiv në përkrahje të çështjet së paqes dhe mbështetjen e forcave, të cilat aspirojnë dhe punojnë për paqen dhe të drejtat njerëzore, aktivë ndaj problemeve sociale dhe plagëve të shoqërisë bashkëkohore .
Falënderimet tona për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Greqi dhe në mënyrë të veçantë për zv Ambasadorin, z. Florian Nova, që ka qenë pranë nesh me praninë inkurajimin dhe mendimet e tij . Pa mbështetjen e grupit të punës dhe interpretuese të poezive të rilindasve dhe të poetëve bashkëkohorë, Margarita Resulin, Miranda Kapedani, Mirela Kuqo, Alqi Prifti, poetët Bledi Ylli, Besnik Sula nuk mund të realizohej aktiviteti. U nderuan në mënyrë të veçantë në këtë aktivitet për veprimtarinë e tyre, në dobi të arteve , letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare aktori i mirënjohur, Nikolla Llambro, Poetja dhe përkthyesja Greke, me një krijimtari të pasur në poezi dhe përkthime nga disa gjuhë të botës, Zaharula Gaitanaki, gazetarja, pedagogia dhe poetja Bardha Mançe, organizatore e Manifestimit “100.000 poetët e botës për ndryshim” , në Greqi, si edhe poeti Bledi Ylli. Mes nesh me ekspozitën e tij, në ambientet e Ambasadës, piktori i ri Mikel Dervishaj. U intervistua piktori Mikel Dervishaj dhe skulptorja me shumë vepra në Greqi, Aleksandras Tsoka. Pjesë e veprimtarisë edhe piktorja e re Beskida Kraja. U interpretuan poezi nga  Naim Frashëri, Mjeda, Çajupi, Asdreni, Migjeni, Gjergj Fishta, Xhevahir Spahiu, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci si edhe të poetëve dhe krijuesve tanë në Greqi, pjesëmarrës në këtë manifestim me vlera të veçantë, sa për tematikën dhe cilësinë e organizimit,  Bledi Ylli, Bardha Mançe, Andrea Petromilo, Besnik Sulaj, Angjelina Xhara, Mirela Kuqo, Mimoza Osmani, Kristina Dojçe, Irini Bregu, Sofia Gjinika. Vargje të posaçme, plot frymëzim, për për këtë veprimtari, shkroi poeti shqiptar i mirënjohur nga Maqedonia, Rami Kamberi. Muzikantët dhe interpretuesit e rinj të talentuar Aldo Kola dhe Sidorela Osmani i dhanë nota gëzimi, hareje dhe optimizmi manifestimit tonë. Nuk do harroj pa falenderuar “Kafe Argjiro” në Athinë, që na ndihmoi në përgatitjen e kokteilit, si dhe të gjithë pjesëmarrësit që udhëtuan në kushte të vështira për të shijuar një veprimtari, sa të bukur dhe interesante, aq edhe të dobishme që, siç u shprehën, do të mbetet në mendjen dhe zemrën e tyre si ushqim shpirtëror për shumë kohë.
 
*
Ishte surprizë e bukur dhe nder për Manifestimin tonë “100.000 Poetë e Botës për Ndryshim” përshëndetja poetike e poetit të mirënjohur, z. Rami Kamberi!
 Ju falënderoj përzemërsisht poet i çmuar, duke mirëpritur vlera të vërteta poetike të krijimtarisë tuaj të begatë!


PËR NJËQINDMIJË POETËT E BOTËS...
 
Në Athinë, e lashë poezinë
Më të bukur, që ma falën,
sytë e diellit
Si Afroditës pjellshmërinë
Te Guri i Detit,
Perëndia e Tokës e Qiellit
Zëri i saj u dëgjua,
deri te lindja e Homerit plak,
Ku këngët me vargje të gjata,
shkruar i kish dheu
Nëpër telat e Lyrës,
që mbi Olimp pikonin gjak
Për zërin e Iliadës,
për rrugën që e bënte, Odiseu
Si perënditë e Thotit,
 për lindjen e re, nëpër flak’
Në Athinë, e lash poezinë
Me ngjyrën e plisit,
me kupolën e lumturisë,
Si Afroditës pjellshmërinë
Te Guri i Detit,
Perëndia që ia fali dashurinë…
 
 
Reflektime për Manifestmin
Idajet Elmazi
“E respektuara Bardha !
Palodhshmëria jote  kurrë s'është dështuese. Aktiviteti yt që i dhuron shpirt internacionalizimit të kulturës së popullit më të vjetër të nënqiellit botë, tregon se je ambasadore e përkryer e Kombit.
Fuqia jote intelektuale si pedagoge, gazetare, artiste dhe organizatore e grumbullimit të artistëve në një sale, mos u zbehtë kurrë.
Nuk ka furtunë tornadiane e ciklon që mund ta mposht fuqinë për organizimin e manifestimit tënd.
Manifestimet që i organizon me plot dashuri e pasion, i bën të realizueshme.
Këtë e vërteton edhe ai i “100.000 Poetëve e Artistëve të Botës”, kolonës së organizimit që i qëndroje ti me humanitetin e buzëqeshjen e çdosekondëshme, si dhe dëshira e dashuria e madhe për ta bashkuar mendjen e ndritur.
Të përgëzoj e të uroj suksese të pazbehura në vlerat që i gatuan e në dashurinë e të pamposhturës që posedon.
Të prifshin sukseset e radhës në art e mësimdhënie, në organizimet për problemet sociale të plagëve të shoqërisë bashkëkohore, në aspiratat për një botë të paqes dhe të drejtave njerëzore.
Të lumtë, ikonë e artit dhe informimit të drejtë!”
 
Kristaq F. Shabani “Ky organizim i këtij niveli u mundësua nga e palodhura, Bardha Mançe, te cilën e falënderojmë pa masë për kontributin e saj në këtë sipërmarrje botërore. Krijuesit në Athinë treguan vlerat e tyre krijuese dhe u përfshine aktivisht në Manifestimin mbarëbotëror. Efekti i këtij aktiviteti duhet të ndihet kudo. Nëpërmjet këtij Manifestimi mund të sigurohet një lidhësi e fortë dhe një shkëmbim universal vlerash. Vetë krijuesit, tashmë, po e kuptojnë se duhet të gjithë të jenë të përbashkuar në nisma të tilla përmastive. Me shumë vullnet dhe guxim poetët , shkrimtarët , artistët do të japin kontributin e tyre për të ndryshuar në të mirë Botën. Faleminderit organizatores dhe gjithë pjesëmarrësve në këtë Event! Falënderojme dhe Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Greqi për vlerësimin e kësaj ngjarjeje madhore, në emër të LNPSHA "Pegasi" Albania!Gjithashtu dhe Zëv/ Ambasadorin pjesëmarrës në event. Ju faleminderit të gjithëve!”
Kafe Argjiro “Ishte me të vërtet një aktivitet shumë domethënës, i organizuar me përkushtim dhe mjeshtëri nga e nderuara znj Bardha,një përpjekje për ngritjen kulturore te komunitetit tonë, si pjesë e pandarë e kulturave botërore.”Kafe Argjiro-Tradicionale Shqiptare” mbështet dhe do të mbështesë gjithmonë aktivitete të këtyre niveleve, dhe është nder dhe kënaqësi për ne që  u zgjodhëm sponsor i këtij aktiviteti. Falënderojme znj.Bardha dhe të gjithë pjesëmarrësit!”
Bardha Mance
“Ju falenderoj për mbështetjen tënde të përhershme, Alqi! Me bashkëpunëtorë si ty, Margarita Resulin, Miranda Kapetanin, Bledi Yllin, Mirela Kuqon, Mirela Koullollin, Besnik Sulan, Golemi Ntina, kam kurajën të ndërmarrim inisiativa të tjera për veprimtari, po kaq dinjitoze, interesante dhe me vlerë!”
 
Sofia Gjinika
“Urime te përzemërta mike, Zonja Bardha Mançe, për kënaqësinë e zhvillimit të këtij aktiviteti që, mua, si pjesëmarrëse, më la mbresa të mrekullueshme si në zhvillimin e aktivitetit, ashtu dhe në recitimin e poezive tona, të cilat  dëgjoheshin nga pjesëmarrësit e asaj mbrëmjeje. Respekte për Ju si organizatore dhe gjithë stafit drejtues të këtyre aktiviteteve, të cilët janë të domosdoshëm. Urime!”
 
 
Thoma Pulo
“Ishte një aktivitet me interes për nxitjen, mbështetjen dhe frymëzimin e mëtejshëm të poetëve emigrantë në punën e tyre krijuese . Iniciativa dhe realizime të tilla marrin vlera të mëdha në luftën e përbashkët ndaj plagëve të shoqërisë së sotme, në luftën për ndërtimin e një bote më të mirë, me më shumë dashuri , paqe dhe drejtësi. Respekt ndaj jush, e nderuar Bardha, si iniciatore dhe organizatore e ketij takimi!”
 
*
Në këtë manifestim mungonte artistja Vivien Horjeti, e cila ndodhej në Angli  për të marrë pjesë në manifestimin e organizuar në Sheffild (Angli).
Kush është Vivien Horjeti?
Vivien Horjeti ka lindur në vitin 1993 dhe është rritur në Athinë, ku studion arkitekturë dhe “Interior Design” . Pasioni i saj i hershëm është piktura dhe fotografia artistike, ku gjejmë të ndërthuret ideja me strukturën dhe formën gjeometrike, në realizime të bukura artistike. Problematika sociale me protestë ndaj së keqes dhe afirmimin e së mirës, pozitives shprehet gjerësisht në shumë nga fotografitë e saj. Kërkuese e idesë, Vivieni i ofron asaj format dhe ngjyrat që e shprehin. Është anëtare e grupit të artistëve të arteve figurative “ART WAY”, Greqi. Pjesëmarëse dhe fituese çmimesh në disa ekspozita: 2008, Çmimi i Dytë, konkursi ndërkombëtar i pikturës, Itali; 2015 Ekspozitë, Pire; 2016 Ekspozitë, Chili Art Galeri, Athinë; 2016 Ekspozitë Personale dhe Çmimi i Parë, Gjermani 2016; Ekspozitë Personale e Fotografisë Artistike, Athinë 2016; ekspozitë në Madova Itali, nën kujdesin e bashkisë së Madovës, prill 2017. Është  person i nderuar në ekspozitën dhe veprimtarinë e saj në veprimtarinë “Arti në lëvizje” në Breshia të Italisë; korrik 2018, ekspozitë në ishullin Paros në Greqi; mars 2018 botohet në Athinë, për herë të parë Antologjia "50 Krijuesit Grekë të Arteve Figurative", ku përfshihet edhe Vivien Horieti me veprimtarinë dhe krijime të saj. Poezia dhe krijimtaria poetike është një pasion tjetër i Vivien Horieti. Në qershor të vitit 2018, Vivien Horieti zgjidhet Nënkryetare e Unionit të Shkrimtarëve dhe artistëve, në Kongresin e parë të këtij Unioni të zhvilluar në Prizren. Ε përfshirë në veprimtarinë kulturore është bashkëpunëtore e Festivalit Ndërkombëtar të Elasonës në Greqi. Nënkryetare e festivalit ballkanik të valles popullore ballkanike në Tiranë, nga 18 deri në 23  shtator 2018; 29 shtator 2018,  ekspozitë personale në Angli, gjatë Manifestimit “100.000 Poetët dhe Artistë e Botës për ndryshim” organizuar me shumë nivel , në qytetin e Sheffild(Angli) , nga shkrimtarja dhe organizatorja  e talentuar, Nexhmije Hasani , koordinatore e LNPSHA”PEGASI” ALBANIA për Anglinë , ku morën pjesë aktivisht përfaqësues:  poetë e poete , shkrimtarë, gazetarë, artistë e artiste  nga disa shtete.
Falënderimet për Presidentin e LNPSHA “PEGASI” ALBANIA z. Kristaq F.  Shabani!
 
Bardha Mançe, pedagoge, gazetare; organizatore dhe moderatore e manifestimit në Greqi: 100.000 Poetë dhe Artistë të botës për ndryshim”.
Koordinatore për Greqinë e “Pegasi” Albania , e cila inicioi dhe përgatiti këtë Manifestim të madh.
 
Athinë, 2 tetor 2018