Ç’rrënjë origjine!
 
Ullirit tim
 
Prej vendlindjes, Shkodrës time,
 solla  një  “degë” ulliri,
E mbolla në dhe’ të huaj,
Nostalgjia  cicëronte …
Kujdesi im:
sikur rritja një fëmijë.
Ujitje e  dëshiruar,
E ninullova, e këndova
me gjuhën arbërore…
Ulliri bënte përpjetë,
 drejt qiellit,  i lumturuar.
Hapi krahëzat e gjelbra,
sikur do të fluturonte,
 e ndihmonte era;
vallëzonte ndjeshëm  ulliri,
teksa rritej…
qeshte,
 si një vogëlush i gjelbëruar!
*
Ja, lindi dhe  fruti,
 nga degë e harlisur…
Fytyra  ime “nënë”
në kulme gazmendi: 
“Më i miri në krahinë  ulliri im!…”
E ujita me lot shpirti!
 
Ç’rrënjë origjine!
Më  flet, më buzëqesh në shqip…
U gazmuan të gjithë për këtë rritje
“Grande l’albero di Linda!…
Perche?”
Çuditeshin me këtë ulli- “tip”….
*
Frymova fort,
teksa nxora frazën:
“Mos u habisni, të dashurat e mia,
Rrënjët, ky ulli,  i ka nga Shqipëria!”






 

Nënë, o nënë, qofshë e bardhë,
 si parajsa!
 
Poezia ime e dhimbjes
 
 
Dera kryesore rrinte heshtur…
S’dole të më prisje, si ngaherë,
Këmbët, kohë më parë,
të kanë lënë,
Pragu vuante për hijen tënde.
Nënë, asnjë sëmundje
 dot s’të mposhti,
I lodhur  ishte trupi yt,
rruga e jetës mbajti peshën,
ta robëroi zemrën.
Ah, sa e rëndë ishte kjo peshë!
 Në derë t’u shfaqa,
s’më njohe më .
Nënë, lotët më pikuan në faqe,
kur pranove orën të të merrte …
“Lamtumirë” me sy kërkove,
 të ikje në botën e Etërve, Nënë.
 Vullkan, 
trishtimi shpirtin ma  përvëlon,
më mbyt ngashërimi, nënë, moj!…
Fjalë nuk gjeta të të qaj,
 se ti nënë ike e bardhë:
Gjyshe, stërgjyshe e lumturuar,
Grua, nënë, Ëngjëll i paharruar…
Për ty “ikja “ erdhi e mbarë,
mua lotin ma thau në sy…
Nënë, o nënë, qofshë e bardhë,
 si parajsa!
Urimi im në këtë çast të hidhur…
2.
Pritëm, deri në ditën e caktuar,
Sa lotin ta derdh e ta vadis “kurorën”
Unë do të këndoj,
do të shkruaj për Ty,
se kurrë më s’do të thërras : “Nënë!”