“Dashuritë” e reja të Nasho Jorgaqit

Ka vendosur të mos shkojë nga kjo botë pa provuar gjithçka i ofron ajo me të cilën ka lidhur e mbushur jetën e vet si shkrimtar dhe studiues; krijimtaria artistike dhe studimore. Vitaliteti krijues i Nasho Jorgaqit vazhdon të prodhojë art dhe shkencë, madje t’i shtojë lexuesit të vet lloje e zhanre të reja, çka përbëjnë dhe shpërfaqjen e re të këtij personaliteti të letrave shqip në risi gjinish e llojesh letrare, të cilët s’i kishim parë në titujt e shumtë të gjersotmë të veprës së tij letrare. Nasho Jorgaqi është aktualisht mbase nga shkrimtarët më prodhimtarë të viteve të fundit, i cili, pavarësisht hip-zbritjeve të politikës dhe zhvillimeve social-kulturore të Shqipërisë, ka punuar e selitur kopshtin e vet, duke ruajtur vlagën dhe brazdat e nisura hershëm; që në bankat e shkollës, në zyrat redaktoriale të shtëpive botuese e më tej, mes studentëve si drejtues dhe profesor i tyre.

Besoj se s’ka bibliotekë, qoftë edhe e një mësuesi fshati diku në Shqipëri (dhe jo pak në diasporën shqiptare) që të mos ketë në raftin e saj një titull të veprës letrare a studimore të Nasho Jorgaqit. Kjo sepse profilet me të cilat na jepet vepra shumëformëshe artistike dhe historike e këtij shkrimtari, sot është kaq e gjerë dhe e larmishme sa duket sikur atë e ka shoqëruar tërë jetën letrare, jo vetëm meraku për temën, tematikën dhe mesazhin që do t’u përcjellë lexuesve, por edhe forma e formati, lloji e gjinia, brenda të cilës do derdhë artin apo studimin e vet, gatuar me talent e përkushtim në magjen e bollshme të kësaj krijimtarie.
Prodhimi letrar i Nasho Jorgaqit, nisur si prozator; me tregimet e para dhe novelat e mirënjohura dhe ende të “shijshme” artistikisht, si “Dashuria e Mimozës” (1960), do të vazhdonin të pasuroheshin ngutshëm për më shumë se gjysmë shekulli me tituj të shumtë thuajse nga të gjitha sferat e zhvillimeve shoqërore të krijimtarisë së mirëfilltë artistike, të letërsisë dokumentare dhe të studimeve.

Për pasojë, mund të themi sot se Nasho Jorgaqi është krijuesi dhe studiuesi shumëplansh. Talenti i spikatur dhe zelli i tij studimor kanë sjellë veprat e veta thuajse në të gjitha fushat e prodhimit letrar, hulumtuese dhe krijuese, si tregime e novela për fëmijë dhe skenarë filmash për ata, romane dhe përkthime, studime shkencore dhe letrare, letërsi dokumentare, monografi, biografi e udhëpërshkrime deri edhe vepra shteruese si “Noliana”, (2001), frut i një pune studimore e hulumtuese shumëvjeçare.

Falë kësaj pune ngulmuese, plot pasion e përkushtim, biblioteka shqiptare (dhe jo vetëm kjo), ka sot në radhët e veta vepra të tilla si biografitë letrare të heronjve të Luftës, si Qemal Stafa dhe Vasil Laçi, përmbledhjet “Tregimet e mbrëmjes”, “Tregimet e Qemalit”, “Tregimet e pranverës”, etj., novelat “Dashuria e Mimozës”, “Balada e nënës”, “Ëndrra dhe plagë”, etj., përmbledhjet e bukura me prozë poetike “Shpirti i magjepsur”, “Manastiri dashurisë”, “Ndëshkimi i bukurisë”, “Ishte një dashuri”, “Poetika e dokumentit” (1987), udhëpërshkrimet e shumta të këtij autori si “Larg dhe afër”, “Udhëve të mërgimit”, “Udhëtim me Fan Nolin”, “Udhëtime letrare” (2001), biografitë “Qemal Stafa” e “Plumba perandorit”(1980), deri edhe romani në dy pjesë “Mërgata e qyqeve”, “Fanoliana” dhe atë që autori ka më për zemër ta quaj veprën e jetës, “Jeta e Fan Nolit” (2006).

Të vijmë tani tek ato; “dashuritë” e reja të shkrimtarit tonë, e cila këtë herë sjellë një prurje të re; paksa të rrallë ndër titujt e shumtë dhe faqet e pafundme që shfletojmë përditë. Është fjala për një libër të ri, me përmbajtje të re, madje edhe me formë e lëndë, gjithashtu të re. Dihet sa i ri është Hajku ndër autorët shqiptarë. Një mënyrë e re, tepër fine dhe ekspresive e të shprehurit të artit dhe filozofisë, me vargje të ndërtuara me një rregullsi e kadencë poetike dhe mendim të thellë. Dhe, si të mos i mjaftonin magjet e vjetra ku Nasho Jorgaqi derdhte dijen dhe artin e vet në gjysmëshekullin e fundit, provoi edhe këtë, Hajku-n.

Dhe ja, tri vjet më parë morëm përmbledhjen e parë të Nasho Jorgaqit me Hajk, “Nën hiret e bukurisë” (2005), e cila ishte një buqetë-surprizë për lexuesin dhe kolegët e shkrimtarit. Duket, pikërisht kjo pritje e ngrohtë e nxiti autorin ta përsëdytë atë me librin “Momente hajku”, në të cilin lexuesi humbet mbërthyeshëm tek përjeton tablotë plot ngjyrë e dritë, imazhet e mrekullueshme që krijon ai trivargësh i njohur i Hajku-t, i cili, me mënyrën lakonike dhe artistike të të shprehurit, të mbush e të ngop me mend dhe zemër, me art dhe shkencë; me letërsi, filozofi dhe informacion. Pikërisht ai trivargësh, në krijimin e Nasho Jorgaqit, tek stopon ashtu brenda tij kohën dhe gjithësinë, shpirtin dhe dijen njerëzore, merret me vete dhe përjetohet gjatë...


Por, edhe kjo, “dashuri” e re e shkrimtarit tonë me Hajku-n, paçka se pak e vonët, gjithsesi nuk qenka e fundit!... Shumëllojshmëria e pafundme me të cilat përcillet arti ndër breza, tërësisht të njohura dhe të zotëruara mjeshtërisht nga shkrimtari Jorgaqi, sjellin së fundmi edhe një lloj tjetër krijimtarie, e cila, paçka se e njohur nga të gjithë, është përdorur nga pak autorë. Libri i Jorgaqit me titullin “Një tufë gonxhe dhe gjemba”, botim i Argeta –LMG, vjen si përmbledhje “Bibliotekës së urtësisë shqiptare”, me aforizma, fjali, deduksione, sentenca, që lexohen me një frymë dhe përcjellin një mesazh gjithëpërfshirës e të gjithëkohshëm. Krijimtaria e urtësisë intelektuale, mbështetur në përvojën, dijen dhe urtësinë popullore, është e hershme sa vet njerëzimi. Thëniet lakonike me fuqi të madhe shprehëse, sigurisht janë veçori dhe produkt i njerëzve të ditur e me përvojë, njohës dhe vëzhgues të vëmendshëm të botës dhe të natyrës njerëzore”. Urtësia, më shumë se bijë e mençurisë, është bijë e përvojës”, thotë autori (fq.133). Kjo lloj letërsie artistike-filozofike ka lindur që në lashtësi si letërsi e aforizmave dhe sentencave, e fjalëve të urta të krijuara nga mendimtarë, burra shteti e gojëtarë, historianë , dijetarë e artistë të mëdhenj. Sigurisht, edhe në këtë truall, autori Jorgaqi nuk shkel së pari. Para tri vjetësh, ai u dha lexuesve librin e parë të tij me këtë lloj letërsie (Përmbledhje aforizmash), nën titullin “Sythe mendimesh” e cila, përbënte një risi ndër titujt e shumtë të këtij autori.

Së fundmi, ja edhe një tjetër libër, gjithashtu me aforizma, madje me një përzgjedhje dhe renditje tepër të volirtëshme për lexuesin e çdo niveli a grupi shoqëror. Autori e rendit lëndën sipas alfabetit, çka e lehtëson përdorimin dhe rikthimin tek ajo aforizëm që përkon me mendimin a ndjenjën e tij apo që përqaset me fatin a jetën e lexuesit. Gjithë aforizmat i paraprin edhe numri rendor (gjithsej, 1367), i cili, gjithashtu lehtëson përdorimin e librit duke veçuar aforizmën që intereson më shumë. E reja e këtij shkrimtari në këtë fushë të krijimtarisë intelektuale qëndron jo vetëm në lëvrimin e saj si formë shprehëse-ekspresive, por sidomos në atë çka përcjellë me përmbajtjen e kësaj krijimtarie. Shtrirja e gjithëkahëshme dhe e gjithëkohëshme për ta qëmtuar lëndën nga çdo sferë e jetës njerëzore, shpërfaqin në këtë libër kuintesencën e mendimit estetik, filozofik dhe artistik, të mbarë njerëzimit, të formuluar e përcjellë shkurt dhe qartë.

Ndaj edhe përjetohen gjatë nga lexuesi. Të tilla janë; Dritarja-altari i pritjes së nënës, Dashuroj, pra jam, Drama fillon nga mëdyshja, Familja është vatër, jo kafaz, Brenda fjalës lamtumirë jemi të gjithë, Durimi lëshon sythe urtësie, Gratë dorëzohen, burrat kapen rob, Fitove zemrat, fitove botën, Fëmija, vetja jonë jashtë nesh, etj.

Siç shihet, edhe në këto aforizma, lexuesi aty gjen veten në të gjitha në të gjitha çastet e jetës, në çdo moshë dhe vend, në marrëdhëniet me veten, me familjen e shoqërinë, me mjedisin dhe moshatarët, çka e bënë që ato t’i përjetojë si të vetat, si ndodhi dhe pësime të tijat, sikur autori i tyre s’e ka fjalën për të gjithë a gjithësinë, por pikërisht për mua; lexuesin. Kësisoj, çdo krijim i bukur i këtij libri, i përcjellë ashtu shkurt dhe saktë, si me një fjalë e me një frymë, si diçka e çastit, por që të shoqëron gjatë, të shkon e vjen në mendje si një profeci a parandjenjë, e cila ka dhe s’ka lidhje me ty a me të tutë.

Libri i dytë i shkrimtarit dhe studiuesit Nasho Jorgaqit me aforizma nën titullin domethënës “Një tufë gonxhe dhe gjemba”, është i mirëpritur jo vetëm pse shton titujt e paktë në këtë lloj letrar në “Bibliotekën e urtësisë shqiptare”, por edhe se shihet lehtë që ky libër, është produkt i një pune të gjatë vëzhguese-hulumtuese dhe qëmtimi të vëmendshëm të këtij autori ndaj zhvillimeve të përgjithshme dhe të përditshme të jetës njerëzore. Përndryshe s’mund të grumbullohet lehtë një përvojë kaq e madhe jetësore, e shtrirë pafundësisht në kohë dhe hapësira dhe e derdhur kaq bukur e shkurt në pak fjalë a rreshta. Si i tillë, libri i ri “Një tufë gonxhe dhe gjrmba”, shndërrohet në një libër xhepi, shumë i përdorshëm nga gjithë kategoritë e lexuesve.

Vet forma artistike në të cilën është derdhur lënda e bollshme jetësore, ndjell leximin dhe shton përjetimin në ndjesinë e njeriut edhe pse aty s’ka as ngjarje, as personazh, as heronj e heroina. E, mbase pikërisht këtu është edhe një e veçantë tjetër e kësaj krijimtarie. Ndaj, duke e uruar autorin për këtë prurje të re artistike-filozofike, themi se kjo duhet të shërbejë edhe si shtysë për gjithë krijuesit tanë për më shumë libra të tillë, por edhe për atë çka i ka munguar promovimit më dukshëm dhe ndjeshëm të kësaj letërsie, dobisë artistike dhe edukuese që ajo mbart dhe përcjellë ndër lexuesit e shumtë. Dhe, duke folur kështu për një “dashuri” te re të autorit, le të shpresojmë që s’do jetë e fundit. Vitaliteti krijues, puna përkushtuese dhe sistematike e gjersotme e Nasho Jorgaqit, optimizmi që e mbush dhe e ngroh gjendjen e tij shpirtërore, na e premtojnë këtë. përherëshme e çdo moshe.